05 October 2022

Tundime sirenash greke për artisten arvanite Irena Papas - nga K. P. Traboini


TUNDIME SIRENASH GREKE

PËR ARTISTEN ARVANITE IRENA PAPAS

“I ngjaj nënës sime. Ajo ishte ezmere si unë. Ajo vinte nga Epiri, ndërsa im atë vinte, sipas gjasave, nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare ose gjysmëshqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë”. - Irena Papas

Nga K. P. TRABOINI

Dekani i shkencave politike të një Universitetit në Athinë na qenka tunduar aq shumë se në Shqipëri ca djem e vajza entuziaste po flasin shpesh për origjinën e aktores se madhe Irena Papas, e cila ka ndërruar jetë pak ditë më parë. Nuk priti profesori i politikes greke as të kalojnë 40 ditë, që ai si ortodoks i mirë duhej ta respektonte duke mos e përgoju e përgënjeshtru një të vdekur. Ka dalë kirje Dimitris Christopoulos me një shkrim “Ode” për kombin dhe “shqiptarja” Irini Pappas, ku kërkon të rrëzojë mite shqiptare e në vend të tyre të ngrejë mite greke, sikur të mos mjaftonin gjitha ato përrallisje greke sikur e gjithë bota është greke e përtej kësaj nuk ka asgjë tjetër.  Ka bërë një film me humor Hollivudi për këtë mirëpo në Athinë fryjnë tjerë erëra. Se kush i paska dërguar profesorit grek te politikës njoftimin( kemi plot spiunë mediatikë në mes nesh e media qe paguhen nga të huajt) që në Shqipëri komentojnë se Irena Papas e ka prejardhjen arvanite, pra shqiptare, dhe se shqiptarët po ndjejnë kënaqësi deri në eufori nga ky fakt. Mirëpo ajo që i gëzon shqiptaret, anipse me gëzime mbase naive, port e sinqerta, i tërbon grekët e megaloidhesë si puna e profesorit të shkencave politike në Athinë, i cili ngutet të shkruaj se Irena Papas është vetëm greke dhe gjaku prej të cilës rrjedh nuk ka rëndësi. Madje shkon më tej duke thënë se në Peleponezin arvanitas ka pas dikur një popullsi greke me një gjuhë të vjetër te harrur që nuk ishte shqipe. Hajde levend profesor hajde. Ku nuk e çon fantazia kur ke tundime sirenash greke. Kudo.  Dhe mohon atë që thoshte në një intervistë vete aktorja e madhe me reputacion botëror, kur e pyetën pse ishte ezmere “I ngjaj nënës sime. Ajo ishte ezmere si unë. Ajo vinte nga Epiri, ndërsa im atë vinte, sipas gjasave, nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare ose gjysmë shqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë”. Por nuk do profesori i politikës së Athinës. Ngul këmbë si mushka, madje duke sjellë si argument dy argatë gazetarë, renegatë të arvanitasve, të cilët kanë dalë hapur kundër veprës së Aristidh Kolës e për të cilët kemi shkruar vite më parë duke u dhënë gjegje provokimeve të tyre nga skutat e errëta të panhelenizmit shovinist. Kësisoj ndryshe nga se ka thënë aktorja e madhe për veten dhe origjinën e prindërve, ky profesori i politikës grekomadhe fantazon:  “Le të themi që Irini Pappas nuk ishte as arvanitase. Fshati i saj, Chiliomodi në Korinth si dhe Agionori nga erdhën banorët e Chiliomodit, nuk flisnin dialektin arvanitas për të paktën 150 vitet e fundit, ndryshe nga shumica