21 April 2014

Edgar Allan Poe - më së fundi i kthehet vendlindjes- nga Kolec Traboini

EDGAR  ALLAN  POE - MË SË FUNDI I KTHEHET VENDLINDJES
Nga qëndrimi i gjatë mohues, mesa duket diçka ka ndryshuar në vitin 2014, këtë vjeshtë shtatorja e Edgar Allan Poes, që shihet në këtë foto  të "The Paris Review" do të vendoset në një shesh të Bostonit, vendlindjes së poetit.
  Nga  KOLEC TRABOINI

Sa më shumë shkonin vitet, aq më tepër rritej fama e këtij shkrimtari që tashmë mbarë bota e konsideron si një gjeni. Shumë qytete në Amerikë e kanë nderuar duke krijuar muzeume apo buste e pllaka përkujtimore nëpër vendet ku ka jetuar. Por veç kurrkund nuk ka një muze ku të shkruhet e thuhet se këtu ka lindur gjeniu Edgar Allan Poe. Shumë kush e kapercen këtë moment të jetës së shkrimtarit, madje edhe kur e dinë vëndlindjen e tij, për të cilën vjen në ndihmë edhe epistolari i vetë Allan Poes, thëniet e tij.
Mattheu Pearl nga Kambridge Massachusets, author i veprës , "Hija e Poes” shkruan se :”Kurrsesi nuk shtrohet çeshtja se Poe e abandonoi Bostonin, përkundrazi shtrohet çeshtja tjetër, pse Bostoni vazhdon ta abandonoje Poen”.
Kjo është një e vertetë e dhimbshme për dashamirësit e letërsisë aq më tepër kur ndër njëmijë reliket historike që ka Bostoni, si një qytet i madh turistik, nuk ka as muzeum e as statujen e tij në ndonjë nga sheshet e veta të shumta kur këtë e kanë dhe komunitetet nga Europa, ta zëmë grekët kanë organizuar një shesh me monumentin e Aleksandrit të Madh që e konsiderojnë të vetin. E vetmja shenjë që tregon lidhjet e Edgar Allan Poes me qytetin e Bostonit është një pllakez e vogël përkujtimore në vendin kur ka lindur poeti, në faqen e murit të një dyqani valixhesh e çantash. Ndoshta ky indiferentizëm është shkaku që shoqata e studimeve për veprën e Poes e kishte lënë kryeqendren e Nju Inglandit jashtë programit për festimin e 200 vjetorit të lindjes së shkrimtarit qe u organizua në vitin 2009.
Në ditën e 19 janarit, në Boston nuk u pa kurrfarë veprimtarie që të binte në sy, ndërkohe që u përkujtua me nderime të medha në tërë bregun lindor të Amerikës, që nga Baltimorja, Riçmondi, Filadelfia dhe Sharleston, ku admiruesit e tij u mblodhën dhe dëgjonin në heshtje medituese “ Raven” të Egdar Allan Poes.
Shtëpia, për të cilat studiuesit thonë se ka lindur ky gjeni i letërsisë botërore, nuk ekziston më. Diku pranë Theater Distrikt në Boston është një park-ofiçinë e madhe e ndërtesës shteterore të transportit. Në vitin 1960 shtëpia ku kishte lindur poeti u prish, ndersa në 1989 një seksion i rrugës Carver Street ishte riemeruar me emrin Poe, mirëpo sot kurrkund nuk ka ndonjë shënim apo tabelë që të tregojë se ky seksion rruge ka emrin e poetit.
Edgar Allan Poe ka lindur në Boston me 19 janar 1819. Prindërit e tij Eliza dhe David Poe ishin aktorë shetitës dhe jepnin shfaqje në këtë qytet.
Sipas studiuesve, kur Poe ishte një vjeç, prindërit e tij e lanë qytetin e Bostonit, ndërsa kur kishte mbushur tre vjeç të dy prindërit i vdiqën duke e lënë jetim. E mori për ta rritur familja Allan në Riçmond, dhe për këtë ai emrit të tij i bashkangjiti edhe emrin e familjes së mirëbërësve të vet, pra Edgar Allan Poe.
Është vertetë për t`u çuditur për këtë neglizhencë të Bostonit, këtij qyteti të njohur për emra të mëdhej në letërsi. Këtu admirohet e ruhet plot përkujdesje emri i Longfellout, apo edhe i Hauthorne të cilët ishin bashkohës të Poes dhe në atë kohë vlerësoheshin më shumë se kushdo.
