08 October 2013

Migjeni si Krisht - nga Kolec Traboini

MIGJENI SI KRISHT

 
Ky shkrim rreh ti japë një përgjigje atyre që e quajnë Migjenin Antikrisht e jo për t'i gjetur Migjenit ndonjë tempull për hyjnizim, mbasi kjo ishte krejt në kundershti me idete e poetit që ngulmonin të ishte pjesë e fatit të njeriut të thjeshtë e të vuajtur të popullit të vet.

Fjalët e fundit të shkruara të poetit:
"Përditë shoh qartë e më qartë
Dhe vuej thellë e ma thellë..."

Nga KOLEC TRABOINI

Fatkeqësisht ca njerëz nuk arrijnë të kuptojnë se Krishti nuk është vetëm një Zot por edhe një njeri e kjo i shtyn gabueshëm në disa klasifikime tendecioze në vlerësimin jo vetëm të hyjnores por edhe njerëzores, të cilat mendojmë se është e mundur herë-herë, pra në raste fatlume, të gjëndën pa kundërshti tek njëra-tjetra. Shkuar pas kësaj logjike mendimi im mbi Migjenin e parë si një Krisht nuk ka të bëjë kësisoj me religjionin, por ka të bëjë me atë segment ku Zoti sipas katolikëve ( të tjerë e quajnë biri i Zotit) u shfaq si njeri, mes krijesave të veta, të cilat i kishte krijuar simbas shëmbëllesës së vet, çfarë thuhet në faqen e parë të Biblës. Kushdo ka të drejtë të kundërshtojë e të thotë që askush nuk barazohet me Zotin, por ne e dimë që Zoti e ka lejuar njeriun të vetquhet zot, por me z. të vogël dhe nuk e ka ndaluar të arsyetojë, përkundrazi. Kur them Migjeni si Krisht nuk kam ndërmënd të vë shënja barazimi, të mos tundohen fetarët, sepse kam parasysh atë segment të shfaqjes së Zotit si njeri mes njerëzish e jo statusin në mbretërinë e qiellit. Sjelljet e Krishtit ishin njerëzore. Kish fëmijërinë, rinin, vuajtjet e dashuritë si të gjithë njerëzit e tjerë në Izrael. Ngjashmeritë në këtë segment janë të shumëllojshme, qëllimet, bëmat, shpirti human, sakrificat, jeta e shkurtër në tokë e tjera si këto. Është lumturi e madhe që Zoti nuk u shfaq si një figurinë prej allçije, as si zjarr, as si rrufe, as si imazh drite në qiell siç ju shfaq Moisiut dhe Abrahamit, por prej mishi e gjaku, prej ndjesish, vuajtjesh e gëzimesh njerëzore. E për më tepër Krishti nuk u shfaq kot, por për të krijuar shëmbëllesen e mire, që njerëzit të ecnin në udhën e tij. Nga ndonjëherë as klerikët kristianë nuk arrijnë ta zberthejnë thelbin e hyjnise së Krishtit në shfaqjen e tij si njeri e mjaftojnë me dogma moralistike në përgjithësi kur mendja e kthjelltë njerëzore e kupton se ka dy aspekte në këtë mes, Krishti si Hyjni dhe Krishti si Njeri.
Nuk më lejohet e as që dua të hyj në sinoret e Zotit, të hallakatem nëpër qiej, por bëj llogjikën e tokës, të dheut, të barit, të ajrit e dritës që shohim, pra në atë pjesë të botës ku Zoti u përzie me njerëzit për ti udhëhequr në udhën e dritës.
Thaniet e fundit të jetës së Migjenit:

Përditë shoh qartë e më qartë
Dhe vuej thellë e ma thellë...

