SERBIA SHPËTIMTARE E PERANDORISË OSMANE
Akoma ndër ne ka qyqarë e trushkalë që
kinse nuk e kuptojnë se Serbia e Turqia kanë punuar gjithmonë me mirëkuptim mes
njeri-tjetrit në dëm të interesave të shqiptarëve. Akoma ka që falen në tyrben
e Sulltan Muratit, krushkut të serbëve, sepse ai ishte babai i Sulltan Bajazitit
që mori për grua vajzën
e vogël të Car Lazarit të Serbisë,
Mileva Olivera Llazareviq, që turqit e quanin Despina Hatun.
Nga Kolec TRABOINI
Ka ngjarje në histori të kaluara në
gjysmë heshtje e në të kundërt mjaft prej të tjerave thirren në evidencë për
qëllime të ditës e të realizimit të planeve gjeostrategjike në Ballkan. Në këtë
mosnjohje historike po ndodhin dhe precedentë nga më të çuditshmet dhe më të
dëmshmet. Shumë ndër shqiptarë të nxitur nga inkursionet e të huajve po bëhen
zëdhënës e trumbetues të krijimit të hegjemonive të reja, duke ëndërruar
krijimin e një bashkësie shtetesh në Ballkan ngjashëm me perandorinë osmane, e
stimuluar kjo nga politika Erdoganit dhe përhapja e ideve e parullave mjaft
agresive, ndër të cilat “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”. Këto
qarqe që kërkojnë revanshe historike nuk dalin të shpjegojnë se ku qëndron kjo
sentencë, mbi çfarë baze historike dhe ku duan të arrijnë me të. Gjithsesi, ky
synim është mjaft i dëmshëm për çështjen shqiptare, ende e pazgjidhur
përfundimisht në trojet e veta të ndara si plaçkë tregu dhe trofe luftërash
prej shtetesh ballkanike, që mesa duket ende nuk paskan të ngopur me trojet e
të parëve tanë ilire.
Natyrisht krijimi i kësaj psikoze, se
Turqia e Erdoganit ka ambicie për krijimin e një formacioni të madh në aleanca
mbështetur në popullsinë myslimane të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, i shkon
sipas orekseve qarqeve të Beogradit, por edhe Athinës për gjoja rrezikun që
përmbajnë shqiptarët në prirjen e tyre për të krijuar një kalifat ballkanik
mysliman. Ata e shfrytëzojnë këtë ide të stisur me qëllim të fusin panikun në
shtetet e tjera ballkanike, por edhe Evropës dhe Amerikës, madje edhe duke u
shtirë si të frikësuar, duke u paraqitur pas masakrave e gjenocidit që ka bërë
mbi shqiptarët, mundësisht edhe si një viktime. Kjo është një politikë tinëzare
që ne si shqiptarë duhet të dimë si ta kundërshtojmë dhe ta demaskojmë, sepse
shqiptarët nuk kanë asnjë dëshirë t’i bashkohen asnjë lloj grupimi a bashkimi
veç asaj të BE-së dhe aleancës historike me Amerikën, si shpëtimtarët e
popullit shqiptar të Kosovës.
Shqiptarëve që gënjehen prej erërave
mikluese e mashtruese që fryjnë në të katër horizontet, dëshirojmë tu themi:
mësoni ta lexoni historinë e të mos bini
viktimë e rivaliteteve herë të hapura e herë të fshehta të shteteve ballkanike
e më gjerë që punojnë për interesat e veta e jo për shqiptarët. Nuk ka pse të
ngulmojmë në mendimin se Turqia është miku ynë dhe armik i serbëve. Në pamje të
parë të duket sikur shteti serb nuk ka
interesa dhe aleanca e ndonjë miqësi fort të madhe me Turqinë, por ne duhet të
dimë si ta lexojmë historinë. Historinë tonë, por edhe historinë e të tjerëve.
