08 August 2016

Ataturku e dinte që islami do ta shkatëronte Turqinë. nga Edward Luttwak





Ataturku e dinte që islami do ta shkatëronte Turqinë

Nga EDWARD LUTTWAK

Mustafa Kemal Ataturku, themeluesi i Republikës së Turqisë sekulare që zëvendësoi Perandorinë Osmane, e cila ishte një perandori myslimane, u nda nga jeta në vitin 1938, mirëpo turqit ndahen ende në “pro” dhe “kundër” Ataturkut - femrat nuk ka nevojë të thonë gjë, sepse vetëm fakti që mbajnë ose jo mbulesë është tregues i anës që mbajnë. Kampi “kundër” Ataturkut që kërkon ta rikthejë Turqinë në një vend islam është mbështetur tradicionalisht prej shumicës më pak të edukuar të popullsisë së vendit, mirëpo deri në vitin 2002 ky rend është ruajtur nga forcat ushtarake, ideologjia përbashkuese kemaliste e të cilëve ka qenë rreptësisht sekulare.
Ajo çfarë e zhbëri këtë ekuilibër ishte aleanca fitimtare e islamistëve populistë, e drejtuar nga një ish-futbollist me formim modest, Rexhep Tajip Erdogani, dhe nga ndjekësit e edukuar mirë nëpër universitete e Fethullah Gylenit, një aktivist fetar i një shkalle të gjerë, ndjekësit e të cilit kanë ngritur mbi njëmijë shkolla nga Teksasi në Tashkent; dhjetëra shkolla, konvikte studentore dhe qendra kursesh. Talenti i Erdoganit ishte miklimi i masave, duke i bërë thirrje identitetit të tyre islam përkundër të tjerëve, pro-perëndimorëve të edukuar më mirë, por më pak të devotshëm nga pikëpamja fetare; në vitin 1999 ai i kaloi në burg disa muaj, i akuzuar se kishte nxitur urrejtje me bazë fetare në vend.
Ndërkohë që formula fituese e Gylenit ishte mbledhja e fondeve prej vullnetarësh për të ofruar mundësi edukimi falas, ose me ulje, në shkollat e paraqitura si kryekrejet shekullare, me një theks të fortë në mësimdhënien e shkencave, ku edukimi fetar ofrohet vetëm miqësisht ndërmjet njerëzish që ndikohen prej mënyrës së të jetuarit të njëri-tjetrit. Nën ligjet e vendosura prej Ataturkut, universitetet e vendit nuk mund të jenë veçse shekullare. Atje nuk lejohet hyrja e studenteve vajza të mbuluara, apo me premisa të tjera të çfarëdo përkatësie fetare. Mirëpo, duke u ofruar vendbanime të lira dhe falas në qytetet e shtrenjta për studentët e saporregjistruar nëpër shkolla, ndjekësit e Gylenit arritën që të fitonin simpatinë e dhjetëramijëra studentëve, të cilët dëshironin të ktheheshin në vullnetarë të lëvizjes, shumë prej të cilëve, menjëherë pas diplomimit, ishin të gatshëm të kontribuonin edhe ata duke dhënë mbështetjen e tyre, me dëshirën që të hapeshin edhe më shumë shkolla, apo që të punonin si mësues në to, apo duke punuar në media për të mbështetur këto nisma kaq pozitive. Të tjerë bënë edhe më shumë se kaq, duke i nxitur të rinjtë që të rregjistroheshin nëpër shkolla ushtarake, duke qenë se të rinjtë “pa mjekëra” dhe “pa shami” sipas interpretimit të Gylenit të Islamit, do të pranoheshin lehtësisht në këto shkolla.
