11 September 2022

🟣Meditime lutësore/ Anthony De Mello nga K.P. Traboini

Albrecht Dürer German painter    
 
MEDITIME LUTËSORE
 
“Distanca më e shkurtër në mes të zemrës njerëzore dhe të vërtetës përbën një histori”, thoshte Anthoni De Mello. Sentencat e predikimeve të priftit jezuit Antoni De Mello preferuam ti paraqesim si Meditime lutësore, sepse ato nuk janë poezi. Ai parapëlqente t’i shprehte ato në mënyrë elokuente për të tërhequr dëgjuesit me magjinë e fjalës së vet. Si orator elokuent, më shumë se sa predikime teologjike nga mësimet e Biblës, preferonte të paraqiste ide e mendime për të mirën e të keqen, për cilësitë e dobësitë njerëzore duke nxjerrë gjithnjë në reliev mençurinë.
Ndoshta ndikonte fakti se ishte lindur në Bombei të Indisë në vitin 1931 e kishte marrë atje mësimet e para. Lutjet e tij ruajnë bukurinë e shprehjes e të mendimit. Të kujtojnë më tepër predikimet e filozofinë e budizmit, e cila kishte një ndikim të madh tek Antoni De Mello ani pse ky ishte një prift i urdhrit të rreptë jezuit katolik. Ai ishte gjithashtu një psikoterapist me emër në kohën e vet.
Me sa duket Antoni De Mello nuk e shihte të mjaftueshme auditorin e kishave ndaj zhvillonte konferenca me pjesëmarrje të gjerë që tërhiqnin vëmendjen e opinionit publik dhe medias amerikane, ku e zhvilloi të gjithë veprimtarinë e tij lutësore.
Një nga konferencat e tij të shumta me teme “Zgjohu dhe Jeto”, zhvilluar në Nju Jork u regjistrua e plotë ndërsa të tjerat të pjesshme. Ai zhvilloi mjaft konferenca nëpër shumë vende të botës duke u bërë një nga predikatoret më të njohur, çfarë tërhoqi vëmendjen edhe të qendrës së katolicizmit botëror që nisi ti shihte me skepticizëm lutjet dhe famën e tij. Antoni De Mello u bë akoma më shumë i njohur pas vdekjes në Nju Jork në vitin 1987.
Lutjet e tij fetare u përzgjodhën nga ithtarët e vet duke i botuar në libra që gjetën jehonë veçanërisht në Spanjë dhe në SHBA. Ato janë kthyer edhe në filma dhe CD, si dhe kanë shërbyer edhe për mësimdhënie. Meqenëse ai ishte i influencuar nga Budizmi, kardinali Joseph Ratzinger, që më vonë u bë Papa Benedikt XVI, në një konsil të mbajtur një dekadë pas vdekjes së Anthoni De Mello, i shpalli të dëmshme mësimet që dilnin nga predikimet e tij. Pavarësisht nga ky anatemim, vepra e Antoni De Mello vazhdon të mbetet mjaft e njohur në botë, veçmas në kontinentin amerikan.
Mohimi prej Papës mesa duket i ka bërë më shumë jehonë e popullaritet se sa dëm veprave te shumta. “Sadhana”, është vepra e parë e Anthoni De Mello të cilën kritikët e kanë cilësuar si një kryevepër e lutjeve, pastaj vinë një sërë veprash ndër të cilat: “Të falesh lakuriq”, “Rruga për të dashur”, “Kënga e zogut”, “Vetëdijshëm”, “Zemër e çiltër” dhe ”Nise fluturimin”- histori meditimesh. Vetëm pak ditë pasi e përfundoi këtë vepër, autori ndërroi jetë në moshën 56 vjeçare.
Tërësia e krijimeve të Anthoni De Mello formësohet në trajtën e rrëfimeve e dialogut në mes të dishepujve (studentëve dhe ndjekësve të predikimit) dhe Mjeshtrit të Manastirit(Predikuesit), i cili e ndërton oratorinë e vet nëpërmjet pyetje përgjigjeve të zgjuara, plot finesë, të figurshme, herë-herë me shprehje metaforike duke e bërë filozofinë e tij sa të thjeshtë e të kuptueshme po aq dhe një art ekspresiv e mistik. Ndoshta për këtë risi që solli, duke ju shmangur predikimeve standarde e duke i kthyer lutjet në një art të vërtetë meditimi, vepra e tij vazhdon të lexohet me interes edhe pas afro katër dekadash nga vdekja e autorit. Duke qenë se ka lindur në Indi ku mësimet e Budës nuk janë të largëta, Anthoni De Mello është bërë autori që në kontinentin amerikan, afroi më shumë se askush moralin dhe edukatën e krishterë me mësimet e predikimet budiste.
_______________
 
ANTHONY DE MELLO
- 14 meditime lutësore-
 
GJUHA E HYJNIVE
 
I magjepsur tek dëgjonte korin e mjeshtëror në sanskritisht
vargjet e melodinë e zërave, student i sanskritishtes tha:
Tashmë unë e di se nuk ka gjuhë në botë
si sanskritishtja për shprehjen e mendimeve hyjnore.
“Mos u bëj gomar”- i tha Mjeshtri . “Gjuha
hyjnore nuk është sanskritishtja. Është heshtja.”
 
