DUSHMANËT
E SHKODRËS DHE DEGËT NË GREQI DHE AMERIKË
Me gjak shqiptar edhe poeti i madh, Lorenzo
Mavili
Nga Kolec TRABOINI
Fisi Dushmani është ndër më të vjetrit fise
të trevave veriore, të cilët kanë bërë emër
në histori dhe kanë dhënë një ndihmesë të madhe në qëndresën dhe identitetin
shqiptar. Me së shumti vëmendja e studiuesve është e përqendruar te Lek e Pal
Dushmani, aleatë të heroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriotit, pjesëmarrës
në Kuvendin e Lezhës në vitin 1444. Por degët e këtij fisi fisnikësh shqiptar kanë
një përhapje të gjërë në Greqi e deri në Amerikë. Dushmanët njihen herët në
histori, ndaj dhe nuk duhet të këtë asnjë keqkuptim me fjalën turke
dushmani-armiku. Së shumti fjalën dushmani e shpjegojnë si bashkim i fjalëve dush-të duash, dhe fjalën tjetër
arbërore meni, pra mosdashje, në
kuptimin që nuk i do armiku. Gjithsesi, emri Dushmani është i njohur shumë kohë
më parë se të shfaqeshin turqit në tokat arbërore e as nuk mund të vihet në
dyshim burimi i tij prej gjuhës vendase arbërore me rrënjë në ilirishte. Në të dhënat
e hershme thuhet se familja fisnike Dushmani
kishte zotërimet që nga fusha e Nënshkodrës dhe deri në verilindje të
qytetit rrëzë maleve. Në shekullin XIV përmendet fakti se kjo familje ishte
vasale e Balshajve. Ndërsa në Betejën e Ankarasë
në vitin 1402 mes ushtrisë së Sulltan Bajazitit dhe të Timur Lengut, në të cilën
ushtria turko-osmane u shpartallua dhe vetë sulltani u zu rob, krahas fisnikëve
të tjerë shqiptarë si Gjon Kastrioti, në këtë luftë kishte marrë pjesë me trupat shqiptare edhe Gjin Dushmani.
Kuptohet se nga kjo luftë perandoria turke thuajse u shkatërrua për të mos u përmendur
të paktën për 12 vjet, derisa me ndihmën e Serbisë u ripërtëri plotësisht, ani
pse kjo ndihmë e ripërtëritje më pas do të rezultonte fatale për popujt e
Ballkanit. Pas këtij rrënimi të osmanëve, një pjesë e fisnikëve shqiptarë
krijuan lidhje me Republikën e Venedikut, e cila kishte mjaft zotërime në Arbëri.
Në vitin 1403 Senati i Venedikut konfirmoi
si anëtar të tij, anëtarë të familjes Dushmani. Përmenden emrat e Demjan, Goran
dhe Nenad Dushmani si zotërues të Pultit. Anëtarë të kësaj familje qenë
zgjedhur gjithashtu edhe si klerikë të lartë të Kishës Katolike, ndër të cilët shquhet
Pal Dushmani, peshkopi i Dioqezës së
Pultit në vitin 1427. Ai do të ishte një person me influencë të madhe në atë
kohë në marrëdhëniet tepër delikate të shqiptarëve me Republikën e Venedikut, dhe
qëndroi deri në fund mik besnik e i
patundur i Gjergj Kastriotit.
Në qytetin e Lezhës, më 2 mars të vitit
1444 u mblodh kuvendi i prijësve që formuan Besëlidhjen Shqiptare e ku morën
pjesë: Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andre Topia bashkë me dy
djemtë, Komini e Muzaka dhe të nipin Tanushin, Gjergj Stres Balsha, Nikollë e
Pal Dukagjini, Pjetër Spani bashkë me katër djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruon
dhe Mirkon, Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj
familjeje, Zahari Gropa, Lekë Dushmani bashkë me vëllanë Pjetrin e fisnikë
të tjerë fqinjë me ta, Stefan Gjurashi
bashkë me bijtë e tij, Gjergjin e Gjonin etj.
Megjithë dëshirat e mëdha për bashkim
forcash përballë një armiku shumë të fuqishëm që vinte nga Lindja, ambicjet e prijësve
shqiptarë me plot konflikte sollën mjaft shqetësime për Skënderbeun.