Në sytë e bashkohësve të vet Poe nuk ishte veçse një autor i zakonshëm dhe disi i çuditshëm. Madje sipas të dhënave të studiuesve, Poe dhe Longfellou nuk shkonin mirë me njëri-tjetrin, madje duke përdorur edhe akuza për plagjiaturë.
Në librin e tij të parë "Tamerlan dhe poema të tjera," të cilin e kishte botuar vetë në vitin 1827, kur ishte 18 vjeç, në një stil jo të zakonshëm për kohën tij, libri shënonte autorin vetëm me emrin “Bostoniani”. Disa studiues kanë hedhur idenë se Poe vinte emrin e qyteteve në perpjekje për të shitur librat e vet. Por studiuesi Pearl thotë se Poe vertet shkonte nga një qytet në një tjetër në Bregun Lindor të Amerikës, por më shumë kohe ai ka qëndruar pikërisht në Boston ku dëshironte të kishte shtëpinë e tij.
Në vitin 1845 Poe bëri një lexim katastrofal në Liceun e Bostonit. Shtypi dhe shkrimtarët e tjerë e paraqitën si një dështim të tij të plote. Poe ishte udhëzuar të paraqiste diçka të re që nuk e arriti, madje e cilësuan se poeti u afroi dëgjuesve diçka që pretendohej të quhej poemë, duke shkuar edhe me tej, se autori u paraqit shumë pompoz dhe shumë pretendues.
Duke dashur të mbrohej nga sulmet në shtyp, Poe do të thoshte se leximi i tij ishte veçse një rreng i tij pa të keq për bostonianët.
Në të njejtin vit ai do të shërbente për pesë muaj në ushtri në kështjellën e ishullit në South Boston, ku sipas gojëdhënave kishte dëgjuar rrëfimet e një ish të burgosuri që e frymezuan të shkruante "The Cask of Amontillado .".
Në vitin 1848 kur i kishte vdekur e shoqja, Virgjinia, poeti i madh kishte tentuar të vriste veten duke pirë një doze të lartë ilaçesh. Fatmirësish iu gjend pranë një mik i tij, i cili e ndihmoi që t`i villte e kështu e shpëtoi nga vdekja. Kjo ngjarje kish ndodhur në Boston. Mesa duket gjeniu Allan Poe kishte vendosur t`i jepte fund jetës pikërisht në qytetin ku lindi.
Pasi krijoi kryeveprën e dhimbjes së tij me titull “Eureka” në kujtim të së shoqes, Edgar Allan Poe do të pësonte tronditje psiqike që do ta shkaterronte përfundimisht. Kish derdhur në atë krijim, tërë dufin e shpirtit të tij, tërë dashurinë e dhimbjen dhe nuk i kish mbetur më kurrnji fare force a kurajo për të jetuar. Shkrimtari ndër më të mëdhenjte e Amerikës për të gjitha kohërat, do të mbyllte sytë përjetë në një mënyrë disi enigmatike. Ca shkruajnë se ajo ditë ishte ngjarje e veçante sepse zgjidhej presidenti i Amerikës. Sipas studiuesve gjasat janë që një grup itharësh presidenciale e kishin marrë dhe e kishin rrahur e braktisur në gjendje të dehur. Ashtu mbaroi. I pushoi se rrahuri zemra. Vdekja do ta rrëmbente gjeniun me memorie të humbur, i braktisur e në varfëri, në Baltimore Maryland  me 7 tetor 1849, teksa brigjet rriheshin me tërbim prej dallgëve të oqeanit Atllantik. Që nga ai çast, Edgar Allan Poe do të niste udhën e pavdeksisë në mendjet e zemrat e miliona njerëzve, por edhe nën indiferencen e çuditshme dhe të pakuptueshme të qytetit ku lindi, Bostonit, për të realizuar kështu thënien biblike: “Nuk bëhesh dot profet në vëndin tënd....” 
Nga qëndrimi i gjatë mohues, mesa duket diçka ka ndryshuar në vitin 2014, këtë vjeshtë shtatorja e Edgar Allan Poes, që shihet në këtë foto  të "The Paris Review" do të vendoset në një shesh të Bostonit, vendlindjes së poetit.