RRITJA
 
Fatkeqësia ju sjell rritjen
dhe ndriçimin” thotë Mjeshtri.
Dhe e shpjegon mendimin kështu:
“një herë një zog zuri strehë
në një degë plot gjethe të një peme që gjendej
mes të një rrafshine të shkretë
por një vorbull ere e zhveshi pemën
e detyroi të varfrin zog të fluturonte
me qindra kilometra në kërkim të një strehe
e më së fundi shkoi tek një pyll
me pemët rënduar plot fruta.”
Dhe Mjeshtri përfundonte:
“Nëse pemët me gjethe do të shpëtonin
Asgjë nuk do t`i detyronte zogjtë
Të prishnin rehatin e të fluturonin”
 
MENDIMI
 
Udhëtari i thotë një të dituri
“Kam udhëtuar në distanca të mëdha
Për të dëgjuar Mjeshtrin,
Por aty gjej veç fjalë të zakonshme.”
“Mos dëgjo fjalët ë tij
Merr veç mesazhin”
“Si mund ta bëj këtë?”
“Merre një sentencë te tij
Shkunde mirë
Derisa të gjitha fjalët të bien
Ajo çfarë mbetet
Do ta përflakë zemrën tënde”
 
LËVIZJA
 
Një dishepulli që zakonisht
pyeste për fjalë të mençura
Mjeshtri i tha,
“Mençuria nuk shprehet me fjalë
ajo del vetvetiu në veprim”
Por, kur ai vuri re
se dishepulli shkonte e vinte
qeshi me zë të lartë dhe tha,
“Kjo nuk është veprim. Është veç lëvizje.”
 
ZEMRA IME NË MAL
 
Një udhëtar i vjetër ishte në rrugëtim
Drejt Himalajave në kohë të acartë dimri shkonte
Ndërkohë filloi të bjerë shi
Bujtinari i tha atij
“Si arritët të vini në këtë mot të keq, vëllai im?
Shtegtari i vjetër hareshëm u përgjigj:
“Zemra ime ka ardhur këtu para meje
E kjo e bëri më të lehtë
Që trupi im ta ndjekë atë në mal”.
 
 
PËRSOSMERIA
 
Një nxënës i paqartë i tha Mjeshtrit
A ishte ai personi që shihte se
bota ishte e përsosur siç duhej të ishte.
“Ç’ mund të themi për kopshtarin?- pyeti tjetri.
“Është dhe ai perfekt gjithashtu?”
Kopshtari i Monastirit ish kurrizdalë.
“Përse mendoni se ai është në jetë,”-
tha Mësuesi.
“kopshtari është një kurrizdalë i përsosur.”
 
 
KTHJELLTËSI
 
"A ka ndonjë mënyrë për të çmuar
një gjendje shpirtërore?”
"Shumë."
"Na jepni një."
"Vini re sa shpesh
ju jeni të shqetësuar
gjatë një dite të vetme.”
 
 
ZBRAZDËSIA
 
Ndonjëherë atje mund të bjerë
një vërshim vizitorësh të zhurmshëm
dhe qetësia e Monastirit
krejt të tronditet.
Ajo mund ta prish rregullin;
por jo të Mjeshtrit, i cili përshtatet
si në mjedisin me zhurma
ashtu edhe me qetësinë.
Në kundërshti të rregullave
ai tha një ditë:” “Qetësia
nuk është mungesa e zërave,
por mungesa e vetvetes.”
 
 
IDENTITETI
 
-Si mund ta ndjesh veten
bashkuar me Zotin?
“Sa më fort ju përpiqeni
Aq më tepër distancë krijoni
Midis Tij dhe vetes.”
-Përse e gjithë kjo
Për një distancë?
“Kuptoje se nuk është atje”
-Mos kjo nënkupton se
Zoti dhe unë jemi një?
“Jo një – Jo dy.”
-Si është e mundur kjo?
“Dielli dhe drita
Oqeani dhe valët
Këngëtari dhe kënga
- Jo një. Jo dy.”
 
 
MEDITIMI
 
Përse na duhen Mjeshtrit
Pyeti një vizitor
Njërin nga dishepujt?
“Nëse uji do nxehet
Ai kërkon një varkë
Si ndërmjetëse
mes zjarrit dhe vetvetes.”
Ishte përgjigja.
 
