TAKIM ME SHKRIMTARË NË INSTITUTIN E TË MITURVE NË KAVAJË
Një grup shkrimtarësh në ditët e para të tetorit vizitoi Institutin e të Miturve në Kavajë ku u takuan me fëmijët adoleshentë të këtij institucioni. Grupi përbëhej nga Pandeli Koçi, Iliriana Sulkuqi, Kolec Traboini, këngëtarja Myfarete Laze dhe aktori i teatrit “Skampa” në Elbasan, Eduard Çala. Pasi u priten nga drejtori Durim Perja ku u njohën me veprimtarinë edukative të këtij institucioni, grupi pa nga afër mjediset në të cilat të rinjtë kalojnë kohën e tyre sipas programeve mësimore por edhe argëtuese. Ky instituti i të miturve është hapur në tetor të vitit 2009 dhe shërben si një qendër rehabilitimi, këshillimi dhe shkolle për të miturit, projekt që u realizua me investim të BE me një fond prej 2.4 milion euro. Sipas programit që ka publikuar instituti në web-sitin e vet, në këtë institut, trajtohen fëmijë minoren të cilët kanë kryer vepra të ndryshme penale e mosha e të miturve që do të vuajnë dënimin aty është nga 14-18 vjeç. Aty mund të trajtohen rreth 40 persona, ndërsa personeli në pjesën më të madhe, pothuaj 80 % është civil e të tjerët punonjës të policisë. Në një pjesë të programit në këtë Institut është dhe puna me librin, për këtë ata kanë një sallë leximi dhe një bibliotekë të pasur me libra, kryesisht të dhuruar nga autorë apo botues të ndryshëm. Në një sallë të madhe që shërben edhe si një qendër kompjuterësh, u zhvillua një bisedë e lire në mes të grupit të shkrimtareve dhe fëmijëve që gjenden në këtë institucion.
Shkrimtari
Pandeli Koçi, i cili për shumë vite ka qenë kryetar i shoqatës së krijuesve të
letërsisë për fëmijë e të rinj, foli për krijimtarinë e vet në ketë fushë, por
edhe punën si redaktor në botimin e librave për fëmijë e të rinj. Kolec
Traboini solli përvojën si kineast e shkrimtar dhe foli edhe për romanin e tij “Katërkëndëshi
i mundimeve” që do të sillet për ribotim, me subjekt të ngjashëm me këtë kategori fëmijësh në kohën
e diktaturës. Poetja Iliriana Sulkuqi, që jeton në New York e ndodhet me
pushime në Shqipëri, foli mbi artin poetik dhe recitoi disa vargje nga poetë të
njohur Frederik Rreshpja, Ndoc Gjetja dhe Betim Muço. Këngëtarja Myfarete Laze foli
për përvojën në botën e psikologjinë e fëmijëve dhe interesat e tyre për artet.
Aktori Eduard Çala pasi citoi një thënie frymëzuese të Nënë Terezës “Ne nuk
mund të bëjmë gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe”, shprehu dëshirën që me fëmijët e këtij institucioni
të vinte në skenë një pjesë teatrale në kuadrin e programit për edukimin dhe pajisjen
me kulturë si dhe e zhvillimin e talenteve. Në fund të takimit shkrimtarët Kolec
Traboini, Pandeli Koçi dhe Iliriana Sulkuqi, dhuruan një sasi librash si autorë
për bibliotekën e Institutit të Miturve, të njëjtën gjë bëri edhe shtëpia botuese “Ada”.