Lumi i Anton Gojçajt e ka gjetur
shtratin e vet, një shtrat ku ai si mjeshtër, do të vazhdojë të përpëlitet natë
e ditë në një shqetësim të pagjumë për fjalën e zgjedhur dhe magjinë e poezisë.
Nga KOLEC TRABOINI
Anton Gojçaj, jo vetëm që është një poet e prozator që nuk le motiv pa e thurur mjeshtërisht e fjalë që i buron nga shpirti pa e gdhendur me pasion, por ka edhe një përmasë tjetër që nuk bie aspak më poshtë dy të parave. Është tepër njerëzor, i komunikueshëm, e ka dëshirën e mirë të kërkojë e të zbulojë vlera tek krijuesit shqiptarë të letërsisë së sotme në gjithë përfshirje, them kombëtare sepse kam parasysh hapësirën Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi dhe Diasporë, sa mund të thuash pa e tepruar se janë të paktë ata që mund ta mbërrijnë me iu afruar në atë cak të atyre tre dimensioneve që e karakterizojnë Anton Gojçajn.
Ai është gjurmues i palodhur e
këmbëngulës, ndjekës hap pas hapi i letërsisë së mirë. Zbulues i vlerave ndër
shkrimtarë të tjerë, kërkon libra, e në mes të librave, vazhdon si të ishte një
gjahtar perlash që flenë në fundin e deteve e veç presin daljen në dritë. E sikur
u thotë lexuesve shih sa bukur e bëjnë përthyerjen e rrezeve të diellit. Kjo është
bukuria e jetës, e reflektimit të saj nëpërmjet artit.
Anton Gojçaj do të mund të mbetej në
dy dimensionet e tij si poet e eseist. E nisi udhën e krijimtarisë me vëllimin poetik
“Poezi” (Illyricum, Tuz 2001) dhe duke kërkuar një shtrat më të gjerë, vërshimi
i lumit të tij kaloi në prozë: “Qengji i harruar në mal”, tregime, (“Shpresa”, Prishtinë
2003). Pas kësaj në rend vjen i treti
libër me ese në kërkimin e Anton Gojçajt që nuk ndalet: “Tema e heroit nacional
në Letërsi”, (AIKD, Prishtinë 2004).
Erdhi dhe “Passio” Buzuku 2004
Prishtinë, si një rrëke malore me ujëra të kthjellëta për të mbushur shtratin e
vet krijues si për të na thënë se të gjithë lumenjtë rrjedhin në vendlindje. Një
roman ky model për dramën e njeriut larg atdheut, mishëruar në kthimin e
piktorit të famshëm në Amerikë Jozef Montanaro si një Odise i përhumbur në botën
shqiptare, ku kish harruar edhe emrin e vet.
Ky kthim në trojet e veta, tek fëmijëria,
tek emri i tij Zef Gjoni, ishte rrugëtimi
i fundit për ta mbyllur jetën në qetësi e në paqe. Thirrja e tokës e kushtrimi i
të parëve qenka një tundim i madh për njeriun. Ky subjekt që punon në 90 faqe
libër thotë më shumë se ca prej romaneve që janë në modë prej trashësisë, por që nisin e kurrë nuk mbarojnë me shkakun e thjeshtë
se lexuesi i lodhur skajshëm i lë për gjysmë.
Anton Gojçaj parapëlqen fjalën e
saktë, të shkurtër, figurative, si e folura e pleqve të Malësisë, të cilët urtia i bën më të kursyer, sikur
fjalën ta nxirrnin nga pusi. Jo më kot në një prej eseve të tij për letërsinë, në
librin “Fakticiteti në letërsi” (Buzuku, Prishtinë 2007), Anton Gojçaj shkruan
plot pasion për prozën letrare të Pater Anton Arapit, i cili në kryeveprën e
vet “Andrra e Pretashit” trajton jetën e
malësorëve të një shekulli më parë, por aty gjen aq dritë sa për të ndriçuar e parë
jo vetëm të shkuarën por edhe të ardhmen.