 
AUTENCITITETI
 
Mjeshtri kurrë nuk impresionohej
nga diplomat dhe titujt
ai shihte njeriun dhe
jo certifikatat.
Një herë u dëgjua të thoshte
“Kur ju keni vesh të dëgjoni
zogj tek këndojnë, nuk keni nevojë
të shihni kredencialet e tij”.
 
 
LIRIA
 
“Si mund të jem i lirë?”
“Vëreni me kujdes kush ju pengon ju”
tha Mjeshtri.
Dishepulli u kthye pas një jave
e tha:- “Asnjë nuk më pengon mua.”
“Atëherë pse pyet për çlirimin?”
Ky ishte çasti kur i paqarti dishepull
menjëherë u gjend i lirë.
 
 
FATKEQËT
 
Mjeshtri tha se një shkak pse njerëzit
ndjehen fatkeq sepse mendojnë
se nuk kanë asgjë për të ndryshuar.
Atij i pëlqente historia e një burri
i cili i ankohej një shitësi “Kjo radio
ma ofruat ka një kualitet zëri
të përsosur, por unë dua ta shkëmbej
me një tjetër që ka programe më të mira.”
 
 
E VËRTETA
 
Mjeshtri pohonte se ajo çfarë
gjithë bota e mban të vërtetë, është false
kështu dhe ithtarët e saj, zakonisht
gjenden në pakicë. Ai thoshte:
“Ju e mendoni të vërtetën
si një formulë që merrni nga një libër.
Nëse ju doni ta ndiqni të vërtetën
duhet të mësoni të ecni të vetmuar.”
 
 
Shqipëroi: KOLEC P. TRABOINI
© Traboini Shqipërime 2010-2022

06 July 2022

🟧 Pse nuk del populli në fotografi?- nga K. P. Traboini


PSE NUK DEL POPULLI NË FOTOGRAFI?!

