30 December 2021

🟪 Kleri Katolik Shqiptar nga historia në mefshtësi - nga K.P. Traboini

KLERI KATOLIK SHQIPTAR NGA HISTORIA NË MEFSHTËSI

Nga Kolec P. Traboini

Kleri Katolik Shqiptar që ka një emër të madh në historinë e Shqipërisë për kontributet në mbrojtjen e shqiptareve nga asimilimi i plotë prej pushtuesve shekullore, sot shfaqet në nivelin më të ultë të veprimtarisë së vet baritore. Keqardhje është të shprehem kështu, por realitetit nuk kemi çfarë ti bëjmë. Niveli i punëve baritore ndër besimtarët katolikë shqiptarë është thuajse i pandjeshëm dhe më i ultë se sa në kohën e pushtimin 450 vjeçar osman ku shumë priftërinjve u ka ikur koka apo janë varur në litar pikërisht për përkushtimin e tyre në kauzë të shqiptarisë. Shembuj të dënimeve drakoniane janë të shumtë, por dhe guximi i meshtarëve ka qenë i paepur. Sot klerikët tanë katolikë nuk kanë as guximin të protestojnë, as të shtrojnë pyetjen publike se pse një rrugë në Tiranë mban emrin e vrasësit të 2 prej 38 meshtarëve të shpallur martirë nga Selia e Shenjtë, Dom Aleksandër Sirdanit dhe Dom Pjetër Çunit me 31 korrik 1948 në Koplik. Pse pra u bëni martirizimin viktimave dhe nuk protestoni që emri i vrasësit të tyre ti hiqet një rruge në kryeqytetin shqiptar. Pse ju meshtarët tanë të nderuar pranoni ti takoni këta qeveritar të paskrupullt që i kanë venë apo e kanë mbajtur me dekada atë emër vrasësi dhe nga ana tjetër duke u jargavitur vrapojnë të takojnë Papën, por edhe juve klerikëve shqiptarë, duke ju mashtruar në njëqind mënyra. Ju meshtarët katolike, veçmas ju që drejtoni komunitetin besimtar shfaqeni të mefshtë, me një tolerance të stisur madje deri në shpërfytyrim,  kur duhet të protestonit dhe detyronit këta qeveritarë të paskrupullt të zhduknin nga rrugët të paktën emrat e vrasësve të meshtarëve katolikë. E papranueshme kjo mefshtësi dhe kjo  bashkëjetesë me imazhet e kriminelëve nëpër rrugët e Shqipërisë. Dua t’u kujtoj, më shumë lexuesve se sa ju se, edhe pse ishim në diktaturë komuniste priftërinjtë në Shkodër, jezuitë e françeskane, në vitet 50-60 deri sa institucionet fetare u mbyllën me dhunë nga komunistët, ishin shumë aktivë e të lidhur me popullin. Aq shumë ndikim e simpati kishin në popull, sa për Krishtlindje, por më shumë për Pashkë, në fëmini kam parë të vinin në Kishën e Madhe Katedrale edhe gra e burra myslimanë. Mesa duket qëndresa që po i bënin meshtarët katolikë udhëheqjes dhe dhunës komuniste kishte ngjallur simpati edhe tek njerëzit e besimeve të tjera. Dua te jap një shembull nga libri im "Saga Idromeno" botim i vitit 2021, f. 133. " ...mbledhja u organizua në vitin 1967 tek shkolla Pyjore për demaskimin e Imzot Çobës. Si kudo ndër ato mbledhje nuk munguan as shpifësit e spiunët, ku mbas duartrokitjeve të tyre, klerikët arrestoheshin e u viheshin prangat nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit që gjendeshin në sallë të veshur civilë. Por, krejt ndryshe ndodhi me Imz. Ernest Çobën. Kur është përgatitë terreni për arrestim në atë mbledhje, është çuar në këmbë shoferi trim Dedë Gjushi dhe deklaroi: “Sot nji këtu, nuk guxon kush me i vue prangat Imzot Çobës!” dhe më të vërtetë arrestimi nuk ndodhi siç kishin planifikuar. Akti i Dedë Gjushit mesa duket i tronditi ideatorët e arrestimit nga frika e reagimit publik. Respekti i shkodranëve për Monsinjor Ernest Çobën mund të tregohet nëpërmjet një shembulli tjetër mbresëlënës. Kinse për të gjetur një shkak për mbylljen e kishave në Shkodër, Sigurimi i Shtetit nisi të kërkonte shpifës nëpër qytet e shtëpi për shtëpi kundër Imz. Çobës dhe disa klerikëve të