DHJETE LIBRAT DHE ZDRALA QË NUK DEL
Nga KOLEC TRABOINI
Ka dalë një mode social-mediatike dhe televizive
që do të thosha katundare-agrare për të bërë karrshillëk, me ç' sebep tregojnë çfarë librash ka lexuar
mileti. Me një fjalë shihni shtëpinë time, ashtu siç është fasada e shtëpisë
duhet të jetë edhe i zoti. Mirëpo librat nuk janë njerëz - nuk shqyhen për kolltukë
e tribuna. Nuk ja ndjejnë nevojën që për të qenë të mirë, duhet pa tjetër të shullëhen
në vitrina, të përmendën nëpër karrige plazhesh ndërsa hahet akullore apo bëhet
loja e shkumës. Librat nuk lyhen me buzëkuq e as veshin taka të larta, nuk i fryjnë
cicat me materiale plastike e me kryesorja nuk përdridhen duke tundur vithet. Nuk
veshin pantallona të ngjitura pas trupit dhe as të shqyera që tu duket një
copëz prapanicë e trendafiltë. Librat nuk ja ndjejnë nevojën tundimit, as ta zëmë
fjalëve të avokatarit Maks Haxhia që thotë në një intervistë në mes të vapës e
kanë futur në burg Fullanin se është i bukur. Tyrbe bukuri. Po mor po, sa me tu
kujtuar kënga humoreske shkodrane "Marshalla bukurisë tande, hije plancash
të paska ra!"
Çdo libër i mirë ka vlerën e vet pa pasur
nevojë ti fusim në konkurrencë me njeri tjetrin, ta zëmë anketimet idiote se
kush kanë qenë 10 personalitetet e lesh-politikës së vitit.
Po bëni more anketë, kush kanë qenë hajdutët më të mëdhenj të vitit? Kjo po. E këtu më i bukuri del Fullani i Bankës ku avullojnë paratë e shqiptarëve. Kush ka marrë më shumë para nga qeveria? Edhe kjo po është pyetje e mirë anketuese. Pse merreni me librat në konkurrenca mendjelehta duke u tundur e shkundur plazheve private? Librat nuk janë si të gjallët që kërkojnë të hyjnë në dhjetëshen e Vip Rripave.
Po bëni more anketë, kush kanë qenë hajdutët më të mëdhenj të vitit? Kjo po. E këtu më i bukuri del Fullani i Bankës ku avullojnë paratë e shqiptarëve. Kush ka marrë më shumë para nga qeveria? Edhe kjo po është pyetje e mirë anketuese. Pse merreni me librat në konkurrenca mendjelehta duke u tundur e shkundur plazheve private? Librat nuk janë si të gjallët që kërkojnë të hyjnë në dhjetëshen e Vip Rripave.
Prandaj ato 10 karriget i mbani për
vete e jo për librat. Me duket absurde një përzgjedhje kaq e ngushtë në kulturën
mijëra vjeçare të njerëzimit aq më tepër se më së shumti edhe njerëzit facebook-sa,
duke cituar librat po përpiqen me nxjerrë gjoksin për tu dukur gjoja modern. Kot
shiten si aristokrate ata Hekuranët që i binin shatit e lopatës deri në 1990,
sepse nuk kishin tru për shkollë, dhe sot me punë të pista janë bërë milionerë
dhe diplomat i kanë blerë. Kot lodheni me këto leqendisje librore ku padyshim
flitet për libra të huaj se të vendit i kanë stërgjynosur duke u berë të gjithë
kozmopolitë. Lumë bota për këto ardhje. Mjerë kasollja ku kanë lindur. Edhe 100 vjet të
laheni në banja moderne me pllaka ari, juve nuk u del zdrala, jo, more jo!
Në Shqipëri njeriu nuk ja hap rrugën
as robit e as Zotit. Nuk funksionojnë postulatet e të mençurve ndër shqiptarë. Jo
kalliri plot e mban kokën ulur e përralla të tjera popullore. Jo more, jo.
Kalliri më i mirë është ai që mban kokën përpjetë. Për bereqet nuk ka nevojë se
ua vjedhin të tjerëve. Pse pak budallenj ka që punojnë e robtohen. E më flisni
për libra, për lexime. Çfarë kanë blerë
e lexuar këtë verë këta derbederë. Në
Shqipëri e Kosovë e zënë diellin me
shoshë, madje e fusin kokën në rërë si struci e thonë asgjë nuk ka ndodhur. Dhe
kur ndodh tre dit bëhet çudia. Kjo po që është dije.
Mirë është për të bërë një dush pastaj
të zhagitën e llomitën buzët, se sa të lyhen buzët pa larë sytë (o moj zoçkat e
TV) e me vrap për karrshillëk në pazar e vip-rripave për të parë e për tu parë.
Bota konceptohet në dy mënyra, nëpërmjet këndit inteligjent por edhe nëpërmjet
këndit injorant, varet se ke zgjedh njeriu. Mirëpo mjaft media po shohim se
kane përzgjedhur këtë të fundit si më praktiku, kinse Shqipëria është një kopsht
i lulëzuar në breg të Adriatikut, siç llomotisnin dikur baballarët e tyre.
Turizmi po hop-hop-hop, herë i çalë herë me galop. Ekonomia rritet në gremina, papunësia
ngjitet nëpër humnera dhe përditë politika llap-llap-llap. Më keq burrat se sa gratë.
Jargë e pështymë në TV për natë.
Vjen e hëna, qetë-qetë shkon të pish
një kafe, nga tryeza që ke më afërt kundërmon një këllirë, një erë djersë sa të
bën të vjellësh kafenë e të ikësh nga sytë këmbët. Pastaj sa hap televizorin
apo kompjuterin të del anketa kush janë dhjetë librat më të mirë që ke lexuar këtë
verë.Te gjitha gjerat që ti mendon se i di janë gabim. Injoranca të tundon e miklon më shumë se dija. Pak kemi vip-at, zdralen dhe zhulin. Edhe leximi na duhet! Bah...
Traboini esè 2014 - 2018