29 October 2016

Ideali i kryqëzuar i nacionalizmit shqiptar-nga K.Traboini


IDEALI I KRYQËZUAR I NACIONALIZMIT SHQIPTAR

Nga KOLEC TRABOINI                             

     Për fatin e trishtë të popullit shqiptar, sot në skenën politike kanë dalë forcat më të pandërgjegjshme, ambicioni i të cilave është vetëm e vetëm përfitimi dhe pasurimi me çdo kusht dhe pa marrë parasysh mjetet që përdoren. Kaq keq janë katandisur punët në Atdheun tonë të stërmunduar, sa para se të kërkohet mafia në fusha të tjera, duhet kërkuar në skenën politike. Një mafie aq dinake dhe e sofistikuar saqë e ka kthyer politikën shqiptare në një rreth vicioz ku përplasen jo dy apo tre ide e programe, për çfarë është e bëhet politika, por dy a tre individë, politikanë të paskrupullt, të cilët për hir të interesave personale apo të klaneve që u përkasin, nuk e kanë për gjë t’i venë flakën Shqipërisë, siç ia vunë në mënyrë të vazhdueshme në fillimet e demokracisë, por në mënyrën më të pashpirt e makabre në pranverë të vitit 1997.
    Po si iu bë peshqesh këtij populli kjo kastë piratësh qeverisës, qofshin të së majtës apo të së djathtës? Si ndodhi e si rrodhi që në mënyrë sistematike u shkatërrua çdo pasuri kombëtare e këtij populli, që për pesëdhjetë vjet vërtet ka hequr mundimet e Krishtit, por ama edhe pse ndër më të varfërit në botë, me një pagë për të mbajtur frymën, ndërtoi hidrocentrale, fabrika e uzina, bëri bonifikimin e fushave, ngriti një industri të naftës e të plehrave kimike, instaloi linja të tensionit të lartë nga jugu në veri e nga lindja në perëndim. Pra, diç kishte në potencial ky popull, çfarë e ushqente shpresën se kalimi në sistemin e ri do të mund të bëhej pa eksese dhe vuajtje të mëdha ekonomike. Mirëpo çfarë ndodhi në të vërtetë? Politika injektoi idenë e mbrapshtë të shkatërrimit, se do t ‘na i ndërtonte kapitalizmi perëndimor më të mira veprat industriale, madje me teknologji moderne bashkëkohore. Do të na i ndërtonte Amerika badihava...
     E kështu, politika i vuri flakën Shqipërisë duke nxitur vjedhjet e shkatërrimet. Në të vërtetë, shkatërrimet ishin leverdia më e madhe e politikës, sepse beniaminët e dikurshëm të komunizmit, që tororisnin gjoja ide të zhvillimeve të reja të socializmit envero-ramizian në gazetën "Zëri i Popullit", (e që sot shiten si ide reformatore që paraprinë demokracinë në vitet 90), dolën pra më pas si “palikarë” të rinovuar në skenat e tranzicionit.
    Dhe, për ta bërë më të besueshme nevojën e shkatërrimit, përhapën soj-soj teorish, madje duke u vënë ndërmarrjeve, fabrikave e uzinave epitete si "uzinat e fabrikat e Enver Hoxhës",
     "Hidroçentralet e Partisë", "Rrangallat e Diktaturës". Pra përpunuan fillimisht platformën e shkatërrimit moral të industrisë kombëtare që ta kishin më të lehtë shkatërrimin material. I tërë qëllimi ishte që, si inisiativa ekonomike, ashtu edhe ajo politike të binte në duart tyre a të bijve të tyre, e kurrsesi në duart e njerëzve që për gjysëm shekulli konsideroheshin "armiq", të cilët duheshin izoluar në mënyrat më të stërholluara ekonomikisht e politikisht.
     Cila ishte kjo kastë e rinovuar dhe e konvertuar " demokratikisht" për të mbijetuar në tribunat e jetës dramatike shqiptare edhe në kushtet e reja të shembjes së komunizmit anë e mbanë Europës. Kujt i takon merita e krijimit të këtij labirinthi pa rrugëdalje, këtij kaosi qytetar, këtij mjerimi kombëtar ekonomik ku u gjend Shqipëria në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit që shkoi?! Dhe vazhdon si ogur i keq edhe pse dekada e shekullit të ri po kalon...
