GOZHDA E NDRYSHKUR E KULTURËS
Shkruar nga KOLEC
TRABOINI
E kemi thënë dhe vazhdojmë
ta themi edhe në këtë shkrim të rinovuar: Mirela Kumbaro i ka ngecur në derë si
gozhdë e ndryshkur kulturës shqiptare. Një gozhdë që shkul gozhdë. Ca i thonë pykë
në diell. Sepse si një talibane e vërtetë shkuli në mënyrë aventurore pllakën
përkujtimore të Kinostudios dhe vuri veton duke refuzuar botimin e Antologjisë
për Jetimët, refuzoi gjithashtu mbështetjen për botimin e librit “Aristidh Kola”
në 70 vjetorin e lindjes së martirit arvanit në korrik 2014, ndërkohë që jepte
para pa hesap për fantazmagori si "Tulla TV Online" apo për kompanitë
private, pa harruar televizionin satelit të qeverisë, Top Channel, apo mikeshave
të veta dhe pse jo, shtëpisë botuese të një deputetit socialist.
Ashtu si atëherë kur
u hartua ky shkrim dhe u botua në gazeta “Sot” më 18 shkurt 2015, edhe në vitin
2018 bordi i marrok-teveqelëve të kulturës së Mirela Kumbaros (sipas udhëzimeve
të saj mesa duket) refuzuan mbështetjen
e Antologjisë së Fëmijëve Jetimë Shqiptarë sipas kërkesës së përsëritur nga
Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. Ndërkohë që sajesa “Tulla
TV” e miqve të ministres merr para sërish e vit pas viti. Ndaj po e përsërisim këtë
shkrim sepse problemet janë po ato, dhe protagonistët vazhdojnë të jenë stoike
në qëndresën e tyre për t’ia nxjerrë fundin thesit të parave të shtetit gjer në
qindarkën e fundit. Dhe kanë të drejtë sa kohë që Ministria e Kulturës është bërë
si çifligu i bejlereshës Kumbaro. Në vazhdim keni shkrimin e tre viteve më parë, botuar ne shtypin e Tiranës
dhe ku vihet re se asgjë nuk ka ndryshuar në prapësi marrëzitë e agallarëve të kulturës.
Mos vallë është i
nxituar ky cilësim që i bëjmë ministres së Kulturës Mirela Kumbaro? Nuk besoj.
Të gjithë e dinë se me të ardhur në pushtet talibanët hodhën në erë me dinamit
skulpturat monumentale budiste mijëravjeçare të gdhendura në shkëmb, duke
sfiduar kështu kulturën e mbarë njerëzimit. Po çka të ngjashëm mes ministres
sonë të Kulturës, Mirela Kumbaro dhe talibanëve të Afganistanit, mund të pyes
me të drejtë lexuesi që nuk e di çfarë bëhet në çifligun personal të kulturës
së Mirela Kumbaros. Të paktën në një akt ajo është treguar talibane e vërtetë.
Pasi e pushtoi ndërtesën e Kinostudios duke e bërë rezidencë të vetën, kjo
ministre shkuli brutalisht pllakën përkujtimore që shënonte datën e inagurimit
të Kinostudios, duke zhdukur kësisoj çdo gjurmë të kinematografisë shqiptare që
ka qenë vërtet krenaria e çdo shqiptari. Tani kjo ndërtesë e hijshme e
madhështore mund të konsiderohet thjesht si rezidenca e Mirela Kumbaros.
Edhe shpenzimet prej
qindra mijëra euro për ndërtimin e muzeut të kinematografisë shkuan për dhjamë
qeni. Po se mos i nxori nga xhepi i vet ato para zonja ministre? Nga ana tjetër
ajo mbase mendon se është harruar fakti se me të ardhur në postin e ministres
në koordinim me një deputet socialist bënë shitjen e një pjese të truallit të
Kinostudios për të cilën nuk qe i një mendje, madje kundërshtoi drejtori i Alba Filmit që nuk pranoi të
firmoste dhe për këtë refuzim e shkarkuan.