e shfaqin mrekullisht thelbin e tij, që kishte diçka me të vertetë si ndriçim hyjnor tek ky njeri e kjo është dashuria e thellë për njerëzimin. A nuk ishte edhe Krishti-njeri po kështu kur u sakrifikua për mbarë njerëzimin duke u gozhduar në kryq? A nuk doli pazar dhe ua mori kripën e mallrat tregtarëve cingunë për tua ndarë popullit. A nuk shkonte pranë të sëmureve e i shëronte plagët? Duke ditur zemrën e madhe migjeniane që shfaqet mrekullisht në veprën e tij, kam të drejtë të pyes a mund të ma vertetoje ndokush, qoftë ky teolog klerik i lartë, se nuk ka qënë Zoti që e ka udhehëqur në udhën e të mirës e humanizmin zemrën e Migjenit? Kurrë nuk mund ta vertetojnë të kundërtën prandaj dhe titullin që kam përdor në poezinë time "Migjeni si Krisht" nuk mund ta rrëzojnë lumturish.
Për ata meshtarët që kanë shkruar apo thënë se Migjeni ishte Antikrisht( Luciferri çfarë nënkupton djallin) i faltë zoti amshimin, sepse i kanë shkruar ato fjalë pa u futur në të thella. Thonë se Gjergj Fishta i madh ka thane për Migjeni kur dikush ja rekomandoj me të keq “Lërëni poetin të shkruaj”. Duhet shikur në thelbin e filozofisë së Migjenit ( e jo të kapemi vetëm pas Niçes e ndikimit të filozofisë tij) për të gjetur a ka gjë të përbashkët apo kundershti me thelbin e kristianizmit human e jo të atij dogmatik. Unë nuk gjej asnjë kundërshti. Por ata që nuk e njohin jetën, që nuk e prekin realitetin e pamëshirëshme e plot vuajtje por veç rrinë me fytyrë për kah qielli, nuk kanë mundësi me e njoftë realitetin e me sjellë përqasje. Edhe Nanë Terezën e kanë pënguar e përgojuar në fillim disa dogmatikë edhe nga rradhët e klerikëve por më vonë ajo u vlerësua dhe do të shpallet shënjtore. Dikur as ka guxuar njeri të mendonte që bija e Kol Bojaxhiut , Gonxhja, do të bëhej shënjtore e Kishës Katolike. Gjërat ngjasin, e vetëm kur ngjasin pranohen nga shumë mëndje që në arsyetim nuk mund t’i paraprijnë zhvillimeve. Një Migjen nuk lind në një popull as për 500 vjet prandaj të jenë të kënaqur edhe klerikët që Zoti e fali Migjenin ndër ne shqiptarët.
Po kush lexon Biblën e di se edhe Krishti ishte kundër kishave dhe priftërinjëve të korruptuar të Izraelit, madje edhe i shëmbi disa...e atëherë?! Mos ndokush do ta nxjerr edhe Krishtin Anti Zot. Jo! Nuk besoj se guxojnë.
Për mua Migjeni është në shëmbëllesen e Krishtit, por si një Krisht i tokës e jo i qiellit, një Krisht prej mishi e gjaku e jo një hyjni që nuk mund ta prekësh me dorë. Krishti u shfaq në tokë para 2000 vjetësh, Migjeni ynë u shfaq në shekullin që shkoi , edhe Nënë Tereza po ashtu, në kohra të ardhshme do të ketë shfaqje të tjera.
Kurrë mos praftë kjo shfaqje nën shëmbëllesën e të mirës, të bukurës dhe njerëzores.

9 tetor 2013


Shenim shtese pas nje debati mbi shkrimin ne fjale:

Nuk kemi marre persiper ti zbresim hyjnite ne toke por vec ta shohim nje gjeni si Migjeni ne prizmin e drites qe perhap Krishti - njeri ne aspektin human. Thenia se Migjeni ishte antikrisht eshte nje nga shpifjet me te rendomta sepse Migjeni ishte kunder dogmave qe nuk i sjellim buke te varferit por perkundrazi e ngopin me nje "Te falte Zoti". Pertej aspektit te humanizmit Migjeni nuk ka pike interesi ndaj fese. Ai merret me falsitetin njerezor qe arrin deri dhe te shfrytezoje pushtetin edhe fene per te mbushur plancin e vet te pangijshem. Sa te kete padrejtesi ne kete bote do te kete aktualitet Migjeni. Gjithashtu ka nje moskuptim ne ate cfare shohim ne tek Krishti dhe cfare shohin disa te tjere qe anatemojne Migjenin. Ne tek Krishti-Njeri shohim humanizmin ndersate tjeret qe na shfaqen edhe si gjoja fetare te medhej, shohin vec nje figurine prej porcelani apo pikture ne telajo qe u kerkojne tu fale mekatet e aq, kur ne te vertete madheshtia e Krishtit eshte pikerisht ne bemat ne kohen kur ishte ne mes te njerezeve.Krishti ne te gjalle ishte me se shumti i te varferve, te pasurit e sarafet e urrenin, por pas nguljes ne Kryq ishin pikerisht te pasurit qe vazhduan pangopesine e tyre pa ngurruar ta perdorin edhe Krishtin por edhe Dreqin. Dhe ka nje konfondim qe shpreh mosdije te plote te fenomenit Humanizem. Te jesh human nuk do te thote te jesh i majte apo i djathte. I majte apo i djathte eshte politike, dhe politika ne kete rast perpiqet te perdore fene, me se shumti e djathta e perdor fene per qellime politike dhe keta per mua jane Antikrisht sepse e perdorin Krishtin per qellime perfitimi e demagogji. Dhe harrojne edhe shprehjen shpirti kristian....qe do te thone humanizem, pra sipas ketyre te mosdijes shpirti kristian qe ndihmon skamoret qenka i majte....Keta bien vete me te dy kembet ne gropen qe i pergatisin tjetrit. Ne kete rast Antikrishtet kamuflohen si ithare te Krishtit. Dinakria njerezore eshte e paskajshme sa per qellimet e veta kerkon te perdor edhe Zotin.

 __________________________________________


<iframe width="400" height="225" src="//www.youtube.com/embed/nZVVtkTZB-Q?rel=0" frameborder="0" allowfullscreen></iframe>