Kështu, kur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) fitoi zgjedhjet në vitin 2002, ajo arriti që ta udhëhiqte Turqinë me sukses, duke qëndruar në pushtet deri sot e kësaj dite. Duke arritur kështu që të qëndrojnë më gjatë se çdo qeveri tjetër pa pasur asnjë ndërhyrje nga ana e ushtrisë, siç ndodhte më parë, në rast të shfaqjes së qeverive pro-islame. Nuk ishin punëtorët e thjeshtë dhe provinialët e Erdoganit që zbatuan politikat ekonomike të Erdoganit ata që i paraprinë ndonjë grushti shteti të mundshëm, por teknokratët kompetentë të Gylenit, por edhe trysnia e vazhdueshme nga ana e Erdoganit për demokraci, apo vigjilenca e njerëzve të frymëzuar prej Gylenit nga brenda ushtrisë, të cilët nuk do ta lejonin diçka të tillë.
Ajo që i dha fund aleancës mes tyre ishte pikërisht natyra e Islamit të përfaqësuar prej Gylenit, e cila nuk hakmerret ndaj pandershmërisë së mashtrimit të vazhdueshëm, me një natyrë pastërtisht të moderuar - besimi i tij e pranon bashkëjetesën me të gjithë monoteistët e tjerë, përfshi këtu edhe myslimanët josunitë, duke ndaluar çdo lloj akti dhune në emër të fesë, qoftë edhe kundër politeistëve (pavarësisht qasjes jo të mirë të Kuranit ndaj këtyre të fundit).
Por për Erdoganin dhe kolegët e tij kryesorë brenda partisë së tyre, siç është ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ahmed Davutoglu, Islami është tërësej ndryshe; veçanërisht Islami suni është e vetmja fe që duhet të ekzistojë. Konkuista e tij në të gjithë planetin duhet mbështetur me çdo mund, duke nisur nga edukimi fetar i detyruar brenda Turqisë (i arritur duke mbyllur sa më shumë shkolla me natyrë shekullare) deri te përdorimi i dhunës prej myslimanëve sunitë që luftojnë me josunitët në mbarë botën, duke nisur nga Hamasi në Gaza deri te zgjatimet e Al-Kaedës në Siri, apo ujgurët në Kinë. Kjo është edhe arsyeja pse presidenti Erdogan i erdhi në ndihmë ISIS-it me aq sa mundi, së pari duke ndaluar përdorimin e Bazës Ajrore të Inxhirlikut për të ndërmarrë sulme ajrore kundër këtij grupi dhe duke u dhënë mundësi sipërmarrësve të naftës në vendin e tij për të importuar naftën e tyre. (Nuk është rastësi që kur një varg kamionësh qenë rrëmbyer prej grupit terrorist, shoferëve të tyre nuk iu qe prerë koka, por qenë lënë të lirë.) Edhe kur aktet terroriste çnjerëzore të ISIS-it e detyruan Erdoganin që t’i lejonte bombardimet ajrore të amerikanëve të ndërmerreshin nga baza e Inxhirlikut, forcat ajrore të Turqisë bombarduan vetëm kurdët. Sërish bëhej fjalë vetëm për identitetin e tij specifik sunit, që i bën gjithnjë të brishta marrëdhëniet e tij me Iranin shiit - si edhe me Bashar al-Asadin e Sirisë, aleatin shiit alevi të Iranit - pavarëisht urrejtjes së tyre të përbashkët për Perëndimin. (Kjo duhet të jetë edhe arsyeja pse Erdogani dhe Davutogluja nuk e kanë përdorur asnjëherë cilësorin e përbashkët “alevi” për të përshkruar religjionin e liderit sirian, por kanë përdorur atë “nusajri”, që është një lloj epiteti për heretikët mes sunitëve vendas.)
Kur u takuan me Erdoganin dhe Davutogllunë, homologët e tyre evropianë dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, panë veç kostumet e tyre Armani dhe dëgjuan gjuhën e tyre prej burrështetasish. Por nga 2009 e deri më sot, Gyleni u shpreh se paska ndihmuar në krijimin e një monstre, një regjimi islamik ekstremist që do ta shkatërrojë Turqinë dhe do ta dëmtojë Islamin, duke shkaktuar konflikte me gjithë fqinjët, çka tashmë ka nisur.