16 April 2014

Drejtësia zë laraska në Pogradec- nga Kolec Traboini



DREJTËSIA ZË LARASKA NË POGRADEC

Grotesk në prag të Pashkëve, arrestohet në korrupsion kafenesh “Qytetari i Nderit” të Pogradecit poeti Dhimitër Pojanaku. Kësisoj çnderohet qyteti dhe poeti por nuk shfajsohet drejtësia dhe shteti.

 Nga KOLEC TRABOINI

Ndërkohë që miqtë tanë Amerikane dhe Europianë janë të alarmuar me shkallën siprore të korrupsionit dhe mosdënimit të atyre që shfrytëzojnë pushtetin për të zhvatur, kur aferat e zyrtarëve të lartë të shtetit  janë jashtë çdo lloj llogjike prej nënpunësi, kur  ministrat hyn në zyra si varfanjakë e na u bënë milionerë (në këto 23 vjet hajni publike), kur gjithçka në këtë vend është një kaos i organizuar nga kupolat e politikës, na u gjënd pra një zgjidhje si prerje e artë. Eureka! Në një cep të Ilirisë,  në nahi të Pogradecit, në një kafene buzë liqenit,  u kap një njeri që për rushfet të vogël, punë para birre, të hiqte dorë nga gjykimi i një çeshtje.
Mesa duket kjo ishte një mirëorganizim brenda çorganizimit të makthshëm që kemi,   për të mbërthyer  një poet gjyqtar, i vetmi poet që punon në Shqipëri, se të tjerët janë pa punë e varavingo e thurin vargje kafeneve duke kruar xhepat. Qyqar të thuash edhe për këtë poet për profesionin që ka zgjedhur si gjyqtar, për më tepër edhe si i mikluar e i gudulisur nën sqetull  si “Qytetar Nderi i Pogradecit”, ky pra si të ishte thembra e Akilit të drejtësisë shqiptare, u gjend të  arrestohet në një lokal se i premtoi një zonje, që denoncoi (duket si skenaret e Filipit në Fix Fare),  për të mos e marr çeshtjen e saj në dorë, pra ta anashkalojë. Padyshim që drejtësi duhet të ketë për të gjithë në këtë vend,  veç lind një pyetje krejt natyrshëm, po Dhimitër Pojanakun gjetën ta bëjnë shëmbull në Shqipërinë e padrejtësive  se gjoja këtu luftohet korrupsioni. Po kujt ja shesin këto dokrra.  Po nuk jemi more në kohën kur populli nën udhëheqjen e Partisë kishte zgjedhur alternativën e barit se nuk kish rrugë tjetër dhe ishin bërë njerëzit si budallenj . Po qesharake do ta ktheni kauzën e luftës kundër korrupsionit?! Teatra do bëni,  o shtet, o polici, o prokurorë e gjyqtarë, o ministra, o qeveri, o opozite, o lesh me qime.  