15 January 2021

🔴 Vlera e simboleve kombëtare, 16 janar 1991 nga K.P.Traboini

VLERA E SIMBOLEVE KOMBËTARE
Gazeta RD Nr. 3, f.4,  16 janar 1991

Ribotohet pas 30 vjetesh shkrimi i K. P. Traboinit:

-  Presidenti të zgjidhet nga populli
- Të hiqet data 24 maj 1944
- Të hiqen kallzat e grurit nga stema e republikës
- Të hiqet ylli nga flamuri kombëtar

Nga KOLEC TRABOINI

Çfarë do ti paraqitet Kuvendit të parë pluralist në Shqipëri? (në qoftë se do të jetë i tillë). A është ne dinjitetin e kombit që një grup pune të hartojë një kushtetutë dhe ajo të paraqitet në Kuvend me disa diskutime formale. Mos vallë ngjarjet e tanishme në vend po na bëjnë të harrojmë një detyrë kaq sublime?  Po të bëhet kjo,  atëherë nesër ne të gjithë do të ndodhemi përpara ligjeve të cilat nuk do të rrojnë ndoshta  as sa Kushtetuta e ’76. Pa marrë përsipër të zbërthej nenet e veçanta, detyrë tepër e vështirë që kërkon mendimin juridik të specializuar, do të përpiqem të shpreh disa mendime në aspektin e vlerës së simboleve kombëtare të paraqitura në Projekt-kushtetutë, e cila nga mënyra si është trajtuar do të çojë herët apo vonë në konfrontime mendimesh në auditorin e gjerë, por edhe në Kuvendin e ardhëm.Sot më tepër se kurrë në dobi të interesave kombëtare duhet të hartohet një kushtetutë me një jetë sa më të gjatë, e cila të përballojë jo vetëm gjendjen e ditës, por edhe për rrjedhimet historike në jetën kombëtare. Një kushtetutë që pasqyron vetëm interesat e një çasti, të një partie, nuk mund të ketë jetë të gjatë, ajo do të demaskojë vetveten duke u kthyer në një mekanizëm për të ruajtur një statukuo, apo ndoshta një sundim... Aq më tepër që ligjet humane i njohin njerëzit si qytetarë të lirë e jo si monopole partish qofshin këto edhe përparimtare.Të mos harrojmë se kushtetuta qindravjeçare amerikane i ka rrënjët edhe tek Abraham Linkolni, legjislatori i madh i të drejtave të njeriut. A nuk mundemi edhe ne,  pa imituar të tjerët, të ndërtojmë një kushtetutë në të cilën ngjarjet e ditës, sado te vrullshme, partitë që mund të lindin apo shuhen,  që mund të vinë në pushtet apo mund të largohen nga pushteti: individët që zotësia apo rasti mund t’i sjellë në krye të shtetit, të mos mund të lozin me këtë instrument të gjithëpushtetshëm, që shpreh sovranitetin e popullit.Duke lexuar projektkushtetutën ndodhesh para shumë pikëpyetjesh që gjithsecili  do t’i përgjigjej sipas mënyrës së vet.Pse i duhet kushtetutës një hyrje me një tirandë lavdesh për këtë apo atë forcë politike? Forcave politike meritat le tua shkruaj historia, që me pluralizmin politik hapi faqe të re për të gjithë – ndërsa faqet e kushtetutës që shprehin sovranitetin e popullit të jenë si gurë te latuar mirë.A nuk na lodhi lavdia?!Tek e fundit kombi ynë është një gjysmë trupi që po lëngon në të dy shtrirjet e tij... dhe po druhem se është çast fort i papërshtatshëm për t’i kërkuar meritat edhe po t’i kemi.E parë në aspektin simbolik shtrohen pyetje gjithfarësh, si duhet të jetë mjedisi ku do mblidhet kuvendi sovran i popullit? A duhen aty simbole ideologjike që bien ndesh me aspiratat e përfaqësuesve të ndryshëm të popullit, qofshin këta edhe në pakicë. Si duhet bërë që deputetët ta ndjejnë veten në kuvend të barabartë me partinë në pushtet që gjithnjë ka zënë presidiumet.Sistemi pluralist kërkon një kushtetutë tepër solide, pa ekuivokë, pa mundësi shpërdorimi. E parë gjithnjë në aspektin simbolik,  me të gjitha ato kompetenca që i jepen presidentit, a nuk po shfaqemi si një Republikë presidenciale, ku presidenti merr vlerat e simbolit të kombit, bashkë me atë të zotëruesit të pushtetit.Në qoftë kështu a nuk është në dobi të harmonisë, të mirëkuptimit, të unitetit mbarëkombëtar që Presidenti i Republikës të votohej direkt nga populli. Kështu çdo individ të shohë edhe simbolikisht në figurën e njeriut në krye të piramidës shtetërorë edhe vullnetin e vet.E dyta, që kjo figurë e cila shpreh edhe unitetin e kombit (neni 86), të rrokë simpatinë kombëtare, a nuk është më e përshtatshme që ai, që nga çasti kur zgjidhet president, me lirimin nga detyra e deputetit (neni 88), të zhvishet edhe nga çdo lloj hierarkie partiake, në mos të shkëputet fare nga veprimtaria e partisë të cilës i përket në çdo aspekt. Kjo do të sillte që qytetarët e vendit të mos dëgjonin në gojën e presidentit edhe fjalime që nuk mbrojnë interesa të përgjithshme, por mbrojnë interesat e një pakice, sikurse është partia e tij.A nuk do të çonte ky gjest i ligjëruar në kushtetutë në mendimin se presidenti mban balancën e drejtësisë kombëtare, se shteti nuk është më monopol partish?Do të ishte një fatkeqësi e re kombëtare në qoftë se historia e shkuar, të cilën nuk po marrim përsipër ta gjykojmë, të përsëritet qoftë dhe në mënyre të kamufluar.Një çështje mjaft delikate është se projektkushtetuta të jep idenë e një shteti me një moshë të re 47-vjeçare. Historia e kombit shqiptar, me gjithë fatin e tij tragjik nuk nis më 1944, por edhe në qoftë  se për disa ka nisur aty, nuk është në interesin mbarë kombëtar që ta qethim historinë sipas modës që vjen apo shkon, sipas erës që fryn nga lindja apo perëndimi...A mos kështu ushqejmë ata dashakeqës të kombit shqiptar që thonë se viti 1912 ishte një sajesë diplomatike?!Ne po luftojmë të njihet shteti i Arbërit, megjithëse vonë, tepër vonë; ne kemi datën simbolike 1444 me Kuvendin e Lezhës, kemi Lidhjen Shqiptare  të viti 1878, kemi vitin 1912, por edhe vitin 1924 kur Shqipëria ishte Republikë, prandaj a duhen ngushtuar sinorët e historisë së vjetër për hir të historisë së re. Është fjala për 24 Majin 1944 kur historia na gjeti në rikrijimin e një shteti në gjysmën e hapësirës kombëtare. Në qoftë se kohërat janë treguar të pamëshirshme në fatin kombëtar të shqiptarëve, ky nuk është një shkak  për të na u errur perspektiva, kjo nuk do të thotë se ne të ardhmen në Evropën e Bashkuar e shohim të mjegulluar si komb. Koniukturat politike ndryshojnë aspiratat kombëtare mbeten.Mbasi është fjala për stemën e Republikës, shtrohet pyetja pse shqiponja duhet të rrethohet me kallëza gruri, ç ‘shprehje kombëtare  merr kjo, mbase në atë kohë, gjysmë shekulli më parë  kishte shpjegimet e veta, por tani në prag të vitit 2000 gjërat kanë ndryshuar... Një stemë me kallëza a nuk është  pothuaj se e ngjashme me të gjitha stemat e vendeve të shtypura  të Europës Lindore nga diktatura staliniane në kuadrin e uniformitetit socialist.
Sa për atë se çfarë i duhet venë mbi kokë shqiponjës, një yll me pesë cepa (simbol i pesë kontinenteve) apo një përkrenare të Skënderbeut, siç u shpreh dikush në një bisedë, le ta lemë shqiponjën të lirë; sa më pak ta ngarkojmë me simbole partiake e ideologjike aq më mirë do të fluturojë ajo, aq më lart e aq më bukur.
 