Ndoshta simpatizuesit e Gylenit në polici dhe në sistemin gjyqësor u përpoqën që ta zgjidhnin këtë problem në vitin 2013, duke u përpjekur që t’i tregojnë vendin Erdoganit dhe disa prej ministrave të qeverisë së tij, me akuza të arsyetuara se ata ishin të përfshirë në afera të majme korruptive; nuk ka asnjë shpjegim tjetër për miliardat e dollarëve që zotëron familja e presidentit turk. Mirëpo në vend të dorëheqjes, Erdogani urdhëroi pushimin nga puna të prokurorëve dhe policëve të përfshirë në këtë proces, duke i besuar pikërisht mbështetjes që kishte nga baza e Partisë për Zhvillim dhe Drejtësi. Kjo pasi konceptet e ligjit dhe të së drejtës janë koncepte perëndimore, të cilat përbëjnë diçka shumë pak të njohur për mbështetësit më të thekur të kësaj partie në vend.
Erdogani bëri sikur u tërhoq në mbrojtje duke deklaruar se mbështetësit e Gylenit ishin një “strukturë paralele” brenda shtetit dhe u shfaq para popullit si pastruesi i tyre nga radhët e shtetit, duke shkarkuar nga detyra shumë njerëz, përfshi këtu edhe nga forcat e armatosura, duke i cilësuar si spiunë të këtij të fundit. Kjo ishte një mundësi mjaft e mirë për ta justifikuar veten që të mbyllte me dhjetëra institucione, banka, biznese dhe organizma mediatikë, pa harruar këtu edhe gazetën “Zaman”, e cila ishte gazeta me tirazhin më të lartë në vend. Por, duke qenë se nuk ekzistonte diçka e prerë se kush mund të quhej “njeri i Gylenit”, pastrimi u kthye në një gjueti shtrigash të mirëfilltë, e cila u zgjerua sa vjen e më shumë me rritjen e numrit të denoncimeve në çdo shkallë, shumica të motivuara, pa dyshim, nga rivalitete personale, apo ambicie për karrierë. Ishin edhe diku te 2500 nëpunës të tjerë nga forcat e armatosura, nga policia, prokurorë, apo gjyqtarë që planifkohej të largoheshin kur ndodhi ndërhyrja ushtarake, apo i ashtuquajturi “grusht shteti i dështuar” e datës 15 korrik.
Kjo e bëri Erdoganin, që tashmë nuk kishte më asgjë që ta mbante, të niste nga pushimi nga detyra masive dhe arrestime madje edhe para shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, përfshi këtu edhe në forcat e armatosura të cilat humbën plot 87 prej 198 gjeneralëve të tyre, 30 prej 72 gjeneralëve të forcave ajrore dhe 32 nga 55 admiralët e forcave detare, 7 prej 36 komandantëve të xhandarmërisë dhe të vetmin admiral të mbrojtjes së vijës ujore, si dhe plot 1099 oficerë. Për një shtet që, për hir të së vërtetës, është duke luftuar me forcat kurde të Partisë Komuniste të Kurdistanit (PKK) dhe jo edhe aq me ISIS-in, siç pretendon, këto janë humbje shumë të mëdha.
Ndërkohë që, përsa i përket ekonomisë së vendit, konfiskimi dhe bllokimi i shumë bizneseve, të mëdha dhe të vogla, po shkaktojnë dëme marramendëse, kur duhet të kujtojmë se edhe kërkesa për turizëm në Turqi ka pësuar një rëndie në pikiatë. Megjithatë më shumë dëme duket se do të ketë, duke parë se shtresa më pak e edukuar, e keqedukuar, ose fare e paedukuar e militantëve të partisë së presidentit Erdogan do të vihen në pozicionet kyçe të shtetit të mbetura bosh pas largimit dhe arrestimit në massë të të supozuarve si gylenistë.
Ataturku nuk do të çuditej po t’i shihte këto që po ndodhin; ai e dinte se ishte “Islami” njëfarësoj ai që do t’i shkaktonte rrënimin Turqisë.