njohur. Kur ia kërkuan këtë gjë një gruaje myslimane, Adile Ashikja, ajo pa i lënë kohë vetes për t’u menduar ua përplasi: “Kam shkue me lypë tek Ai paret e bukës dhe Ai më dha ma shumë se i kërkova....Ju sot, kërkoni që bukën që më fali, me ia shpërblye me shpifje! Ai asht kenë dhe mbetët për mue një meshtar i nderuem i fesë katolike në Shkodër!” Kështu ishin meshtarët tanë. Kishin hyrë jo në shtëpitë por në zëmrat e njerëzve. E tash mjerisht pak kush po i njeh. Që të mos krijohet përshtypja e një tabloje krejt te zezë duam të vëmë në dukje se shembuj të admirueshëm ka. Padyshim dy figura spikatin, Dom Nik-Ukgjini me studime, por edhe me rindërtimin e Kishës se Ndre Mjedës në Kukël, një mrekulli kjo, por edhe Dom Gjergj Meta me analizat e tij në median shqiptare ku prek tema e trajton fenomene, që përbëjnë shqetësim në shoqërinë shqiptare fort e turbulluar. Dhe këto ndiqen me shumë simpati nga qytetarët shqiptar, që ta themi hapur pa dallim besimi. Janë në rrugën e hapur aq mrekullisht nga Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Fishta  të cilët admiroheshin njësoj si nga katolikët, myslimanët dhe orthodoksët. Mirëpo që të krijohet kjo frymë duhet qëndruar më pranë njerëzve dhe duhet menduar për një kategori të popullsisë, më vitalja e që shpesh janë indiferent ndaj religjioneve, të rinjtë. A dimë si ti afrojmë ata? Dhe si e ndjejnë veten ata në shtëpitë e perëndisë. Këto vatra besimi a janë qendra interesante apo të zymta si azile pleqsh? Kam marrë pjesë vitin e kaluar në një koncert me muzikë klasike në Kishën Katolike në rrugën e Kavajës në Tiranë dhe ishte një gjë e bukur. Kishin ardhur djem dhe vajza të reja dhe ato e dominonin auditorin. U dha nja koncert në Kishën Orthodokse, Katedrale në Tiranë. Shkova dhe aty, u ndjeva si të isha në Teatrin e Operës dhe baletit sepse salla e koncerteve ishte e re dhe e bukur. Po sa mendojmë ne që objektet e kultit t’i përshtatim në atë mënyrë që njerëzit të vinë me kënaqësi e të ndjehen mirë? Në rrugën e Kavajës kisha po krijon mjedise për tu bërë edhe si një qendër kulturore baritore dhe kjo është për t’u përshëndetur. Po a do të ketë sallë koncertesh ku të dëgjojmë muzikë klasike që ta themi hapur zanafillën muzika klasike e ka pasur ndër kisha. Albinoni ka qenë një prift organist. Dhe muzika e tij është e përsosur. Kush nuk do të dëshironte të vinte e të dëgjonte muzikë nga Albinon, Pachelbel, Bah, Hajden, Shubert, Moxart, Shopen, List, Bet'hoven e të tjerë. Ka shumë gjëra që nuk venë ashtu siç dëshirojmë, por të paktën të përpiqemi sa mundemi për tua bërë njerëzve jetën me të gëzuar dhe institucioni që ka misionin për t’u kujdesur për shpirtrat njerëzorë mund e duhet ta bëjnë ketë sa më mirë të jetë e mundur. Dhe të kenë kujdes nga kthetrat e pushtetarëve, të cilët i kanë humbur lidhjet me popullin. T’u rrinë sa me larg sepse do të ishte fatale nëse populli, besimtarët shohin të jeni luajal me ata që ushtrojnë një pushtet të dhunshëm e janë grabitqarë të pasurive të popullit. Mos i pranoni ata shtetarë apo nëpunës që vinë në Kishë me makina 200 mijë euro kur populli vuan, apo unaza,  varëse apo çanta 20 rroga mujore rroga të një punëtori të cilit i rrezikohet edhe jeta në punë ndërsa që ata në pushtet vjedhin hapur nëpërmjet lidhjeve me oligarkët e bandat kriminale. Po e bëtë këtë, po u plekset me miklimet e pushtetarëve hajdute, njerëzit do t’ju shohin ftohtë e do të thonë se edhe ata (pra ju),  janë pjesë dhe në aleancë me kastën mbrapsht qeverisëse që e rrjep popullin e vet dhe kësisoj besimtarët do t’ju braktisin e do t’i lënë shkret tempujt tuaj.