Nga K. P. TRABOINI

       Dihet që fotografia nuk është një zbulim krejt i rastësishëm dhe nuk mund të shpjegohet, fjala vjen, me një metaforë si në rastin e "Mollës" së Njutonit. Fotografia është sintezë jo vetëm e zhvillimit që kish marrë shkenca, por edhe konkretizim i një dëshire të vjetër lindur bashkë me njeriun. Njihen vizatimet apo gravurat nëpër shpella të ruajtura që nga kohët më të hershme që nuk kanë histori të shkruar. Në to njeriu përpiqej të krijonte imazhin e vet dhe të mjedisit që e rrethonte. Gjatë historisë, njeriut, duke e ditur se ishte i vdekshëm e pas tij kurrgjë nuk do mbetej, filloi t'i ndizej dëshira për të lënë imazhin e vet tek ata që pas tij do të jetonin, pra në një farë mënyre, lindi dëshira e mbijetesës ose më tej e pavdeksisë nëpërmjet imazheve. U zhvillua piktura, e cila, në fillimet e veta, kryente funksionin e paraqitjes reale, dhe për këtë sot ruhen nëpër galeri kryevepra me një autentitet të jashtëzakonshem. Si të thuash piktura luante rolin e asaj që luan fotografia sot. Njeriu me pikturën më se fundi gjeti të mishëruar ëndrrën e tij për të mbetur i përjetësuar. Falë talenteve të mëdha të artit figurativ, ne sot kemi nëpër galeri familje mbretërore, dinjitare të lartë, kardinalë e peshkopë, kryeministra markezë kokëlartë e kontë që historia i ka harruar, por në art kanë mbetur. Pra, në një farë mënyre, ata e kanë siguruar përjetësinë qoftë dhe në mënyrë të tërthortë. Dalja e fotografisë e çliroi artin e pikturës nga detyrimi për të qenë autentik, pra e ridimensionoi në pikëpamje estetike. Por qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të merret me estetikën e artit figurativ, por thjesht se si janë përdorur këto arritje të zhvillimit të njerëzimit për qëllime ambicioze, lavdidashëse e madje utilitare, a të leverdisshme për kohën, çfarë sot mund ta quajmë biznes. Fillimisht, dua të sjell një shembull se si një njeri i thjeshtë në kohë të monizmit, arrinte që teknikën e fotografisë ta përdorte në mënyrë mjeshtërore për qëllime utilitare. Shkonim me shërbim për filmime kronikash në veri të Shqipërisë. Diku andej nga Bulqiza, makinën me ekipin e xhirimit e ndalon një polic rrugor, i cili i thotë grupit se mëqe shoku P.., anëtar i Byrosë Politike, do të kalonte përballë, duhej të ndalonim në kënd të rrugës sa të kalonte "Benzi" i udhëheqjes. Operatori ynë, një rrufjan i shkathët, sa i përmendën emrin e shokut P.., nxorri kameran bashkë me një aparat fotografik. Kameran e hodhi në qafën e vet dhe aparatin e rrasi në qafën time, duke më porositur që ta kisha në gatishmëri se duhet të bëja një fotografi patjetër. Polici, kur e pa operatorin me kamera, jo vetëm mbeti i kënaqur por i shprehu dëshirën që edhe ai të xhirohej në film. Pritja nuk vazhdoi gjatë e në krye të rrugës doli "Benzi" i zi me shokun P.. brenda. Një njeri me kamera në dorë në mes të rrugës e sugjestionoi jo vetëm policin, por edhe pasagjerët e rangut të lartë të "Benzit", i cili ngadalësoi shpejtësinë dhe për çudi ndaloi. Me sa duket, tundimit pannjerëzor për t'u përjetësuar në celuloid, nuk i shpëtoi as udhëheqësit truplartë, i cili zbriti nga makina dhe na dha dorën të gjithëve, ndërkohë që kamera e operatorit tonë rrufjan, nisi të bënte zhurmën karakteristike të filmimit. Pastaj udhëheqësi nisi të shihte peizazhin malor.  Operatori i shkathët iu afrua plot mirësjellje e i shprehu dëshirën që të bënte një fotografi së bashku. Me fjalën ‘sëbashku’, ai kishte parasysh veten e tij dhe shokun P... Unë në gatishmëri, sipas porosisë, e shtypa disa herë sustën e aparatit fotografik. U ndamë me udhëheqësin e lartë dhe makinat shkuan në drejtime të ndryshme. Meqë mbaja përgjegjësi për çdo pëllëmbë film (për kursimin e filmit që thuhej blihej me valutë - të tjerë thonin me presh - kishim presione të jashtëzakonshme nga drejtoria), i shpreha pra shqetësimin se si do ta justifikonim këtë shpenzim jashtë planit të xhirimit. Operatori që kishte besim te unë, më shkeli syrin e, si m'u afrua, më tha në vesh që të mos dëgjonte shoferi: "E kisha kasetën bosh". "Po pse e inskenove këtë ndalesë", e pyeta i shqetësuar. Si më tregoi aparatin fotografik, plotësoi mendimin me fjalë "për fotografinë". Natyrisht, unë ende nuk po e kuptoja krejtësisht qëllimin e tij, por shumë shpejt do të qartësohesha gjatë një xhirimi në Margegaj të Tropojës, kur operatori nxorri një vandak fotografish dhe nisi t'ia tregonte kryetarit të kooperativës duke bërë shpjegimet përkatëse se këtu kish dalë me shokun Mehmet, këtu me shokun Kadri, këtu me të paharruarin shokun Hysni, e kjo e fundit me shokun Pal, …e si mbaroi inkursioni fotografik iu kthye e i tha hapur kryetarit. "O kryetar, po vjen Viti i Ri e ngelëm pa bakllava sivjet". "E ke fjalën për arra?" - e pyeti kryetari. "Tani edhe për ndonjë dorë fasule kemi nevojë, se gështenja kemi gjetur", u përgjigj hazërxhevap bashkëbiseduesi. Operatori i rregulloi punët ashtu si diti dhe unë që kisha pasione të tjera dhe që vrisja mendjen për letërsinë dhe estetikën, nisa të kuptoj se kishte një