17 August 2016

Nuk shiten e as nuk falen trojet shqiptare-nga Kolec Traboini


NUK SHITEN E AS NUK FALEN TROJET SHQIPTARE
Fjalimi i Biden-it nuk është alibi për qeveritarët e Prishtinës

Nga KOLEC TRABOINI

Ato që thotë në fjalime e biseda në Prishtinë i nderuari Biden,zëvendësi i presidentit Obama, së pari nuk janë urdhra, nuk janë te detyrueshme dhe se dyti ai nuk e thotë shprehimisht se duhet të falim toka shqiptare. Nuk mund ta thoshte këtë se po ta thoshte nuk do te ishte aspak mik i shqiptareve. Nuk meriton një mik i madh si Biden, të përdoret për qëllime të mbrapshta nga klani në pushtet në Kosovë. Kjo është një ligësi e dinakëri orientale e propagandës se dyshes Thaçi - Mustafa. As Amerika nuk i lejon vetes të thotë falini tokat sepse amerikanët e dinë historinë, që tokat shqiptare në Ballkan janë të pushtuara nga 4 shtetet ballkanike, Serbia, Greqia, Maqedonia dhe Mali i Zi.. Po le të shkojmë më tej. Edhe sikur të thoshte Biden jepini tokat, Biden në janar do të jetë thjeshtë një pensionist si gjithë të tjerët e fjala e tij nuk është ligj por një opinion personal. Madje pa asnjë influencë me ardhjen e një presidenti dhe administrate të re në Shtëpinë e Bardhë me 20 janar 2017. Kosova nuk mund të japë asnjë centimetër tokë, le të thotë çfarë të doje Biden, Hashim Thaçi, Is Mustafa apo propoganda qorre e Prishtinës. Nuk ka mik të mirë në botë që të detyron të shesësh a të falesh trungun e Atdheun. Nëse e japin truallin kombëtar, për tradhti kombëtare do të paditën shtetarët e sotëm në Kosovë e jo pensionisti Biden përtej oqeanit. Prandaj nuk ka asnjë alibi për ata që i janë qepur si bisha trojeve shqiptare e do ti japin tek të huajt. Nëse ata bëjnë sikur nuk e kuptojnë sot se po kryejnë një akt të paprecedent, në fakt një akt tradhtie(çfarë të kujton faljen e Shën Naumit që bëri Zogu për serbët që e sollën në pushtet), nga dëliri se e ndjejnë veten të gjithëpushtetshëm bëjnë sikur as lexojnë çfarë shkruhet e as çfarë flitet në popull, por nesër kur të mos jenë më në pushtet, bukur mirë do të kenë mundësi ta kuptojnë, por edhe të mbajnë përgjegjësinë historike të tradhtisë e do të marrin atë që meriton çdo tradhti e çdo tradhtar.
Nuk është vonë për të hequr dorë nga ky akt mizor i tjetërsimit të trojeve kombëtare shqiptare dhe aspak vonë për të dënuar tradhtinë, nëse kjo ndodh.

18 gusht 2016