© k.p.traboini 2021

 Foto:
Kisha e Ndre Mjedës  në Kukël e rikonstrukturuar nën kujdesin e meshtarit e studiuesit Dom Nik-Ukgjini.


29 December 2021

🟥 Popull i dhunuar- nga K. P. Traboini

Popull i dhunuar

Nga  KOLEC P. TRABOINI

Këtu është ndërtuar një sistem hibrid, shartim në mes të diktaturës e pseudo-demokracisë, ku pushtetin e kanë pas e do ta kenë bandat politike të formatuara me aq dinakëri, sa mos me mund kush për tu afruar  në linjën e tyre të luftës për pushtet. Dy banda që nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën kurrqysh, përkundrazi e mbrojnë. Vjedh një palë ikën nga pushteti, pala tjetër nuk e ka më mendjen me vu drejtësi e rregulla e me dënuar hajdutët e parave të popullit, po këqyrin ku po vjedhin ndonjë gjë për vete.

Shihni kastat që kanë krijuar. Shihni kë paguajnë pa bërë asnjë punë veç si mercenarë politikë. Shihni si paguhen me rroga të dubluara 21 këshilltarët e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës si të ishte Presidenti i Amerikës. Më shumë se Presidenti i Amerikës merr një dallkauk politik e mediatik në Tiranë.250 mijë dollarë në muaj. Pensionistët me 140 dollarë në muaj le të vdesin që biri i bushtrës të lazdrohet si mbret. Shteti sheh e hesht. SPAK-u shërben më shumë t’i mbrojë se t’i dënojë hajdutët e spekulatorët e parasë së popullit.Një mediokër llomotitës televiziv i importuar nga Prishtina merr 18 mijë dollarë në muaj plus nga Spitali Amerikan. Se tasin e ka në Media përballë një pinjolli të komunizmit. Sa të ardhurat mujore të 180 pensionistëve.Makabritet social. Dhunim i popullit. Dhe kanë krijuar një mekanizëm të hekurt, që sado i poshtër e hajdut të jetë pushtetari, atij nuk i hyn ferrë në këmbë. Populli mbahet nën vëzhgim nga patronazhistët e politikës që dinë sa lugë ke në shtëpi, si dikur Sigurimi i Shtetit. Protestat shuhen ku me dinakëri e ku me dhunë policore madje dhe me gaz lotues që vjen deri në shtëpitë tona. Kjo është kapja e pushtetit dhe përdorimi i dhunshëm i armës së policisë mbi popullin. Ne tash jemi një popull i ndaluar e i frikësuar, sikur të ishim nën pushtim. Në të vërtetë ky është një pushtim i vendit prej oligarkisë së dhunshme politike, ekonomike dhe policore.E vetmja mundësi për të hequr nga pushtetin të tillë përdhunues e sadist do të ishte Referendumi, por këta zuzarë mizorë e kanë shmangë atë mundësi me kushtetutë dhe populli veç thirret një herë në 4 vjet, siç është thirrur që këtu e 70 vjet, me zgjedh pra në mes të dy djajve, djallin që i ka sytë më të bukur, por punët në ferrin e të gjallëve i kanë njësoj të zeza, hukubet.Pa Referendum, pa të drejtën për të rrëzuar pushtetin e palikarëve të marrë, udhëheqësve të rrejshëm, është e kotë që të votojmë dhe akoma më e kotë që të ushqejmë veten me shpresë batalle.Të huajt vinë, hanë e pinë e ….. , siç bënte Hans Hollandezi i ONM që i bënte veting me shiringë nëpër shalë një anëtarja të lartë të KPK. Këta bëjnë atë që nuk e kanë bërë italianët e as gjermanët gjatë luftës. Dhe i paguajmë këta përdhunues vendas dhe të huaj. Jemi a s’jemi nën pushtim?!