 © Kolec P. Traboini


 

 

04 January 2021

🟥 Fati tragjik i nipave të Marash Ucit të Hotit - nga K. P. Traboini

FATI TRAGJIK I NIPAVE TË MARASH UCIT TË HOTIT

Nga KOLEC PALOK TRABOINI 


PUSHKATIMI I PALOK UCIT

Dihet se viti 1945 në Shkodër ka qenë kalvari më i përgjakur në historinë e këtij qyteti ndër më të lashtët në Europë, që rrezatonte për bujari, qytetërim e kulturë, por u përball me bishat e egra të komunizmit, të cilat vërshuan në këtë qytet ashtu siç vërshuan hordhitë e pushtuesit osmanë në vitin 1468. Kaluan shumë pushtues në këtë qytet, por mizoria e komunistëve në Shkodër nuk përqasej me asnjë. Komunistët e konsideruan Shkodrën e Malësinë e Madhe si tokë e pushtuar, prandaj çdo nocion i pretenduar për çlirim është vetëm një iluzion i pasardhësve të tyre, që ende krijojnë histori me ngjarje të paqena. Në një konferencë te Brigadës se Parë, në dhjetor 1943, Mehmet Shehu u kishte thënë forcave të tij “ Kur të shkojmë në veri do të marrëm hakën, nuk do të lemë shtëpi e njeri në këmbë!”. Dhe ishte pikërisht ky Mehmet Shehu që drejtonte masakrimet e popullsisë në Shkodër e rrethina, me ose pa gjyq. Muri i jashtëm i varreve të Rrmajit buzë lumit Kir, ishte vendi i ekzekutimeve masive dhe fatkeqësi është mos vrasje ndërgjegjes, sepse aty ende nuk kane ngritur një monument përkujtimor për qindra e qindra shpirtra shqiptarë, të shumtët mbetur edhe pa varr.
Nëpër vite pas rënies së komunizmit, asgjëkund nuk kemi gjetur ndonjë dokument a fotografi të Palok Ucit. Por kohët e fundit në Muzeun Historik Kombëtar Tiranë, është ekspozuar një dokument origjinal me firmën e shënimin e Enver Hoxhës. Aty është një listë me 9 persona për të cilët shkruhet "Aprovohet dënimi me vdekje për: Nikoll Toma, Zef Toli, Gjon Marku, Nikoll Keçi, Kol Gjeta, Gjek Gjoni, Nikoll Baçi, Kol Marashi, Palok Uci. Na njoftoni datën e ekzekutimit. Komandanti i Përgjithshëm, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha".
 

USHTRIJA NACIONAL ÇLIRIMTARE SHQIPTARE
SHTABI I PËRGJITHSHËM
Seksioni Juridik
Nr. 36 i rregj
Tiranë, më 15/ III/ 45


R A D I O G R A M
GJYKATËS USHTARAKE TË KRAHINËS USHTARAKE TË KORPUSIT II
SHKODËR

Përgjegje shkresës Nr. 6/121 datë 14/ II/ 45
Aprovohet dënimi me vdekje për Nikoll Toma, Zef Toli, Gjon Marku, Nikoll Keçi, Kol Gjeta, Gjek Gjoni, Nikoll Baçi, Kol Marashi, Palok Uci.
Na njoftoni datën e ekzekutimit.


VDEKJE FASHIZMIT - LIRI POPULLIT
KOMANDANT I PËRGJITHSHËM
Gjeneral Kolonel
(Enver Hoxha)
(vula e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë nacional-çlirimtare)
(firma e E. Hoxhës)


I fundit në listë është një 20 vjeçar nga Hoti me emrin Palok Uci, që është vëllai i nunit tim Prek Uci, i cili edhe ky ka qenë i burgosur politik dhe ka kryer vetëvrasje në vitet 80. Kësisoj do te shuhej përgjithmonë edhe kjo derë hotjane nga fisi i Marash Ucit, për të cilin ka shkruar mrekullisht Gjergj Fishta te "Lahuta e Malcisë". Duke qenë i interesuar për fatin e Palok Ucit, u përqendrova në këtë dokument origjinal duke e përqasur me çfarë ishte botuar në gazetën "Bashkimi" me datë 14 shkurt 1945. Në këto dy referime gjej mospërputhje në mes të dokumentit origjinal dhe publikimit në gazetë. Kjo qoftë sa i përket datës së ekzekutimit por edhe emrave të personave të ekzekutuar.
Enver Hoxha miraton ekzekutimin e 9 burrave katolikë, që mesa duket ishin përkrahës të kryengritësit antikomunist Dedë Shabani në zonën Bërdice - Malkolaj, ky i fundit i pushkatuar pa gjyq.
Sa i përket miratimit të dënimit me vdekje, supozohet se ekzekutimet tyre janë kryer nga Mehmet Shehu që ishte në Shkodër, o atë ditë kur Enver Hoxha e ka marrë radiogramin, pra më 15 shkurt 1945 ose të nesërmen e marrjes së radiogramit.
 

