21 November 2016

Tu shkreptë pushka në hale!- nga Kolec Traboini

TU SHKREPTE PUSHKA NE HALE, O KRYEMINISTËR!
Dikush nga brohoritësit e tij zulmëmëdhenj për qëndrimet e egra e aspak politike e diplomatike, po i thonë Kryeministrit: "Tu bëftë pushka top!". E unë po i them: "Tu shkreptë pushka në hale!", se vetëm atje nuk bën dëm.

Nga KOLEC  P. TRABOINI


Po more, pushka top, po kush i paguan kusuret e topit? Kemi një ushtri qesharake, si një batalion pune ndërsa Greqia është forca ushtarake më e madhe në Rajon. Nuk mund të luhet me fatet e popullit me retorika boshe qofshin nacionaliste. Tjetër është të shkruaj një qytetar i thjeshtë në media sociale internetike e tjetër kur shkruan e flet një Kryeministër. 
Në kushtet e mjerimit që kemi kujt i plasi trapi sot për Akropolin. Po zhduket gjysma e kombit. Pikë-pikë nëpër botë. Ikje si në tragjedinë e madhe pas vdekjes së Skënderbeut. Kurrë kaq shumë shqiptare nuk i kanë lënë trojet e veta për të marrë nga sytë këmbët. Po ti more demagog Kryeministër që na shet dëngla herë gjoja si nacionalist e herë si partizan komunist anti-ballist fanatik, nuk ftove një grup arvanitas apo arbëreshësh në Shqipëri e po më thua se Akropolin e shpëtuan shqiptarët në kohën e moskurrit, kur Shqipëria digjej e shkretohen nga turqit osmanë. Kësaj i thonë "Fshati digjet e kurva krihet", ani pse larg në histori. 
Po ç’na i kujton tani që bëmë botën e nuk bëmë dot veten. Se ishim më shumë mercenarë se atdhetarë në histori. Po nuk i di ato vargjet “Mjaft punove për të tjerët, o fatkeq, shiko vendin tek ke lerë e tek po heq, të ka bërë perëndia luftëtar, si s’të lodhi robëria shqipëtar?
Nëse i di këto çfarë na kujton tani se botën e kemi shpëtuar ne,  por veten e kemi varrosur. E di unë më mirë se ti Akropolin e lagjen Plaka, se e kam shkelur me këmbë gjysmë dekade si emigrant në kohën më të keqe të fytyrës së ligë antishqiptare të Micotaqit me Skupa ja ton alvanus" - fshesë për shqiptarët, po ne nuk mund të jetojmë me idiolatrinë e së djeshmes kur të sotmen e kemi të rraskapitur.  Po ne kemi në Greqi 750 mijë shqiptarë e jo ca gërmadha historike. Prej nesh presin të gjallët e merreni me artefaktet që qëndrojnë në muze si dëshmi e jo si aktualitet. Historia në të vërtetë bëhet përditë. Por historinë humbëse të së shkuarës le ta shkruajnë historianët. Ti je për të bërë politikën e ditës që të zhvillohet e përparojë Shqipëria. A nuk po e sheh, o njeri, se po bëhesh si Enver Hoxha në 1946 kundër amerikanëve. Je ti që del kundër Donald Trump-it të Amerikës, e asnjë reflektim nuk ke, kundër këtij e kundër atij. Lëre more shpatën e ndryshkur të Enver Hoxhës apo do ta vërtetosh edhe me vepra se kauzat e xhaxha Spiro Kolekës nuk kanë vdekur. Ka Akademi Shkencash për studime historike,  o Kryeministër,  që në orar të punës merresh me vizatime të lira si fëmijët e kopshteve të Erion Velisë. Mungesë totale përgjegjësie. Duke u marrë me gjithçka e duke mos bërë asgjë po shfaqesh krejtësisht i paaftë. E disa brohoritës delirantë, të raskapitur e të fiksuar ndër idhuj pa krena, po të thonë "Pushka top!" në raportet aspak politike e diplomatike me amerikanët e fqinjët ballkanikë ku nuk ka nevoje të tregohemi as raja kokëulur por as dhe gjela. 
E unë me mendje të kthjelltë po them: Tu shkreptë pushka në hale, o Kryeministër, se vetëm atje nuk bën dëm....

22 nëntor 2016