K. P. TRABOINI
Politically Independent
Në këtë vend gjithçka është e molepsur dhe e menderosur me stil komunist imponues, me m. bolshevikësh, dhunues, shkatërrues, e të etshëm deri në marrëzi për pushtet. Dhe Europa qesh me ne, prit tek dera - thotë. E kjo opozitë koti që kemi, një tufë karrieristësh që shqyhen kush e kush ta kap partinë, si nuk u dëgjua një herë të thoshte se nuk e duam ish ministrin e Brendshëm të Diktaturës Gramoz Ruçi në asnjë post. Squk të gjithë këta "antikomunistë" të llangusur. Thonë këta tartufë ta dënojmë diktaturën me fjalë e në realitet janë bashkë në allishverishe, madje edhe me lidhje familjare çfarë përbën klanin politik që ndërron pushtetin mes vetes.
Në të vërtetë kush i do këto matrahula që e drejtojnë jetën shqiptare si feudalë mesjete. Kjo Europa a ka sy në ballë apo i ka në vend tjetër, që nuk u bën presion të qërohen nga pushteti e politika gjithë kjo plehërishte dhe skotë çakejsh qe vjedhin kudo e çdo send? Po si erdhën punët deri këtu?
Në dhjetor 1990, por edhe shkurt 1991 nuk ishte aspak e vështirë të vihej re se pushteti po kalonte nga komunistët tek po komunistët. Mjafton të sjellësh emrat e personave që i kishin zgjedhur për pardesy të bardha, o komunistë ose bashkëpunëtorë të sigurimit. Siç merrnim ushqimet me listë, Ramiz Alia i zgjodhi politikanët e të ardhmes me listë.
Të gjithë pardesytë e bardha, të piketuar për udhëheqës duheshin mbrojtur nga sigurimi i shtetit në situata të turbullta nëse gjendja dilte jashtë kontrollit. Lexoni emrat e atyre që u gjenden dhe formuan Partinë Demokratike. Dhe dëgjoni pohimin fantastik të Preç Zogajt kur në një emision TV ku tha se në formimin e partisë të gjithë ishin të ftuar, pra formimi ishte i hapur, çfarë nuk ishte aspak e vërtetë, po nuk thotë se kush i bëri ftesat, kush i hartoi listat dhe si na u gjendën ta zëmë i biri i kriminelit komunist Josif Pashko, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, pra i ati ka qenë kryetar gjykate në dënimet me vdekje të nacionalistëve shqiptarë kur e morën pushtetin komunistët, çfarë shënonte jo çlirimin por robëruan popullin. Ky do të përfaqësonte përmbysjen e madhe të komunizmit, ky bashkë me ish agjentët e sigurimit që u gjendën në atë mbledhje. Pra bijtë po përmbysnin baballarët?! Po kush kishte qenë armiku kryesor i komunizmit në dyzet vjet, kush kishte hequr mizoritë në burgje e internimet. Ku ishin bijtë e të pushkatuarve, pse nuk i bënë vend as dhe njërit.
Preç Zogaj është një poet i mirë, por një politikan i keq, sepse kushtëzohet prej pengut të vet në diktaturë, është si puna e kalit që nëse e rreh një herë ai nuk bën më për kalë shale, por veç të mbrehet në karrocë, kështu që mbrehur në karrocë vazhdon edhe sot e kësaj dite të tregoj e shkruaj për gjoja përmbysjen e madhe kur asgjë nuk është përmbysur. Mirë këta të PD-së që gjetën një ish sekretar partie e komunist prej 24 vjetësh dhe e vunë në krye, është afër mendsh që nuk mund të vinin një njeri që nuk kish qenë komunist e nuk kishte lidhje me udhëheqësit komunistë. Po kush i thirri këta, kush i bëri vend në atë formim të partisë “opozitare”? Padyshim krejt udhëheqës-ekipi i Partisë së re u hartua nga të dërguarit e Ramiz Alisë. Kishin përvojë komunistët në këtë drejtim dhe ka një përqasje aspak të çuditshme në mes të formimit të PD dhe të PKSH. Më 8 nëntor 1941 të gjitha letrat i luante jugosllavi Miladin Popoviç, i cili gjeti tek Enver Hoxha dishepullin e vet a më mirë të thuash gjeti shërbëtorin e vet siç e pohuar edhe Liri Belishova në intervistën e vet tek gazeta “Panorama” 15 janar 2015.