shmangie të madhe nga ambicia e hershme e njeriut për të ngelur i përjetësuar në fotografi. Me sa duket, koha i kishte sjellë fotografisë funksione të reja. As do ta vrisja mendjen fare për këtë episod që mund të përbënte zanafillën e një subjekti për një tregim satirik, sikur të mos vija re se në restorantin e një shqiptaro-amerikani të shquar, si në biznes dhe në atdhetarizëm, kishte një mori fotografish të varura nëpër muret e hollit të restorantit, ku pronari kishte dalë me presidentë, senatorë, ministra, yje të shquar të Hollivudit e madje edhe me dy presidentët shqiptarë Ramiz Alia e Sali Berisha. Duke i parë këto korniza që përbënin një galeri historike e duke sjellë ndërmend xhepin e mufatun të operatorit të filmit, tashmë nuk kisha kurrfarë dyshimi se këtu nuk kishim të bënim me temën e një subjekti satirik.   Brenda ngjarjeve nuk kishte dhe aq humor se sa matematikë racionale interesash materiale. Secili prej të dy këtyre shqiptarëve, në sisteme të ndryshme, në vende të ndryshme dhe mundësi të ndryshme, përdornin artin fotografik për një qëllim praktik e shumë të dobishëm, për interesin apo biznesin e tyre, natyrisht sipas mundësive e rrethanave ku ndodheshin. E këtu, nisa të bindem se nuk ka gjë për të qeshur as për të stigmatizuar. Por edhe ndaj këtyre dy përngjasimeve do të kisha mbetur indiferent, sikur të mos më vinte njoftimi, nga disa bostonianë republikanë, që përkundrejt një shume prej dymijë dollarësh, unë si qytetar amerikan tashmë, mund të isha pjesëmarrës në drekën e presidentit Bush që organizonte në ditët e marsit e ku do të mund të dilja edhe në fotografi personalisht me të, sepse kështu e kishte protokolli i këtij takimi në kuadrin e fushatës elektorale presidenciale të nëntorit 2004. Isha i bindur se sikur ai operatori, miku im i vjetër i filmit, të jetonte në Boston, do ta sakrifikonte dymijë dollarëshin, por unë as e vura ujin në zjarr për atë punë. Aq më tepër se presidenti, duke më lejuar të bëja një foto me të, do të realizonte biznesin e vet elektoral, por mua, që nuk kisha kurrfarë biznesi, nuk më tundonte ambicia të shkundja xhepat. Por edhe këtë rast të tretë do ta kisha lënë në heshtje dhe harruar, po të mos qenë vandaku i artikujve të gazetave shqiptare mbi ambiciet e kryeministrit shqiptar, për të dalë në një fotografi nderi me presidentin amerikan, të cilin, sipas gazetave, kryeministri Nano do ta përdorë si kartë për reputacionin publik në rënie dhe pse jo, në zgjedhjet e pritshme parlamentare në Shqipëri. Me kureshtje të ngacmuar u futa në kanalet e internetit dhe më së fundi e gjeta fotografinë Nano-Bush. Për një çast e humba fare. M'u duk se fotografinë e kisha bërë unë këtu e njëzet e pesë vjet më parë... M'u bënë lëmsh kujtimet me realitetin. Bushi truplartë - Nano trupshkurtër, Bushi solid - Nano i mbledhur krruspull në gji të Bushit... Mirëpo këto mendime shumë shpejt m'u daravitën sepse nisa të mendoj me qetësi. Fundja të dy në rolet e tyre të biznesit janë. Bushit i intereson për momentin jo vetëm popullariteti e përkrahja e brendshme (që aq fort i ka rënë tash së fundi) por edhe përkrahja e jashtme (tani po përgatiten 200 ushtarë shqiptarë të shkojnë në Irak), prandaj dhe ajo "zhgrrap" në celuloid, në një farë soji, ia bën punën Bushit. Por kryeministrit shqiptar ajo "zhgrrap-je" e blicave të aparateve fotografike ia bën punën akoma më mirë. Shumë më tepër madje. Pra, në fjalë të fundit, edhe Presidenti amerikan edhe kryeministri ishin në të drejtën e tyre dhe në bizneset e veta. Prandaj çfarë kanë gazetarët e gazetat që grinden?. Kur e bën Bushi, si të mos e bëjë Nano?! Kur Bushi në Boston ia afroi këtë privilegj çdo bostoniani, duke përfshirë dhe shqiptaro-amerikanët, për dymijë dollarë, si mund t'ia mohonte kryeministrit shqiptar, apo të tjerëve që vinë në Amerikë në festat e lutjeve e që paguajnë ku e ku më tepër. Fundja biznes dypalësh është. Paçka se paratë e Nanos (nëse ka paguar) nuk i mori Bushi për fushatën e zgjedhjeve, por kompanitë e fluturimeve ajrore, të hoteleve e restoranteve të shtrenjta amerikane që e përkrahin mbase Bushin e jo Xhon Kerrin gjatë zgjedhjeve. Ja pra, që fotografia ka dalë qoftë nga dëshira e vjetër njerëzore e përjetësimit pas vdekjes, por edhe nga qëllimi i thjeshtë i një kujtimi, duke u ngjitur në shkallët më të larta të biznesit, ku një foto shkon 2000 dollarë për amerikanët, por për funksionarët shqiptarë të rangut të lartë që bëjnë varavingo nëpër botë (jo vetëm Nano), paguajnë dhjetra herë më shumë. Kush i paguan këta dollarë, do të thoni ju? Populli shqiptar i paguan, kush tjetër. Për këtë është populli, për të paguar. E nëse ky popull (sipas Brehtit) nuk pranon të paguajë për foto-bizneso-maninë e qeveritarëve, le të ikë, le të sjellim një popull tjetër. Se presidentët, kryeministrat e kryetarët e partive kurrsesi nuk mund t'i ndërrojmë. Fundja me presidentin amerikan në fotografi tashmë janë udhëheqësit, e populli nuk është kurrkund. Vërtet, ku është populli? Pse nuk del në fotografi populli? Pse fshihet populli?!

