SI
U PSHURRËN VEPRAT E DIKTATORIT NGA ÇAMARROKËT E
TIRANËS
- Natën
e 20 shkurtit 1991 dhe të nesërmen-
Nga
KOLEC TRABOINI
Protesta e 21 shkurtit 1991
ishte e organizuar, por ndoshta e me sakte jo e mirë-organizuar. Se shtrohet
pyetja: Si nuk paska qenë e organizuar? Po ne si u mblodhëm? Ishim të lajmëruar
të dilnim të shkonim të protestonim para ndërtesës së Komitetit Qendror e po të
kishim mundësinë të hynim në bllok. Si u përgatiten bombat molotov nga shoferët
e Kinostudios ashtu kot, aty në çast?! Shoferi që me tregoi bombën molotov në
xhepin e brendshëm të sajuar të palltos të cepi i lulishtes “Rinia” tek Ura e Lanës,
e kishte emrin Tom Gushta në mos gabohem, ishte i shoqi i pastrueses së
Kinostudios Nadires. Janë detaje e fakte që tregojnë të kundërtën e asaj që
disa e mohojnë. Po le të shohim anën tjetër të barrikadës. Si u gjend redaktori
i RTSH me megafon. Pikërisht sepse sigurimi e kishte marr vesh dhe kishte marrë
masa. Pse u gjend Neritan Ceka aty? Kish dalë për marrë fresk me megafon në dorë?
I kujt ishte megafoni? Ishte i RTSH, i një redaktori në Radio. Kjo tregon se
ishte në dijeni Ramiz Alia. Protesta ka qenë e organizuar por jo me program e
as me shtab, por me thirrje nga elementet më aktive, por nuk arritëm qëllimin sepse ishte e
dekonspiruar dhe u nxorën këto element si agjenture të sistemit të sofistikuar të
Sigurimit komunist që e fashiten protestën e 21 shkurtit 1991 por gjithsesi u
dogj libraria e librave të Enver Hoxhës “Flora” në qendër të Tiranës.
Shkova sërish në sheshi “Skënderbeu”
në mbrëmjen e 20 shkurtit 1991. Mora me
vete djalin tim 5 vjeçar Donaldin. Shkuam aty ku paradite qëndronte me hije
rëndësinë e tij monumenti i diktatorit, por tashme qe zhdukur. Ish rrëzuar e
hequr zvarrë. E përfshiu urrejtja popullore për shtypjen gjysmëshekullore. Kish
mbetur vetëm bazamenti mbi të cilin ishte ndezur një zjarr. Mendova mos ishin
pastruesit e Tiranës, por jo. Njerëzit nga pallatet pas Muzeut Kombëtar dhe të
Rrugës së Durrësit vazhdonin të sillnin libra të diktatorit nga shtëpitë e tyre dhe i hidhnin në zjarr.
Një zjarr që nuk u shua tërë natën. E tregoj këtë se për këtë aspekt intuitiv qytetar nuk është shkruar asnjëherë
ani pse shumë e rrahin gjoksin për heroizma të kurrkund qenë.
Ca çamarrokë shakatare, u afruan e
thanë:
"Pse i digjni mo. Këto duhen
pshurrur!”. Dhe nisin ti pshurrin..
I thashë çunit tim:
“Nuk do të keni më fatin të jetoni me
fëmini në diktaturë siç ndodhi me ne. Jepi dhe ti...”, por Donaldi ishte i
vogël dhe nuk arrinte të kuptonte domethënien e fjalëve të mia.
Atë natë të 20 shkurtit 1991 por edhe
të nesërmen në mbrëmje ndodhi ajo për të cilën askush për çerek shekulli nuk
foli. U pshurrën veprat e diktatori prej fëmijëve të Tiranës. E kjo pra ishte
një ngjarje e pa precedent. Sepse ata askush nuk i mësoi. Nuk i thirri Ramiz
Alia në yzyrhanet e veta për ti konsultuar e mikluar do si do. Thjeshtë ashtu u
lindi mendimi dhe fëmijët ashtu bënë. Dhe nuk kanë kërkuar asnjë herë tu njihet
kjo meritë si akt i madh demokratik. Nuk folën kurrë. Dhe e bënë këtë veprim
kur shumë kush nga ata që vazhdojnë të na tregojnë përralla për lufte titanike
karizmatike për demokraci, mbanin ende
në xhep pranë zemrës, teserën e kuqe të partisë diktaturë, apo ende i kishin
emrat në borderotë e pagesave si spiunë sigurimi.
Të nesërmen, paraditen e 21 shkurt
199, pa asnjë organizim, pa asnjë lajmërim
u mblodhëm në qendër të Tiranës sepse ende nuk na ishte shuar në shpirt
zjarri urrejtës i të djeshmes. U dyndëm tek Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Tek
ura e Lanës, në cepin e lulishtes “Rinia” e Hotel “Dajti-t”, turma u ndal.