Mirëpo në gazetën “Bashkimi” të datës 14 shkurt 1945 shkruhet:
Nisi në Shkodër spastrimi i tradhtarëve.
Më 11 shkurt, n’ora 5.30, u pushkatuan këta tradhëtarë të dënuar nga Gjyqi Ushtarak i Korp Armatës së III-t: Hider Dyli, Shaban Dani, Taip Halili, që të tre ish këshilltarë të Bërdicës dhe pjesëmarrës me armë kundra Pushtetit të Popullit; Mark Nikollë Malaj, Kolë Llesh Leka e Gjon Tom Kolaj, që të tre nga Ivanaj, strehonjës të tradhëtorit Gjon Martini dhe pjesëmarrës me armë kundra Pushtetit të Popullit; Xhemal Mlika nga Lleshi, Palok Uci nga Hoti dhe Gjon Marku, Nikollë Keçi e Nikollë Baci, këta të tre të fundin nga Malkolaj dhe që të pesë strehonjës reaksionarësh të arratisur, bashkëpunëtorë me tradhëtarin Ded Shabani dhe pjesëmarrës me armë kundra Pushtetit të Popullit.
U dënuan me vdekje dhe dy tradhëtarë, ekzekutimi i të cilëve do të lajmërohet më vonë, porsa që të kryhet: Sulçe-Beg Bushati e Dom Lazer Shantoja, që të dy bashkëpunëtorë me okupatorin dhe armiq të deklaruar të popullit.
U dënuan me tridhjetë vjetë burgim: bashkëpunëtorë me tradhëtorë kundra Pushtetit të Popullit Nikollë Toma, Zef Toli, Kolë Gjetja, Gjok Gjoni, Kolë Marashi, Gjeto Toli, Preg Kola, Gjok Gjini, Tom Zefi, që të nëntë nga Malkolaj; Jak Lushi, Rrok Gjushi, Gjon Pjetri, që të tre ish-këshilltarë të Beltojës; Lal Meti, Kolë Marku, që të dy ish-këshilltarë të Trushit; Dan Velija, Shaban Dini, Martin Lorja, Faik Lani, Kin Shuku dhe Kol Gjoka, pesë të parët nga Bërdica dhe i fundit nga Ivanaj, si strehonjës të Sylçe Begut;...”


Siç shihet gazeta “Bashkimi” shkruan me datë 14 shkurt 1945 se me datë 11 shkurt 1945 në ora 5 e 30 u ekzekutuan 11 persona ndër te cilët citon edhe 4 nga lista prej 9 personash që Enver Hoxha miratonte për ekzekutim, pra Palok Uci, Gjon Marku, Nikoll Leci dhe Nikoll Baci. Çfarë të tërheq vëmendjen është se 5 emrat e tjerë në listën me firmën e Enver Hoxhës, Nikoll Toma, Zef Toli, Kol Gjetja, Gjok Gjini dhe Kol Marashi, gazeta “Bashkimi” i raportohen me 30 vjet burg. Pra tjetër urdhëron për pushkatim Enver Hoxha dhe tjetër raportohet në gazetën e Frontit komunist. Nuk jemi në gjendje të bëjmë verifikimin, u pushkatuan të 9 sipas urdhrit të Enver Hoxhës apo nuk u pushkatuan sipas variantit të gazetës “Bashkimi” por iu dhanë nga 30 vjet burg.
Por çfarë është më e pashpjegueshme në këtë lojë kriminale vrasësish të paskrupullt është se Enver Hoxha shkruan në autorizimin për ekzekutimin e 9 burrave “Në gjegje të letrës tuaj të datës 15.II. 1945”, kur gazeta një ditë më parë kishte raportuar se me datë 11 shkurt, pra një muaj më parë se të miratohej pushkatimi, ishin ekzekutuar 11 vetë Hider Dyli, Shaban Dani, Taip Halili, Mark Nikollë Malaj, Kolë Llesh Leka, Gjon Tom Kolaj, Xhemal Mlika, Palok Uci, Gjon Marku, Nikollë Keçi e Nikollë Baci, pra në mes të tjerëve edhe 4 nga lista e urdhrit të Enver Hoxhës.
Mos vallë në këtë lojë të ndyrë kriminelësh të paskrupullt, Enver Hoxha i kishte dhënë “karta bianka” Mehmet Shehut dhe ky ekzekutonte si ti shkrepej në Shkodër e rrethina dhe më pas i rregullonin letrat në arkiva, kinse të mjerëve u ishte bërë gjyq i rregullt dhe ishin ndjekur të gjitha normat ligjore?

 

