Nga KOLEC TRABOINI
Lexojmë edhe pse nuk duam ta besojmë: "Jeta e vepra e tij
janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare".
(Gazeta "Shqip" - Kolë Idromeno, i pari i tragjedisë së pikturës
realiste shqiptare - Eleni Laperi 15 gusht 2017)
Qenka venitur Kol Arsen Idromeno, ky Da Vinç shqiptar, e zeza mbi
të bardhë në gazetën "Shqip".me firmë e me vulë të Eleni Laperit. Ky
po që është studim-zbulim me të qorrollis mendjen si nëpër ato humoreskat
popullore “fluturon, fluturon.....gomari”. Por le të vazhdojmë ta lëçisim zonjën
Laperi:
“I ati (Arsen Idromeno- shënimi im K.T.) e ndihmoi djalin e tij
të zhvillonte dhuntinë për pikturën, skulpturën, muzikën dhe fotografinë, duke
e ditur se ato nuk do ta bënin të pasur, duke mos e ditur se e shtynte të birin
në një jetë prej Ferri e Parajse.”, shkruan zonja Laperi.
Epo, mbase ajo nuk e di fare se kush ka qenë babai i Kol
Idromenos dhe çfarë dhuntish ka pasur vetë ai, dhe pikërisht për këto aftësi te
tij politeknike i mësoi të birit të gjitha mjeshtëritë të cilat do ta ndihmonin
për ta përballuar jetën. Madje shumë punime që krijuan traditën e arkitekturës
të qytetit të Shkodrës, të cilat sot i admirojmë ne dhe të huajt gjithashtu,
kanë qenë të Arsen e Kol Idromenos. Vetë Arsen Idromeno ka qenë arkitekt.
Me ndërtimet që bënë baba e bir në qytetin e Shkodrës e kthyen
paraqitjen e qytetit nga orientale në oksidentale, me fytyrë nga Europa,
evolucioni më i madh në këtë qytet bashkë me zhvillimin e zejtarisë që e bënë
qytetin më të njohur në Ballkan. Pra përafruan Shqipërinë me qytetërimin
europian, shprehje e të cilit është edhe arkitektura.
Falë Arsen e Kol Idromenos, kur të huajt vinin në Shkodrën e pas
vitit 1905, e ndjenin se ishin në Europë e jo në humbëtirat e Anadollit.
Dhe Kol Idromeno nuk ka
qenë i varfër, sikur kjo zonjë kërkon ta shesë. Përkundrazi ka qenë një familje
në gjendje shumë të mirë, dhe Kola, që bënte çdo lloj punë që përfshihet në
artizanat, kishte të ardhura. Ne që jemi të afërt të familjes ( le të flasë dhe
Ernest Rini Andrakia se edhe ai të afërt e ka), nuk dimë të ketë vuajtur Kol
Idromeno për bukën e gojës, në atë kuptim që kjo zonjë e quan “ferr parajsë” e
jetës së Kol Idromenos. Jeta e Idromenos nuk ka qenë ferr, por një pasion i
ndritur. Ka pasur fatkeqësi familjare me vdekjen e djalit 2 vjeçar dhe motrës
në moshë të re, Motra Tone e shoqja e italianit Andrea Skanjeti, por ai kurrë
nuk është mposhtur nga dhimbja. Kish aq shumë pasione e punë sa nuk kishte kohë
të rrinte nëpër skena pikëllimi romantike siç fantazon jetën e artistëve Eleni
Laperi.
Fantazitë kësaj zonje që shkruan çfarë ti vijë për mbarë
vazhdojnë:
“Me Kolë Idromenon nis
historia e tragjedisë së pikturës realiste shqiptare në veçanti, në vazhdën e
tragjedisë së kulturës shqiptare në përgjithësi. Jeta e vepra e tij janë
shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare.”
U bëtë ju zonja Laperi ta kthesh Idromenon, përpara të cilit
mahnitej i madhi Odise Paskali, në një dështak tragjik. Më të vërtetë është
paturpësi, shpirtligësi dhe e neveritshme. Veç tundimi i madh më bën të reagoj
se kësisoj shkrimesh pa vlerë nuk meritojnë vëmendje.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe një farë fyelltari me një vrimë e
pantallona të shkurta, pikturisti Mustafa Arapi, kur në “Gazeta Shqiptare” të
datës 1 qershor 2017, shkroi me të pabesueshmen, kinse portretin e Motrës Tone
(nënën e Dadës sime Katrina Skanjeti -Traboini) nuk e ka bërë Idromeno. Po kush
e ka bërë, o mendje ndrituri Mustafa? Një shqiptar i vërtetë nuk ka as
paturpësinë të degradojë figurat e
kombit të vet. Po edhe ti, moj zonja Laperi, kur e ktheve shqiponjën e Flamurit
të Pavarësisë në një qafe pate, çorap e bëre historinë.
Nga kanë dalë gjithë këta të "studiues" mendjendritur
more dhe kanë marrë një revan të cilin nuk e dimë deri ku do të shkojë?!
Nuk ke gjë tjetër për të hequr e ndrequr në këtë botë, moj zonjë
që do të bësh shou me shkrime kësisoj që të lënë pa mend?
Zot na ruaj, dalin liliputët të rrëzojnë gjigandët.
Por mbase nuk kemi parë gjë akoma në këtë humbëtirë ballkanike ku
punohet me kazmë natë e ditë. Krejt i pakuptueshëm dhe pasioni për t’ia nxjerrë
tabanin këtij dheu që duhej ta kishim të shenjtë.
Ndoshta gojë-ndyrja është gjeja me pak e dëmshme në këtë vend,
ndaj i shohim të botohen lloj-lloj paçavuresh në gazetat e Tiranës.
Po si vazhdon historia?
Pa shkuar një kohë e gjatë që kur ka hedhur një shkul terrinë e hije mbi talentin
e Kol Idromenos, duke e treguar si një dështak tragjik, siç e cituam në gazetën
“Shqip”më lart, kjo zonjë e nderuar, Eleni Laperi pra, që ka pretendime për
studiuese në kohe të vonë, del e flet, për kë do thoni ju, bash sak për meritat e Kol Idromenos, me
atributin kjo zonjë si "këshilltare e Ekspozitës" së Galerisë
Kombëtare të Arteve figurative Tiranë. Dhe kinse ka zbuluar portretin e
Monsinjor Çobës të punuar nga daja i tij Kol Idromeno, të cilën vepër e ka
rrëmbyer shteti kur e arrestuan klerikun
dhe i morën edhe jetën.
Kësisoj nuk ka pas asgjë për të zbuluar sepse nipat e Monsinjorit
janë gjallë dhe e kanë pas atë në shtëpi para se ti arrestonin, ti burgosnin
dhe internonin të gjithë familjarisht.
Një masakër e vërtetë në rrethin familjar të Kol Idromenos. Mbase nuk ka pas
jehonë në Tiranë, por e di gjithë Shkodra.
Dhe për ta mbyllur, bash për këtë na venë punët mbarë ne
shqiptarëve, se kemi këshilltarë që bëjnë “zbulime”.
2019