06 July 2019

🟢Historiografi apo legenografi kundër Avni Rustemit- nga K. P. Traboini



HISTORIOGRAFI APO LEGENOGRAFI
KUNDËR AVNI RUSTEMIT

Nga Kolec P. TRABOINI

Në vitin 1981 kam realizuar një film dokumentar për trimin shqiptar që bëri histori në Paris, ndaj gjithë atyre që historinë e shkruajnë me histeri, që siç e kemi thënë e do të vazhdojmë të themi, të paaftë të krijojnë përpiqen të rrënojnë çfarë të tjerët kanë krijuar, u përgjigjem shkurt e kthjelltë siç i tha gjithë populli shqiptar në vitin 1920, kur drejtësia franceze e nxori të pafajshëm trimin shqiptar Avni Rustemi:  
-Të lumtë pushka, që e shtrive baldosën Esat tradhtari përdhe. Kështu ishte, është e do te jetë fati i të gjithë qeneve të zabarosur me armiqtë e Shqipërisë. Por nga kjo përsiatje e tyre e kotësishme histerike, lavdisë së djaloshit zemërzjarrtë nga Libohova, gjëmb në këmbë nuk i hyn. As nga lehjet. Mjeranët me kallamar vazhdojnë me stilin urithian e do të vazhdojnë deri sa tu vijë ngordhja, sepse edhe brumbullin nuk mund ta ndalosh të bëjë toptha me bajgët e lopëve të shullëra në diell.
Aty e kanë ekstazën. Edhe pasionin edhe ngordhjen.
Neveri e neveritshme dhe e përzishme të rrëzosh heronj e të vesh tradhtarët e kombit në piedestal. E të mos harrojmë se Avni Rustemin e vrau Zogu i vetëshpallur me bajonetat e Serbisë, kinse mbret i shqiptarëve. Ndërsa vëllain e nipin (baba e bir) e pjesëtarë të tjerë të familjes së Avni Rustemit i pushkatuan falangat bolshevike të xhahilit Enver Hoxha, të cilët  nuk ngurruan që  edhe shtëpinë e Avniut ta digjnin.
Rrëzo heronj e vur tradhtarë është një rrugë që na çon vetëm në humbëtirë. Historia nuk guxon të kthehet në Legenografi okulte kundër Avni Rustemit, që ishte zemra dhe ideali kombëtar i djalërisë shqiptare.

7 korrik 2019