VARRI I PALOK UCIT, QË PALOK PRELA E MBAJTI SEKRET PËR 45 VJET

Palok Uci ishte i pamartuar. I vëllai i tij Prek Uci, i shkolluar në Akademinë Ushtarake në Jugosllavi, dalë oficer, por që e kishte braktis karrierën për të jetuar në Shqipërinë amë, dhe komunistët me të hyrë në Shkodër e kishin burgosur. Nana dhe baba në moshë të madhe, ishin në Traboin të Hotit dhe njëra motër që ishte e martuar në Kastrat nuk dinte çfarë bëhej në Shkodër.
Një i ri nga Traboini i Hotit, Kol Nica, kishte qenë edhe ky bashkë me Palok Ucin me grupin që drejtonte Ded Shabani i Berdicës, një nacionalist ky që bënte rezistencë kundër komunistëve. Kol Nica kishte një dorë të dëmtuar dhe e kishte vështirë të përdorte armen, prandaj grupi ku qe Palok Uci e këshilluan të mos i bashkohej atyre, por të shkonte në shtëpi se ishte punë me rrezik për atë në kushtet kur komunistët përgjonin kudo. Një ditë, kur kishte shkuar te kisha e Shirgjit, Kol Nica ka dëgjuar predikimin e priftit, ku ndër të tjera ka thanë se 9 burra ishin arrestuar prej komunistëve dhe pritej tu bëhej gjyqi. Atëherë Kol Nica ka dalë e shkuar në Shkodër ku ka takuar shumë hotjanë duke i tregu se edhe Palok Uci nga Traboini i Hotit ishte burgosur e do të nxirrej në gjyq. Duke e ditur se Palok Prel Vuçetaj e kishte pas mik të afërt, i ka tregu edhe atij. Që atë ditë Palok Prel Vuçetaj e ka ndjek përditë fatin e mikut të tij në burg. Ka ndjek edhe zhvillimin e gjyqit deri ditën që nëntë burrat i kanë pushkatuar në Zall të Kirit, mbështetur pas mureve të varrezave ë Rrmajit.
I pikëlluar ai mori rrugën për në anën lindore të varrezave të Rrmajit, atje ku shkonin e vinin plot njerëz. Pranë murit të jashtëm qëndronte një ushtar me pushkë në dorë dhe nuk i linte njerëzit ti afroheshin shumë afër kufomave. Por për ti pa kishte urdhër që ti linte. Qëllimi i komunistëve ishte të terrorizohej populli i Shkodrës ndaj kishin vendosur ti linin për disa ditë të ekspozuar. Palok Prela ndërroi duhan me ushtarin që e kishte thuaj moshatar. Nuk nisi bisedë i pari veç rrinte gati për të fol me të sapo ti vinte rasti. Kur u pakësuan gjindja, ushtari e pyeti se a kishte ndonjë të afërm të familjes ndër të pushkatuarit.
-Jo, i tha Palok Prela.- Veç kojshi. Jena nga Hoti. Po ty nga të kena.
Ushtari i tregoi se ishte nga jugu dhe e pyeti se cili ndër këta është bashkëfshatari yt. Palok Prela nuk po dinte me e njoftë mikun e vet të pushkatuar sepse fytyrat e të vrarëve ishim shpërfytyruar nga se ishin qëlluar në kokë.
-Nuk po e njoh -i tha ushtarit.
Në mur kishin vendos një listë me emrat e të ekzekutuarve.
-Emrin e ka, - tha Paloka - por, se cili asht nuk po vjen në hatër. Moshatar me ne ka kenë edhe ai.
Ushtari dukej se ishte njeri i mirë, ndaj Paloka i tha:
-Po sikur ta njoh a thua po më le ta varros të mjerin, se kështu nuk lihet njeriu.
Ushtari ishte me dy mendje.
-Siç janë bërë këta,- tha,- përmbys njeri mbi tjetrin, kush nuk e merr vesh sa janë. Njihe një herë e pastaj të shohim se edhe dy-tre ditë janë këtu e do ti heqin.
Palokës i shkrepi një mendim e i tha ushtarit me gjysmë zëri.
-Tash kam me shkue me taku nanën e këtij të mjeri. Mbase me jep ndonji shenj dalluese. Ushtari e pyeti se ku ishte nëna e këtij të mjerit e Paloka i tha, në Traboin të Hotit matanë kufinit. Ushtari, qe i pëlqeu biseda me Palok Prelën, u çudit dhe duke shpreh habinë, i tha se po mbërrite me shkue e me ardhë, tash e rregullojmë atë punë.
-Nesër a masnesri gjall a vdek ktu më ke, - i tha Paloka.
Ushtari i buzëqeshi me mirësi e i tha që të vinte kur të binte mbrëmja e jo ditën.
Ajo fije shprese e bëri Palok Prel Vuçetën të fluturonte. Prej Vorreve të Rrmajit u ndal pak kohë në shpi dhe mori rrugën për në Hot. Një ditë e një natë pa u ndal kurrkund më mjafton, i tha vetes. Por as vetë nuk e mori vesh kur u gjend në Bajzë të Kastratit. Ishte natë. Ndaloi te pusi, gjeti vlakun prej llastiku dhe litarin dhe mbushi ujë. E kishte tha etja. Piu sa mundi dhe hodhi ujë në fytyrë. Ndaloi veç pak sa me pushue, hëngri bukën që kishte marrë me vete dhe u nis drejt Hotit. Palok Prela, ma vonë, nuk i hynte shpjegimeve të gjata për mundimet e rrugës, se të gjallit i bahet dermani, por i vdekuni ik e shkon e nuk kthehet ma, thoshte shpesh.
Në shtëpinë e Ucajve të Hotit Palok Prela tregoi ç’ka kishte ngja dhe zemra e nanës e dinte dhimbjen që hiqte.
-Ku-keja unë, tha nana, ma kanë vra djalin. Kujt ja pata gjakun borxh, e lotët rrëkajë burrneshes së Hotit.
-Kam ardhë, -i tha Paloka, se du me e varros që të mos shkoj i hupun.- Pastaj vazhdoi,- a po me tregon ndonji shenj dalluese se ftyrat ua kanë prish e nuk njihen.
Nana i tha:
-Djali, kur ka kenë në djep, asht rrokullis e ka ra mbi tamel të përvlum. E ka pas nji djegie në krah të majtë, shej që nuk i ka ik kurrë.
Kaq ka dashtë Palok Prela.