IRENA E BUKUR E DUSHMANËVE DHE VRASJA
TRAGJIKE E LEK ZAHARISË
Lek Dushmani, një prej prijësve shqiptarë që
mori pjesë në formimin e Besëlidhjes Shqiptare, ishte dhe një nga aleatët më
besnikë të Gjergj Kastriotit. Ai kishte një vajzë të vetme dhe kësisoj kush do
të martohej me Irenën e bukur do të kishte edhe fatin të zotëronte pasuritë e mëdha
të Lek Dushmanit. Për këtë vajzë, të cilën familja, por edhe vetë ajo ishin të përcaktuar
në një fejesë me prijësin e Danjës, Lek Zabarinë, kishte ambicje edhe vëllai i
Lek Dukagjinit, Nikolla. E vërteta është se përtej bukurisë së mahnitshme të
Irena Dushmanit, e njohur në tërë Arbërinë,
që disa e quajnë edhe Jerina, në vëmendje të princërve ishte një pasuri e madhe
dhe tokat e Zadrimës që zotëronte Lek Dushmani. Në kohën kur Lek Zaharia po
kthehej nga kullat e Dushmanëve, ku ishte nënshkruar kontrata e martesës së
tij me Irenën e bukur, tek po kalonte në
pyllin e e Kovinenit afër Drinit, ra në pritën e ngritur nga Nikoll Dukagjini. Kjo
vrasje tronditi prijësit shqiptarë dhe vetë Gjergj Kastriotin, sepse Lek
Zaharia ishte ndër aleatët e tij më besnikë. Ishin të njohura ambicjet e Republikës
së Venedikut për të zotëruar tokat arbërore, ndaj është e natyrshme që kjo
vrasje të sillte konfliktin shqiptaro-venecian 1447-1448. Dy familje të mëdha
si Spani dhe Dushmani ishin kundër luftës me Venedikun prandaj nuk morën pjesë
në asnjë veprimtari luftarake mes venedikasve dhe shqiptarëve. Në këtë konflikt
Venediku me marrëveshje arriti të mbante kështjellën e Danjës. Në vitin 1451
Lek Dukagjini bashkë me Bozhidar Dushmanin duke përfituar nga gjendja e
turbullt në tokat arbërore, bënë një
plan për të sulmuar kështjellën e Drishtit, të cilën e mbanin venecianët, por
kjo u zbulua dhe ky i fundit, Bozhidar Dushmani, u detyrua të ikte jashtë trojeve të veta. Gjasat
janë të jetë vendosur në ishullin e Korfuzit, i cili ishte nën sundimin e
Venedikut.
LEK E PAL DUSHMANI, ALEATËT MË BESNIKË TË
GJERGJ KASTRIOTIT
Këto ambicje prijësish sillnin shqetësime mjaft
të mëdha për Besëlidhjen Shqiptare që përballonte fushatat e perandorisë osmane. I kësaj kohe është
edhe konflikti mes Gjergj Kastriotit dhe Lek Dukagjinit, rivalitet që ishte bërë
i njohur edhe përtej Adriatikut. U desh ndërhyrja e Papës, i cili në korrikun e
vitit 1452 dërgoi si përfaqësues të vet peshkopin Pal Dushmani që të gjente frymën
e mirëkuptimit mes Gjergj Kastriotit dhe Lek Dukagjinit, çfarë edhe u arrit. Pal Dushmani, një prej emrave të
mëdhenj të fisit Dushmani, ishte autor i disa biografive të shkurtra dhe
kronika të ngjarjeve bashkëkohore. Ai ishte Kryepeshkopi i Krajës kur vdiq në
vitin 1457.
Në betejat e kryetrimit Gjergj Kastrioti, që
u priu shqiptarëve kundër trupave pushtuese osmane, shkëlqeu edhe trimëria e
mjaft prijësve shqiptarë që bashkë me trimat e tyre dhanë jetën në mbrojtje të
trojeve arbërore, e ndër këta lartësohen emrat e Pjetër, Frano e Marin Spani
dhe vëllezërit Lek e Pjetër Dushmani.