Këtë akt të tjetërsimit të pronës së popullit tek një media private në
duart e politikës, ne si kineastë e konsiderojmë një akt vandal. Kështu një
pjesë e oborrit të Kinostudios iu kalua televizionit Ora News në mënyrë të
fshehtë dhe nuk është vështirë të kuptohet se e gjithë kjo u bë që ky
televizion të ishte konformist me qeverinë e të lidhej pas qerres së saj. Dhe
shenjat po duken. Në këtë rast kjo ministre është treguar një talibane e
vërtetë për t’ia pasur zili edhe në Kandahar.
Por nuk është vetëm kjo. Kjo ministre është një shpërdoruese e vlerave
monetare, një njeri që i përdor paratë e popullit për të darovitur të afërm
(vëllai i ministres mori dhjetëra miliona lekë për një shfaqje teatri), po
kështu marrin të preferuarit personalë apo edhe institucionet e medias të cilat
i miklon për të qenë manarë të Qeverisë, që askush të mos gjejë një shteg në
media për të pasur një zë kundërshtues për veprimet arbitrare të ministres tonë
të kulturës.
Ministria e Kulturës
edhe më parë, por edhe tani është një sektor ku fondet shtetërore për
zhvillimin e kulturës kombëtare manipulohen në mënyrën më absurde e më
spekulative. Ky institucion nuk mbështet shkrimtarët të cilëve u ka marrë edhe
ndërtesën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në vend të tyre
honxhobonxhot e kulturës kanë zgjedhur një mënyrë origjinale, ta zëmë duke
mbështetur programe të tilla si djathi kaçkavall. Se çfarë lidhje kanë djathi
kaçkavall me kulturën shqiptare, këtë vetëm ata ministrisë së kulturës mund ta
dinë. Po këtu dëgjon edhe mrekulli të kësaj natyre; mbështesin një program për
historikun e muzikës rok në Shqipëri. A thua se muzika rrok qenka një produkt
kulturor autokton shqiptar dhe lënë në mjerim shtëpinë e Luigj Gurakuqit,
Gjergj Fishtës dhe asaj të Migjenit që nuk i gjendet as nami e as nishani.
Po le të shkojmë më
tej. Këto ditë u njoftuan projektet e përzgjedhura për mbështetje financiare në
Art & Kulturë nga kjo ministri. Dhe çfarë nuk gjen në këtë përzgjedhje.
“Letërsi/televizion” shkruhet emri i një fituesi për mbështetje nga ministria.
Po se çfarë është ky program askush nuk e di. Gjen aty mbështetje për shtëpinë botuese
familjare të deputetit socialist “Toena”, që në fund të fundit botimin e kanë
biznes fitimprurës dhe është absurde të financohen bizneset në programin e
kulturës. Shtëpitë botuese u marrin para për botim shkrimtarëve që janë
katandisur në pikë të hallit dhe kjo e ministri e quajtur e kulturës në vend
t’u japë shkrimtarëve mbështetje për botimet e veprave të tyre, u jep
mbështetje financiare botuesve për t’ua shumfishuar fitimet. Veç një mendje e
çartur mund ta bëjë këtë. Gjen aty mbështetje për programe televizive, krejt e
kuptueshme kjo me qëllim të miklimit dhe kthimin e tyre në aleatë qeverisës, po
gjen aty edhe për festivalin “Jaz” meqë më parë kanë financuar për rrokun
amerikan. Po ka mbështetje financiare për enigma si “Tullat Tv, media kulturore Online”, kur kësisoj mediash online bëhen me qindra e mijëra
pa asnjë shpenzim, sepse bloget elektronike janë falas. Por atyre u duhet sebepi për të rrjepur arkën e shtetit
dhe sebepet i gjejnë pa shumë mundim.