Ëndërrimet për jetë nuk kanë të
shuar në këto troje malësorësh me karakter të fortë, ku, sa shuhet një ëndërr
ndizet një tjetër si pishtar i pashuar brezash. Anton Gojçaj, ky autor në një rrjedhë që nuk ka as kohë e as dëshirë të ndalet,
vjen me “Shijen e librit” (AIKD, Prishtinë 2009), një vëllim me recensione,
interpretime dhe ese. Edhe në këtë libër Anton Gojçaj vazhdon zbuluesen e vet në
krijimtarinë letrare pa u kufizuar, në hapësirën ballkanike e gjithkund ku letërsia
shqipe kultivohet, por me vështrime edhe në letërsinë botërore. Kështu krahas
shumë emrave të krijuesve shqiptarë që nga Ismail Kadare, Nikollë Berishaj, Alfred
Çapaliku, Gjek Marinaj, Xhevdet Bajraj, Ndue Ukaj, Anton N. Berisha, Fran
Camaj, Nik Ukgjini, Lumnije Hoxha, Nail Draga, Ibrahim Berjashi, Basri Çapriqi
e tjerë gjen vështrime dhe ese për veprat e botuara në shqip të Platonit,
Charles Bukowskit, Ezra Poundit, Gynter Grasit, Italo Zvevos, si dhe mbi pikëpamjet
estetike të Shën Tomë Akuinit, estet i dritës diellore e tjerë.
Pavarësisht se Anton Gojçaj, një
autor si kalliri me shumë bukë që e mban kokën ulur, shprehet modestish për
krijimtarinë e vet në librin “Shija e Librit” ku shkruan: “T’i shkruaj
dhe t’i botoj përshtypjet e mia për librat kam filluar gjatë studimeve.
Si duket, unë qysh atëherë e kam pasur të qartë se në letërsinë artistike s’do
jem i suksesshëm”, por me çfarë tregon në vazhdimësinë e tij krijuese koha nuk i
dha të drejtë. Talenti para se të jetë
vepër është një shfaqje. E atë shfaqje Anton Gojçaj e kishte pasur që në librin
e parë. Ndaj prurja e veprave të reja cilësore
nga ky autor, për lexuesit apo
kolegët shkrimtarë nuk është e papritur. Madje edhe ribotimi i romanit “Passio”
në Podgoricë në vitin 2015 dhe interesi i lexuesve që u shfaq për të, vërteton saktësinë e mendimit të studiuesit dr.
Anton Berishaj: “Passio paraqet një kryevepër “të vogël” të mirëfilltë
të letërsisë bashkëkohore shqiptare”.
Po do të ishte i mangët vlerësimi për
autorin pa këqyrjen e ashtit të poezisë së tij, që edhe ajo është e vogël në
volum por origjinale, me individualitet e ndjesi të thellë. Autori Anton Gojçaj
siç shfaqet mjeshtër i fjalës së zgjedhur e ndërtimit të subjekteve e
karaktereve në prozë, ndjehet po aq mrekullisht në poezi. Tek poezia e Anton
Gojçajt gjen motive hapësinore deri përtej oqeanesh, nuk ka kufizim në
këndvështrimin e tij, por poezia e tij
gjithherë shfaqet atje ku ndjehet më mirë, në shkëmbinjtë e malit të Hotit, ku
dëgjohet kënga e fëllanxave të malit e ku autori lëshon thirrjen e tij
dashunore: “Vrapo e dashura ime”:
buka
e bardhë
përngjasim
vetëtime
me
shpejt se yjet e hëna
vrapo
e dashura ime
shirat
në ty lahen
flakërojnë
vegime
dhelpër
është klepsidra
vrapo
e dashura ime
pritjen
zjet thellimi
ngutuni
gëzime
herët
bëhet vonë
vrapo
e dashura ime
Që nga koha kur botoi vëllimin e
parë poetik e deri tek “Dëgjohet një violinë, në suferinë...” poezi, (Enti
botues “Gjergj Fishta” Lezhë 2011), kishte kaluar plot një dekadë, por poezitë
e Anton Gojçajt vijnë po aq emocionuese, të thella nga mendimi, puhizë në
ndjesi, që para se të shkojnë e kërkojnë
motive larg në kohë e hapësirë, më së shumti ngulmojnë në zbulimin e
vetvetes, në përjetime që gjithçka e kalojnë në filtrin e shpirtit.
Le të sjellim poezinë e cila është
përzgjedhur si titull libri “Dëgjohet një
violinë, në suferinë…”
Qielli
është një portë e mbyllur.
Pas
portës gjithmonë ka diçka.
Qielli
është bordel i pafund
Miliarda
yje si miliarda gra
të
zhveshura e joshin udhëtarin
e
lodhur të shtrihet mbi ta.
Dëgjohet
një violinë… Fryn
Një
suferinë. Qielli shkundet.
Yjet
bien një e nga një. Si gjethet.
Si
mbretër të posarrëzuar prej fronit.
Si
mbeturina të sofrës parajsore.