Jo kështu jo vetëm që nuk luftohet korrupsioni por kështu stimulohet korrupsioni i atyre që nëpër duar nuk kalojnë para sa për një birrë, dy qofte e një panine pogradeci por me miliona e jo para, por euro-dollarë. Janë 300 çeshtje-dosje  korruptive ku përfshihen edhe nënpunës të lartë të shtetit që prokuroria shqiptare i ka mbyllur sepse bosat e korrupsionit i ka lali xhan.  Po si nuk u arrestua ta zëmë një deputet, a ministër a ish ministër, a nënpunës i lartë, flasim per kapot pra.  Dhe ja me një Modus Vivedi, një konsensus në mes të hallkave për një shou mediatik, dhe çeshtja u zgjidh, një arrestim në Pogradec i një gjyqtar-qyqari që edhe në kohë të gjykimit niste e meditonte( turbulluar fare)  për ca vargje të rimuara, për fjali pa folje,  për ca dashuriçka fshati, për ca zogj pa fole, ndaj dhe i turbulluar fare ra në grackën e vogël që i kishin ngritur duke i vënë përballë një zonjë që të turbullohej akoma ma mirë si Khajam i dehur.  I kishte harruar poet- gjyqtar-qyqari fjalët e Shekspirit, se “shfaqja është gracka ku shpirti i mbretit zihet si laraska”.  
Natyrish ai dënimin e meriton  plotësisht, por, nuk e bën dot kurrë shëmbëllesen Krishtit edhe pse është orthodoks gjyqtar-qyqar-poeti.
 Krishti  kur shkoi e u gozhdua në kryq( jemi dhë ne prag Pashke de) mori mbi shpatulla tërë fajet e mëkatet e njerëzimit, mirëpo nuk mendojne se ky Dhimitër Pojanaku, megjithë dëshirën e madhe të kastave të politikës dhe shtetit (ky Ponc Pilat modern thuaj), mund te na jap pra një shfaqje kësisoji,  madje as edhe në plan grotesk të sakrifikimit për të tjerë si lloji i vet me togën e gjyqtarëve.
I ka shpatullat fort të vogla gjyqtar-qyqar-poeti ndaj nuk i merr dot përsipër tërë fajet e mëkatet e banditëve në shtet e pushtet, në politikë e në çdo hallkë të këtij kaosi ku jetojmë, në këtë papunësi gjigande dhe korrupsion që e ka kthyer këtë shtet në gërmadhë e rrumpallë,  pra nuk është e mundur të sakrifikohet ai për të mbuluar e humbur gjurmët tërë banda e hajdutëve që na kanë drejtuar e poshtruar prej një çerek shekulli pa ju hyr ferr në këmbë.
Populli do në bankën e të akuzuarve bosat e korrupsionit në shtet, pushtet e politikë e jo minjtë vegjël të vrimave, që rendin pas thërrimeve që lë sofra e madhe e korrupsionit politik e institucional shqiptar.
Gazeta "SOT", 18 prill 2014 f.16
NEXT-------> DEMOKRACIA E RRUMPALLES:
http://traboini1.blogspot.com/2014/04/demokracia-e-rrumpalles-nga-kolec.html