05 October 2013

🔴 Mësuesi dhe njeriu i mirë Kel Vuji - nga K. P. Traboini



MËSUESI DHE NJERIU I MIRË KEL VUJI

Nga Kolec P. TRABOINI 

Mësuesin Kel Vuji e njihja nga fëmijëria sepse shumë herë kam qënë në shtëpinë e babait të tij Gjon Mark Vuji në Hot të Ri, madje edhe si jetimë që ishim kemi bujtë e kemi ngrënë në atë shtëpi bujare e mikpritëse, por nëpër vite i kisha humbur lidhjet. Keli ishte talent p
ër muzikë, e shihja në fëmijëri tek i binte mandolinës, Rroku, vëllai i tij një artist ne shume plane këndonte aty në prag të shtëpisë, e cila  ishtë ndërtesa e parë e Hotit sapo përballe me Stom Golemin. Prej aty shihej si në pëllëmbë të dorës qyteti i Shkodrës ku i kishin ambicjet e veta dy vellëzrit Vuji të dashuruar me artin. Por kishin veshtirësi për të çarë në jetë si artist sepse kishin një vëlla, Pjetrin, të arratisur bashkë me vëllain e Gjosho Vasisë, e me vonë i vendosur në Australi. Vëllai tjetër Deda ishte sistemuar ne Durres. Kishin dy motra që përkujdeseshin për ne që ishin të vegjël, Dila me Lulen. Edhe shtëpia ku do të vendoseshin më vonë në qytet ishte pranë një prej shtëpive të tim eti në rrugën Kojaj, pranë fabrikës së sapunit Pogu.
Rasti e solli që pas dekadash të takohemi sërish në Tiranë me Kel Vujin. Isha në kërkim të dikujt nga shoqata “Ded Gjo Luli”,  të cilën e kishte krijuar Zef Leka, por pas vdekjes së tij shoqata thuajse nuk ekzistonte. Dëshirën për këtë lidhje me shoqatën ja shpreha Anton Dakës, të birit të studiuesit e përkthyesit të njohur nga Hoti, Nikoll Daka,  e ai më dha numrin e telefonit të Kel Vujit që jetonte në Tiranë. Ai duhej të dinte shumçka për shoqatën. E mora mësues Kelin në telefon dhe u takuam në kryqëzimin ku bashkohet unaza e Tiranës me rrugën e Kavajës që ende ruhet në të folurën e përditshme si 21 dhjetori. Aty e kishte shtëpine Kel Vuji. Ishim të dy nga Hoti , kishim jetuar në Shkodër e kishim çfarë kujtonim me njëri -tjetrin. E pyeta për shumë gjëra, por kryesisht  i shpreha dëshirën time të madhe për të cilën kisha dhjetë vjet që shkruaja në shtypin shqiptar e atë shqiptaro-amerikan për ngritjen e një busti të Ded Gjo Lulit në rrugën që mban emrin e tij në Tiranë. Mësues Keli u entusiazmua, por edhe një farë pikëllimi shihej në vështrimim e tij të sinqertë. A thua do të kontribuojnë shqiptarët e Amerikës për këtë bust se qeveria nuk ka njet për këtë punë. Biseduam edhe për mërgimin tim në Greqi e Amerikë, për fëmijet e mi,  si dhe për dy vajzat e tij të njohura si kampione shahu për femra Albana e Marina e që tani kanë bisneset e tyre të suksesëshme brenda e jashtë Shqipërisë. Ai ishte një prind krenar për vajzat e veta.
Me Kelin u takova dhe një herë tjetër. E kishim lënë të vazhdonim bisedën tonë dhe do të më sillte një faqe reviste italisht të një interviste që kishte dhënë At Gjergj Fishta. E kishte ruajtur nëpër vite e për të mos u pikasur e kishte grisur fletën e ruajtur diku mes librash. Ti shkruan më tha. Ndoshta të duhet. E lamë që të takohemi prapë, por viti i shkuar ishte plot ngarkesa. Ndërsa shkrova diçka për Rrok Vujin, vëllain e Kelit i cili na ka mbetur në kujtesë për veprimtarinë e tij artistike me grupet amatore dhe pasionin e tij për folklorin, Leonard Qyteza nga Shkodra më njofton se kishte dy muaj që mësues Keli kishte ndërruar jetë. Të gjitha vdekjet janë të rënda, të hidhura, pikëlluese. Por disa të duken fort të pabesa. E marrin njeriun dhe kur ne kërkojmë ta takojmë serish, pasi që jemi të harruar nëpër ditë që ikin plot tension, nuk e gjejmë. Ndonjeherë  kujtohemi  e themi - po do ta marr nesër në telefon. Nesër patjetër. E ditët shkojnë. Kam përkthyer një poezi të një autori anonim amerikan që më ka mbetur në mendje për trishtimin që të sjell ndarja, harrimi dhe ikja përjetë e miqve. Do ta shënoj këtu se me mësues Kel  Vujin kështu më ndodhi. Sot-nesër, sot-nesër e më s’kam ku ta gjej kurrkund.

HARRIMI
Përshtatje nga anglishtja

Diku në një sokak e kam një mik dhe unë,
Në këtë qytet të madh që nuk ka fund,
Këtu ditët behën javë krejt pa pritur
Dhe ende pa u njohur, viti na ka ikur.

Fytyrën s'ja pashë më në asnjë vend,
Se jeta ikën si vrap kuajsh në rend.
Ende e kujtoj, e di fort mirë ai,
Si atëherë, kur ziles i bija me furi.

Dhe ai i binte ziles sime, veç tash jemi rritur
Të zënë nëpër punëra, të lodhur e drobitur.
Të lodhur në ca lodra marrëzi,
Drobitur për një emër me lavdi.

"Nesër" them " Mikut, do t'i telefonoj,"
Gjithësesi të dukem se për të mendoj.
Por e nesërmja siç vjen ashtu dhe ikën
Largësia e harrimi mes nesh gjithnjë rritën.