Qielli
është dritare e hapur kudo.
Më kot autori Anton Gojçaj e
paragjykonte prozën e artin e tij poetik siç e cituam më lart. Ato vërtetë nuk
flasin zhurmshëm, nuk buçasin, nuk thërrasin t’u bësh eho, siç u bëjnë ca
autorë krijimeve të tyre, por janë si ato lulet e vogla apo fijet e barit që me
qetësinë e brishtësinë e vet, pak e nga pak, bëjnë shteg e lulëzojnë në shkëmb.
Dhe jo pak herë lulet e shkëmbit janë po aq të bukura, madje shpesh edhe më të
bukura se ato që rriten në lëndina të buta e ku qëllon të shkelen me këmbë.
Kush ka shëtitur në mal, ku të duket gjithkah thatësirë gri, ka vënë re një
aromë të magjishme të cilën askund tjetër nuk e ndjen. Janë aromat e luleve te
malit.
Vargjet e tij rrjedhin natyrshëm, zbresin
si petale që rrëzon era në pranverë, herë-herë të bëhen si fluturzat e borës që
shkrijnë në buzët e nxehta të vajzave. Të asaj që i jep titullin një prej
poezive të tij më të bukura, një perlë dashurie e denjë për çdo antologji
lirike të poezisë kombëtare por edhe ndërkombëtare: “Vajza që ecën me ombrellë nëpër borë”:
sa
shumë që duheshim
atë
mbrëmje me borë
si
s’ta bëra me dorë
si
s’ma bërë me dorë
kur
luanim qiellorë
me
djallëzoren ironi
si
s’ma bëre me sy
si
s’ta bëra me sy
do
të duhemi përsëri
netëve
pa orë
do
të vishemi me florë
do
të shkrihemi në bore
Aq e mbyllur është kjo poezi, po
dhe të tjera si kjo në krijimtarinë e Anton Gojçajt, sa të duket si një perlë
me të cilën të dashurohen sytë, aq sa autori nuk ia ka ndjerë nevojën as
shenjave të pikësimit sepse ato tre strofa në 12 vargjet përbëjnë një unitet
mendimi e fjalësh, konfigurimi estetik, të cilat lexohen me një frymë, madje
ajo nëpër eter sikur të sjell edhe tingujt e një muzike në imagjinatën tënde si
lexues, e ndoshta ky instrument mund të jetë ajo që autori e thërret në
titullin e librit, një violinë në suferinë.
Shumë prej poezive mbresëlënëse të
Anton Gojçaj lënë poetikisht pa frymë për nga shkalla e lartë e përjetimit
emocional. Gjithçka zhvillohet shpejt, aq shpejt sa të përngjan sikur je me
vështrim në qiellin mbrëmësor. Sheh një yll që këputet tek lë një vrragë të
thellë si prush zjarri, e ani pse ylli është shuar, vazhdon të lërë gjurmë
dritë në sytë e tu, në kujtesën tënde. Pikërisht për këtë thonë se poezia ka
magji, është dehja e fjalëve, është fryma e shpirtit që të prek edhe atëherë
kur mendon se je larg prej botës së emocioneve dhe frymëzimit. Ajo të vjen pa
pasur nevojë ta thërrasësh. Ajo vjen tek njeriu në shumë trajta por në rastin
më fatlum kemi metamorfimin poetik të fjalës si drithërimë drite
Por
a është kjo arritje e mjaftueshme për ta konsideruar se autori është në pikën
më të lartë të trajektores së vet krijuese, aq më tepër se tashmë ai është një nga autorët më të veçantë që e
pasurojnë letërsinë shqipe. Duke e ditur psikologjinë e Anton Gojçajt, marrëdhëniet
e tij me artin, rrethanat e jetës ku formohen prirjet dhe karakteri, do të thosha se vetë autori do ta konsideronte
të pamjaftueshme rrugëtimin e tij të deritashëm letrar. Sepse ja çfarë thotë në poezinë e tij “Energjia e poezisë”: “Universit
i duhet edhe një vers”. Pra çdo përkryerje është një shteg i ri për të vazhduar udhën e guximshme të artit,
një rrugëtim ky që nuk ka fund. Ajo çfarë dimë apo hamendësojmë për
krijimtarinë e larmishme të shkrimtarit është se lumi i Anton Gojçajt e ka gjetur shtratin e vet,
një shtrat ku ai si mjeshtër, do të vazhdojë të përpëlitet natë e ditë në një shqetësim
të pagjumë për fjalën e zgjedhur dhe magjinë e poezisë.