NË UJËRAT TINËZARE TË PROPAGANDËS SERBE?
Nga KOLEC TRABOINI
Mjaftoi një lajm mashtrues i përgatitur në kulisat e
Beogradit, sikur Donald Trump kishte thënë se ka qenë gabim sulmi mbi Serbinë në
pranverë 1999, dhe menjëherë disa shqiptare nisën të fjalosin zhurmshëm sikur kandidati
për President i SHBA është kështu e është ashtu. Nuk lanë fjalë pa thënë. Po ne
të gjithë e dimë se ka jo pak shqiptare dembelë Stambolli që nuk kanë bërë një
punë së mbari në jetën e tyre që nuk ngurojnë te anatemojnë një Donald Trump, i cili ka krijuar
një perandori pasurie në të gjithë Amerikën dhe në botë me punën e tij. Ai është
shembulli më i mirë çfarë mund të bëjë një biznesmen i përkushtuar dhe i
palodhur për vendin e vet. Tërë shpenzimet e fushatës prej miliona dollarë i
vuri nga pasuria e vet e nuk bëri, siç kanë bërë deri tani presidentët e tjerë duke
mbushur depozitat e veta milionëshe me donacione për fushatat elektorale. Pra, atë
që është një shembull i punës vetëmohuese, modelin me të lartë në botë të
investitorit të suksesshëm, dembelët e Shqipërisë tonë të shkatërruar nga
politika e mafia, e marrin si gjëja më e
keqe që mund ti ndodh Amerikës po u zgjodh Donald Trump si president.
Krijimi i psikologjise së gabuar si nxitje turmash, se
po u zgjodh Donald Trump president dëmtohet Shqipëria, Kosova e shqiptarët është
një veprim jo thjeshtë naiv por spekulues dhe në dem të interesave të shqiptarëve.
Mjerisht në këto ujëra të turbullta noton edhe kryeministri shqiptar duke
treguar një naivitet të pashoq, paaftësi për ta kuptuar politikën ndërkombëtare,
aspak intuitë, çfarë të kujton presidentin jashtë kontrollit të logjikës në
Filipine. Pra sikur të ishte një njeri që nuk di se çfarë flet e se çfarë përgjegjësie
ka mbi supe kur bën deklarata mbi prishjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të
Shqipërisë dhe Amerikës. Ti marrësh gjërat kaq lehte në marrëdhëniet e politikën
ndërkombëtare është e pafalshme, por kur një kryeministër në shtetin e tij
sillet ende si një krye bashkiak që lyen fasada dhe merret me plehra për ta
mbushur Shqipërinë me kundërmim helmues si të ishte plehërishta e Evropës, kësisoj
të duket normale çdo lajthitje kryeministrore e këtij njeriu. Prej tij nëse vazhdon
këtë rrugë pritet gjithçka dhe mund të them për të po ato fjalë që ka thënë ai për
Donald Trump, që ekzistenca e Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë është e dëmshme
dhe e rrezikshme për popullin shqiptar. Madje më e rrezikshme se sa ai mendon për
Donald Trump po të vinte ky i fundit në Shtëpinë e Bardhë. Po ne as ju nuk shkojnë askund me këto klasifikime aspak konstruktive dhe ekstremisht të dëmshme. Prandaj hiqjuni propagandave
papagalle të mediave serbe apo miqve të tyre, hiqjuni marrëzive që për tu dukur snob
modern a për te qenë gjoja sportiv, mbase edhe për t’ju shitur serbëve ca libra
të mjerimit politik të shfaqeni kësisoj. Mos u shpreheni solidare me mendimet e tyre mbi qytetarin
e madh amerikan Donald Trump, për të cilin zgjidhet apo nuk zgjidhet, bota për flet
dhe do të flasë edhe po nuk u zgjodh. Je aq larg prej hijes së tij, o kryeministër.
Zgjedhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhe nuk përbën asnjë rrezik për Shqipërinë,
as Kosovën e as për shqiptarët në përgjithësi. Po ashtu mund të themi edhe për
Hillary Clinton që është mike e deklaruar dhe e nderuar e shqiptarëve në të gjithë
Ballkanin pa përjashtim. Kushdo që do të zgjidhet, nga të dy kandidatët për
postin e presidentit, ne si shqiptarë, në
miqësinë e sprovuar amerikane do të themi “rroftë presidenti i zgjedhur, Zoti e
bekoftë Amerikën!”.
Ata që për këto zgjedhje bëjnë skedina me llogarira për
përfitime politike, le të hiqen në një anë se të luash bixhoz me miqësinë e
popullit shqiptar me Amerikën është e rrezikshme e ju çon në tradhti kombëtare
si Enver Hoxha në vitin 1945-1946.
E le të merremi me këtë kotecin tonë te vogël ballkanik
ku po shqyejmë njeri-tjetrin politikisht, ndërkohë që këta të politikës po e rrjepin
popullin shqiptar nga babëzia e pashuar për pushtet e pasuri. Le të merremi me
handrakun tonë, ti pastrojmë hauret nga ky pisllëk çerekshekullor i pseudodemokracisë
që po e shkatrrën shoqërinë shqiptare dhe po e bën brezin e ri të pashpresë e të ike nga sytë këmbët në një hemorragji
kombëtare të pambaruar.
14 tetor 2016
14 tetor 2016