🟥 Këneta e poezisë së Kunës - nga K. P. Traboini

 KËNETA E POEZISË SË KUNËS


Nga K. P. TRABOINI 

 

Në emisionin televiziv TPZ, Rudolf Marku, një poet që jeton në Londër e laureat i poezisë në Tiranë, i cili kreu funksione si deputet i PD, partisë së Sali Berishës e me vonë sekretar ambasade, solli në publik dosjen e tij, gati 300 faqe, një prej 2 milion dosjeve që komunizmi hapi për shqiptarët, sipas parimit një shqiptar një dosje. E drejtë e tij, por nuk e kuptojmë pse kaq vonë kur i kishte mundësitë më herët kur ishte në funksione të larta. Pse ky tundim kur prej asaj dosje ferr në këmbë nuk i kishte hyrë. Të tjerë ishin ata poetë që u burgosën dhe u ekzekutuan në kohen e diktaturës, ndërsa poetin në fjalë monistët e ngritën në detyrë duke e sjellë nga Lezha, redaktor të poezisë në selinë e Lidhjes së Shkrimtarëve, pra një censor i poezisë në një vend që duheshin njerëz të besuar. Si kështu?! A thua nuk ja kishin lexuar dosjen ata që e sollën në një organ qendror në qendër të vëmendjes politike dhe publike? E pse - të nuk kanë fund. Por "Pse"-ja më e madhe është se si Rudolf Marku sjell në vëmendje publike emrin e Mark Vujit, mësues, pasi që ai ka vdekur, duke folur me përbuzje për ish mësuesin e tij. A i takon këtij poeti laureat me pompë i Ministrisë së Kulturës të merret me Mark Vujin? Dhe pse? Se i paskan dërguar një poezi për ta analizuar. Dhe ka konstatuar se poezia paska qenë pesimiste. Rudolf Marku përdor termin ekzaminuar. Le të gjykojmë mbi të vërtetën. A ishte vërtete pesimiste apo jo ajo poezi. Mark Vuji si mësues letërsie po thoshte një të vërtetë apo mashtronte për poezinë në fjalë. Në vazhdim të bisedës në TPZ, sikur të kishte harruar çfarë kishte thënë për mësuesin e vdekur,  poeti laureat del e thotë se poezia ishte e Migjenit dhe se vërtetë ishte pesimiste. Pra Mark Vuji paska konstatuar të vërtetën poetike. Dhe për këtë të vërtetë përbuzet nga një ish nxënës e me pas koleg i tij. Më duket se këtu mungon logjika e del në krye një tendencë për të poshtëruar të tjerët dhe për të dalë vetë lugë e lame prej një sistemi që i përlloçte ku mundte njerëzit, pa pasur mëshirë për askënd.

