15 August 2016

A thua e harroi Kosova Prek Calin? - nga Kolec Traboini

A thua e harroi Kosova Prek Calin?


A THUA E HARROI KOSOVA PREK CALIN?

Nga KOLEC TRABOINI

Pse këto ditë në Kosovë askush nuk po e përmend Prek Calin? Po Prek Cali ishte ai burrë kreshnik shqiptar që kur caktohej kufiri në veri, merrte gurët e mëdhenj e si të ishte një Sizif krenar me gur në shpatull ecte nëpër natë, nëpër shi e nëpër mjegull, si të ishte koha, për mos i humb trojet shqiptare në Vermosh. E tash deputete, ministra, president e nëpunës të lartë të papërgjegjshëm po e marrin atë gur e po e sjellin ma përkëtej kufirit, duke ua fal të huajve tokat në Çakorr. Qe pra, si Çakorri si Vermoshi janë njësoj toka shqiptare. Po si mbërritëm deri në këtë ditë, me këtë bandë të papërgjegjshme në pushtet që bën atë që veç armiqtë e shqiptarëve e kanë bërë në histori. Ndokush nga aradhet e këtyre pushtetarëve të papërgjegjshëm po thotë se ata i ka zgjedh populli me votë demokratike. Po zgjedhja nga populli nuk është alibi për prapësitë e atyre që zgjidhen. Populli i ka zgjedhë, por jo për t’ia fal trojet shqiptare Malit të Zi. Jo kurrë. Tradhtinë e vet nuk mund kurrkush t’ia verë në shpatull popullit me shkakun e thjeshtë se ai i ka zgjedhur. Tradhtia nuk delegohet. Ajo fle e zgjohet në gjoksin e tradhtarit. Ka shume troje shqiptarëve jashtë kufijve. Por ato as i kemi shitur e as i kemi falur. Europa e di këtë. Edhe ata që i kanë pushtuar i dinë anipse bëjnë sikur është punë e kryer. Jo nuk është e kryer. Për ata mund të jetë e kryer por për ne shqiptarët jo. Sepse trojet  kombëtare as nuk shiten e as nuk falen. Edhe unë kam varret e gjyshërve në tokat shqiptare që mizorisht i janë dhënë Malit të Zi nga Europa. Po si mendoni se i kam shit varret e gjyshërve në Traboin të Hotit, apo i kam falur, apo i kam harruar? Jo kurrë e kurrës! Mund të mos i përmend, por nga mendja ime nuk hiqen kurrë trojet e varret e të parëve të mi. E dimë se trojet edhe kur i ke brenda Shqipërisë del një harbut e ti pushton me forcë e drejtësi nuk gjen. Por të paktën ato mbetën brenda kufijve të atdheut. Nuk tjetërsohen nga të huajt. Fundi i fundit njeriu edhe në çast të vdekjes të jetë mendon se jeton kombi, atdheu, populli i tij në trojet e veta e kjo e bën të jetë në vdekje të qetë për vazhdimësinë e mos-harrimin. Tashmë është tradicionale që kur një njeri mbyll sytë për herë të fundit, ngushëllimi që u jepet të afërmeve është: I qoftë i lehtë dheu i vendlindjes. Ky pra është kuptimi sublim mbi dheun, tokën dhe trojet e Atdheut. Varret mbi tokat e pushtuara humbin. Pushtuesi bën përpjekje të shuajë kujtesën e popujve që mban nën zgjedhë, të tjetërsojë identitetin i një populli, çfarë edhe ka ndodhur në disa troje shqiptare. Duhet ta dinë ata që falin detin e tokën se populli as nuk i shet e as nuk i fal trojet e veta kombëtare. Askush nuk mund ta bëjë këtë. Qoftë si individ apo institucion. Dhe e drejta natyrore është që herët e vonë ato troje ti kthehen trungut atdheut. Jeta e kombit nuk është sa jeta e një njeriu. Afro pesë shekuj kombin tonë e mbajti nën zgjedhë perandoria osmane, por një ditë perandoria u shpërbë. Askush nuk e mendonte se do shkatërrohej Jugosllavia, se do çlirohej Kosova, por ja që ndodhën. Pse të mos ndodh që trojet shqiptare të bashkohen. U bashkua Gjermania që gjatë Luftës së Dytë Botërore i bëri varrin diku rreth 100 milion njerëzve në botë. E ktheu Europën në gërmadhë duke përfshirë edhe vet Gjermaninë. Atëherë si të mos shpresojmë të bashkohemi ne shqiptarët që nuk kemi bërë asnjë lufte agresive në histori, nuk kemi pushtuar asnjë pëllëmbë tokë të huaj, vetëm jemi rrudhur, vetëm jemi mbrojtur. Askush nuk e di se çfarë do të ndodh në të ardhmen, prandaj të mos hiqet dorë nga e drejta natyrore e bashkëjetesës si komb. E drejta e Bashkimit Kombëtar. Ti lëmë në një anë me përbuzje marrëzitë e ca pseudo studiuesve sharlatanë të shitur kokë e këmbë. Nuk ka dy kombe shqiptare. Ka një komb e vetëm një. Çdo pëllëmbë toke në Kosovë është shqiptare dhe çdo pëllëmbë toke në Shqipëri është e shqiptareve të Kosovës. As kufijtë nuk na duhen. As doganat. Ti thyejmë të gjitha barrierat e ca nëpunësve e shtetarëve mediokër që na ndajnë. Të gjithë shqiptarët kemi një gjuhë, jetojmë në trojet tona Iliriane, Pellazgët më të hershëm në Europë,  jemi një komb e një popull. Është e drejte e çdo shqiptari kudo ku ndodhet në botë të demonstroje duke e ngritur zërin në kupë të qiellit: asnjë centimetër tokë arbërore nuk mund të jepet sepse është derdh gjak shqiptarësh për këto toka. Aty janë edhe kockat e të parëve tanë. Kush u jep truall kombëtar të huajve ai është tradhtar dhe tradhtarët e kombeve në të gjithë botën dihet se çfarë i pret. Sot mund të jesh në maj të piramidës se pushtetit, por nesër mund të hiqesh zvarrë si qen. Këto janë fatet njerëzore e këtë duhet ta dinë ata që mbahen lart e nuk pyesin se çfarë mendojmë ne poshtë. Anipse fundin e turpshëm askush nuk e do, për aktin e tradhtisë ndaj kombit herët a vonë të vjen mallkimi i tokës dhe e paguan atë në mënyrë të pamëshirshme. Aq më tepër se tradhtia të ndjell e të udhëheq në vragën e vet, sot fal livadhet e kodrinat e Çakorrit, nesër nis shitja e Mitrovicës në veri të Kosovës. E këtë tradhti trojesh duhet ta ndalim sa kohë që nuk është vonë. Është populli ai që duhet të ngrihet në këmbë në mbrojtje të tokës së vet. Të ngrihet kudo. Të demonstrojë. Të flasë populli.  Ai e vetëm ai është sovrani.  Nëse heshtim e zhagitemi sot për Çakorrin, nesër këtë fat të zi mund ta ketë mbarë Kosova. Shembullin se çfarë mund të bëjmë e kemi. Mjafton të kujtojmë e të  mos e harrojmë Prek Calin, atë burrë kreshnik që me gur në shpinë si Sizif krenar e i pamposhtur, i mbrojti burrërisht trojet shqiptare.

16 gusht 2016