Larg, andej nga godina e Komiteti Qendror,
papritmas u dëgjuan disa krisma automatiku me breshëri.
“Krisi në bllok”- tha njëri.
“I hëngërshin kokat e njëri-tjetrin!”-
shtoi një tjetër.
“Të shkojmë e ti japim dorën e
fundit!”- e pasuan.
Përballë njerëzve që synonin të
marshonin drejt bllokut të udhëheqjes, me synimin për ta pushtuar e
shkatërruar, doli një tank dhe u ndalua aty tek ura e Lanës. Turma u drodh dhe
u mblodh në fillim. Pastaj u gjallërua sërish. U trimërua. Mbaj mend se një shofer i Kinostudios, më
duket shoferi Tom Gushta, burri i pastrueses Nadire, më thirri në emër e me
tha:
“Kol, mos u frikëso nga tanket se jemi
përgatitur mirë”.
Ngriti cepin e palltos dhe me tregoi një
bombë molotov. Kështu i thonë shisheve me benzinë. Por tanku u tërhoq pas
ndërmjetësimit me protestuesit të mikut të Ramiz Alisë, Neritan Ceka. Ai hipi
mbi një makinë e me megafonin që mbante në dorë na tha:
"Mos u shqetësoni se Ramizin e
kemi gjallë. Kthehuni. Të shkojmë nëpër shtëpia”...Pastaj nisi të tregojë një
histori koti me djalin që e mbante në krahë.
E ne ja kthyem:
"Neritan, pirdhu më gjithë Ramiz
Alinë!".
Në turme pati reagime kundërshtuese
dhe u krijua bindja se Neritan Ceka ishte një emisar i dërguar për të fashitur
urrejtjen e njerëzve për kastën e Ramiz Alisë dhe për të shpëtuar bllokun e
udhëheqjes nga shkatërrimi. Bashkë me të dhe një redaktor i RTV Shqiptar me
megafon. Dhe ja arritën. Koha tregoi se këtyre kasnecëve të PPSH, mundimi ju
shpërblye nga partia.
U kthyem në sheshin “Skënderbeu”. Disa
djem hipën në tarracën e Pallatit të Kulturës dhe prishën parullën PPSH, nga e
cila kam ruajtur deri vonë një copë peciklas të bardhë. Njerëzit ishin të
tejngopur me urrejtje për regjimit ndaj atë ditë donin të bënin diçka pa
tjetër. Lindi mendimi për të shkuar tek Shtëpia e Partisë ti vinim flakën. Ky
ishte mendimi i përgjithshëm i njerëzve që nuk donin të shpërndaheshin, madje u
lëshuan thirrje më zë të lartë nga e gjithë turma:
“Te shtëpia e Partisë! Te shtëpia e
Partisë!”.
U nisëm. Arritëm deri tek Medreseja,
por atje rruga ishte shumë e ngushtë dhe policia ishte gardh. Nuk ishte e
mundur të kalohej. Qëndruam ca kohë por asnjë shenjë se policia dhe
“sambistët”, forcat më brutale të diktaturës, do të tërhiqeshin e do të na
hapnin rrugë. Vendosëm të shkojmë përsëri në sheshin “Skënderbeu”.
Në kthim, pak pa hyrë në qendër, turma
u ndal para librarisë “Flora” ku shiteshin librat e diktatorit. Nuk kishte
shitëse brenda. Me gurë i thyen xhamat. Pastaj ju vu flaka. Libraria u dogj.
Flaka vazhdoi gjatë dhe në kujtesën time vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të
përflakën veprat e diktatorit të urryer, por edhe i dashuruar marrëzisht prej
bacileve të kuqe të kolerës komuniste të rigjallëruar skajshëm vitet e fundit,
shkruajnë kujtime, bëjnë promovime, trumbetojnë anti -Mukje,
anti-Balliste. Aq përdhunshëm ky revansh
i bijve të kolerës së kuqe, sa të thuash ka ardhur koha që meritojnë të
ri-pshurrën sërish prej çamarrokëve të Tiranës veprat e teveqeleve të
komunizmit që nuk paskan ngordhje, si atëherë kur në hi i përfundoi e gjithë
ajo histori.
Rri e mendoj e them: Eh, sa të thella
kanë qenë e vazhdojnë të jenë punët në këtë Shqipërinë tonë. Kush nuk u dekorua
e kush nuk u pasurua ani pse ishin një tufë spiunësh e lakenjsh, ku nuk
depërtuan e nuk dolën sërish në krye të punëve enveristët e djeshëm.
Të isha unë president, ata çamarrokët e
Tiranas do ti dekoroja me tituj “Nderi i Kombit” para se ata që u futën në
grevë të urisë, ndenjën ca ditë pa ngrënë, por ama kanë 25 vjet që e hanë si të
babëzitur me “bark të pangishëm,” siç thoshte Migjeni, këtë të mjerën Shqipëri.
Lavdi maskarenjve!
© Kolec Traboini 2017