Rrofsh moj zonja
ministre me këto programet e tua. Po e ndrin me kandil e me bishtuk kulturën
shqiptare, por edhe qokat i ke në qendër të vëmendjes. Por një gjë duhet të na
e shpjegosh mirë, të bësh transparencë e
të japësh pse jo dhe llogari. Si është e mundur që ndërkohë që i jep para Mapos
apo edhe Top Chanel-it që është televizioni servil i qeverisë, apo më tej
shtëpisë botuese “Saras" filiz i Top Chanel, në mënyrë arbitrare refuzuat mbështetjen
e botimit të një antologjie për jetimët
të propozuar nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. Bordi i
specialistëve prej 7 anëtarësh të Ministrisë së Kulturës ishin të gjithë pro
dhe asnjë kundër duke miratuar njëzëri projektin e antologjisë për jetimët,
ishit ju dhe vetëm ju që vendoset veton dhe me një të fshirë lapsi e rrëzuat
këtë botim të veçantë, i pari i këtij lloji në Shqipëri.
E rëndë, shumë e
rëndë kjo zonja ministre, në radhë të parë për një grua, një nënë, dhe pastaj
një përfaqësuese e qeverisë që trumbeton përmes medias dimensionin social për
shtresat në nevojë si forcë e majtë, që mesa duket është një demagogji e gjallë
e asgjë tjetër. Ne nuk duam të besojmë se keni ndonjë urrejtje patologjike për
jetimët, por duhet të besojmë variantin që ju lehtëson në një farë mënyre, që
jeni treguar mendjelehtë edhe për shkak të një fryme kozmopolite në dukje që
manifestoni, e që ju bën të anashkaloni kulturën e kombit tënd, shkrimtarët e
vendit tënd, fëmijët jetimë të vendit tënd. Si është e mundur që e ndalon atë
projekt vetëm pak kohë para se të botohej në faqen zyrtare të ministrisë tuaj. Ju
as që sollët ndonjë argument kur e fshitë nga lista. Ishte menduar të
realizohej një libër antologji në të cilin të përfshiheshin autorë jetimë, por
edhe shkrimtarë të shquar që kanë shkruar për jetimët e ky libër t’u bëhej
dhuratë fëmijëve të kësaj kategorie me mesazhin se ju mund të ecni në jetë nën
shembullin e këtyre shkrimtarëve që kanë pasur fatin tuaj, por me guxim kanë
çarë në jetë dhe i kanë plotësuar ëndërrimet e veta.
Por ju zonja ministre
e kulturës, e mohuat këtë mundësi me arrogancën që ju karakterizon dhe me
praktikat absurde që ndiqni duke përkrahur vetëm ata që ju pëlqejnë ju
personalisht apo me të cilët keni taraf apo miqësi. Ju ua mohuat fëmijëve atë libër,
që do t’u jepej falas, i cili do të ishte një mesazh e stimul moral për t’i
nxitur që edhe ata, jetimët, të guxonin të futeshin në udhën e artit dhe jemi
të bindur që as ju ka vrarë ndërgjegjja fare. Sepse një njeri si ju që i keni
ngecur në derë kulturës, nuk mund të ketë ndërgjegje të vrarë, ndaj gjëja më e
mirë që mund të bëhej do të ishte që kryeministri i vendit t’ju largonte nga
ajo detyrë një orë e më parë, që kultura
shqiptare të mos nëpërkëmbet edhe më tej. Aq më tepër zonja ministre, që manifestoni
një sjellje si talibane e kulturës, duhet ta dini se njeriu edhe mund të lindë
i shëmtuar, por kjo nuk është asgjë përpara asaj sesi me sjellje e shëmton
vetveten njeriu. Mos kini më guxim, zonja ministre e pseudo kulturës, t’i shihni në sy kineastët
që ua shkatërrove krenarinë e tyre, aq më tepër jetimët e Shqipërisë, sepse ju
me aktin tuaj shprehët një qëndrim shpërfillës, injorues dhe përbuzës dhe nuk
do ta gëzoni respektin e tyre kurrë më.
Edhe mbas tre vjetësh vazhdojmë të konstatojnë se kësisoj gozhdësh të
ndryshkura kumbarçe veç kulturë nuk dinë të bëjnë.
2015 - 2018