Është e kuptueshme që me vdekjen e Gjergj
Kastriotit dhe pushtimin e Arbërisë nga trupat turko-osmane, përpara shumë
familjeve fisnike shqiptare mbeteshin vetëm dy rrugë, o të shkonin maleve atje
ku pushtuesit e kishin të vështirë të kalonin, ose të merrnin rrugën e
mërgimit. Një pjesë e fiseve arbërore u ngjitën maleve dhe mbijetuan. Në një
relacion për Vatikanin i 4 majit 1596 thuhet se kryengritësit udhëhequr prej
kalorësve Tomë Plezha dhe Mark Gjini prej Zadrime kanë sulmuar Shkodrën dhe
Lezhën, por kanë dështuar para forcave të shumta të Turqisë, por edhe nga
përçarja që futën venedikasit ndërmjet kryengritësve si dhe nga informacioni që
i dhanë perandorisë turke në lidhje me këtë kryengritje. Megjithë shtypjen e
pamëshirshme, asnjë herë qëndresa në këto krahina përreth Shkodrës nuk u shua.
Në fillim të shekullit XX, Edith Durham e
vizitoi Shqipërinë dhe shkruante se Dushmani
përbëhet nga dy grupime, Temali dhe Dushmani. Ato janë pjesë e krahinës së Postribës ku përfshihen edhe Mazreku,
Drishti, Shllaku dhe Dushmani. Gjasat janë që fshati Dushman, që kishte jo më shumë se 180 shtëpi,
ta ketë marrë këtë emër prej peshkopit Pal Dushmani.
FAMILJA FISNIKE E DUSHMANËVE MERR RRUGËN E MËRGIMIT NË KORFUZ
Dihet se pjestarë të fisit të njohur dhe të
shquar të Dushmanëve të Nënshkodrës, morën rrugën e mërgimit dhe u vendosën në
Korfuz, gjurmët e të cilëve gjendën edhe sot dhe përbëjnë një nga familjet më të
shquara në Greqi. Familja Dushmani duke qenë se i përkiste fisnikërisë kishte
edhe stemën e saj familjare e cila e shoqëroi edhe në Korfuz. Atë stemë e kemi
gjetur në një botim periodik “Metaphysical-Art”, n.11-13, N. Velissiotis, 2014.
Më parë edhe Posta Shqiptare ka shtypur një pullë të veçantë me stemën e
stilizuar të kësaj familje të njohur shqiptare.
Duhet thënë se në 21 mars të vitin 1800
Turqia e Rusia firmosën marrëveshjen e
krijimit të Republikës së 7 ishujve Joniane, përfshirë dhe Korfuzin, në të cilën një rol të
madh kanë luajtur dy familjet Mavilis dhe Dushmani, njëra me origjinë italiane (ka
që shkruajnë spanjolle) dhe tjetra shqiptare. Emri i parë që gjejmë të shkruar
nga fisi arbëror i Dushmanëve që u vendosën në Korfuz është Antonio Lefkoçilo
Dushmani, kont dhe politikan i Bashkimit
të Ishujve Joniane. Për të shkruhet se
ka lindur në Korfuz në vitin 1800 në një familje fisnike. Halla e tij
ishte e martuar me konsullin Lorenzo Mavilis, i njohur edhe si Mabilis për
shkak të b-së që në alfabetin grek lexohet v.
Në një dokument të asaj kohe shënohet se
Lorenzo Mavilis vjen në Korfuz si konsull i Spanjës. I vdes gruaja e parë,
njihet me një vajzë nga familja shqiptare Dushmani me të cilën martohet më 18
qershor 1809. Interesante është se ajo shënohet si Konteshë Katerina, por shënohet
edhe Tonina, emër që përdoret më së shumti në Shqipëri, veçmas në Shkodër, kemi
parasysh Motrën Tone. Katerina-Tonina Dushmani
ishte 29 vjeç, vajza e kontit Xhiovani, Spiro Dushmani, i cili mbante
lidhje dhe kishte influencë në shumë familje mbretërore në Europë, duke përfshirë
oborrin perandorak osman, por edhe atë rus. Dushmanët vazhdonin të ishin edhe në
Korfuz një familje e besimit katolik. Mundet që pikërisht ky të ketë qenë një nga
personalitetet që kanë ndikuar për dhënien e pavarësisë 7 ishujve dhe krijimin
e Republikës Joniane.