13 April 2014

Demokracia e rrumpallës - nga Kolec Traboini

DEMOKRACIA E RRUMPALLËS
Po se mos është vetëm Lazarati. Mirë thonë, më mirë të dalë syri se nami. Kudo mbillet Kanabisi dhe nuk ka aq polic Shqipëria sa ta ndalojë mbjelljen e trafikimin e saj. Edhe sikur tërë policia e Italisë të vijë këtu për ndihmë, prap e njëjta gjë do të ndodh sepse njerëzit nuk kanë asnjë alternativë tjetër për të mbijetuar.

Nga Kolec TRABOINI

Dje ishte diktaturë me plot kuptimin e fjalës, sot emrohet demokraci në minimumin e kuptimit të fjalës, dje ka qënë diktatura e Proletariatit, kulti i një personi dhe një partie, sot është diktatura e Mafias politike, e bosave e VIP-ave e parasë, ndërkohë që populli del nga breshëri e hyn në shi. Në çdo hap që hedh  shqiptari në këtë mëmëdhe të raskapitur paguan taksa që të mbajë mbi zverrk ata që as nuk e çajnë kokën për të, ata që ja kanë shaluar sovranit( se kështu i thonë  e i përkedhelin sedren sovran fakir fukarait popull), të cilit, sos varfëria e papunësia por   edhe ushqimet jetike u taksohen deri në 20 përqind, kur amerikanët anipse në një standart të lartë jetese nuk paguajnë asnjë cent në tregun e ushqimeve.
Demagogjia në Shqipëri është në kulm, gënjeshtra në stil, mashtrimi metodë pune, korrupsioni një normalitet, padrejtësia një legjimitet, gjyqësia një mjet për të mbushur xhepat e gjyqtarëve që ua a marrin qyqarëve.  Flitet për shumçka në Media por vetëm për punë nuk flitet. Janë duke u punësuar ca zyrtarë si nënpunës të zyrave të punës që të presin, të regjistrojnë e nëse ke mbaruar Universitetin të këshillojnë të futesh në ndonjë kurs për marangoz. Vetëm fasonet shkelqejnë( krahu i punës i botës së tretë), për të kujdeset shteti, pushteti, politika, pozita e opozita e nëpër gojë flitet se bosi i tërë fasoneve është një figurë e madhe e politikës,  por shët!!!,  mos e zër në gojë të thonë. Mos folë, të këshillojnë, sepse këta bosët e sotëm i kanë tentakulat e gjata dhe këshilluesit,  nuk mungojnë të kujtojnë me gjysëm zëri Kostë Trebickën dhe Sokol Olldashin.  Papunësia ndërkohë është bërë fataliteti në jetën e këtij populli, por politika nuk po ndjehet fare sepse dihet që në këtë Zulullandin tonë nuk ka kalorës që ja qan hallin këmbësorit.
Qeverisja e re plot ambicje por me halle, opozita bën trazovaçin duke i fut shkopinj nën rrota, nuk ka punë tjetër opozita veç të përgjojë e përgojojë telefonat e kryeministrit e të ministrit të brëndshëm.Turpi i botës.  Shtet rrumpallë. Ta deklaron tjetri në Parlament mesazhin telefonik  personal që i ke dërguar vartësit, a mikut e shokut, a gruas, a të dashurës a dreqit e te birit dhe gjëmb në këmbë nuk i hyn. Se është deputet tjetri, e deputetët mund të bëjnë çfarë të duan në këtë vend dhe nuk pyesin për ligjin, se ligjet, or babam,  janë bërë nga hajdutët e mëdhenj për hajdutët e vegjël, për fakirët e varfër që për të nxjerr bukën e gojës e janë katandisur të merren madje edhe me kanabis duke rrezikuar jetën dhe lirin e vet. Po u mbushën dhe burgjet de...Ku ti çojnë këta fakirë fukarenj? Sos vend për varre nuk kemi por tani nuk kemi as ndërtesa për burgje. Na ndihmo moj Europë. Europa e lodhur me korrupsionin e OJQ-ve, ka nis të mbledh dorën se edhe milionat e eurove që dhanë për romët i fshiu e i përfshiu ekipi i ish ministrit Ksera, që edhe atyre rrufjanëve ferr në këmbe nuk po i hyn. Po kur nuk u dënuan ata të bombës atomike të Gërdecit me Mediun në krye,  ç’ne mua me ca miliona, ja logjika e një ish ministri dhe qehajajve të tij që kanë ikur prej Shqipërie e kush e di ku ndodhen tashmë duke ngrënë milionat e vjedhur.
