Sejfi Protopapën (20 shkurt 1923 - 13 Prill 2014), ndjesë pastë, e kam pas mik të mirë. Së pari erdhi e me takoi në një festë të Flamurit në Pier Four, restoranti i atdhetarit Anthony Athanas. Ishte viti 2005. Siç shihemi në këtë fotografi kur ishim bashkë në atë gëzim të shqiptarëve të Bostonit. Më tha ti qënke gazetar e unë jam i interesuar për gjithçka që ngjet në atdhe. Më tregoi se pas vitit 1990 i kishte shkuar në derë të shtëpisë Dritëro Agollit e i kish thënë ja ku erdha me së fundi, jam ai Protopapa yt i zi. Dritëroi ishte mpirë. E kishte ftuar të hynin brënda të mos llafosnin në derë. Dhe nga fjalët e para të ashpra, nën vështrimin e Sadijes që drithëronte se mos ndodhte gjë e keqe, ja kishin kthyer si shqiptari me shqiptarin me raki.
Profesor Sejfiu, se kështu i thoshnim, më vinte edhe në shtëpi në Boston. Ja shtroja me raki Shqipërie në verandën e shtëpisë pa harruar një kafe të zezë në fund. Aty e kishte kënaqësinë. Ishte me të vërtetë shumë miqësor, shumë i kulturuar dhe një burrë i urtë me edukatë të lartë. (Dhe akoma e kësaj dite bijtë e çobanëve komunistë na tregojnë ballista pulash).
Sejfi Propapa, bir avokati, që dikur ishte me rininë e Ballit në Berat, më parë qe njohur me Kristaq e Margarita Tutulanin(i kishte pas miq por ideologjia e luftës i ndau), ishte një nga shqiptarët më të shkolluar në Amerikë. Mjafton t'ju them se punonte fizikant në NASA.
E kujtoj me respekt dhe jam krenar që ai me konsideronte ndër miqt e tij, ai ballisti, dijetari shqiptar më i shquari në Amerikë.
Kolec P. Traboini
27 tetor 2016