Kështu ndodhi edhe në dhjetor 1990 kur Ramiz Ali kish afruar pranë studentëve njerëzit e vet për të parë mundësitë për të ndikuar në çdo lëvizje që ato do të bënin. Sigurimi shqiptar ka qenë shumë i zhvilluar, dinte edhe sa lugë kishe në shtëpi, siç thoshte populli dhe nuk na paska qenë në gjendje të kontrollonte zhvillimet në qytetin e studenteve. Problemi i saj ishin disa studentë të cilët për shkak të temperamentit të tyre ishte e vështirë t’i përpunoje, prandaj dhe për të krijuar një solucion zbutës u dërgua tropojani i mjekësisë. Le ta mbulojnë sa të duan, të gjithë që në atë kohë i kanë përjetuar ngjarjet kanë thënë, nga na doli ky doktori si udhëheqës politik, e kur u shfaqën Gramoz Pashko, Aleksander Meksi, e të tjerë, nga na dolën edhe këta.
Por këto dilema nuk i kishte as ministria e brendshme, as Komiteti Qendror i Partisë së Punës. Gjithçka shkonte sipas parashikimit ani pse të dërguarit e Ramiz Alisë i dolën fjale e nisën të mendojnë për vete, por gjithnjë duke e ruajtur mesazhin që ishte dhënë, që udhëheqja e komunistët pavarësisht që për 40 vjet kishin shtypur me egërsi me dhunë, nuk do të pësonin asgjë dhe pushteti do t’u jepej bijve të tyre dhe jo reaksionit, nacionalistëve e ballistëve. Pra kemi dy formatime që përqasin aq shumë, një formin nga Miladin Popoviçi 1941, tjetri prej Ramiz Alisë 1990, ndryshimi i vetëm është se ky i fundit u bë nga një shqiptar dhe jo nga një jugosllav.
Kulmi ka qenë kur na doli edhe ministri i diktaturës Gjinushi e bëri dhe ai parti bashkë me Lisjen Bashkurtin që ka qenë sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste dhe në atë kohë ruaj në kujtesë që dërgova një shkrim rreth diplomacisë së shtetit komunist e riciklimit të komunistëve nëpër parti të reja dhe ia dërgova Frrok Çupit në gazetën e sapo dalë RD, në fund të janarit 1991, por nuk ma botoi. Më kishte botuar më parë më 16 janar shkrimin “Vlera e simboleve kombëtare” ku kërkoja heqjen e yllit komunist nga flamuri kombëtar, por këtë për riciklimin e komunistëve në partitë kërpudha që po mbinin në prag të derës së PPSH, nuk ma botoi.
Me refuzimin e atij shkrimi, dyshimi që kisha mu vërtetua katërçipërisht. Në të gjitha partitë po gëlonin ish komunistët. Prandaj kam mendimin se gjithçka ka qenë e manipuluar veç rasteve të veçanta kur kjo nuk ka qenë e mundur dhe u ka dalë dore. Xhelil Gjoni, ish anëtar i Byrosë Politike që ka dalë me një intervistë ka të drejtë kur thotë se ishte piketuar rruga nëpër të cilën do të ecte demokracia me pikatore. Sepse ja ku jemi, vërtet iku Xhelili nga pushteti asokohe, por ja ku mbeti i biri. U bë ministër i brendshëm. A mendohej kjo në dhjetor 1990 apo në shkurt 1991? E keni pas deputet deri vonë e kush e di mbase është ambasador diku. Se shteti vazhdon të jetë i ish komunistëve dhe bijëve të tyre.
Po të kish ndodhur demokracia e vërtetë kjo vazhdimësi e pjella bastardhe komuniste nuk do të kishin vend në parlament dhe as në pushtet. Kurrsesi në ndonjë post qeveritar, nuk do të kishte as bashkëpunëtorë të sigurimit ministra e deputetë. Prandaj është jo pandehmë, por bindje e plotë se siç e planifikuan ashtu ndodhi. Nga ana tjetër Xhelil Gjoni gënjen kur thotë se mitingu që organizoi ai kundër atyre që u futën në ambasada më 2 korrik 1990, ishte i lirë. Jo. Ka pas urdhër të rreptë nga Komiteti i Partisë së Tiranës që duhej të ishin të gjithë punonjësit në miting tek Pallati i Kulturës, dhe po mungove pushoheshe nga puna. Për këtë kishin vënë edhe njerëz të merrnin firmat nëpër institucione që do të shkoje patjetër në miting. Janë gjallë njerëzit që i vunë ata të Byrosë së Partisë të na i merrnin firmat në Kinostudio në korrik 1990. Në është gjallë daktilografistja e Kinostudios Nazmije Pepa le të flasë. Pra ka qenë miting me detyrim dhe me firmë, ndryshe nuk do të shkonte asnjë veç komunistëve.