Po t’i ndjekim me kujdes faktet historike, na del se Serbia jo vetëm nuk ka
qenë ndonjë armik i përbetuar i Turqisë, por një aleat që të paktën në një çast
historik ka qenë edhe shpëtimtare e
Perandorisë Turke. Nuk duam të bëjmë historizëm po le t’i hedhin një vështrim
marrëdhënieve serbo-turke.
E vërteta është se ka pasur një betejë në histori e kthyer në mit të
sforcuar si betejë vetëm serbe; është
fjala për betejën e aleatëve ballkanikë
dhe forcave të perandorisë turke në Fushë Kosovë në vitin 1389, e cila doli
humbëse për aleancën ballkanike në mes të cilëve qenë dhe shqiptarët, por
veçmas fatale për serbët, të cilët humbën Car Lazarin në fushë të betejës. Por
edhe turqit megjithëse e konsiderojnë betejën të fituar, lanë në fushëbeteje sulltan Muratin e I. Këtu
shquhet emri i luftëtarit shqiptar të kthyer në legjendë Milosh Kopili, që
nëpër analet osmane quhet edhe Bilesh Kyble.
Në këtë betejë pashallarët turq kishin
në komandë edhe dy djemtë e Sulltan Muratit,
Jakub Çelebiu dhe Bajaziti. Të ndodhur
përpara alternativës se cilin duhej të zgjidhnin sultan, pashallarët turq e
vranë vetë Jakub Çelebiun dhe shpallën sulltan Bajazitin e parë. Nga kjo betejë
Serbia pranoi vasalitetin dhe vajza e Car Lazarit të vrarë ju dha Bajazitit, i
cili e mbajti në harem si një nga tre gratë e veta. Vetë Bajaziti e kishte
nënën greke.
Pikërisht tek kjo grua serbe, vajza e
vogël e Car Lazarit të Serbisë, Mileva Olivera Llazareviq, turqit e quanin
Despina Hatun, do të nisë një miqësi mes serbëve dhe turqve. Pavarësisht
martesës së saj, ajo kurrë nuk u konvertua në Islam. Ajo kishte një ndikim të
madh te sulltani, i cili ndihmoi njerëzit e saj, vendin dhe familjen për të
mbijetuar. Në këtë kohë në krye të Serbisë,
ishte vëllai i saj Stefan Lazari si aleat i turqve.
Në 20 korrik të vitit 1402, mes
forcave kalorësiake të fiseve tartare të Timurit dhe atyre të Sulltan
Bajazitit, u zhvillua një betejë vendimtare, e quajtur sipas vendit ku
u zhvillua, beteja e Edrenesë. Në krah
të Sulltan Bajazitit ishin si aleatë forcat serbe të Stefan Lazarit, por edhe
princët shqiptarë që kishin pranuar vasalitetin, si Gjon Kastrioti, Koja
Zaharia (babai i Lek Zaharisë), Dhimitër Jonima dhe mendohet edhe Tanush
Dukagjini. Ishte një nga betejat më të përgjakshme. Historianët shënojnë se
brenda një ore u vranë prej furisë së kalorësve të Timurit afro 50 mijë ushtarë
turq. Ndodhur në këto kushte forcat aleate ballkanike arritën të dalin nga
rrethimi që u kishte bërë Timurlengu, i konsideruar një ushtarak shumë i zoti.