     Natyrisht është thënë e stërthënë, ndaj nuk është vështirë të evidentohet emri i Ramiz Alisë si krijuesi i klaneve dhe i skemave të politikës së sotme sipas mësimeve e stilit të inicuar nga Gorbaçovi në Katovicë të Polonisë. Ose e thënë ndryshe, diktatori i fundit shqiptar krijoi Katovicën Shqiptare si një cikël i mbyllur brenda orbitës së PPSH-së, nga frika e marrjes së pushtetit prej së djathtës nacionaliste, kundërshtare e PPSH-së që ndodhej në perëndim, në aleancë kjo me "armiqtë e brendshëm" dhe klasat e përmbysura.
Frika e Ramiz Alisë e kishte një shkak. Fantazma e përgjakur e Nikolla dhe Elena Çausheskut i shfaqej si Makbethit kufoma e Bankos. Prandaj dhe u ngut që, në lëshimin e parë për pluralizmin, në krye të forcës opozitare të viheshin patjetër një ekip a liderë komunistë të argasur dhe të besuar. Njerez që të ishin demagogë të besueshëm dhe oratorë të rreptë metingjesh, për të mos u lënë hapësirë forcave të tjera nacionaliste që mund të ktheheshin nga jashtë apo rizgjoheshin në vend.
     Dhe kështu krijoi skalionet e politikës shqiptare, rreshterët e demokracisë, të cilët jo vetëm kishin qenë nga rrethi i afërt i oborrit të pasmë të Bllokut të Byrosë Politike, por madje deri dhe ish ministra e diplomatë të Qeverisë Komuniste na u bënë kryetarë partish. Mirëpo Ramiz Alia kishte inkuadruar në projektet e veta nga ai lloj llumi bolshevik i paprinciptë, që nuk e kishin për gjë ta hidhnin krijuesin e vet në moçalin më të parë që do të takonin në rrugëtimin politik. Dhe vërtet Ramiz Alinë së pari e hodhën të vetët, e hodhën në moçal, e shanë dhe e mallkuan, i bënë një gjyq kafesh, e pastaj së fundi e lanë të kalonte pleqërinë si një eremit, e sa herë që e donte puna për ta treguar si një gogol për të trembur fëmijët e politikës naive shqiptare, e vunë të fliste, të bënte libra, të jepte intervista në konkurencë me Nexhmije e Liliana Hoxhën, të udhëtonte në Amerikë, të pinte, drekosej e darkosej në Pier Four, restorantin patriotik të shqiptarëve të Bostonit.
     Kështu pra u formua garda e politikës së sotme, në të cilën përfshihen soj-soj politikanësh që e katandisën shtetin, Shqipërinë, të sëmurën e Ballkanit.
     Të gjithë këta udhëheqës të sotëm, dalë prej kuintave të PPSH, ndarë e rindarë nëpër parti si në një lojë kungulleshke, bashkë me bandat e mediokërve që u vinë nga pas, në këtë periudhë kritike për popullin shqiptar janë si krimbat e zinj që e hanë nga brenda trungun e kombit shqiptar.
     Le të hedhim një vështrim në paralelen tjetër të politikës, në rradhët e forcave të quajtura nacionaliste.
     Shumë intelektualë e njerëz të thjeshtë të popullit kishin shpresa tek një idealist shqiptar i pakompromentuar si Abaz Ermënji, i vetmi i mbetur gjallë nga nacionalistët shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore, profesor në Liceun e Korçës, antifashist, komandant formacionesh të armatosura të Ballit Kombetar, organizator të rezistencës antikomuniste, profesor universiteti në Francë dhe udhëheqës i një force nacionaliste që kishte arritur të mbijetonte në mërgim. Mirëpo programi i partive (socialistët + demokratët + socialdemoktratët)  ishte i tillë, saqë arriti ta neutralizojë efektin e opozitës së vërtetë të mbetur nga lufta civile në Luftën e Dytë Botërore. Natyrisht, këtu duhet marrë në konsideratë se idealistë të njohur si Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, kishin kaluar në histori dhe pjesa e mbetur e nacionalistëve të përçarë si mos më keq kishte marrë tatëpjetën në mërgim. Ndërsa Legaliteti ishte një forcë gati e papërfillshme e pa kurrfarë influence përveçse kishte disa efekte nostalgjike në disa bij oficerësh zogollianë që bënin parada groteske.