 Botuar në librin "E vërteta përveluese e Aristidh Kolës", ese, Boston 2005

30 December 2021

🟦 Një milioner amerikan në Shqipëri 1911- nga K. P. Traboini


NJË MILIONER AMERIKAN NË SHQIPËRI NË VITIN 1911
( Amerikani Charles Richard Crane që dha gjysmë milioni franga për malësorët shqiptarë nuk kujtohet dhe Evlija Çelebiu Osmanlliu që nderohet nga turkoshakët në Shkodër)
 
Nga Kolec P. Traboini
 
Charles Richard Crane (1858–1939) bir i një industrialisti amerikan në Cikago, që ndihmoi në zgjedhjen e presidentit Woodrow Wilson's 1912, në pranverë të vitit 1911, kur vazhdonte Kryengritja e Malësisë së Madhe, kishte bërë një vizitë në Shqipëri duke e shëtitur atë nga Jugu në Veri i shoqëruar nga roje vullnetare shqiptare dhe në maj të vitit 1911 kaloi nga Shkodra dhe doli në Mal të Zi. Interesant është fakti se qeveritarët turq në Stamboll e kishin këshilluar Charles Richard Crane të merrte truproja me ushtarë turq se Ballkani ishte i rrezikshëm, mirëpo pasi që u këshillua me njerez me influencë, i thanë mos gabo të marrësh shoqërues turq. Kur të hysh në troje shqiptare kolonat turke do të sulmohen dhe asgjësohen prej shqiptarëve dhe i sugjeruan të marrë grup rojesh vetëm shqiptarë, të cilët ishin besnikë dhe të fortë në qëndresë. Dhe ashtu bëri. Që këtu fillon një miqësi e tij e madhe me shqiptarët që i qëndruan besnike deri në fund. Që kur hyri në Janinë e deri në Podgoricë ai dëgjonte të flitej e të këndohej vetëm shqip. Në Podgoricë atë kohë kishte mbi 20 mijë malëorë shqiptarë të ikur nga shtëpitë e veta për shkak të ekspeditës mizore të Shefqet Turgut Pashës.
Charles R. Crane së bashku me Edith Durham në Podgoricë shkuani për t’i parë nga afër refugjatët shqiptarë.
Sipas deklarimeve të Edith Durham në shtypin e kohës shkruhej:
“Në Podgoricë ai ( Ch. R. Crane) pa me sytë e tij të ikurit nga Malësia, gra, fëmijë dhe pleq, afër 20 mijë shpirta që po vuajnë për ushqim, për mbulojë dhe ilaçe. Charles R. Crane i kishte dorëzuar 500.000 franga Edith Durham, në ndihmë të ikurve, ku me këto fonde u ndërtua një spital në Podgoricë për të plagosurit shqiptarë.”
Shihet se interesi i amerikanëve për çfarë ngjante në Shqipëri ishte i madh. "New York Times" botonte reportazhe mbi luftën e kryengritësve shqiptare kundër zgjedhes otomane duke lavdëruar trimeritë e shqiptarëve si të ishin spartanë dhe mendohet se burimi i lajmeve ishte pikërisht Charles Richard Crane. Fakt është se presidenti Wilson në grupin e diplomatëve amerikanë që bënin pjesë në Konferencën e Paqes në Paris 1919 kishte zgjedhur edhe Charles Richard Crane, i cili i njihte shumë mirë problemet e kombit shqiptar dhe e admironte atë. Ishte fat i madh për shqiptarët që në atë konverencë u gjet ky mik i shqiptarëve. Presidenti amerikan u bë mbrojtësi i Shqipërise dhe në saj të asaj mbrojtje edhe me tej nuk u coptua Shqipëria. Padyshim për këtë ka meritë edhe Charles Richard Crane i cili meriton respektin e shqiptareve.
Ka ardhur koha të nderohet ky amerikan, mik i madh i Kombit Shqiptar. Mirpo ndodhin çudira në Arnautstan, amerikani Charles Richard Crane që e mbrojti Shqipërinë prej ujqërve ballkanikë të harrohet e Evlija Çelebiu Osmanlliu, kallamari i sulltanëve pushtues të nderohet nga turkoshakët e rinj me një rrugë në Shkodër.
Vesi më i poshtër në botë është mosmirënjohje. Dhe ky cilësim negativ dhe i përbuzëshëm po na ngjitet ne shqiptarëve të "besës" nga turkoshakët e rinj osmanllinjë që kërkojnë ta zhbëjnë kombin shqiptar. Mjerim! Mirë thoshte Konica, "kjo Shqipëri u bë për ti plasur zemra shqiptarëve". 
 