Po drejtësia çfarë bën. Përse i paguan populli gjithë këto zabitë prokurorë e gjykatës.  Mirë që nuk kanë turp e janë bërë lëvere në sy të botës, po këta nuk kanë as frikë. Pa le edhe kur i mbrojnë që nga kupola e shtetit e thonë mos i prekni gjyqtarët. Çfarë po ndodh në këtë vend. Si është e mundur që nga 300  nënpunës të lartë të korruptuar apo shkelës të ligjit në mosdeklarimin e pasurive, prokuroria ua mbyll dosjet, ndërkohë që ca fakir të vegjël që kanë vjedhur ndonjë pulë gjëkundi i ndjek dhe u vënë prangat e dënimin ua japin të rreptë. Kështu janë punët sot në këtë mëmëdheun tonë që e prishën dhe e shprishen dallkaukët. E ankohen pastaj se Lazarati po ua prish biografinë shqiptarëve se na mbillkan kanabis. Po pse o njerëz, çfarë do të bëjë Lazarati, të rrijë me duar drejtuar qiellit e të vdesin urije. A mos vall i shkuan  popullit të Lazaratit e u premtuan që të mos mbjellin më kanabis sepse do tu ndërtojnë një fabrikë të madhe ku të punësohen të gjithë e kësisoj të rrojnë për së mbari, që edhe policia të mos lëshohet lart e poshtë për të kërkuar trafikantët e kanabisit se u telekos e shkreta.
Po se mos është vetëm Lazarati. Mirë thonë, më mirë të dalë syri se nami.  Kudo mbillet Kanabisi dhe nuk ka aq polic Shqipëria sa ta ndalojë mbjelljen e trafikimin e saj. Edhe sikur tërë policia e Italisë të vijë këtu për ndihmë, prap e njëjta gjë do të ndodh sepse njerëzit nuk kanë asnjë alternativë tjetër për të mbijetuar.
Sa i përket sigurisë duhet thënë se më parë në monizëm ishte frika nga sistemi, nga sigurimi nga Gazi 69, pushkatimi pa varr, nga spiuni që të shfaqej si shok e si mik,  ndërsa sot nuk e di nga të vjen frika sepse ajo është kudo e në çdo send, edhe në ajrin që marrin. Dua të kujtoj, kur flitet për punën e sigurisë e të pasigurisë në sistemet e diktaturave, se  ajo çfarë ka ngjarë në Permet ca vite të shkuara( tipike për demokracinë e djajve që kemi ndërtuar në Shqipëri), çka nuk mund të ndodh në asnjë diktaturë të botës.  Të vijë tjetri në shtëpi e ti thotë babait  kam ardhur ta marr vajzën se do ta çoj prostitutë në Itali. E meqë babai nuk e lejoi ai horri nxorri pistoletën dhe ja rrasi në gjoks duke e lënë babain të vdekur në prak të shtëpisë së vet e në sy të së bijes. Demokracia jonë ndërkohë i jep shansin viktimës të ketë një varr... Po kujt i duhet varri përpara jetës së humbur. Pale, pale, më nuk flitet as nga Media, as nga shteti, as nga deputetët, as nga pozita e opozita për ato mijra vajza e gra shqiptare prostituta në Itali e qytete të tjera europiane,  por ato aty janë, aty e tregtojnë trupin e tyre për turpin e këtij mjerimi me emrin Mëmëdhe.
Dhe ky Lazarati, që e tregojnë me gisht si gjëmë shqiptare, të paktën për mua, nuk është kurrgjë përpara trafikimit të qënieve njerëzore sikur të ishim në kohët e errta të skllavërisë. Por europianëve u pelqen mishi i bardhë i shqiptarkave(edhe moldaveve sigurisht) tregtuar nën semaforët e Romës, Milanos, Triestes, Londrës dhe nuk u duhet prishur oreksi me kritika gazetash apo reportazhe televizive - kjo është, mesa duket, mëndësia  e këtyre palo politikanëve që kemi mbjellur në kazanë e Tiranës, por që është shumë herë më i dëmshëm  për shëndetin e shtetit dhe dinjitetin e shqiptarëve se sa kanabisi i Lazaratit.
Më thoni tani me logjikë e pa pasione të sëmura pro e anti, në cilin shtet tjetër europian ndodh kjo rrumpallë e katraurë  përveç në këtë demokracinë tonë korruptive që kemi ndërtuar kaq ligsht.
Diktatura e madhe u metamorfua në diktaturen e vogël e të përditëshme me të cilat përplasemi në çdo hap që hedhim. Kishim një e tani na u bënë me qindra e qindra diktatorucë. Pa harruar tritolin që të dërgon ekspres në parajsë a në ferr, kush po e di. Ajo që e dimë mirë  është se për një prestigj  falls në sy të botës, detyrimisht duhet të pohojmë se jemi të lumtur me shkakun se  “lamë borë e gjetëm shi”,  anipse  kjo demokraci  mutsihane vjen erë e keqe e kundërbon, mo Zot ma keq.

