05 October 2013

🔮 KËNGA MAJE KRAHU DHE RROK VUJI - nga K. P. Traboini

KËNGA MAJE KRAHU DHE RROK VUJI

 Nga Kolec TRABOINI


- Këngët maj krahut - të Veriut anipse janë në humbje e sipër, si të thuash të rrezikuara për harrim, janë shumë me afër autencitetit të artit tradicional arbëror se këngët me çifteli e sharki, pra instrumentat me tela, që përkundrazi lulëzojnë. Paradoksi është se këto të fundit, instrumenta me tela, janë të vonshme e janë instrumenta të ardhura nga orjenti me pushtimin turk. Kangët maje krahut si lloj e teknikë interpretimi janë shumë të hershme bashkë me këngët me lahute - instrumenti ky tradicional shqiptar të paktën që nga koha Homerike e ma parë. Këto janë origjinale shqiptare e vinë të ruajtura si forme folk-arti nga populli që periudha iliriane e akoma më herët në histori. Ato njihen si perlat e Veriut po aq madhështore sa isot e magjishme të Jugut. Duhet bërë gjithçka që ato të mos humbasin e harrohen sepse janë pjesë e indentitetit tonë si shqiptare, dhe kanë rolin e tyre të madh në mbijetesën tonë si popull e si komb në histori.
 
Rrok Gjon Mark Vuji (15 maj 1936- 5 dhjetor 1997) nga Hoti ka qënë një artist i vertetë sa popullor aq në artin e kultivuar. Ishte në shumë plane i tillë , që nga interpreti popullor i këngëve maje krahut siç e kujton Leon Zef Lekaj, ishte aktor me prirje por më së shumti drejtues i veprimtarive kulturore. I ruaj në kujtesë nga fëmijëria interpretimet e tij pantomima gazmore në Logun e Hotit te Ri, në festen e Shën Gjonit të Hotit. Ishte një ngjarje e madhe dhe vinin me qindra e mund të them mijra qytetarë edhe nga Shkodra në atë festim madhështor. Mjerisht kjo traditë është harruar. Por edhe artistë të tillë si Rrok Vuji janë harruar. Askush nuk i kujton veç miqëve e shokëve dhe ndonjë artdashedashësi që i ka mbetur me admirim në kujtesë. Takova para ca kohëve në Tiranë Kel Vujin, vëllain e Rrokut, babain e dy motrave Albana e Marina Vuji, kampione për shumë vite të shahut për femra e sot bisnesmene të njohura jasht Shqipërisë, dhe e kujtuam Rrokun. Të dy këta vëllezër ishin edhe instrumentistë shumë të mire. Nga fëmijëria i ruaj në kujtesë kur i binin mandolinës e këndonin pasditeve e mbrëmjeve. Në Hot të Ri sillnin gëzim e dritë në atë pak gëzim jete që kishte. Pastaj e kaluan veprimtarinë në Shkodër. Keli si mësues, Rroku me kulturën. Sjell këtë foto të cilën e kam fiksuar gjatë një vizite në varrezat katolike në Rrmaj ku pushon në gjumin e përjetshëm pranë babait të vet Gjon Marku të cilin e kam njohur në fëmijëri dhe nënës së tij Helenës e mbetur në kujtesën e hotjanëve për bukurinë e mirësinë e saj.
Rrok Vuji ishte vërtetë nje artist i talentuar nga Hoti që veprimtarinë e tij e zhvilloi në Shkodër por krejt i harruar nga ajo që ne e quajmë sot Media e shkruar apo vizive në Shqipëri. Harrohen këngët. Harrohet arti i popullit harrohen interpretët e artistët e kjo është e pafalshme sepse çon një komb drejt shuarjes së kujtesës së vet.

5 tetor 2013