NJË TJETËR VAJZË E BUKUR E DUSHMANËVE DHE
LIDHJA ME KONSULLIN MAVILI. NIPI I SAJ POET I MADH I GREQISË ME FAMË NË EUROPË
Shqiptares Katerina-Tonina Dushmani i lindën
dy fëmjë, vajza Adelaide më 1812 dhe djali Paolo më
1814. Adelaide Mavili u martua në moshën
15-vjeçare në vitin 1829 me Giorgio de Chirico-n. Katerina
Dushmani ka vdekur më 3 janar 1845 në
Danta Mavra, Lefkadha, ndërsa i shoqi konsulli Lorenzo më 7 tetor 1853 në
Korfuz. Djali i tyre Paolo u martua me Xhiovanina Kapodistria- dhe kishte dy fëmijë,
Ester dhe Lorenzo. Ky i fundit u bë një emër i njohur në letërsinë evropiane,
poet, dramaturg e filozof. Kësisoj na del se një nga poetët më të rëndësishëm të
Greqisë, Lorenzo Mavilis, është nga gjyshja me gjak shqiptar, gjë e cila deri më
tani nuk ka qenë e ditur. Antonio Dushmani, djali i vëllait të Katerina
Dushmanit, në vitin 1833 u emërua nën-sekretar i Senatit të
Bashkimit Jonian dhe në 1834 u bë sekretar i departamentit politik dhe në
vazhdim sekretari i departamentit të përgjithshëm në 1853. Ndërsa në vitet 1841-1857
shërbeu si sekretar i komisionit të përgjithshëm të mësimit publik në
Republikën e Ishujve Jonianë. Për shërbimet e tij për kurorën britanike ai u
emërua komandant Kalorës i Urdhërit të Shën Mëhillit dhe Shën Gjergjit më 26
shtator, 1849. Pas bashkimit të ishujve
të Jonit me Greqinë në vitin 1864, Antonio Dushmani ka përkthyer në italisht
nga anglishtja shënimet e William Ewart Gladstone mbi Ishujt Jonianë dhe i ka botuar
ato në vitin 1869. Gladstone ka qenë disa herë kryeministër i Britanisë së
Madhe.
Poeti
lirik Lorenzo Mavilis, ka lindur në ishullin e Odisesë, në Itakë. Babai i tij
ka qënë konsull i Spanjës në Kretë. Mavilis u rrit në një mjedis familjar me
kulturë europiane. Më 1880 shkoi në Gjermani për studime në filologji dhe
filozofi. Është ndikuar nga idetë e Emanuel Kant-it, Arthur Shopenhauer-it dhe
Nietzsche-s. Veç greqishtes dinte gjuhët sanskrite, indiane, latine, gjermane,
italiane, franceze, angleze dhe spanjolle. Më 1896 mori pjesë në kryengritjen e
Kretës.
Ai ishte i biri i Paolo Mavilit dhe i Xhovanina
Kapodistrias, nëna e të cilëve ishte një shqiptare e Korfuzit Katerina-Tonina
Dushmani. Në 1910 e zgjodhën
deputet në parlamentin grek si përfaqësues i Korfuzit. Njihet si poeti grek që
ka marrë pjesë në shumë luftra. E fundit ishte ajo ku grekët luftonin kundër
trupave osmane në Drisko të Janinës me 28 nëntor 1912, ku poeti u vra në krye
të një formacioni ushtarak me vullnetare garibaldinë nga Italia . Duhet theksuar se edhe poeti Nobelist
Odisea Elitis nga nëna është me origjinë arvanite, pra shqiptare.
VIKTOR DUSHMANI, GJENERALI TRIM TË CILIN VENEZILLOSI
E DËNOI ME BURGIM TË PËRJETSHËM, POR AI KURRË NUK U PËRKUL
Ndër emrat e mëdhenj të fisit shqiptar
Dushmani të vendosur në Korfuz janë edhe vëllezërit Viktor dhe Sofokli
Dushmani, nipa të Antonio Dushmanit.