Rudolf Marku të kishte hapur lojën krejt e ti shkonte shpjegimeve deri në fund. Të mos merrej me rastin sporadik e pa asnjë pasojë me Mark Vujin, që poezinë e Migjenit e nxirrte pesimiste, sepse ajo poezi pesimiste është edhe sot e kësaj dite që mësuesi i nderuar Mark Vuji ka vdekur. Rudolf Marku të fliste për miqtë e tij poetë lezhjanë që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Për episodin fatal me veprën 19 të Enver Hoxhës, që poeti tjetër lezhjan mbante nën sqetull dhe Frederik Rreshpja i tha: “Po ti me veprën 19 do të bëhesh poet?” Jo, këto as që i përmendi Rudolf Marku.  Nuk tha një fjalë a e thirrën në hetuesi për çështjen e Frederik Rreshpës. Nëse po, çfarë e pyetën e cilat qenë përgjigjet e tij? A u gjend Rudolfi në gjyqin e Fredit në Shkodër? Nëse po, ishte rastësi apo e thirrën? Kush e thirri dhe pse e thirrën, gjithnjë nëse kjo ka ndodh. Mirë është të jepet një shpjegim e jo të flitet për ata që kanë vdekur dhe nuk ka si mbrohen. Të gjithë kemi qenë të përgjuar. Për atë punë ishte Sigurimi i Shtetit. Të mos tregojmë përralla se vetëm poeti Rudolf Marku qenka përgjuar. Se ka edhe çudira për të cilat nuk flasin. Kur e paska pas dosjen një metër, si u emërua redaktor i poezisë në folenë e gjarpërinjve,  Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe për fat nuk u burgos. Që të mos ketë keqkuptime duhet hapur gjithçka në publik. Mjaft është spekuluar deri tani me dosjet. Se pari të hapet dosja e procesit gjyqësor të Frederik Rreshpës. Kush e spiunoi në Lezhë dhe kush u thirr në hetuesi si dhe procesverbalet e hetuesisë dhe të seancave të gjyqit e këto të bëhen publike. Atëherë do ta shohim të gjithë tablonë dhe do ti vlerësojmë gjestet kalorsiake të daljes në publik, siç vlerësoi zoti Marçel Hila, ani pse kjo kalorsiadë mbas tridhjetë vjetësh. E vërteta kurrë nuk mund të jetë gjysmë. Ajo, o është e plotë ose nuk është kurrsesi e vërtetë. Gjithsesi emisioni mu duk përsëritje e zbehtë dhe e vonuar e dëshmive të dosjes së Maks Velos,  por të paktën i ndjeri Maks Velo kishte bërë burg dhe kishte një motiv më tepër se bindës për të shfaqur të vërteten e persekutimit të vet në publik. Dhe për ti dhënë fund kësaj shfaqje vetanake publike me dosja, ato duhet te hapen pa hezitim dhe të gjitha. Të jenë publike por të mos harrojmë se, së pari duhen hapur arkivat sekrete të agjentëve, sepse dosje kishin edhe agjentët, edhe ata përgjoheshin, nuk i linte njeri të kullosnin azat. Se mund të dalë diku një agjent e të na vërvit si dëshmi të pastërtisë së figurës dosjen që e kontrollonte atë. Edhe spiunët përgjoheshin. Diktatura nuk ja kishte besën askujt. Dhe mos më pyesni pse po tundohem me këtë mesele pa pikë interesi intelektual në TPZ. Ja po shpjegohem për të mos lenë dilema;  Frederik Rreshpën e kisha koleg pune në Kombinatin e Drurit në Shkodër, i sinqertë deri në naivitet, shihnim tek ai mësuesin e poezisë së vërtetë mbështetur në ndjesi e jo propaganda banale, por e kisha edhe komshi në rrugën Gjuhadol dhe shoqëroheshim shpesh, ndërsa Mark Vujin e kisha nga Hoti im dhe ne e njohëm për njeri të mirë, i etur për tu mësuar nxënësve dije, me dinjitet e personalitet, të cilin gjithë banorët e Lezhës e respektonin,  sepse ne hotjanët, ashtu si dhe lezhjanët nuk i shohim njerëzit me tejqyrën “blurry” të Rudol Markut.

29 dhjetor 2021

Në foto autori i shkrimit  K. P. Traboini me mësuesin nga Hoti Mark Vuji, dalë në kishën e Ndre Mjedës në Kukël, Bushat.