Spitali i shqiptarve në Podgoricë 1911 ndërtuar me paratë e Charles R.Crane

Rrugë në Shkodër me emrin e Evlija Çelebiu, kronikan i Sulltanit

30 dhjetor 2021

🟪 Kleri Katolik Shqiptar nga historia në mefshtësi - nga K.P. Traboini

KLERI KATOLIK SHQIPTAR NGA HISTORIA NË MEFSHTËSI

Nga Kolec P. Traboini

Kleri Katolik Shqiptar që ka një emër të madh në historinë e Shqipërisë për kontributet në mbrojtjen e shqiptareve nga asimilimi i plotë prej pushtuesve shekullore, sot shfaqet në nivelin më të ultë të veprimtarisë së vet baritore. Keqardhje është të shprehem kështu, por realitetit nuk kemi çfarë ti bëjmë. Niveli i punëve baritore ndër besimtarët katolikë shqiptarë është thuajse i pandjeshëm dhe më i ultë se sa në kohën e pushtimin 450 vjeçar osman ku shumë priftërinjve u ka ikur koka apo janë varur në litar pikërisht për përkushtimin e tyre në kauzë të shqiptarisë. Shembuj të dënimeve drakoniane janë të shumtë, por dhe guximi i meshtarëve ka qenë i paepur. Sot klerikët tanë katolikë nuk kanë as guximin të protestojnë, as të shtrojnë pyetjen publike se pse një rrugë në Tiranë mban emrin e vrasësit të 2 prej 38 meshtarëve të shpallur martirë nga Selia e Shenjtë, Dom Aleksandër Sirdanit dhe Dom Pjetër Çunit me 31 korrik 1948 në Koplik. Pse pra u bëni martirizimin viktimave dhe nuk protestoni që emri i vrasësit të tyre ti hiqet një rruge në kryeqytetin shqiptar. Pse ju meshtarët tanë të nderuar pranoni ti takoni këta qeveritar të paskrupullt që i kanë venë apo e kanë mbajtur me dekada atë emër vrasësi dhe nga ana tjetër duke u jargavitur vrapojnë të takojnë Papën, por edhe juve klerikëve shqiptarë, duke ju mashtruar në njëqind mënyra. Ju meshtarët katolike, veçmas ju që drejtoni komunitetin besimtar shfaqeni të mefshtë, me një tolerance të stisur madje deri në shpërfytyrim,  kur duhet të protestonit dhe detyronit këta qeveritarë të paskrupullt të zhduknin nga rrugët të paktën emrat e vrasësve të meshtarëve katolikë. E papranueshme kjo mefshtësi dhe kjo  bashkëjetesë me imazhet e kriminelëve nëpër rrugët e Shqipërisë. Dua t’u kujtoj, më shumë lexuesve se sa ju se, edhe pse ishim në diktaturë komuniste priftërinjtë në Shkodër, jezuitë e françeskane, në vitet 50-60 deri sa institucionet fetare u mbyllën me dhunë nga komunistët, ishin shumë aktivë e të lidhur me popullin. Aq shumë ndikim e simpati kishin në popull, sa për Krishtlindje, por më shumë për Pashkë, në fëmini kam parë të vinin në Kishën e Madhe Katedrale edhe gra e burra myslimanë. Mesa duket qëndresa që po i bënin meshtarët katolikë udhëheqjes dhe dhunës komuniste kishte ngjallur simpati edhe tek njerëzit e besimeve të tjera. Dua te jap një shembull nga libri im "Saga Idromeno" botim i vitit 2021, f. 133. " ...mbledhja u organizua në vitin 1967 tek shkolla Pyjore për demaskimin e Imzot Çobës. Si kudo ndër ato mbledhje nuk munguan as shpifësit e spiunët, ku mbas duartrokitjeve të tyre, klerikët arrestoheshin e u viheshin prangat nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit që gjendeshin në sallë të veshur civilë. Por, krejt ndryshe ndodhi me Imz. Ernest Çobën. Kur është përgatitë terreni për arrestim në atë mbledhje, është çuar në këmbë shoferi trim Dedë Gjushi dhe deklaroi: “Sot nji këtu, nuk guxon kush me i vue prangat Imzot Çobës!” dhe më të vërtetë arrestimi nuk ndodhi siç kishin planifikuar. Akti i Dedë Gjushit mesa duket i tronditi ideatorët e arrestimit nga frika e reagimit publik. Respekti i shkodranëve për Monsinjor Ernest Çobën mund të tregohet nëpërmjet një shembulli tjetër mbresëlënës. Kinse për të gjetur një shkak për mbylljen e kishave në Shkodër, Sigurimi i Shtetit nisi të kërkonte shpifës nëpër qytet e shtëpi për shtëpi kundër Imz. Çobës dhe disa klerikëve të