10 September 2018

🍀 “Shtigjet e çeluna” të rinisë sonë në Shkodër - Kolec Traboini

Në foto: Hilmi Tukaj, Niç Bedeni dhe Nard Bushati

“SHTIGJET E ÇELUNA” TË RINISË SONË NË SHKODËR

Nga KOLEC TRABOINI

Ferdinand Bushati paska këtë vit 86 vjetorin e lindjes dhe gëzon shëndet të plotë. Bashkohem dhe unë me urimin e shumë prej atyre që ruajnë admirim  e respekt për figurën e tij, për shpirtin artistik e njerëzor. Jetë të gjatë profesor Nardi! Çfarë mund të them tjetër në këtë ditë të bukur për ty? Plot mund të them për ty Nard Bushati. Për ty dhe për ne. Se puna jote ishte komunikimi njerëzor, ajo për të cilën kishte aq shumë nevojë shoqëria shqiptare dje, por edhe sot ka nevojë. Pikërisht atë frymë e mirësjellje që pas kthimit nga shërbimi ushtarak, sapo kisha gjetur në fabrikën e Fibrës në Shkodër tek inxhinier Bujar Bedalli, që mirësish më pranoi në punë, kur kisha mbetur pa strehë e pa mbështetje, aq sa nuk mund të përshkruhet pa një dhimbje të madhe ajo çfarë koha i rezervonte njeriut. Gjë e rrallë për kohën kjo mirësi njerëzore.  Edhe tek Nard Bushati takova gjithashtu njeriun e mirësjellë, një masovik të mrekullueshëm. Gjithmonë i qeshur, që i mirëpriste të rinjtë e qytetit e jo vetëm ata, në Klubin e Rinisë me një mirësi tipike shkodrane. Me Nard Bushatin e ndjeje vetën mirë. Ishte miqësor e i afërt me të gjithë. Tip sportiv, artist, që dinte si të sillej e të afronte njerëzit. Klubi i Rinisë që nga viti 1968 kur erdhi Nard Bushati e me tej, u bë një qendër rinore e pa zëvendësueshme e qytetit.
 Mbaj mend se kishte në Shkodër edhe një degë hijerëndë të Lidhjes së Shkrimtarëve, por ishte krejt e paralizuar dhe  e politizuar. Nuk i nuk i afronin të rinjtë, aq sa një herë, një shkrimtar që shumëkush mund ta ketë harruar, korçari Guri Miçinoti, u tha në mes të mbledhjes i nervozuar se drejtuesit po  mburreshin sikur i ndihmonin talentet e reja: “Të rinjtë jo vetëm që nuk i afroni e ndihmoni, por ata, kur shkojnë ti takojmë pshurrën prej frikës së shefave”. Një guxim i çmendur nga një shkrimtar shofer në atë kohë, por që e mbronte qenia si punëtor dhe “Hë mo, se kështu është Guri.”
Por me Klubin e Nard Bushatit ndodhte ndryshe. Isha punëtor me një jetë të izoluar, e ku tjetër mund te takoja miq letrare veç tek Klubi i Nard Bushatit. Atje u njoha së pari vetë Nardin që më mirëpriti e më prezantoi me profesorin e ndjerë Hasan Lekaj, që drejtonte rrethin letrar. U takova e u miqësova pastaj me Tonin Shtjefnin, Alfred Çapalikun, Dod Kaçaj, Bashkim Golemin, Xhahid Bushatin, Mehmet Gucinë, Rudina Lohja e Suzana Gegenin, Shyqyri Mollaj, Arben Shehi, Ruzhdi Jata, Fluturak Germenji, Fejzi Gushta, Vjollca Kapisyzi ,Robert Jaubelli, Marta Qesteri, Muço Muho, Pëllumb Sulo, Burhan Kurti, Ruzhdi Jata, Kudrete Kozmaj, Qemal Hoxha, Mehmet Shpuza, Bedri Islami, Maliq Bitri, Valentina Ago, Drita Bekteshi, Jozefina Nikaj, Paulin Shtjefni, Osman Kazmaj, Ilir Resnja, Luan Mema, Qemal Hoxha, Gëzim Basha, Abdulla Poti, Hilmi Tukaj e tjerë. Përmenda 36 letrarë të rinj të grupit që nën kujdesin e Nard Bushatit dhe prof. Hasan Lekes nxirrnim almanakun letrar “Shtigje të çeluna” një kopje të cilit, botim i vitit 1970, e ruaj si një libër i çmuar në bibliotekën time personale. Edhe me shkakun emocional se aty kam botuar tregimin tim të parë, “Muzg i bardhë”, me motiv vrasjen në Pejë të motrës së “Motrës Tone” të Kol Idromenos, një ngjarje e dhimbshme brenda familjes sime.
Ku mund ti njihja gjithë këto krijues të rinj pa atë takimin dhe afrimin që më bëri Nard Bushati në klubin e Rinisë, ku u gjenda me kaq shumë miq e shokë që nuk i kisha pasur kurrë më parë. Mos vallë do të mund të ecja sadopak në fushë të letrave e të gazetarisë pa atë përvojën sado të vogël në Klubin e Nard Bushatit. Mendoj se jo. Se në jetë njeriu e krijon përvojën e vet copëza - copëza për të krijuar e gjetur vendin e vet sado modest në mozaikun e madh të artit.
 Të flasësh për Nard Bushatin është sikur të flasësh për pasionet e qindra të rinjve,  për të gjithë këta miq e shok të ëndërrimeve letrare të rinisë sonë, bash atëherë kur nisën udhët tona nëpër “Shtigjet e çeluna” të Klubit të Rinisë në Shkodër.

Shtator 2018
Foto e sipërme e marrë nga Agron Isufi
Foto e poshtme almanaku "Shtigje të çeluna" 1970 dhe tregimi "Muzg i bardhë" nga K.Traboini


WORLD POETICA CHANNEL