16 November 2021

🔴 Byk-Kultura bën Panairin e Librit - nga K. P. Traboini


BYK - KULTURA  BËN   PANAIRIN E LIBRIT
Nga K. P. Traboini

 
Në vitin 1991 sapo kisha shkuar emigrand në Greqi ku gjëja e parë që më ra në sy ishte pazari i madh i Monastiraqit në qendër të Athinës ku gjeje edhe qumësht dallendyshe, siç i thonë, kur disa qindra kilometra në perëndim shqiptarët nuk kishin as bukë. Më bëri përshtypje gjithashtu një nga rajonet me të vjetra pranë kodrës Likavito, Kolonaqi, ku kishte me dhjetra librari ngjitur prane njëra-tjetrës dhe shtëpi botuese plot e, me qe jemi tek librat, veçanërisht Panairi i Librit në Athinë. Ky panair zhvillohej në natyrë në dy anët e rrugës aty tek Pallati i shqiptarit që punonte për Greqinë, Vasil Zhapa, por grekët i thonin Zapio.
Bashkia kishte vendosur banake e rafte këto të mbuluara dhe dukeshin si dyqane portative. Ishte një gjë e bukur ti shihje këto shtëpiza libri, disa metra larg njëra-tjetrës dhe nën krahët e pishave.
Kisha menduar se edhe në Tiranë, në dy anët ku është bulevardi "Dëshmorët e Kombit" mund të bëhej mrekullisht kështu. Dhe duke e venë qëndrën e Panairit në një vend aq domethënës, tek busti i Naim Frashërit. Po he thomëni kush ta bëjë? Erioni i Bashkisë që na sjell 2 orë ujë në ditë, më keq se në kohë të diktaturës. Apo uzurpatori i shoqatave botuese, Petrit Ymeri që si ai Armand Duka i Federates së Futbollit, i kanë kthye këto institucione në tokë të zanun.
Kanë zënë rehat në Pallat të Kongreseve, ku njerëzit mblidhen (pa dasht të ofendoj njeri) si minjtë. Dhe Corona Virusi i pamëshirshëm bëhet zot i situates duke marrë jetë njerëzish. Po ku pyesin  këta që përmendëm, apo dhe folkloristi i foltoreve me Kojrillen e tij greko- amerikane, të cilët as duan të dijnë se përditë vdesin njerëz. Dhe meqë pushteti hesht, ministresha e Shëndetësisë mban fjalime, mund të konsiderohen edhe këto bashkëpunetorë në krim. Por edhe SPAK-u që bën një sy qorr e një vesh shurdh, nuk është i pafaj; është i kapur nga politika për zverrku mesa duket.
Po le të shkojmë me tej. Edhe Panairi i i sivjetëm i Librit do të zhvillohet nëpër ëndrrat delirante të organizatorëve që nuk lexojnë asnjë libër që botohet në Kosovë dhe Shqipëri dhe kanë kurajon të ndajnë çmime për kë të duan e si të duan. Janë bërë çmimet si simite. Konsiderojnë sukses me bla-bla në media një panair inekzistent dhe ndajnë çmime. Një sharlatanizem i tillë nuk guxonte te behej as ne diktaturë ku gjithsesi komisionet e vlerësimit ishin të detyruar ti lexonin veprat që autorët paraqisnin. Por këtu nuk ka konkurim. Këtu sundon byk-kultura. A e patë si u laurua me kurora dafinash poeti që frymëzohet nga maja e pikaloit në Angli. E do ta çojë përpara poezinë në Shqipëri e Kosove nëpërmjet facebookut. Por edhe atje nuk i gjejmë dot poezitë e laureatit. Është krijuar një grupim që manipulon gjithçka nëpërmjet miqve e tarafit. Këtu nuk konkurojnë vlera. Këtu parakalojnë si turma amorfe pa indentitet antivlerat që bëjnë ligjin e Maliqin si kudo edhe në fushën e artit. Frederik Rreshpja i njohu më mirë se askush këtë lloj brumi batak dhe prej tyre hoqi kalvarin e poetit të kryqëzuar burgjeve te komunizmit vetëm pse tha "Po pse more, me veprën e 19 (të Enver Hoxhës) do bëheni poetë". Dhe rioshët e poezisë e dëgjuan dhe e spiunuan. Dy burgje beri Frederik Rreshpja e tani nuk është në te gjallë. Ndërsa poetët që u bënë me veprën 19 të Enverit nën sqetull, vazhdojnë të lazdrohen në opinionin publik pa u ngopur kurrë me lavdi. Paradoks i kohës të cilin mjerisht po e përjetojmë.
Dhe qershia mbi tortë: Një panair me denoncuesen e poetëve të ekzekutuar, në podium. Lavdia e Memurreve të Byk-Kulturës. Mirë ka thënë, në mos gaboj Friedrich Nietzsche, në ferr nuk gjen më djaj. Të gjithë kanë ardhur në tokë. 
Dhe thonë se komunizmi ka ngordhur. Jo besa. Vemjet janë gjallë.
 
© k. p.traboini 2021

11 November 2021

🟩 DJALË TROPOJE, nga K. P. Traboini


DJALË TROPOJE
-Për shokun e bankës në pedagogjike, Shkodër,
Zeqir Lushaj (1949-2021)

Nga K. P. TRABOINI

Me mbarimin e shkollës pedagogjike 2 vjeçare në Tiranë, Ministria e Arsimit nuk pranoi të na pajiste me diplomat e arsimtarit dhe na rekomandoi të ndiqnim shkollat Pedagogjike në rrethe.  Mua me një grup shokësh e shoqesh na caktuan në Shkodër. U paraqita në shkollë dhe u regjistrova në vitin e tretë. Klasa ku më caktuan kishte mësuese kujdestare Emine Oktrovën. Dija se ajo ishte bashkëshortja e regjisorit të njohur të teatrit “Migjeni”. Kur u gjenda në klasë mësuesja po lexonte emrat në regjistër për tu njohur me secilin nxënës. Pasi thirri emrin tim, më tha të ulesha në një bankë me Zeqirin. Unë nuk e dija kush ishte Zeqiri. Vështrova përreth dhe me ra në sy një djalë i qeshur, i cili ngriti dorën duke më treguar se do të isha shok banke me të.