njohur. Kur ia kërkuan këtë gjë një gruaje myslimane, Adile Ashikja, ajo pa i lënë kohë vetes për t’u menduar ua përplasi: “Kam shkue me lypë tek Ai paret e bukës dhe Ai më dha ma shumë se i kërkova....Ju sot, kërkoni që bukën që më fali, me ia shpërblye me shpifje! Ai asht kenë dhe mbetët për mue një meshtar i nderuem i fesë katolike në Shkodër!” Kështu ishin meshtarët tanë. Kishin hyrë jo në shtëpitë por në zëmrat e njerëzve. E tash mjerisht pak kush po i njeh. Që të mos krijohet përshtypja e një tabloje krejt te zezë duam të vëmë në dukje se shembuj të admirueshëm ka. Padyshim dy figura spikatin, Dom Nik-Ukgjini me studime, por edhe me rindërtimin e Kishës se Ndre Mjedës në Kukël, një mrekulli kjo, por edhe Dom Gjergj Meta me analizat e tij në median shqiptare ku prek tema e trajton fenomene, që përbëjnë shqetësim në shoqërinë shqiptare fort e turbulluar. Dhe këto ndiqen me shumë simpati nga qytetarët shqiptar, që ta themi hapur pa dallim besimi. Janë në rrugën e hapur aq mrekullisht nga Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Fishta  të cilët admiroheshin njësoj si nga katolikët, myslimanët dhe orthodoksët. Mirëpo që të krijohet kjo frymë duhet qëndruar më pranë njerëzve dhe duhet menduar për një kategori të popullsisë, më vitalja e që shpesh janë indiferent ndaj religjioneve, të rinjtë. A dimë si ti afrojmë ata? Dhe si e ndjejnë veten ata në shtëpitë e perëndisë. Këto vatra besimi a janë qendra interesante apo të zymta si azile pleqsh? Kam marrë pjesë vitin e kaluar në një koncert me muzikë klasike në Kishën Katolike në rrugën e Kavajës në Tiranë dhe ishte një gjë e bukur. Kishin ardhur djem dhe vajza të reja dhe ato e dominonin auditorin. U dha nja koncert në Kishën Orthodokse, Katedrale në Tiranë. Shkova dhe aty, u ndjeva si të isha në Teatrin e Operës dhe baletit sepse salla e koncerteve ishte e re dhe e bukur. Po sa mendojmë ne që objektet e kultit t’i përshtatim në atë mënyrë që njerëzit të vinë me kënaqësi e të ndjehen mirë? Në rrugën e Kavajës kisha po krijon mjedise për tu bërë edhe si një qendër kulturore baritore dhe kjo është për t’u përshëndetur. Po a do të ketë sallë koncertesh ku të dëgjojmë muzikë klasike që ta themi hapur zanafillën muzika klasike e ka pasur ndër kisha. Albinoni ka qenë një prift organist. Dhe muzika e tij është e përsosur. Kush nuk do të dëshironte të vinte e të dëgjonte muzikë nga Albinon, Pachelbel, Bah, Hajden, Shubert, Moxart, Shopen, List, Bet'hoven e të tjerë. Ka shumë gjëra që nuk venë ashtu siç dëshirojmë, por të paktën të përpiqemi sa mundemi për tua bërë njerëzve jetën me të gëzuar dhe institucioni që ka misionin për t’u kujdesur për shpirtrat njerëzorë mund e duhet ta bëjnë ketë sa më mirë të jetë e mundur. Dhe të kenë kujdes nga kthetrat e pushtetarëve, të cilët i kanë humbur lidhjet me popullin. T’u rrinë sa me larg sepse do të ishte fatale nëse populli, besimtarët shohin të jeni luajal me ata që ushtrojnë një pushtet të dhunshëm e janë grabitqarë të pasurive të popullit. Mos i pranoni ata shtetarë apo nëpunës që vinë në Kishë me makina 200 mijë euro kur populli vuan, apo unaza,  varëse apo çanta 20 rroga mujore rroga të një punëtori të cilit i rrezikohet edhe jeta në punë ndërsa që ata në pushtet vjedhin hapur nëpërmjet lidhjeve me oligarkët e bandat kriminale. Po e bëtë këtë, po u plekset me miklimet e pushtetarëve hajdute, njerëzit do t’ju shohin ftohtë e do të thonë se edhe ata (pra ju),  janë pjesë dhe në aleancë me kastën mbrapsht qeverisëse që e rrjep popullin e vet dhe kësisoj besimtarët do t’ju braktisin e do t’i lënë shkret tempujt tuaj.

© k.p.traboini 2021

 Foto:
Kisha e Ndre Mjedës  në Kukël e rikonstrukturuar nën kujdesin e meshtarit e studiuesit Dom Nik-Ukgjini.