Por edhe gjendja reale që kemi ende dhe sot e kësaj dite tregon se dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare nuk është bërë kurrë, ndaj edhe më tej Shqipëria do të jetë e kapur prej pinjollëve të tyre, edhe kur këta shtiren si demokratë të mëdhenj. Ja edhe mendësinë e medias që ka kurajën të shpalosë në publik edhe lajme të këtij lloji, në “A1 Report TV” thuhet se "Nipi i Spiro Kolekës arreston nipin e Enver Hoxhës". Pra edhe prej televizionit që është afër Qeverisë e përkëdhelet prej saj, duke i dhënë tenderë, i konsideronte këtë arrestim të Ermal Hoxhes për drogë, si luftë brenda llojit. Kujtojmë se me tenderin Bunker Art #1 dhe #2, italiani bos i shtyp -TV në Tiranë Carlo Bollino fitoi miliona euro.
Konkluzioni që del është se që nga viti 1944 e sot pushtetin vazhdojnë ta kenë komunistët e pinjollët e tyre biologjikë. Rasti më tipik është i vitit 2017, kryeministri shqiptar në mes të parlamentit afishoi pozicionin e tij duke thënë se jam partizan (kuptohet partizan i Enver Hoxhës se ai i kishte partizanët) dhe jo i Ballit Kombëtar, që sipas tij hanin e vazhdojnë të hanë pula. Një fjalor krejt i ngjashëm me atë të Enver Hoxhës gjatë 40 vjetëve të sundimit të tij. Asnjë protestë nuk u pa nga opozita për këtë skandal, as nuk e dërgoi çështjen në Gjykate Kushtetuese sepse kryeministri është i gjithë popullit e jo i komunistëve e partizanëve të Enver Hoxhës. Si kryeministër ka bërë një betim të cilin e thyen publikisht në parlament e ku deputetët, që kanë një nivel kulturor mjeran, heshtin si mumie egjiptiane. Dhe e dini se pse nuk u ankuan, se edhe këta te Enver Hoxhës kanë qenë, madje me shumicë spiunë sigurimi të emëruar për faqe të zezë deri edhe ministra.
E vetmja gjë që ka ndryshuar në këto dekata te lodhshme, të emërtuara tinëzisht si tranzicion, është liria për të folur dhe shkruar, por edhe kjo e kufizuar se nuk ka një Media plotësisht të lirë e jashtë politikës në Shqipëri. Nuk gjen dot një organ që kritikon e investigon të dy palët e politikës, partitë e korruptuara deri në palcë prej të cilave buron një pushtet i kalbur, që veprojnë si banda, të cilat nuk janë opozitarë me njëra-tjetrën, por thjeshtë kundërshtare në pamje e solidare në thelb. Me qëllim për të zhvatur popullin, çfarë e tha hapur nga kryeministri. Vetingu nuk bëhet për ne, - ju drejtua kundërshtarëve të vet, por për të tjerë. Kësisoj i qetësoi dhe i siguroi bashkë hajdutet kundërshtarë se nuk ju prek njeri. Pra ai që do të kontrollohet se mos vjedh qenka populli dhe jo qeveria, as nëpunësit e lartë, as deputetët apo krerët e opozitës e ish kryeministri, e ish ministrat. Kjo po është reformë si ato të Tanzimatit në epokën e mallkuar të sulltanëve, sikur të ishim në shekullin e 19. Dhe diplomatët e huaj shohin dëgjojnë e heshtin si bufa.
Këto parti gjoja kundërshtare nuk dallohen nga njëra-tjetra prej ideve a platformave, por thjeshtë prej kolltukëve për të cilët bëhet lufta si qëllim në vetvete. A nuk u vu re se Kryeministri shqiptar, që është dhe kryetar i PS, nuk përmendi asnjë program për mirëqenien e popullit, punësimin a pensionet. Madje nuk premtoi për ndonjë zhvillim ekonomik apo kujdes social. Rast unik në botë të shkosh dhe të zgjidhesh pa premtuar asgjë. Gjithë kohën në një fushat të kaluar u morën me bejte e zhargone deri në banalitet estradash: “Që të mos na e luaj tjetri timonin andej e këndej na jepni atë dreq vote”.
Pra fushata kishte qëllim në vetvete pushtetin, “timonin” e as gjë tjetër, pa thëne as se çfarë do të bënte me këtë pushtet e si do ta dredhonte timonin. Ndërsa tjetri nga opozita lëshon kushtrimin "Është rradha jonë, është rradha jonë!" sikur të ishin në radhë të peshkut.
Një fushata e tillë vulgare pa asnjë premtim real, dhe me genjeshtra ordinere, e ka degjeneruar tërë sistemin zgjedhor në Shqipëri duke e bërë të pakuptimtë. Gjithsesi të shfaqet e çfarëdo demagogjie që të përdoret, demokracia komuniste e platformës së Ramiz Alisë me pikatore ka triumfuar. Duam apo nuk duam ne, duan apo nuk duan ta pranojnë të huajt, dielli me shoshë nuk mbulohet.
♨️* Psarotavernë/ restorant peshku/ si ngjalat në gjirin e Lalëzit.