Ka qenë e njohur ndër nxënësit e shkollave të mesme se shoku i bankës ishte disi më i afërt se sa bashkënxënësit e tjerë. Pasi u ula, Zeqiri më dha miqësisht dorën e më tha “Jam Zeqir Lushaj prej Tropoje” e unë ja ktheva “ Jam Kolec Traboini nga Hoti”. As e kisha idenë nga binte Tropoja se kisha qenë dy vjet në Tiranë, kisha shkuar edhe në Korçë tre muaj, në Shëngjin tek kushërinjt e mi vllaznit Pjetër e Ndoc Ujka, por në asnjë qytet tjetër. Kështu u bëra shok me Zeqirin. Ajo çfarë më pëlqente tek shoku i bankës ishte natyra e tij e çiltër. Ai nuk nxehej kurrë, nuk fliste ashpër e nuk mbante mëni edhe kur ndonjë i binte në qafë. Se adoleshentë ishim e frynim erë. Madje e kalonte gjendjen me një buzëqeshje të sinqertë. Që në njohje i thashë “djalë Tropoje” të cilën ai e priti mirë. Por në klasën tonë në shkolle Pedagogjike në Shkodër nuk kishim vetëm Zeqir Lushën nga Tropoja. Mbaj mend se ishin edhe katër djem të tjerë nga Tropoja, Frrok Vuka, Rifat Hajdarmataj, Halil Gjoni dhe Sadri Ponari, por mua më pëlqente që vetëm Zeqirit ti thosha “djalë Tropoje”. Ajo çfarë ruaj në kujtesë është së një herë që Zeqiri shkoi në Tropojë, na solli gështenja. Gështenja kishte edhe Shkodra andej nga Reçi, por gështenjat e Tropojës ishin më të mëdha dhe u shkëlqente lëkura. Vija re se ndër biseda herë pas here me fliste për vendlindjen. Këto biseda më së shumti bëheshin kur ishim në konvikt. Dimri, bora, pranvera, Shkëlzeni, Maja e Hekurave, Maja e Fushave, Sopoti, Grija, Dragobia, Valbona, ajri i pastër, gështenjat, por edhe arrat, pa harruar kumpirat, se kështu u thoshte patateve.Një prej atyre ditëve që po fliste me pasion për Tropojën më tha: “Kur të mbarojmë vitin mësimor e të vemi me pushimet e verës, do të marr në shtëpinë time të rrish tërë verën në Tropojë e do të bindesh sa e bukur është. Dhe më tej më pyeste: “Do të vish?”. “Po!”, - ja ktheja,- “do të vij”. E kisha ndare mendjen, do te shkoja sa të vinte vera. Mirëpo përpara verës ishte dimri, po afronte dhjetori kur pa pritur më thirrën në Degën Ushtarake Shkodër. Nuk e dija përse. Sapo hyra në ndërtesën e Degës Ushtarake vura re një grup djemsh të rinj që prisnin në korridor. Na thirrën brenda një e nga një dhe gjëja e parë që na thoshin ishte “zhvishu”. Një doktor ushtarak na vizitonte e thoshte “i aftë”. Si mbaruam vizitat na thanë se për dhjetë ditë do të shkonim ushtar. Madje na caktuan edhe datën.Kuptohet dëshpërimi im. Do të ndahesha nga shkolla dhe shokët për të shkuar kush e di se ku. Më vinte keq se kësisoj më prishej edhe ëndërrimi të bëhesha mësues.“Kështu, djalë Tropoje”,- i thashë shokut tim të bankës Zeqir Lusha kur ndamë!- “Por ti mos u mërzit se unë do të vij në Tropojë kur të mbaroj ushtrinë, veçse ti mbaje fjalën.”U ndamë të përmalluar. Por ndodhi ajo që nuk pritej. Më vunë në kamion me një grup rekrutesh shkodranë e drejtë e në Tropojë. “Eh, more Zeqir Lushaj”, - thashë kur u gjenda në Tropojë në mes të dimrit e ku bora binte deri në brez, - Si ma ndolle kështu, o djalë Tropoje!”I shkrova një letër duke i thënë se të gjitha ato bukuritë që më ke thënë, o djalë Tropoje, më dolën “të vërteta,... por ke harruar të më thuash se këtu të ngrijnë veshët e të dridhet mjekra”.Dimri ishte i gjatë, madje një herë na ra borë edhe në mes të majit. Por kur erdhi vera, vërtetë vendi kishte një bukuri mahnitëse. Bjeshkë, ajër i pastër e i freskët, qiell i kaltër, bari i blertë dhe lulet, luginat e malet që të shoqëronin kudo. Kur isha në shkollë në Tiranë vuaja nga morthi i këmbëve dhe duarve, më ënjteshin sa më bëheshin gjak. Por për dy vjet në Tropojë nuk e njoha më morthin, madje nuk mu shfaq kurrë më. Tropoja kishte një të ftohtë e borë të shëndetshme.
Djalin e Tropojës nuk e pashë më. Duhej të kalonin vite që ta takoja. Kur vazhdova studimet universitare e takova shokun e bankës, ai tashme ishte student në Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve.
Të dy u emëruam në Tiranë, unë në Kinostudio dhe ai në gazetën “Zëri i Rinisë” e kësisoj takoheshim herë pas here. Kishim edhe një shok të përbashkët gazetar, Tonin Shtjefnin me të cilin Zeqiri e bashkonte puna. Pastaj ndodhi emigrimi. Me gjithë atë nuk u harruam. Ishte dhe në Amerikë, por vendosi të kthehej në Shqipëri dhe zgjodhi si vendbanim Shëngjinin. Këto ditë nëntori Zeqir Lushaj ishte shtruar në spital i infektuar me Covid, sëmundje që i mori jetën.
Paç dheun e lehtë shoku im i bankës, djalë Tropoje, Zeqir Lushaj! 
 