-Nanë,- i tha, -unë tash po iki. Me ndihmë të Zotit e hatrin tand kam me mbrri në kohë. Nana i vuni bukë me vedi e Palok Prela msyni errësinën. Në ato çaste gja në botë nuk donte veç me mbërri në Shkodër e me e varros Palok Ucin. Është vështirë me shpjegua se si ka mbërrit, aq ma tepër se ai kurrë nuk e ka konsideru si sakrificë por detyrim si hotjan. Tërë ditën udhëtoi në kthim. Kur ka ra nata në Shkodër ai ka qenë në Dobraç dhe është drejtu për në Rrmaj. Akoma qielli kishte dritë, por një vegim i kaltër që sa vinte e bëhej blu e ku nisin të feksnin yjet. Ka dalë para ushtarit e i ka thane:
- Erdha unë.
-Prej Hotit?- i tha ushtari.
- Bash prej Hotit.
-A gjete gjë.
-Po,- i tha Palok Prela, - veç më len pak me i pa në dritë të çakmakut.
-Vazhdo gjeje shpejt – tha ushtari- se nesër herët pa dalë drita do ti groposin diku. E në errësirë nuk ka me i numëruar kush.
Palok Prela ka bërë atë që vështirë është edhe ta mendosh. Ka nis të zhvesh të vdekurit në pjesën e shpatullës së majtë. Nëntë burra të pushkatuar ishin aty. Pasi kontrolloi katër trupa, vuri re se i pesti kishte djegien në lëkurë siç i kishte thanë nana në Hot.
-Ky asht - i tha ushtarit.
Ushtari u mendua pak e tha.
-Me këto që bërë ti për këtë njeri tregon që ju hotjanët jeni burra të sakrificës e të besës. I falur të qoftë.
-Nuk ta harroj kurrë se të kem jetë, o ushtar,- ju kthye Palok Prela, e vazhdoi, - ky rrezikzi ishte vetëm 20 vjeç.
Aq ishte dhe Palok Prela. Aq edhe ushtari,
Palok Prela e ngriti kufomën e Palok Ucit në krahë dhe e vendosi sipër murit. Ushtari e përshëndeti dhe e porositi që veç fjala të mos dalë se edhe atë mund ta vinin në plumb.
-Fjalë Hoti – ja ktheu Palok Vuçeta ushtarit që u largua diku ma andej kinse nuk po shihte çfarë po ndodhte.
Palok Prela u hodh mbi mur dhe ashtu në errësirë zbriti në krahun tjetër brenda varrezave. Mori kufomën në krah­­­­ dhe u nis drejt një çinarit të madh. Gjeti një vend të lirë. E mati me hapa largësinë prej trungut. Nxori një lopatë ushtari me bisht të shkurtër e nisi të gërmojë. Por me kujdes për të mos bërë shumë zhurmë. Për fat toka ishte e lagësht. Punoi rreth dy orë deri sa e hapi gropën. Gjithnjë me mendimin se nëse do të lindte nevoja me e njohtë të kishte disa shenja dalluese, nisi të kërkojë përreth. Gjeti diku një pllakë betoni dhe e vendosi në fund të gropës. Mandej zbriti me kujdes kufomën, hoqi pallton e vet dhe ja hodhi përsipër. Në xhep të saj kishte një rubë me një dorë dhe prej shtëpisë së Ucajve të Hotit. Ja kishte dhënë nëna amanet. Pastaj e mbuloi kufomën me dhe.
Në fund tha një uratë, bani kryq dhe u nis për të dalë, por nga krahun perëndimor i varrezave që edhe sikur dikush ta shihte të mos krijonte dyshime. Pa ra në sy rrugicë në rrugicë shkoi në shtëpi. Lau duar e fytyrë. As i hahej e as i pihej. Ra i vdekur për gjumë me mendimin se askujt në botë nuk do ti thoshte se çfarë kishte ndodh atë natë.
Të nesërmen çoi një mik të vetin për të pa çfarë ishte ba me të pushkatuarit. Në kthim miku i tha se në mëngjes pa dalë drita, i kishin hup diku në një gropë të përbashkët, por se ku askush nuk e dinte.
-Ja mbrrita, desh Zoti, - tha Palok Prela me gjysmë zani.
-Po çka mbrrite,- i tha miku i vet.
-Kurrgja, more. Se si më doli fjala.
Atëherë Palok Prel Vuçeta u qetësua. Pas një muaji a dy, shkoi në varreza një të dielë kur kishte shumë njerëz. Kaloi pranë çinarit të madh. E mati me sy vendin dhe e nguliti në kujtesë për të mos e harruar kurrë. Bari kish nisur të dilte. Që të mos e zinte ndokush atë vend për varr, mblodhi diku disa gurë e i vuri te koka. Në këtë vend erdhi nëpër vite dhe gur pas guri i dhe formën e varrit. Por askujt në botë nuk i tregoi çfarë kishte ndodhur dhe ku e varrosi Palok Ucin e pushkatuar. Gjithsekush mendonte se ishte në varr të humbur. Kur varrezat e Rrmajit u ndaluan për të bërë varrime të reja, pas vitit 1968, Palok Prel Vuçeta, që punonte si murator, bëri kujdes që të mos humbte varri i Palok Ucit. I vuri një kryq druri, por emrin nuk guxonte t’ia shkruante mbi varr.
Kështu për 45 vjet deri më 1990. Tash kishte ardhur koha për ta tregu varrin te familjarët e Palok Ucit. Palok Prela mori rrugën për në Kastrat e drejt e në shpi të Rudajve, të motrës se dy vëllezërve Uci, Maries. Se ajo kishte mbet. Takoi djemtë e saj Noshin e Zefin, i mori me vete e shkuan drejt e në Rrmaj. U drejtuan te çinari i madh dhe u tregoi një muranë por pa emër të vdekuri. Këtu keni Palok Ucin, u tha. Tash amanetin e të vdekunit po ja la ju. E kam majtë të fshehte kaq vjet e tash erdhi koha me dalë në dritë e vërteta.
Kur hapën vendin u gjetën eshtrat e Palok Ucit. Mbas do kohë, në vitin 1999, nipat ndërtuan një varr solid, sollën aty edhe eshtrat e Prek Ucit që kishte vrarë veten dhe e kishin varrosur në varrezat publike në Golem dhe i bënë bashkë të dy vëllezërit. Motra e tyre la amanet që kur të vdes ta varrosin edhe atë aty në varr me vëllezërit e saj. Motra Marie vdiq pas gjashtë muajsh. Tani të tre pushojnë në Rrmaj, aty diku pushon edhe Palok Prel Vuçeta, që bëri një akt human të paharruar duke i lënë emër të mirë vetes, fisit dhe mbarë Hotit.