Dhe vjen një ditë, prej mijra miljesh tretur,
Një telegram kobzi: "Miku sot ka vdekur".
Kjo është e gjitha ç'meritojmë në fund.
Tashmë në këtë sokak, mik nuk ka kurrkund.

🔴 KËNGA MAJE KRAHU DHE RROK VUJI - nga K. P. Traboini

KËNGA MAJE KRAHU DHE RROK VUJI

 Nga Kolec TRABOINI


- Këngët maj krahut - të Veriut anipse janë në humbje e sipër, si të thuash të rrezikuara për harrim, janë shumë me afër autencitetit të artit tradicional arbëror se këngët me çifteli e sharki, pra instrumentat me tela, që përkundrazi lulëzojnë. Paradoksi është se këto të fundit, instrumenta me tela, janë të vonshme e janë instrumenta të ardhura nga orjenti me pushtimin turk. Kangët maje krahut si lloj e teknikë interpretimi janë shumë të hershme bashkë me këngët me lahute - instrumenti ky tradicional shqiptar të paktën që nga koha Homerike e ma parë. Këto janë origjinale shqiptare e vinë të ruajtura si forme folk-arti nga populli që periudha iliriane e akoma më herët në histori. Ato njihen si perlat e Veriut po aq madhështore sa isot e magjishme të Jugut. Duhet bërë gjithçka që ato të mos humbasin e harrohen sepse janë pjesë e indentitetit tonë si shqiptare, dhe kanë rolin e tyre të madh në mbijetesën tonë si popull e si komb në histori.
 
Rrok Gjon Mark Vuji (15 maj 1936- 5 dhjetor 1997) nga Hoti ka qënë një artist i vertetë sa popullor aq në artin e kultivuar. Ishte në shumë plane i tillë , që nga interpreti popullor i këngëve maje krahut siç e kujton Leon Zef Lekaj, ishte aktor me prirje por më së shumti drejtues i veprimtarive kulturore. I ruaj në kujtesë nga fëmijëria interpretimet e tij pantomima gazmore në Logun e Hotit te Ri, në festen e Shën Gjonit të Hotit. Ishte një ngjarje e madhe dhe vinin me qindra e mund të them mijra qytetarë edhe nga Shkodra në atë festim madhështor. Mjerisht kjo traditë është harruar. Por edhe artistë të tillë si Rrok Vuji janë harruar. Askush nuk i kujton veç miqëve e shokëve dhe ndonjë artdashedashësi që i ka mbetur me admirim në kujtesë. Takova para ca kohëve në Tiranë Kel Vujin, vëllain e Rrokut, babain e dy motrave Albana e Marina Vuji, kampione për shumë vite të shahut për femra e sot bisnesmene të njohura jasht Shqipërisë, dhe e kujtuam Rrokun. Të dy këta vëllezër ishin edhe instrumentistë shumë të mire. Nga fëmijëria i ruaj në kujtesë kur i binin mandolinës e këndonin pasditeve e mbrëmjeve. Në Hot të Ri sillnin gëzim e dritë në atë pak gëzim jete që kishte. Pastaj e kaluan veprimtarinë në Shkodër. Keli si mësues, Rroku me kulturën. Sjell këtë foto të cilën e kam fiksuar gjatë një vizite në varrezat katolike në Rrmaj ku pushon në gjumin e përjetshëm pranë babait të vet Gjon Marku të cilin e kam njohur në fëmijëri dhe nënës së tij Helenës e mbetur në kujtesën e hotjanëve për bukurinë e mirësinë e saj.
Rrok Vuji ishte vërtetë nje artist i talentuar nga Hoti që veprimtarinë e tij e zhvilloi në Shkodër por krejt i harruar nga ajo që ne e quajmë sot Media e shkruar apo vizive në Shqipëri. Harrohen këngët. Harrohet arti i popullit harrohen interpretët e artistët e kjo është e pafalshme sepse çon një komb drejt shuarjes së kujtesës së vet.