11 nëntor 2021

 

10 October 2021

🟣 Saga Idromeno, monografi nga K. P. Traboini

 
SAGA IDROMENO

Monografi nga K. P. Traboini, Pantheon Books / Emal 2021

Jeta e të madhit Kol Idromeno nuk ka qenë tabu. E kanë trajtuar, kanë folur për të nëpër vite, në kohë të shkuar e të mëpastajme, madje dikush nga vogëlsia e vet edhe e ka përgojuar. Ajo që ka qenë tabu gjithherë ishte fati i rrethit të tij familjar. Synimi i kësaj monografie është që të sillen para lexuesve ato që njihen e çfarë nuk njihen si një e tërë në Universin Idromeno, krejt ndryshe nga se konceptohet nëpër galeri apo ekspozita nën ndriçimin e projektorëve mbi veprat, duke u dhënë dritën e duhur për ti përjetuar estetikisht. Mirëpo pjesa tjetër që e rrethon këtë mjeshtër të pikturës shqiptare dhe plot arteve të tjera, lihet gjithherë në tymnajë e harrim. Dihet që kërshëria njerëzore ka qenë e mbetet tundimi për të njohur atë që i fshihet syve të publikut, që mbetet nën hije, në prapaskenë apo pas tablove. Në këtë monografi kemi një shfaqje të tillë ku skena e prapaskena njëjtësohen, ashtu siç ka qenë në jetë. Dhe Sagë. Pse Sagë? Sepse Saga në prejardhje vjen nga rrëfimet e moçme në ishujt e veriut të kontinentit, të cilat konsideroheshin më së shumti kronikë bëmash historike, përmbajtja e tyre ishte dramatike, shpesh shprehte pikëllim për jetët e humbura njerëzore duke u përshkruar kësisoj edhe me elementë tragjikë. Në rrethin familjar të Kol Idromenos dhe motrës së tij Antoneta Idromeno- Skanjeti (Motra Tone), i gjen të gjitha këto elemente; gëzimin, melankolinë, vuajtjet dhe tragjizmin.
Libri përbëhet nga katër kapituj, Familja Idromeno & Skanjeti, Pasardhësit e tyre në Shqipëri, Pasardhësit e tyre në Kosovë dhe një Album i pasur fotografik nga e shkuara deri në ditët e sotme. Në fund të librit është vendosur treguesi i emrave, Gjenealogjia sipas familjeve Idromeno, Skanjeti: Zef Andrea Skanjeti, djali i Motrës Tone, si dhe pesë vajzave të saj Milena Zorba, Orsolina Çoba, Katrina Traboini si dhe dy vajzave të martuara në Pejë të Kosovës, Domenika Vila dhe Matilda Nulleshi.
Monografia “Saga Idromeno” ka 260 faqe dhe është pasuruar me 116 fotografi me shpjegime sipas thënies kuptimplotë një fotografi një histori dhe shënon librin e 40 në krijimtarinë e autorit K. P. Traboini.
 
Pantheon Books Info