e fshatrave në rajonin e tyre. Ata flisnin një dialekt të vjetër grek të Peloponezit, një fakt që ndoshta sugjeron një gjuhë shumë të vjetër greke. Siç kanë vënë në dukje studiuesit e arvanitasve dhe ekspertët e shkëlqyer të kësaj çështjeje si Leonidas Empirikos dhe Lambros Baltsiotis, kemi të bëjmë me një “pykë” greqishtfolëse midis dy rajoneve të mëdha shqipfolëse.” Kësaj i thonë i zoti e shet e tellall profesori nuk e jep. Për mendjet naive të disa shqiptarëve që e popullarizojnë dhe e vlerësojnë me eufori shkrimin cinik të profesorit të politikës greke, reagimi dhe qëndrimi im ju duket absurd. Por këtyre kritizerëve naivë dua t’ju them: Kam jetuar 5 vjet në Greqi, sikur të mos e dija realitetin mbase do më gënjente retorika e këtij profesori, që një hall i madh e bën të dalë e të thotë se gjaku i kombeve nuk ka asnjë vlerë. Së pari ai shqetësohet çfarë shkruajnë portalet në Shqipëri. Po agjendë profesorësh universiteti në Athinë është kjo? Po atyre portaleve e komenteve në kushtet e lirisë së mendimit publik, as vetë ne shqiptarët nuk u vëmë shumë rëndësi. Si u ndodh pra të tromakset një profesor atje në dekanatin e tij në Athinë. Kaq e frikshme për një grek intelektual qenka krenaria e shqiptarëve për atë pjesë të kombit të vet që për shumë rrethana, shpesh të padrejta historike, u gjend në një shtet tjetër. Ai profesor as pranon të thotë po, arvanitë do të thotë albanë, arbërorë dhe nuk ka asgjë për tu shqetësuar nga ky solidaritet "gjaku" .
Unë nuk jam shqiptaromadh, mos o Zot, por edhe pse jam që 22 vjet qytetar amerikan nuk ngutëm të mohoj atë pjesë që më bën shqiptar kombëtar, por as të mohoj krenarinë e ID së shtuar. Çfarë pra e shqetëson profesorin që po i tronditet me themel megaloidheja?! Duhet të dimë të lexojmë në mes të rreshtave që është sekreti i profesionit të gazetarisë, për te kuptuar sadopak profesorin grek të politikës.  Mua si shqiptar nuk më shqetëson fare çfarë thotë profesori, se fjalët janë gjethe, por përpiqem të shoh trungun. Tundimin e tij, të atyre që e furnizojnë me lajme nga Shqipëria, të atyre që e përkthejnë dhe na ofrojnë taze pilaf me oriz grek, me të cilin në Athinë ushqejnë pulat. I njoh mirë grekët, për mirë dhe për keq. I admiroj artistët e mëdhenj grekë që për fat nuk janë si ky profesori që "një herë në mot del e kullot", por njerëz me personalitet, të admirueshëm, që e duan atdheun e kombin e vet grek, por i respektojnë kombet e popujt e tjerë, sepse ajo që është greke, në art e kulturë, është edhe shqiptare se jemi fqinjë e të afërt historikisht, por edhe të gjithë popujve të tjerë pa dallim. Ne i duam dhe i admirojmë shkrimtarët grekë, kompozitorët grekë, artistet grekë, këngëtarët grekë,  ndërsa profesori i politikës që e shqetëson qenia me gjak shqiptar e Irena Papas, kërkon të vërë sinore në mes të popujve, dhe pa teklif merr pjesë në këtë grindnajë,  jo e imja e jo e jotja. Mediokritet i gjallë. Mjerë profesorati i Universitetit te Athinës çfarë studentësh përgatit në një vend të Bashkimit Europian.