Madje historianët shënojnë se princi serb Stefan Lazari, vëllai i gruas së
sulltan Bajazitit, i kërkoi këtij që të tërhiqeshin për të shpëtuar nga ndonjë
grackë e mundshme e Timurlengut. Por nga sedra e madhe, sulltan Bajazitit, i
njohur për shumë fitore në kohën e sundimit të tij, nuk e la fushën e luftës
dhe vazhdoi qëndresën pa u tërhequr. Kjo do t’i sillte shkatërrimin. I mbetur
me jo më shumë se disa qindra kalorës, i rrethuar nga forcat armike, ai zihet i
gjallë me gjithë shpurën e tij, me gruan serbe dhe me një nga djemtë. Kësisoj
erdhi shkatërrimi i perandorisë turke, e cila për 11 vjet do të vazhdonte të
ishte në kaos. Sulltan Bajaziti u mbajt rob, por mbas disa muajsh, në vitin
1403, ai vdiq nga hidhërimi. Pas kërkesave të shumta nga Serbia, Timurlengu
pranoi të lërë të lirë gruan serbe të
Bajazitit dhe një nga djemtë e tij mbetur rob. Në këtë periudhë ndjehet roli i
sulltaneshës Despina Hatun në riformimin e perandorisë turke, e cila ndodhej në
luftë civile e rivalitete pushteti mes katër djemve të sulltan Bajazitit që
zgjati deri në vitin 1413. Për këtë princeshë serbe dhe grua sulltani është
botuar një libër në vitin 2009 në Beograd me titull “Princesha Olivera, heroina
serbe e harruar”. Serbët e përkrahën njërin nga djemtë, Mehmetin, i cili i
mundi të vëllezërit një e nga një, i vrau dhe u shpall sulltan Mehmeti i parë.
Me vdekjen e Timurit në moshën 69 vjeç, ndërsa ishte duke përgatitur 300 mijë trupa për të sulmuar
Kinën, perandoria turke nën sulltan Mehmetin e parë e rimori veten falë edhe
kontributit që serbët dhanë për ripërtëritjen e saj. Jo më kot Serbia e ka
lejuar gjithherë turbën që u ngrit nga turqit në vendin ku u vra sulltan Murati
i I nga shqiptari Milosh Kopili. Ishte tyrbja e babait të Sulltan Bajaziti i I,
dhëndrit të Serbisë ku çuditërisht falen edhe
sot e kësaj dite shqiptarët myslimanë të Kosovës pa e ditur krejt çfarë
bëjnë në këtë ironi të historisë, se ky sulltan është i afërt i serbëve e jo i
shqiptarëve. Dhe që ta dimë mirë historinë, sulltan Bajaziti i lejoj serbët të
pushtonin Shkupin sepse i konsideronte
aleatët më të besuar në Ballkan, çfarë historia a vërtetoi me ndihmën që këta
dhanë me ri-ngritjen e perandorisë osmane me sjelljen në pushtet të Mehmetit e
I. Miti i betejës së Kosovës në vitin 1389 i ka shërbyer Serbisë jo si armiqësi
ndaj turqëve, por vetëm e vetëm për të mbajtur të pushtuar tokat shqiptare.
Ja pra që historia ka edhe dritëhijet
e veta. Lidhjet serbo-turke disa ndër shqiptarët e Kosovës nuk arrijnë t’i
dallojnë, por ato aty janë, në histori. Ndaj të mos na vijë çudi që Perandoria
Osmane ua lejoi serbëve pavarësinë, ashtu si më parë grekëve, por kurrën e
kurrës nuk mendonte ta bënte këtë gjë me shqiptarët, me mendimin se tashmë
shqiptarët ishin shkombëtarizuar, ishin tjetërsuar, ishin kthyer në turq dhe nuk
kishin asnjë lloj identiteti. Të mos e harrojmë devizën e sulltanëve turq që
“vendi të shkatërrohet e asnjë shqiptar gjallë të mos mbetet”, e cila shprehte
mllefin e egër thuaj shtazarak të pushtuesve ndaj një çerek shekulli rezistencë
të shqiptarëve dhe disfatave të hordhive të lindjes. Nuk kishte ndodhur
ndonjëherë që në trojet shqiptare me ushtri të panumërta të shfaqeshin vetë
sulltanët e jo një here, por disa herë dhe të kthyer me turp andej prej nga
kishin ardhur.