Influenca e mërgimtarëve nacionalistë në Shqipëri mbeti mjaft e vogël për shumë arsye. Së pari, sepse sistemi monist i kishte njollosur në mënyrë të rafinuar nacionalizmin, ndërkohë që kishte glorifikuar "internacionalizmin", kështu që brezat e lindur pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipërinë e izoluar, kishin një përfytyrim krejt bardhë e zi për nacionalistët që qenë shpërndarë nga sytë këmbët nëpër Europë, Amerikë e Australi e ku mendohej të ishin shuar e harruar. Ndaj, shfaqja e tyre në kryeqytetin e tensionuar shqiptar kaloi pothuajse pa bërë ndonjë efekt. Por s'duhet harruar se qysh në vitin 1990 ishte hartuar programi i neutralizimit të këtyre forcave duke përfshirë edhe ato të ashtuqujtura Legaliteti. Pra, bijëzat e PPSH-së, si PS+PD+PSD+PR (e si në zinxhir bërthamor tashmë derivojnë me parti bijëza të reja), përdorën njëqind mënyra të sofistikuara që lojën e pushtetit pozitë-opozitë ta bënin ndërmjet vetes, e kurrë të mos linin që forcat e djathta të vërteta të organizoheshin deri në atë shkallë sa të përbënin një masë rreziku për interesat e tyre.
     Kungulleshka e Kuqe e ndarë në katër pjesë, duke u koloruar sipas ide-projektit ramizian, kishte këtë detyrë historike; njëra, PS-ja mori përsipër vazhdimin e demaskimit të forcave nacionaliste me të cilat trembte popullin si me gogolin e përrallave, ndërkohë simotra e saj siameze PD-ja, i mbante nacionalistët pranë si aleatë të vegjël duke i mbikqyrur, imponuar, zvenitur, dekoloruar, për të mos e lënë kurrë që të bëhet forcë rivale.
     Pozicioni dhe programi antinacionalist i PS-së ishte i afishuar, ndërkohë pozicioni dhe programi i PD-së ishte i kamufluar. Mirëpo kjo e fundit, duke qenë në pushtet, kur vinin në evidencë çështje kardinale si ajo për Kosovën apo çështja e pronave, shkiste si ngjalë nga ujrat blu të djathta në ujrat rozë të PS-së, ndërsa për çështje kombëtare, kreu demokrat e kishte deklaruar në Krasna Montana se çështja e Kosovës ishte çështje e brendshme e Jugosllavisë. Presidenti i asaj kohe njëkohsisht bëri një futje spektakolare të Shqipërisë në Konferencën e Vendeve Islamike, duke e lënë diplomacinë e qarqet Europiane me gojë hapur. Edhe sot, në atë konferencë jemi, ndërkohë që Europën e kemi ende larg...
     Në këtë periudhë, forcat nacionaliste të grupuara në dy parti kryesore, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, kishin rënë në një gjumë letargjik. Kështu dhe Partia Republikane e Godos-Mediut që kishte kontradikta me të dyja krahët. Pra kërkonin mbi të gjitha të mbijetonin dhe prandaj e pranonin me kënaqësi serumin e PD-së për prani sado simbolike në parlament. Gjatë kohës që ishte në pushtet, kjo e fundit përfitonte jo pak nga fasada e këtyre partive për të theksuar gjoja tonet blu të djathta, që ishin aparenca e saj nëpër tribuna mitingjesh. Mirëpo qëndrimi ndaj pronës, e moskthimi i tokave pronarëve të ligjshëm, ligji 7501,  krijuan hendekun e parë serioz mes nacionalistëve dhe udhëheqësve të Partisë Demokratike në pushtet. Prej kësaj çarjeje fitoi jo pak Partia Socialiste, që ishte katandisur si mos më keq pas futjes së liderit të saj Fatos Nano në burg për korrupsion ekonomik me ndihmat e huaja për Shqipërinë. U desh hartimi i një projekt-kushtetute, në të cilën parashikohej një pushtet autoritar e disi absolut i presidentit që jetonte euforinë e vet në mes të një servilizmi e apatie totale të nëpunësve e të kuadrove të partisë së vet.