VETËVRASJA E NUNIT TIM PRENK UCI

Hot i Ri, është fare pranë qytetit të Shkodrës, në verilindje të saj e shtëpitë e para të fshatit nisin diku mbi Stom Golem. E ngritën hotjanët e ikur prej trojeve të veta në Hotin e vjetër në Mal të Zi. Sipas kësaj mënyre riemërimi, janë krijuar edhe Gruda e re e Shtoji i ri. Në Hot të Ri kishim shtëpinë tonë, që kur u krijua fshati. Im Atë e ndërtoi për shkollë dhe e tillë shërbeu deri vonë. Ishte ndër godinat e para të fshatit, krejt pranë qytetit e falë kësaj afërsie, ne jetonim sa në Shkodër aq edhe në Hot të Ri.
Në traditën e Malësisë së Madhe, Nuni, ai që e krezmon fëmijën në Kishë, njihet si të ishte bash prind për fëmijën, famullin. E sjell këtë detaj se mungesa e babës, më është kompensuar disi me dashurinë thuaj prindërore të Nunit tim Prenk Uci, i cili me të shoqen, Marien, nuk kishin fëmijë, prandaj dhe sytë i kishin tek unë e më rrethonin me përkujdesje e jo rrallë, më merrnin të rrija me ditë të tëra në shtëpinë e tyre, diku në qendër të Hotit të Ri. Ishte një shtëpi e thjeshtë, me mure betoni e me një kuzhinë të vogël e në vazhdim kish haurin e bagëtive, se hotjanët tokën e kishin të varfër e për më tepër nuk ishte ujë për vaditje deri vonë, sa për kundruall u ngrit ferma e Shtojit, më e madhja e vreshtave në Ballkan.
Një natë gushti të nxehtë, Maria e Nuni më pyetën se, a doja unë të flenim jashtë në oborr. Kurrë nuk kisha fjetur jashtë ndaj, duke e parë ngurrimin tim, Maria m’u afrua pa dëgjuar Nuni e më tha me zë të butë e si me droje “A mos ke frikë me fjetë jashtë, mor bir?”. “Jo!” dëgjova të dilte një zë. Ish zëri im, por përgjigjej sedra, se frikë edhe kisha. E kështu atë natë të nxehtë gushti, ku gjinkallat pëlcisnin duke kënduar, vendosëm të flinim në oborrin para shtëpisë. Maria m’i vuri shtrojat pranë vetes. Nuk mbaj mënd çka flisnim, veç di se, duke qenë e para natë e jetës sime që flija në natyrë, nuk doja të mbuloja kokën e të dukesha frikaman në sy të Nunit e Maries, ndaj i mbaja sytë drejt qiellit. Nisa të shoh çka ka ai qiell, që herë-herë zemërohej si i marrë sokaku e gjuante me rrufe në majë të pemëve. E ai qiell po më dukej, herë blu i thellë në vjollcë e herë si i stërpikun me ar, si xhubletat e malësoreve xixa-xixa, kaq të panumërt ishin yjet, e për tmerrin tim të vegjëlisë, ndonjë prej tyre shkiste pjerrët sikur do të binte mbi shtëpitë e Hotit të Ri të përgjumur e ti përflakte, siç u përflak një herë e një kohë shtëpia e dy pleqve hotjanë, Prenk Gjoni e Lare Lekja, krejt ngjit me shtëpinë tonë e të Nikoll Lulashit që kishte një djalë të arratisin e të humbun diku në Australi.
Kurrë nuk i kam parë aq gjatë yjet, e mund të them se, që atë natë gushti te shtëpia e Nunit, kam rënë në dashuri të përjetshme me yjet. A thënë disi poetikisht, nuk fjeta unë atë natë, fjetën yjet në sytë e mi. Kohë e largët, fëmini e vështirë, por nuk e di se si e pse më duket të ishte aq e bukur, a ndoshta se fytyrat që më rrethonin, kishin aq shumë dritë e mirësi në shpirt, sa çdo dhimbje jetimi humbej e tretej si në Hotin e Ri, fshatin e fëminisë time të largët por edhe në rrugën Badra, ku nën lëkurë nisi të më çukiste adoleshenca.
Mbaj mënd se Katedralja e Shkodrës, atë vit që u krezmova, u mbush plot. Tanë banorët e qytetit e nga katundet, kishin ardhë në atë të diel fundpranverë krezmimi. Madje kishin ardhë edhe shkodranë myslimanë sepse u pëlqenin të shihnin ritualin.
Është rasti të them se im Atë, në të gjallë, kishte shumë miq myslimanë, të cilët i kish vëllezër e shkuar vëllezërish, veçmas në Postrribë, ku sa herë shkonte më merrte me vete me biçikletë e madje flinim në shtëpitë e miqve, ish nxënësve të tij. Veçmas për dasma, por edhe për festën e Bajramit.
Kisha e Madhe e mbushur plot, fëmijët përafërsisht 10-12 vjeçar, vajza e djem veshur me të bardha si engjëj, të cilët, si mbaronte ceremonia fetare, merrnin rrugën kryesore që niste nga Serreqi për Gjuhadol, për të dalë tek Dugajt e Reja, por edhe drejtimet e tjera qenë plot me kalimtarë që bënin diç më shumë se sehir, sepse galdoheshin bashkë me ne të sapo krezmuarit. Aty mbaj mënd që ceremoninë e drejtonte Dom Ernestoja, që paraprakisht në sa e sa ditë me durim na kishte dhënë mësime katekizmi. Ai ishte nipi e krenaria e Dadës sime Katrinë. Edhe ajo aty ish, pranë lterit, pranë kolonave që kishte pikturuar, siç thoshte ajo, daja Kolë (Idromeno).
Ndjehesha krenar tek me shihnin shkodranët, me Nunin Prenkë e mbaj mënd se dolëm edhe në fotografi. Ka qenë një prej ditëve më të gëzuara e më të shënuara të fëminisë sime. Edhe fotografia ka qenë ruajtur deri vonë në shtëpinë tonë, por si gjithçka tjetër edhe ajo, s’u gjend më në shtëpinë time.
Është e natyrshme që ajo fotografi të ketë qenë deri vonë edhe tek shtëpia e Nunit tim, por veç erdh një kohë kur jeta e tij u këput pa pritur. Por para se të dal tek ajo ditë e zezë, do të kujtoj se ndër herët e fundit që e kam takuar Nun Prenkën, ka qenë koha kur sapo isha kthyer nga ushtria dhe kisha nisur punën në Fabrikën e Fibrës, buzë Zallit të Kirit, që ndodhej edhe buzë asaj rruge ku kalonin përditë hotjanët që shkonin e ktheheshin prej pazarit të Shkodrës.
Isha nisur për punë rreth orës një të drekës, sepse punoja turni i dytë. Sa zbrita nga autobuzi, pashë Nunin me biçikletë. Më pa dhe ai. U ndal, më shikoi drejt e në sy. Isha rrit. Por meqë në adoleshencë, prej një revolte të brendshme që më vinte prej fatit tim cubël, e kisha lëshuar veten pa i vu kurrfarë caku, isha kthyer si zog i lirë me fluturime pa kahje, ku të frynte era, a thënë shkodrançe “kudo rasha mos u vrasha“.
Nuni kishte dëgjuar për do mbrapshti të mijat e kishte qenë i shqetësuar për fatin tim. Por vitet kishin kaluar bashkë me adoleshencën që vetgënjehet si zogu që brof prej folesë pa ju forcue krahët e pa i dalë mirë puplat. E për këtë Nun Prenka më shihte thellë, me një dëshirë të madhe të burrnohesha e të ecja në jetë.
- Po a je mirë - më tha në fjalë të parë.
- Mirë jam, Nun!- ja ktheva.
- Po krejt mirë nuk ke kenë do vite t’shkueme.
- Havaja ndërron, o Nun. Unë tash kam mbarue ushtrinë.
- Po, çka ke ndërmend me ba tash mas ushtrisë?
Po-të e Nunit nuk kishin të mbaruar. Ishte një burrë trup madh, i pashëm, me mustaqe të zeza e të trasha. Fort i urtë e i shtruar, por edhe i fortë si kurrkush ai. Mbaja mënd një ngjarje që bëri bujë në Hot të Ri. Nuni atëherë, i ri në moshë, ishte duke kaluar sipër në rrugë, sepse aty afër e kishte shtëpinë. Një grua Hoti, tek kuvendonte poshtë peqinave, honeve të bregut të Kirit, lëshoi një za të lartë: “Ku-ke-ja, djali i Mirajve u fut në pus!“. Kush ishte pranë pusit u bë kureshtar e nisi një kuvendim i zjarrtë. Si e pse kishte hyrë në pus djali i Mirajve. Thonin se dikë kish qëlluar me gur e kur e pa tjetrin të përgjakur nuk e desh veten. Thoshin se ishte i dobët nga sistemi nervor e nuk duronte emocione të mëdha. Dy halle kishin gratë e Hotit të mbledhur me vlakat prej lastiku e litarë në duar, se i riu ishte në rrezik jete, mund të shkiste nëpër gurët e pusit e të binte në fund. E në vdes ky njeri, kush do të pinte ujë prej këtij pusi. Hot i Ri nuk kishte asnjë burim tjetër uji të pijshëm. Prenk Uci, i vështroi gratë e tmerruara, ju afrua pusit e, si hodhi një sy thellësisë së errët e të ftohtë, u tha:
- Rrini urtë, se tash po ja gjejmë anën kësaj pune.
Hoqi xhaketën, këpucët, vuri mbi to orën e xhepit, madje edhe një unazë të rëndë ari me shqiponjë, që nuk e hiqte kurrë nga gishti e nuk ishte trandur ndonjëherë ta shiste prej varfërisë. Nisi të zbriste në pus nën tmerrin e grave që mbeten topitura. Gratë kishin të drejtë të ishin të friksueme, se pusi ishte fort i thellë, në pik të verës shkonte në thellësinë më të madhe. Pak e nga pak, duke u mbështetur në gurët e murit rrethues të pusit, Prenk Uci zbriti deri atje ku qe kapur e rrinte i tmerruar i riu që kish hyrë por nuk kish më forcë të dilte sepse e kish pushtuar frika e paniku...
-Ma jep dorën - i tha Prenk Uci, sapo e arriti.
Djali i Mirajve i frikësuar i dha dorën shpëtimtarit të vet. Pak e nga pak u ngjitën e së bashku e dolën në krye. Njerëzve në fillim ju duk se u vonuan shumë e nisën të flasin përzishëm. Por kur u lëshua një zë nga poshtë, sikur u gjallëruan. Kur qe, Prenk Uci nxorri kokën e më pas trupin në grykën e pusit, u kap pas gurëve që litarët i kishin vrague thellë, i dha vetes e me djalin që e mbante fort për dore u gjendën të dy në këmbë në mes të grave e burrave të Hotit të Ri që ishim mbledh, sepse fjala mori dhènë. Mori xhaketën e vet e tek ja hidhte djalit në krahë, me zë atëror i tha:
-Mos u lsho mâ në pus se kush dreqin zbret prap. Veç unë e ti jemi guximtar pusesh në Hot e kurrkush tjetër. Asht bojagi i thellë.
I rrahi krahët, e pa thellë në sy e kur vuri re se i riu e kish marrë veten disi, u tha ta çonin në shtëpi, ti jepnin për të ngrenë, ta vinin për gjumë. E kurrnjë fjalë të mos ja thoshte djalit kurrkush. As një qortim e as të mos ja përmend ma njeri këtë punë.
Ky ishte Prenk Uci, Nuni im, ai burrë tashmë i moshuar, por prap i fortë si ujk.
- Të pyeta çka ke me ba tash e mrapa, se e kalumja ka shku e ka rru perja.- më tha Nuni, ndërsa unë vazhdoja të përfytyroja atë skenë pusi, që kurrë nuk më hiqet nga kujtesa, se ishte një rast që e mbante në gojë tërë Hoti i Ri. E unë me atë Nun krenohesha.
- Jam duke punue përditë këtu, në fabrikë fjala bie se unë punoj jashtë, në fushë të hapun, nën ernat e murlanin e Zallit të Kirit. Po kjo s’asht gja. Do të filloj prap shkollën- i thashë, - Ma ndërprenë pedagogjiken e më dërguan ushtar në Tropojë, por edhe pse jam vonë, do të përpiqem me fitue atë që kam humbë në kohë.
- Çka don me u ba ti? Mësues?
- Jo mësues po gazetar.
- A mundesh?- më pyeti me dyshim.
Tunda kokën me shenjë pohimi.
Në fillim nuk foli, i la kohë mendimit e pastaj më tha:
- Don Zoti e ta hap rrugën. Zemra ma do, që të mos thyhesh si unë.
Kaq të gjitha. I dhamë dorën njeri-tjetrit. Ja mbajta atë dorë gjatë, pashë unazën me shqiponjë, e thashë se Nuni im e donte shumë Atdheun, Shqipërinë edhe pse...Eh, pse... Jo se shqiponja (se ashtu më dukej Nuni) ishte plakur, por se kish një plagë për të cilën kurrë nuk fliste e kurrë nuk ju mbyll.
Duke u pa në sy, qëndruam paksa. Ndoshta janë pak sekonda, por që herë-herë të duket se kanë shtrirje të pafundme. Ai donte të dinte, a të mësonte prej thellësisë së shikimit se sa i vendosur isha unë për ta ndërtuar jetën. Ndërsa unë, e shihja thellë sepse vija re se ishte disi i lodhur. Nuk ishte më njeriu i fortë i pusit. Vija re se Nunit tim më shumë i fliste heshtja se fjala. Sepse fjalët i kishte të kursyera, por mendimet i zienin përbrenda. E shihja thellë sepse tashmë e kisha mësuar se Nuni im para se të më krezmonte, kish qenë 5 vjet në burg politik. Po kjo nuk qe më e keqja, se burgu për burrat është, flitej asokohe një shprehje në Hot të Ri.
Po Nuni im kishte veç burgut edhe një brengë. Një brengë të madhe sa një mal, që e mbante në shpirt si gur Sizifi. Se ishin dy vëllezër. Nuni im më i madh, vëllai i vet Palok Uci ma i vogël. E në fundin e luftës së dytë botërore, Palok Uci nuk i kishte mbushur ende njëzet. U njoh diku në një kuvend burrash me Ded Shabanin e Berdicës i cili e mori pas vetes hotjanin e ri. I dha një armë. Dhe kur u gjend përballë me forcat komuniste të ndjekjes ai nuk pranoi ta dorëzojë armën. Ja jap tha veç atij qe ma ka dhanë në besë. Palok Uci nuk e dinte se kishte përballë të pabesët. Dhe për këtë kundërshti e pushkatuan.
Nuni ishte i fuqishëm si një div, veç brenda në shpirt gjysë njeriu kish mbetur. Gjysa e tjeter i qe vra bashkë me vëllanë e vogël.
U sëmur një ditë Nuni. Çudi të vjen të thuash se u sëmur ai farë burri që të dukej si gur a si lis. Por si të gjithë njerëzit dhe ai, erdhi një ditë që e ndjeu veten të ligshtuem. Maria e urtë që tek Prenka kish edhe sytë edhe shpirtin, e dërgoi në Spitalin Civil të Shkodrës. Atje veç sëmundjes që i brente trupin, që fundja i gjendej ilaçi, Nunit tim, nisi ti rishfaqej imazhi i vëllait të përgjakur. Nisi të mendonte se fatalisht edhe ajo gjysë që kish mbetun në gjoksin e tij, do të pushkatohej mizorisht prej komunistëve, që ishin aq në tërbim, sa kishin nisur të hanin krenat e njeri-tjetrit. Nuk mund të rronin hienat pa gjak, nuk mund të rronin pa kufoma.
I tmerruar Nuni nisi të shihte përqark me dyshim, në çdo skaj i shfaqeshin spiunë e sigurimsa, se vërtetë aq të shumtë ishin. Herë-herë e kishin provokuar, por ai ish i matur, nuk e lëshonte fjalën jashtë urtisë. Një pinjoll i derës hotjane që ka njoh historia me bëma të pashoqe, por edhe për besë e urti si Marash Uci. Por këtu armiku nuk shfaqej përballë, këtu armiku, spiuni, shpifësi, hjekësi, i ligu, bishtadreqi, ishin të fshehtë. Të shfaqej si mik, të vinte në shtëpi, të pinte një gotë raki mani, e, fjalë pas fjalë, të betohej e të përbetohej e të fuste thikën pas shpine. Burrnija, nderi, e drejta në atë sistem kishin vdekun.
Një ditë, eh, një ditë,.... të vrenjtur e të pikëlluar shkodrane, nga dritaret e spitalit të Shkodrës, Nuni im Prenk Uci po shihte qiellin, i cili nuk i shfaqte kurrfarë shprese se tmerret njerëzore do të kishin të sosur.
Sërish iu shfaq imazhi i vëllait të ekzekutuar, e si atëherë, kur pati guximin të hynte në pus, tashmë i ndjehej i lehtë fluturimi dhe, me atë unazën me shqiponjë në dorë, u hodh përtej dritareve të mëdha të spitalit, fluturoi si shqiponjë në qiellin e pjerrët e të metaltë të Shkodrës, për të rënë pik i vdekur, si të rrëzohej një shkëmb prej shpateve të malit të Hotit.
E unë në fëmini mendoja se vdekje nuk kish guxim ta prekte atë burrë.
Vetëvrasjen e Nunit tim Prenk Uci, gjithmonë e kam përfytyruar si ekzekutim prej diktaturës të gjysmës tjetër, që kish mbetur brenda tij pas pushkatimit të vëllait 20 vjeçar, e për më tej, sipas ritit katolik, atij kanunor e njerëzor, si vdekja tragjike e gjysmë-Atit tim.