© k.p. traboini
 14 prill 2014
 
NEXT: HËNA VERDHANE E BEN BLUSHITNë këtë link:
http://traboini1.blogspot.com/2014/04/hena-verdhane-e-ben-blushit-nga-kolec.html

03 April 2014

🔵 Portreti i poetit permes vargjeve të tij - nga Vllasova Musta




PORTRETI I POETIT PERMES VARGJEVE TË TIJ

Nga Vllasova MUSTA

Është kënaqësi të marrësh njëherazi dy vëllime poetike në duar, e për më tepër, kur këto i ka shkruar i njëjti autor, që është edhe miku yt. Jam njohur me Kolecin para shumë vitesh, gati 40 vjet më parë, kur ai u emërua me punë në Kinostudio dhe kishte fare pak kohë, që kishte botuar librin e tij të parë me tregime “Petalet e bajames së hidhur“.  dy librat e rinj, vinë pas një vargu të gjatë botimesh në prozë dhe poezi dhe që çuditërisht mua më kujtuan apo më sollën pranë freskinë, aromën dhe bukurinë e ”Petaleve të bajames së hidhur“ që si një biskajë përherë e blertë, u prin gjithë atyre që erdhën dhe do të vinë pas...
Tek lexon nga njëra poezi tek tjetra befas ndjen se të kanë marrë me vete, të kanë futur në magjinë e tyre dhe krahas leximit, ndjen zë, ndjen tingull dhe kaq e plotë të bëhet kjo tingëllimë, sa të duket sikur nuk ke përpara një poezi, por një qënieje të gjallë, që të flet, të zgjon, të troket e të merr pas vetes duke të shpalosur pafundësi ngjyrash, stinësh dhe ditësh njerëzore.
Poezitë e Kolec Traboinit, përcjellin ngrohtësi, kanë dhimbje, kanë trishtim, kanë brenga apo mall, po aq sa kanë edhe dritë dhe forcë dashurie. E ndoshta për këtë lexohen me një frymë, si në një rrëfenjë, ku janë të mpleksur hijshëm të gjithë elementët që i duhen për t´i dhënë ngjyrë, hapësirë dhe frymë. Përmes poezive vizatohet me një elegancë të hollë dhe tepër i spikatur, portreti i tij, bota e tij, ëndrrat e tij dhe gjithçka që përmbart në të tërën poeti Kolec Traboini.
Dhe kësisoj, nga njëra poezi tek tjetra, është pranë teje jo vetëm poeti, por njëherazi qytetari-intelektual, që s´mund të jetë indiferent dhe përmes një trishtimi njërëzor, na pohon: / Para pallatit tonë të vogël me tulla të kuqe/ Ngritën një ndërtesë të stërmadhe gri/ Që të kujton dinosaurët /E lartë, hijerëndë e të egër. /Tani nuk kam më veç një përçik qiell /E një çarçaf të verdhë /Varur në ballkon si diell…/.
Më tej, të shfaqet njeriu me shpirt të ndjeshëm, që preket qoftë dhe nga një detaj që ndesh në të përditshmen, që ka përjetuar dhe mban të ndrydhur fëmininë e jetimit, që e ndjen më mirë se kushdo tjetër këtë varfëri shpirti dhe natyrshëm thotëne poezine “Shtëpia e fëmijes” - mikut tim Ilir Çumani: /Një plagë Një dhimbje /Një dashuri /Që të ndjek pas gjithë jetën /Për pëllumbat e lagur në shi /Një strehëz. /
Me tjetër forcë, me tjetër zë e vetëm duke pulsuar të vjen pranë atdhedashësi, ai, që e ka atdheun tek porta, që e merr me vete kudo që shkon e që malli për të është i përhershëm e i pandshëm, i plotë dhe i dridhshëm brenda botë së tij. Ky zë gati gati si në një lëngatë thërret përvajshëm: ”ma vodhën atdheun“:  /Ma vodhën Atdheun kur ika/ Ma vodhën Atdheun si të mos ish/ Erdh koha të ndjehem i huaj /Në vendin tim kur u shfaqa sërish./ E vetmja mundësi është të thërras /Deri në kupë të qiellit më zërin prush:/ Ma vodhën Atdheun! Ma vodhën! /Po këtu nuk të dëgjon më askush. /.
E midis tyre, si një kalorës që veçse trokon e s`di të ndalet, përherë rrezëllitës e gjithëstinësh, vjen i dashuruari, e kur fjala është për dashurinë, duket se tek poeti ravijëzohen gjithë ngjyrat e ylberit, fryjnë gjithë flladet dhe erëmirat, këndojnë e cicërojnë gjithë shpendët e hapësirave qiellore dhe zemra e tij, është strehëz për të gjitha, është fyell, këmbanë, trumpetë që bie e troket në çdo stinë. Është një e vërtetë e dëshiruar prej kujtdo e për më tepër e një shpirti artistik siç është poeti, që të jetojë bashkë me dashurinë, ndaj ai përsërit: /Nëse viktimë quhet një vajzë /Që unë në kupë kërkoj ta pi /Ma merrni jetën pa mëshirë /Se sa të rroj pa dashuri./
Ose në një tjetër poezi, ai thotë:
/Nuk e di, nuk e di /Pse dashuria më shfaqet si Dielli /Që del e më ngroh bash atë çast /Kur shpatullat i kam të ngrira./
Kolec Traboini është poeti dhe shkrimtari në kërkim të një motivi të ri, përherë i prekshëm dhe i ndjeshëm, përherë i freskët dhe me ngjyrë e kështu do ta kemi pafundësisht, se ai ka tharmin e krijimit, të pjekjes e të lindjes, të mrekullisë që sjell krijimi që buron nga shpirti, i lirë, i pastër dhe tingullshumë.

 14 shkurt 2014
Pena shqiptare suplement i  gazetes "Telegraf"e Ejte 3 prill 2014 f. 19.