Po çfarë shkruhet nëpër media për Irena Papas dhe çfarë ajo ka thënë për origjinën e saj? E lindur si Irene Lelekou (Ειρήνη Λελέκου) artistja e famshme greke në fshatin e Chiliomodit në rrethinat e  Korintit. E ëma, Eleni Prevezanou (Ελένη Πρεβεζάνου) ishte arsimtare dhe i ati, Stavros Lelekos (Σταύρος Λελέκος), jepte mësim dramaturgji klasike në shkollën Sofikós të Korinthit. Vetë aktorja në një intervistë, e pyetur se përse ishte kaq ezmere, është përgjigjur se “I ngjaj nënës sime. Ajo ishte ezmere si unë. Ajo vinte nga Epiri, ndërsa im atë vinte, sipas gjasave, nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare ose gjysmëshqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë”.

Gazetari që e ka intervistuar nuk ka qenë aq i pamend sa ta pyes si ndjehesh më shumë, greke apo shqiptare, nuk i ka vene dilema aktoren së madhe e cila nuk përjetonte as dilema e as dualitete siç ka në kokën e profesorit Dimitris Christopoulos. Sepse kur je mendje hapur gjërat janë më të lehta të shpjegohen e të kuptohen. Bukowski ky poet i madh amerikan, që kam pas kënaqësinë ta përkthej, megjithëse me baba amerikan, kishte lind në Gjermani e ndjehej gjerman deri në palcë në krijimet e tij e kjo e bënte ndryshe nga të gjithë poetët e tjerët. Disa e quanin gjerman i mallkuar, por ai nuk shqetësohej nga kjo. Nuk ja mohon dot Robert De Niros dhe Al Paçinos apo dhe Martin Skorcezes të qenit italian, megjithëse janë krenaria e shpirtit amerikan. Nuk ngutet njeri në Amerikë të thotë, jo nuk kanë asgjë italiane se gjaku nuk thotë asgjë,  siç profanon kataklizmën e tij për origjinat njerëzore profesori grek i politikës,  qe kam bindjen se nuk di asgjë për veten me shumë se dy breza. Mund të jetë gjakhumbur. Dhe kështu i do edhe të tjerët. Ky arrin deri atje sa mohojë rrënjët e kombeve, njeriu pra qenka produkt i komercializmit politik, pra ky zotëri mishërohet në parimin jo jemi andej nga i kemi rrënjët, por jemi  produkt gjenetik i asaj që hamë. Hamë suflaq grek, dhe duhet te jemi patjetër grek.  Ky zotëri i tunduar se po i marrin shqiptarët ikonën greke me gjak shqiptar Irena Papas, as merr mundimin që për origjinën e gjallnorëve të lëçisë ca parime të etimologjisë, prejardhjen e emrave të cilat fshehin histori. Emri i Irena Papas në lindje të saj ka qenë Irena Leleku. Familje arvanite dhe jo greke. Kot lodhet profesori i tunduar grek (nësë është - se mos na del dhe ai arvanit që lufton kundër llojit të vet), se mbiemri i vajzërisë e thotë vete origjinën. Më gjeni cila është etimologjia e këtij emri në gjuhën greke? Nuk ekziston. Por ekziston në gjuhen shqipe. Apo dhe gjuhët si dhe gjaku për ju nuk kanë rëndësi?! Po për Irena Papas - Leleku ka shkruar në revistën i paharruari Aristidh P. Kola, që kohët e fundit u nderua me një nga titujt më të lartë në Shqipëri, "Nderi i kombit". Pse ky profesori i politikës greke nuk e kundërshtoi atë botë Aristidh P. Kolën, apo mendon se pasi vranë studiuesin e madh arvanit nuk ka më zëra arvanitësh në Greqi?! Profesori i tunduar i mjafton të lexojë kujtimet e nobelistit grek Odisea Elitis ku thotë se kur donim të hanim drekën gjyshja i thërriste në gjuhën arvanite, pra shqip.  E nuk është vetëm Melina Merkuri e Irena Papas (Leleku), por një plejadë personalitetesh që përfaqësojnë Greqinë dhe kanë prejardhje shqiptare. Kjo nuk duhet të shqetësojë askënd, sepse popujt kur janë fqinjë të mirë japin e marrin jo vetëm bukë e ujë, por edhe kulturë e dije, bashkëjetojnë e përzihen ndërmjet vedit. Dhe këtij profesori që kërkon të verë kufinj të hekurt në mes popujve, i sugjeroj të lexojë sadopak nga fjalët e urta të shqiptareve të Greqisë, që në  vendin fqinjë i quajnë arvanitë, "gjaku ujë nuk bëhet", duan apo nuk duan profesorët e politikës grekomadhe.


Bekim Fehmiu dhe Irene Papa rrinin bashkë gjatë pushimit të xhirimit të filmit "Odisea".