JARGË E PËSHTYMË LAKEJSH MBI TEATRIN
KOMBËTAR
Drejt qiellit mund të pështyjë çdo
idiot i trallisur a malukat i tjetërsuar në lake,
por gjithsesi pështyma mbi fytyrën e
vetë faqezinjve do të bjerë.
Nga K. P. TRABOINI
Një mik në Facebook, nuk po e
rëndoj ti përmend emrin se më duket një mjerim i madh, më shkroi plot pezëm e
mllef kundër Teatrit Kombëtar. Biseda u zhvillua kësisoj. Pasi që shkroi
sfidues të shembet teatri kombëtar, i shkrova: “po për ato 6200 metra tokë
publike që vidhet për 6 kulla, o njeri, si nuk ta dha shpirti të flasësh një fjalë,
apo bëji nënën pasurisë së popullit. Si para 90-tës dhe tani... Një avaz”. Pas kësaj mora këtë mesazh publik:
"Fola për teatrin e jo për Ramën
e Bashën ... se ajo kufomë, që quhet teatër, nuk e mban dot luftën që bëhet
midis të djathtës dhe të majtës".
Duke qenë se unë personalisht nuk bëj
luftë as për të djathtën e as për të majtën (nuk kam qenë as anëtar i PPSH për
dijeni të folësit ish komunist), por për vlerat, traditat e historinë
kombëtare, i ktheva këtë gjegje sharësit të atij Teatri që unë e konsideroj një
altar të fjalës së bukur shqipe:
- Vërtetë ti fole për Qengjin, të mora
vesh, dhe jo për Ujkun. Fajin e paska qengji (Teatri) se po ja turbullon ujin
Ujkut të Zi të Tiranës. Me sa po shoh po ta turbullon edhe ty. Çudi... Alegori
sfilitëse kjo për mafiozët e pushtetit dhe ata që u shkojnë pas si hije.
Bishtukaxhijtë e shallvarexhiut, që mjerueshëm më kujton Haxhi Qamil Xhametën e
Sharrës, që i ngeci qafa në litar. Atë fund paçin të gjithë zullumqarët që e
tundojnë dhe e keqtrajtojnë popullin e vet.
Nëse kalon nga Teatri Kombëtar kur të vish me pushime nga New Yorku, aty tek sheshi më ke. E
di që të marrët mund ta prishin me një ngazëllim neronësh , por qëndresa e
kundërshtimi ndaj të keqes që ka pllakosur Shqipërinë nuk duhet të na stepë,
ndryshe kemi humbur më të çmuarën në jetë, lirinë. Teatri si ngrehinë është
preteksti i sinjor shallvares, këtij Arturo Ui i kohës sonë postkomuniste, që na
ka pllakosur e nuk dimë si do shpëtojmë prej tij. Agjenda e tij është më e
gjerë sigurisht. E të mos harrojmë se kështu kanë nisur të gjitha tiranitë dhe
rreziku i diktaturës nuk është vetëm një ëndërr e keqe.
Nuk kemi përtuar të jemi në ballë të
situatave në janar- shkurt 1991, e si mund të topitemi tani përballë vemjeve
moniste të diktaturës e të mafies që kërkon të gllabërojnë pasuritë kombëtare
me dëshirën e çmendur për pushtet absolut.
Nuk ka artistë të vërtetë që ti
lëpihen qeverive, përkundrazi artistët e vërtetë janë opozitarë me çdo qeverisje të keqe.
Koha ka treguar dhe po e tregon
përditë se, lëpirësit janë e mbetën vetëm lëpirës, ndyrësisht, jargë e pështymë
sundimtarësh. Drejt qiellit mund të pështyjë çdo idiot i trallisur a malukat i
tjetërsuar në lake, por gjithsesi pështyma mbi fytyrën e vetë faqezinjve do të
bjerë.
30 korrik 2019