   (Ky shkrim është në vazhdim të librit “Miti i Hotit” të autorit K. P. Traboini




10 November 2020

🛑 Dhurim librash për bibliotekën "Musine Kokalari"- nga K. P. Traboini


DHURIM LIBRASH PËR BIBLIOTEKËN “MUSINE KOKALARI”

 Nga K.P. Traboini

Shkrimtarët shqiptarë  janë në gjendje karantine shtetërore, ata nuk mund ti dërgojnë librat nëpër librari sepse sipas urdhrave të dikastereve qeveritare, kushdo që dërgon krijimet e veta në shitje duhet ti shoqërojë me një NIPT( leje e numër biznesi kundrejt një pagese vjetore që kap shumën mbi një milion lekë), gjë që për autorët që i botojnë librat me shpenzimet e veta është e pamundur. Kësisoj lidhjet e autorëve shqiptarë me lexuesit janë prerë arbitrarisht nga ata që paguhen nga paratë e popullit për të organizuar shpërndarjen e librave si pjesë e qenësishme e kulturës kombëtare.
Ndodhur në këto rrethana, autorët shqiptar në vështirësi ekonomike i mbajnë librat e botuar me shpenzimet e veta në shtëpi. Dëm i dyfishtë ky. Edhe financiar por më kryesorja librat rrinë stok çfarë asnjë autor nuk e dëshiron.

Duke lënë në një anë shpenzimet, se për pasionin e jetës do të paguash gjithsesi, personalisht jam munduar të krijoj lidhje me lexuesit nëpërmjet dhurimit të librave duke shfrytëzuar takimet dhe përurimet. Kështu në të gjitha përurimet e librave të mi duke përfshirë edhe ato në Panairet vjetore të Librit, i kam dhuruar. Në dy panaire thuajse gjysmat e librave i kam dhuruar “Itaka grua” 2008 dhe “Lule pellazgjike e “U dashka të dal natën vonë” 2012. Edhe në takimin me studentët e Universitetin e Tetovës 2008 e njëjta gjë. Edhe në vitet e mëvonshme me librat “E kam atdheun tek porta” 2013, “Dashuri” 2013, “Fajin e ka Hekuba” 2014, po ashtu dhe në takimet në Prizren e në Tuz për librin “Flamuri në Deçiq” 2012. Librin për fëmije “Djali nga Hoti” e kam shpërndarë të gjithë në takimet me fëmijët në shkollën fillore të Traboinit të Hotit si dhe në shtëpinë e fëmijës, Tiranë. Po kështu në Traboini të Hotit është organizuar promovimi dhe është shpërndarë falas libri “Miti i Hotit”, 2017. Në bibliotekën “Marin Bartleti” në Shkodër janë organizuar dy takime të mia me lexues ku janë shpërndarë librat “Ode për Shkodrën”, “Aristidh Kola”, “Ofeli”, ”Orakujt kanë zbritur në ferr” e tjerë. Duhet thënë se lidhjet me bibliotekën e vendlindjes janë të përhershme dhe çdo libër të ri i botuar është dhuruar në dy kopje.Edhe pse në kushte të vështira izolimi nga pandemia në këtë vit, botimin nuk e kam ndërprerë. Në 2016 organizuam një takim letrar e dhurim librash në Institutin e të Miturve në Kavajë.  Këto ditë nëntori, në bibliotekën “Musine Kokalari” që gjendet pranë bulevardit “Gjergj Fishta” në Tiranë, dhurova 40 libra, 20 tituj nga dy kopje për secilin. Në këtë librari do të dhuroj gjithashtu edhe botimet e reja të vitit 2019-2020 duke përfshirë “Zogjtë e Arlingtonit”, “Charles Bukowski”, “World Poetica”, “American poetica”, si dhe “Emily Brontë dhe 100 poetë nga bota”. Pavarësisht në çfarë vështirësish kalon krijimi e çfarë sakrificash e shpenzimesh i përballojnë autorët, mendoj se kontakti me lexuesin e justifikon gjithçka dhe është kënaqësia më e madhe që merr një krijues. Kësisoj punonjëses së Bibliotekës “Musine Kokalari” i afrova gjithashtu që kushdo krijues i ri, i pasionuar pas poezisë e letërsisë, që dëshiron të ketë libra nga krijimtaria ime, mjafton ta shpreh këtë dëshirë dhe do tua dërgoj librat dhuratë pa asnjë ngurrim. Kohët dhe rrethanat ndonjëherë përmbysin çdo koncept. Në kushte të zakonshme lexuesit kërkojnë nëpër librari e panaire librat e autorëve, por ndodhka që edhe autorët të kërkojnë lexues. Kjo është një lidhje pa të cilin çdo krijim mbetet në harrim, prandaj ja vlen disa “sakrifica”, sado të vogla.
 
10 nëntor 2020 
 
Takim letrar dhe dhurim librash në Institutin e të Miturve në Kavajë 2016