29 May 2018

Grafomanët e historisë që kundërmon / nga Kolec Traboini




GRAFOMANËT E HISTORISË QË KUNDËRMON

Nga KOLEC TRABOINI
Nëntë burra malësorë katolikë, Nikoll Toma, Zef Teli, Gjon Marku, Nikoll Keçi, Kol Gjeta, Gjek Gjoni, Nikoll Baçi, Kol Marashi, Palok Uci (ky i fundit nga Hoti) u ekzekutuan me urdhër e firmë të Enver Hoxhës me 19 mars 1945 pa mbushur as 4 muaj nga dita e pushtimit të Shqipërisë nga bishat e kuqe të komunizmit.


Seç është një historian nga familja politike e Enver Hoxhës, i përkëdheluri i pushtetit të djeshëm e beniamin i politikanëve-pushtetarë të sotëm, që po na ngjall nostalgji për fantazmat e vjetra të Luftës ku ende tregohen histori me partizanë me virtyte të larta e nacionalistë që hanin pula të pjekura, ani pse ka mbetur fotografia ku Mehmet Shehu me jugosllavët e Brigadës se Parë partizane piqnin jo pula por dhen e dhi  në hell. Dy fjalë do tu thosha atyre të cilët vërtetë kanë para e pushtet disi si shumë, por trutë nuk i kanë në vend të mirë e që nxisin të tillë marrokë grafomanë të historisë.
Pa le kur mburremi me fjalime poshtë e lart se ne i kemi shpëtuar izraelitet gjatë luftës. Por ata që i mbrojtën izraelitët gjatë luftës ishin njerëz të thjeshtë. Nuk ishin politikanë.  Nuk kishin dalë as në mal e nuk luftonin as të zhytur në lluce e në moçal. Por tani ata që mbajnë fjalime shpëtimtare deri ne OKB janë bijtë e baballarëve, të cilët kanë një histori krejt tjetër nga ajo që tregojnë me izraelitet.
Le të sillemi e vërtitemi si e ku të duam, diellin me shoshe nuk e mbulojmë dot. E kemi vrarë njeri-tjetrin me shumë pasion e egërsi sa mund të thuhet pa droje se më shumë janë të vrarët prej njeri-tjetrit se sa kanë rënë në luftën heroike, legjendare, përrallore, gjëmimtare e tra la-la të tjera me  spekulime politike, se sa në beteja  me pushtuesit. Tani kujt i pickon e vërteta në vend të keq, le të hidhet sa të dojë. Mbase kjo kruarje e spërdredhje u ndihmon të qetësohen e ta shohin historinë me kthjelltësi.  Ajo çfarë ngjau më pas ishte vazhdimësi e kësaj katrahurë, pikërisht shfrimi i fitimtarit mbi të mundurin. Fitimtar ishte shqiptari dhe i munduri po shqiptari se pushtuesit kishin ikur. Veç me pakëz dallim, tërë zjarri e hekuri i armëve, plumbat e baruti, torturat e macja me gra në thes, u përqendruan në Veri, apo, ndoshta do të na thoni se Toger Baba (Hodo Habibi e kish emrin mizori dhe mjerisht ishte nga Kurveleshi i traditave të mira e atdhetare) nuk ka ekzistuar kurrë.
Emrin e tij nga defterët e historianët pehlivanë mund ta shuajnë por kujtesën popullore mbi mizoritë ndaj malësorëve kurrë. Lufta civile gjatë Antifashistes( gjëmimtare e gjëmëtarë se bashku) siç kishte nisur u bitis zi e ma zi pas lufte.
Këtu keni një firme të Enver Hoxhës, dokument origjinal, ku urdhëron ekzekutimin e këtyre nëntë burrave, Nikoll Toma, Zef Teli, Gjon Marku, Nikoll Keçi, Kol Gjeta, Gjek Gjoni, Nikoll Baçi, Kol Marashi, Palok Uci. Të gjithë malësorë, të gjithë katolikë dhe i fundit në rend ka qenë vëllai i Nunit tim, Palok Uci, nga Hoti, që u pushkatua në moshën pak më shumë se 20 vjeçare. Vite me vone, pasi bëri burg politik, Nuni im Prenk Uci bëri vetëvrasje. Solla një shëmbull, por Malësia e Shkodra janë mbytur në gjak. Nuk e dimë pse nuk e kanë shkruar e si do ta përballojnë historianët e vërtetë këtë epokë tragjike të historisë sonë qe nuk guxojmë ta harrojmë. Po ja që ka ndonjë historian përdredhan që ka paturpësinë të thotë ne bisedat televizive se, Tepelena ku dërgonin gratë e fëmijët, pleq e plaka malësore të familjeve të arratisurve apo kundërshtarëve të regjimit nga Malësia e Madhe, paska qenë thjeshtë një kamp internimi pa ndonjë trajtim të ashpër, kur atje i linin pa shtresë e mbulesë e të vdisnin për bukë. E mohon mizorinë e diktaturës komuniste, mirë kur nuk thotë se Tepelena në vitet 50 të shekullit të kaluar nën diktaturë ka qenë si konvaleshenca në Durrës ku shullëheshin në diell derrat e byrosë politike e kuadrot e tjera të lartë të nomenklaturës së Partisë së Punës.
Për ata që i glorifikojnë trimëritë bëmë-gjëma të komunistëve do të thosha, shkruajeni historinë si të doni, me lule a tullumbace, i hidhni parfum me shumicë, pa harruar të hani fara lule dielli kur ta shkruani, por, seç i vjen një erë, more vëllezër e motra,....kundërmon!