     Gjysma rozë e ish PPSH-së e ndjeu se ishte situata më e mirë për një revansh ndaj simotrës së vet siameze blu. Projektkushtetuta e rrëzuar nga votimet në një referendum popullor i futi panikun militantëve të partisë në pushtet, të cilët edhe ata rimorën revanshin e vet historik. Në zgjedhjet e vitit 1996 militantët e partisë në pushtet u treguan kaq shumë të zellshëm, sa thuajse harruan se zgjedhjet kanë rregulla e ligje rigoroze e monitorohen, madje jo vetëm nga masmedia vendase, por edhe nga përfaqësuesit e huaj. Dhe kështu, hapur fare dhe me entuziazëm bolshevik, shpërndaheshin fletëvotime të panumërta nëpër duart e militantëve, të cilët i kthyen zgjedhjet në mitingje partiake bubulluese. Rezultati dihet. Pushteti në fuqi fitoi në mënyrë spektakolare krejt ngjashëm me fitoren e Frontit dhe komunistëve të Enver Hoxhës në fundin e vitit 1945.
     Këto zgjedhje sollën precedentin më të dëmshëm dhe të rrezikshëm për demokracinë e brishtë shqiptare. Ishte një kthim galopant pas i demokracisë rrëqethëse. Të huajt panë se shqiptarët, çuditërisht ishin vetë kthyer në atmosferën e zgjedhjeve të diktaturës moniste, ku pushteti fitonte "Njëzëri " me mbi 90 për qind të votave. Precedentët e absurditeteve të diktaturës ishin rikthyer si fantazma të frikshme në zgjedhjet e pranverës 1996.
     Forcat nacionaliste, edhe pse të pakta dhe pa influencë të madhe në skenën e politikës shqiptare, u gjendën para një situate të paparashikuar. Edhe pse deri atëherë kishin pranuar të qëndronin nën hijen e PD-së në pushtet, për shkak të interesave të së djathtës, ata nuk mund të pranonin që demokratët, aleatë në pushtet, të operonin me mjete e stile të praktikuara dhunshëm nga komunistët në monizëm.
     I ndodhur përpara këtij fakti tronditës, idealisti kombëtar Abaz Ermënji, që udhëhiqte (jo pa probleme) Partinë e Ballit Kombëtar, refuzoi në mënyrë kategorike të shkelte në parlamentin e sapozgjedhur. Pra e refuzonte vendin e deputetit që i kishte rezervuar e "djathta" pas "fitores së bujshme". Tek ky nacionalist, principet idealiste dhe respekti ndaj popullit, të cilin e konsideronte sovranin e vetëm, ishin mbi interesat e partisë së tij dhe mbi interesat e një vendi në parlament, paçka se i ëndërruar nga çdo idealist që kërkon t’i shërbejë Atdheut.
     Abaz Ermënji po jetonte një nga dilemat më tronditëse të jetës së tij në skenën e politikës e të nacionalizmit. E dinte se kampi rozë i PS, megjithëse e sulmonte në mënyrat më të paprincipta, madje duke e quajtur Profesorin e moshuar deri dhe kriminel, do ta priste me brohori reagimin e tij.
     Çfarë duhet të bënte një nacionalist e idealist kombëtar në një situatë të tillë? Prijësi plak e luftëtari gjysmëshekullor i lirisë, ndodhej si në mes të Shillës e Karibës së politikës!