Analet historike, shënimet e udhëtarëve,
kronikanët e sulltanëve e përshkruajnë me tone urrejtjeje deri dhe patologjike
Gjergj Kastriotin, atë që mbante emrin e Aleksandrit të madh, Iskander-
Skënderbeu. Ato përshkruajnë masakrat që janë bërë ndaj shqiptarëve prej
hordhive sulltanore por nuk gjendën te njëjtat trajtime asnjë herë në kronikat
e tyre në trojet e ndaj popullsisë serbe. Mizoria ndaj shqiptarëve e pohuar
prej tyre në arkivat osmane janë një mizori e vërtetë me një dëshirë të egër
për zhdukjen e kësaj popullsie nga faqja e dheut. E nëse shqiptarët arritën të
shpëtojnë si komb ishte, siç e përshkruajnë kronikanët turq, se shqiptarët që
shpëtuan prej kokë prerjeve shkuan në malet e lartë e në pyje të dendura ku nuk
mund të depërtonte këmbë ushtari. Në këto anale historike populli që urrenin më
shumë, që e përshkruanin si më të egrin me të cilët kishin luftuar ndonjëherë e
që meritonte të shfaroseshin qenë shqiptarët. E kjo histori është e shkruar me
dorën e tyre e nuk mund të vihen në dyshim as faktet që sjellin e as urrejtjen që shprehin. Ka që hedhin dyshime
se shkrimet e Marin Barletit tonë të madh janë subjektive, se masakrat nuk kanë
qënë dhe aq sa përshkruan tek “Skënderbeu” dhe “Rrethimi i Shkodrës”. Lexoni kronikanët e vjetër turq Ahmedi (1334-1413), Shukrullah(1386-1459), Oruçi,
Mehmet Neshri, Tursuni, Këvami, Idriz
Bitlisi(? - 1520), Kemal Pashazade (1468-1534), Hoxha Sadeddin(1536-1599), Ali
( 1541-1600) e plot të tjerë për të mësuar skena vrasjesh e tmerresh të
pafundme, biblike ndër shqiptarët. Vetëm këto kronika po të paraqiteshin para
opinionit publik ndërkombëtar do të mjaftonte për ti konsideruar pesë shekuj pushtim si pesë shekuj gjenocid
të turqëve mbi shqiptarët.
Edhe në qindvjeçarin e shtetit
shqiptar janë parë aleanca turko-serbe në dëm të interesave të shqiptarëve. Le
të kujtojmë konventën jugosllavo-turke të vitit 1938, e cila ishte në kuadër të
programit shovinist për spastrimin e Kosovës prej shqiptarëve. Dhe e vërteta
është se turqit i ndihmuan serbët të zbojnë nga Kosova me qindra e mijëra
shqiptarë duke e zvogëluar numrin e popullsisë. Por edhe më pas Luftës së Dytë
Botërore ka marrëveshje si ajo e quajtur Pakti Ballkanik mes tre shteteve:
Turqi-Jugosllavi-Greqi, në sajë të të cilit u bë shpërngulja e mbi 400 mijë
shqiptarëve nga Kosova duke u dhënë kalimin në Turqi.
Historia e ka treguar se miqësia nuk
është ajo që shprehet me fjalë të bukura nëpër vizita e mitingje, por ajo që
realizohet në praktikë dhe ajo në të vërtetë është se anipse në Turqi jetojnë
mbi 5 milionë shqiptarë, as nuk diskutohet që ky komunitet i madh shqiptarësh
të ketë ato të drejta që gëzojnë të gjitha komunitetet në vende të qytetëruara.
Kështu që, megjithëse në dukje Greqia e Turqia shtiren se kanë kontradikta, kur
bie fjala për qëndrimin ndaj shqiptarëve që gjenden në këto shtete, të dy këto
mbajnë një qëndrim arrogant, mospërfillës dhe as që flitet për respektimin e të
drejtave të shqiptarëve. Çdo iluzion i krijuar nga propagandat që inspirojnë
ekspansione e kërkojnë të ngjallin fantazmat historike si perandoria osmane apo
megaloidheja, e më tej përrallisje si Kosova- djepi i Serbisë, duhet të na bëjnë të jemi syçelë e të mos e
humbim mendjen pas miqësive të rreme të atyre që natën të vrasin e ditën të
qajnë.
WORLD POETICA CHANNEL |