Në 15 vjetorin e Masakrës:
PYETJE AVOKAT IDAJET BEQIRIT MBI POZICIONIN E SHIK-ut
TË FATOS KLOSIT NË MASAKRIMIN E KOMANDANT TELIT DHE NJËSITIT TË TIJ NË GAZI
BABË TË SHKUPIT MË 7 GUSHT 2001.
Avokat i nderuar. Ju drejtohen sepse e di se je i
lidhur ngushtë me veprimtari atdhetare veç profesionit të avokatit. Desha të
pyes publikisht për mendimin tuaj se cili është pozicioni apo dhe roli i
SHIK-ut të Fatos Klosit në Masakrën e Gazi Babës ku u vranë tradhtisht në gjumë
Lefter Koxhaj, Pajtim Roçi, Ndriçim Koxhaj, Arben Bajrami, Abaz Beqiri, Adem
Osmani (i vrarë më vonë me tortura në qeli)? Ju pyes duke qenë jashtë këtyre
intrigave të kohës e të ditës, se kam qenë gjithherë në Amerikë e prej andej i
kam ndjek ngjarjet. Po e përsëris për të qenë sa më i qartë e saktë në pyetjen
time: A ka gisht në dhënien e informacioneve SHIK-u i Fatos Klosit mbi
vendndodhjen e njësitit të UÇK-së në Gazi Babë të Shkupit më 7 gusht 2001, 15
vjet më parë, ku u masakruan 6 shqiptare ndër ta Komandant Teli, heroi më i
lavdishëm i Luftës së vitit 2001, sot Dëshmor i Atdheut.
E dimë që Komandant Teli kishte probleme me drejtësinë
shqiptare dhe ndiqej madje i është dhënë emri Interpolit nga ana e organeve
shqiptare të ndjekjes (për çfarë Lefter Koxhaj përdortë pseudonimin e luftës
Lefter Bicaj), prandaj është e rëndësishme të dihet se a ka dhënë Shik-u i
Klosit informacione tek shërbimi sekret maqedonas për vendndodhjen e njësitit
luftarak të Komandant Telit. Vendndodhja ka qenë sekret dhe e ka ditur vetëm
Shtabi i UCK- së Ali Ahmetit. A ka pas lidhje Shik-u i Klosit me shtabin në
fjalë dhe a ka shkëmbyer informata mbi shqiptarët që luftonin në rradhët e
UCK-së? E kam ndjek këtë çështje prej disa vitesh dhe kam bindjen se në atë
masakër kanë gisht shërbimet sekrete të disa shteteve duke përfshirë edhe
Shqipërinë. A ka gjegje pyetja që ju shtrova të cilën unë do ta vë edhe në një
libër në kërkim të së vërtetës se kush i tradhtoi 6 shqiptarët e UÇK-së të
masakruar në gjumë, në lagjen shqiptare Gazi Babë të Çairit në Shkup. Kjo
pyetje se nga ana e qeverisë shqiptare nuk është thënë asgjë, as nuk është
protestuar për masakrën, por e kanë kaluar masakrimin e shqiptarëve si një
ngjarje të thjeshtë që nuk meriton vëmendje. Të njëjtën gjë kanë bërë, si të
ishin të sinkronizuar edhe antarët e shtabit të UÇK-së kur ata janë thirrur për
deponime të ndryshme në Gjyqin e Hagës dhe në asnjë rast nuk e kanë konsideruar
ngjarjen si një masakër dhe shkelje e ligjeve të luftës dhe nuk e kanë
paraqitur si një akuzë ndaj shtetit të Maqedonisë.
A shihni ju ndonjë mundësi që kjo masakër të zbardhet
në rrugë ligjore sepse për vepra të tilla mizore kalimi i kohës nuk përbën
alibi për askënd qoftë individ apo institucion, shërbim sekret apo dhe
instancat e qeverisjes shtetërore. Aq me tepër se tashmë Marrëveshja e Ohrit ka
vdekur dhe ndaj bashkëkombësve tanë në Maqedoni vazhdojnë të ushtrohen
padrejtësi dhe dhune e pafund, pa kursyer edhe krimet.
Me respekt
Kolec P. Traboini
11 gusht 2016