     Deri atëherë kishte jetuar me shpresën se e djathta nacionaliste do të triumfonte drejtësisht e ndershmërisht në Shqipëri. Po ky nuk ishte triumf. Ky ishte turp. E, për më tepër, marrje nëpër këmbë e popullit. Sovrani ishte kthyer në çirak dhe mbi zverkun e tij kalëronin dhunuesit e zgjedhjeve të lira. Abas Ermenji, komandanti i çetave nacionaliste, profesor universiteti në Francë , i cili me aq kompetencë kishte shkruar një libër madhor "Historia e Shqipërisë", kish një dinjitet të lartë e nuk mund të lejonte që të shkeleshin parimet kushtetuese dhe parimet e lirisë, për të cilat kish luftuar tërë jetën. Si nacionalist ishte afruar fillimisht me forcat demokratike, por nuk kishte arritur të kuptonte në fillimet e pluralizmit, se Shqipëria kishte rënë viktimë e skemës së Katovicës për transferimin e pushtetit në të njëjtat shtresa të privilegjuara të kastës komuniste, iniciuar kjo në zyrat hijerënda të Komitetit Qendror të PPSH. Edhe pse antikomunist i sprovuar në Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë dekadave të luftës së ftohtë, ai kishte pranuar që t’i afrohej aleancës së djathtë, në qendër të së cilës ishte Partia Demokratike edhe pse në udhëheqje të kësaj force politike qëndronin ish-komunistë dhe pinjollë të baballarëve që për gjysmë shekulli terrorizuan popullin shqiptar.
     Idealizmi kombëtar dhe besimi në triumfin e demokracisë e vuri Abas Ermenjin në një front me ata që lirisë, demokracisë dhe vetë popullit ia kishin me të keq. Abas Ermenji nuk arriti ta nuhaste lojën e prapaskenave, nuk arriti gjithashtu të mblidhte rreth vetes përkrahës idealistë. E kështu partia e tij, kundërshtarja më e rreptë e Partisë Komuniste të Enver Hoxhës, mbeti një formacion politik i zbehtë e me rol periferik.
     I ndodhur në një gjendje ku e ashtquajtura “e djathtë” tek e cila mbahej shpresa i kish tradhëtuar idealet e tij, luftëtari plak i lirisë nuk mund të bëhej pjesë e një loje cinike. Ai nuk mund të hynte në atë Parlament, i cili nuk e kishte legjitimitetin e shprehjes së vullnetit të lirë të popullit. Me popullin ishte luajtur. Populli ishte tradhëtuar e për më tepër, ishte nëpërkëmbur.
     Abas Ermenji ishte ndodhur përballë plumbave, por syri nuk i ishte trembur sepse e kishte taksur jetën për idealin. Por tani, në pleqëri të vonë, kur mendoi se arriti ta shohë e jetojë atë ditë të bardhë të çlirimit të njeriut prej dhunës, për të cilën luftuan por nuk e arritën burra të ndritur të kombit si Mit’hat Frashëri, veterani kombëtar papritur, në maj 1996, ndjeu se diçka brenda tij po thyhej. Luftëtari u lodh, u kërrus, sytë iu mbyllën me dhembje sepse nuk mund të shihte se si po kryqëzohej si Krishti, për të dytën herë, ideali i tij kombëtar e populli i tij të përgjunjej e të poshtërohej.
Demokrati Abaz Ermënji, i ndodhur në mes të dy forcave të errëta të rrjedhës bashkëkohore kombëtare, vendosi që si një kapiten i besnik, të mbytet bashkë me anijen e tij, pa ambicje për të dalë në bregun e kompromiseve të pamoralshme.
     U ul e shkroi, ashtu si dikur ishte shkruar Dekalogu i partisë së tij nacionaliste Balli Kombëtar, Promemorjen e denoncimit të farsës së zgjedhjeve të 26 majit 1996, denoncimin e mashtrimit cinik që iu bë popullit shqiptar, refuzimin e vendit të deputetit në parlamentin e turpit dhe hipokrizisë, duke e lënë kështu pas vetes këtë akt të lartë qytetar, si testamentin e tij të fundit politik.
     Kohë më pas, veterani kombëtar Abas Ermenji, do të mbyllte sytë në Paris, i lënë në harrim si atëherë dhe sot e kësaj ditë, sepse ishte më shumë idealist kombëtar se sa duhej në këtë epokë mjerane, kur shkëlqimi i përket yjeve të korrupsionit të politikës dhe klaneve mafioze, me ose pa pushtet.

Boston, Qershor 2004