5 tetor 2013

19 September 2013

Sokol Balla me kollaro purpuranti pyet Edi Ramën - nga Kolec Traboini


Sokol Balla me kollaro  purpuranti  pyet Edi Ramën:
-A DO TA MBASH KAMARIEREN NË PUNË  z. KRYEMINISTËR?

Nga Kolec TRABOINI

Gazetari  televiziv Sokol Balla në intervistën me Kryeministrin e ri të Shqipërisë në Top Channel kishte bërë supërkujdes për të vënë kollare purpuranti, sikur t'i kish fituar ai zgjedhjet e jo Kryeministri . Krejt pa sens kjo paraqitje. Një shprehje prej servanti.  Po ca mendime shkojnë me tej,  se kollaroja në të njëjtën ngjyrë me flamurin e PS  ishte një sinjal për ti thënë Kryeministrit më bëj drejtor në ndonjë dikaster, ose drejtor në TVSH sepse Petrit Becit i ka ardhur koha të ikë,  sepse e ka mbushur edhe kohën edhe kupën. Mënçuri fshatarake.
Ndërsa viheshin re përgjigjet e qeta e të matura të kryeministrit Edi Rama që ishin në lartësinë e dinjitetit të fitimtarit të kulturuar e modern, pyetjet e gazetarit televiziv vinin pa kurrfarë niveli madje deri në absurdin:
- A do ta mbash kamarieren e Kryeministrisë (e cila paskësh qënë edhe kamariere e Saliut dhe Fatosit).
Mu nxinë sytë kur e dëgjova. Kësisoj flitet tek kafeneja e Rremës,  rrugës kur shkon për në Tufinë.  Por le të vazhdojmë më tej.  I bën Kryeministrit Rama edhe këtë pyetje:
 - Çfarë ju kujton kjo dritare e Kryeministrisë, që e shihje nga jashtë në demostratë me 21 janar 2011.
Për të vazhduar më pas me pyetjen skandaloze për kush i di mardhëniet mes dy liderëve socialistë e makinacionet antiRamë të Nanos, shto këtu  dhe flirtet e këtij të fundit me Berishën.  Kinse nuk e dinte Sokol Balla se nanoistët, ky biçim njerëzish pa ideale si Kastriot Islami e ndonjë tjetër, lanë PS dhe u futën nën sqetullen e skifterit Sali Berisha që e ka bërë partinë e vet si plehërishte. Pyetja ish:
- A je mirënjohës per Fatos Nanon?!
Se çfarë donte Fatos Nano në këtë intervistë, as Zoti e as dreqi s'e dinte. Per ta kuptuar duhet pasur mendje Sokol,  që harron se mirenjohje duhet patur popullit që e zgjodhi  e jo atyre që losin role dhelprash në skakierat e politikës herë në Tiranë e herë në Vjenë, sepse falë posteve të larta që kishin,  i kanë mbushur bankat plot duke e keqpërdorur pushtetin. Kryeministri Rama ju shmang me zgjuarsi pyetjeve që donin ta nxisnin të dilte në situatën pozante dhe euforike të triumfatorit.
Përgjigjet e Kryeministrit kishin bonsens por pyetjet për të ardhur keq pa ndjenjën e realitetit shqiptar që pret nga qeveria shumë më tepër se sa emocionet personale të uljes në një kolltuk.
Kam parë  e dëgjuar në Amerikë me qindra intervista personalitetesh të realizuara që nga i madhi nga Larry King i CNN-it plot inteligjencë e nivel të lartë, apo gazetarë të tjerë,  po kësisoj pyetesorësh si kjo e Sokol Ballës kurrë.
Pyetjet shprehin kulturën dhe dijet e gazetarit, por edhe nivelin mediokërr ndonjëherë.

19 shtator 2013


Për të njohur më gjërë gazetarinë e Sokol Ballës ju rekomandojme të lexoni në këtë link:
http://oraeshqypnise.blogspot.com/2013/09/sokol-balla-kapet-ne-flagrance-si.html