Viktor Dushmani u lind në vitin 1861 në
Korfuz. Hyri në Akademinë e ushtrisë greke
dhe u diplomua në vitin 1883. Tre vjet më pas u gradua toger dhe në
vitin 1890 kapiten. Mori pjesë në Luftën
Greko-Turke të vitit 1897. Në vitin 1899-1904, ai shërbeu si kreu i Shërbimit
të Shtabit të Ministrisë greke të Punëve ushtarake dhe në vitin 1904, me
themelimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, u transferua në Korpusin e
Shtabit të Përgjithshëm. Gjatë Luftës së parë Ballkanike të viteve 1912-1913
kundër Perandorisë Osmane, ai ishte shef i Operacioneve për forcën kryesore greke,
Ushtria e Thesalisë nën Princin e Kurorës, Konstandinit. Në Luftën e Dytë
Ballkanike kundër Bullgarisë në verën e vitit 1913, ai shërbeu si shef i
shtabit të ushtrisë në terren, përsëri nën Kostandinin, i cili ishte bërë
tashmë mbret i Greqisë. Në të njëjtin vit u gradua kolonel dhe pastaj në
gjeneral.
Në fillim të
vitit 1914 u emërua shef i Shtabit të Përgjithshëm, por dha dorëheqjen në
nëntor pas një konflikti me kryeministrin Eleftherios Venizelos mbi çështjen e
hyrjes së Greqisë në Luftën e Parë Botërore. Në gusht të 1916-ës së bashku me ruajalistë
të tjerë të shquar, u dëbuan në Korsikë. Pas kthimit në Greqi me përfundimin e
luftës, në vitin 1919, ai u dënua nga
gjykata ushtarake e Venizellos me burgim të përjetshëm si i dyshuar për
tradhti të lartë. Më pas u lirua dhe u kthye në detyrë, por mbeti gjithnjë
kundërshtar i kryeministrit Venezillos. U lirua nga detyra përfundimisht 2 nëntor 1922 dhe në vitet e fundit të jetës
iu kushtua shkrimeve mbi çështjet ushtarake dhe historike. Vdiq në vitin 1949.
SOFOKLI
DUSHMANI, ADMIRALI I FLOTËS DETARE
Sofokli
Dushmani, vëllai i Viktor Dushmanit u lind më 25 dhjetor 1868 dhe
ndoqi po karrierën ushtarake duke hyrë
në Akademinë Detare Helenike e duke arritur gradën admiral deri sa doli në
lirim 20 nëntor 1935. Sofokli Dushmani vdiq në Athinë në vitin 1952.
NJË DUSHMAN FIZIKANT ATOMIST NË AMERIKË
Ende
në Korfuz ka familje që kanë lidhje me Dushmanët e vjetër të ardhur në këtë
ishull nga Shqipëria, por falë aftësive
dhe inteligjencës së trashëguar ata do të zinin një vend të veçantë në shoqërinë
e në instancat e shtetit grek. U vendosën në Athinë, por në disa kërkime del se
pinjollë të kësaj familje kanë shkuar dhe janë vendosur edhe në Amerikë. Tipik është
rasti i një të riu nga familja Dushmani. U dallua si një talent në shkenca dhe
për të shkruanin gazetat e kohës. Gazeta e universitetit Columbia në New York “Columbia Spectator” më 17 mars 1947, botoi një
artikull të veçantë për të riun 19-vjecar, George Dushmani me një talent
premtues në studimet shkencore. Gazeta shkruante se ai është njeri prej 103
grekëve që studiojnë në Amerikë. I etur për dije, me këmbëngulje kishte mësuar
frëngjishten dhe anglishten dhe e flet gjuhën, shkruante gazeta, si gjithë
amerikanët.
Për
George Dushmanin gjejmë edhe njoftime të tjera në shtypin amerikan. Eshtë
lindur në vitin 1929. Ka mbaruar studimet universitare në vitin 1953. U mor me
studimin e rrezeve laser. Përmendet në librin e Charles H.
Townes “Çfarë ndodhi me rrezet Laser: Aventurat
e një shkencëtari” botuar nga Oxford University Press 1959.
George Dushmani është i njohur edhe në fushën e botimeve, si
autor apo bashkautor i 6 veprave studimore shkencore.
Duhet
shtuar se në Amerikë ka me dhjetra familje me mbiemrin Dushmani e që janë
pasardhës të Dushmanëve të Shkodrës, ndër këta ka edhe mjekë me emër si Dr. Athanasio Dushmani, neurologist
në Bronxville, NY e plot të tjerë. Është
mëse e qartë se ata e kanë kujtesën të shuar sa i përket prejardhjes së tyre dhe
megjithatë ata janë vazhdimësi e fisit të madh të Dushmanëve të Shkodrës të
shekullit XV.