05 September 2020

🟠 Përpjekje bizantine për të denigruar Kol Idromenon - nga K.P. Traboini

 

PËRPJEKJE BIZANTINE PËR TË DENIGRUAR KOL IDROMENON

Pamflet nga  Kolec P. Traboini

Studiuesit bizantolog Mustafa Arapit i kemi dhënë një përgjigje që e meriton sëra e tij kur u kërlesh të na mbushte mendjen se “Motra Tone” nuk ishte vepër e Kol Idromenos, por e dikujt që fantazonte ky Arapi. Menduam se ai u terhoq e u këndell diku dhe heshtur.  Mirëpo e kishim harruar proverbin "dardha nën dardhe bie". Këtë Mustafa Arapin në kauzën e tij denigruese për Kol Idromenon del e mbron një zonjë që pretendon të jetë studiuese, të ketë marrë edhe titullin Dr., një nga 10 mijë tituj të tillë që ka prodhuar deri në skadencë Shqipëria. Aty ku Mustafaj e ka lënë punën denigruese përgjysmë, nis e shtrohet gërhana e Dorina Arapit. Kjo kinse studiuese, një vit më parë, më 2 shtator 2019 në faqet e “Gazeta shqiptare” ka shkarrashkru çfarë i ka ardhur ndër mend, por ne e gjetëm vetëm tani vonë e po marrim mundim t’i gjegjemi në emër të gjithë të afërmeve të Kol Idromenos dhe pasardhësve të vajzave të Motrës Tone.  

Sulm zulmin e saj Dr. Arapi e ka lëshuar kundër  Kol Idromenos duke i hequr këmishë e pantallona për ta nxjerr picak, si një mjeran i patalentuar, si një qyq që nuk dinte bënte art. Kështu kuptohen këto përpjekje mjerane prej bizantinësh në dy breza, që bëjnë të njëjtën punë. Kjo përpiqet që nga kuzhina e saj prej doktoreshe në albanologji të sjellë argumente kinse “shkencore”, se helbete e kanë vendos me detyrë në Ministri të Kulturës për trashëgiminë kulturore dhe patjetër në Akademinë e degraduar të Shkencave që e kanë nën zap ministri i diktaturës Skënder gjeneral Et’hem Gjinushi. Mjerë kultura e kësaj epoke mjerane. Po çfarë mollois kjo Arapja me shkrimin e vet “Disa konsiderata mbi krijimtarinë e Kol Idromenos”? Kjo turr e vrapja kryekreje  i bën dalje atyre që e kritikonin te atin Mustafa Arapi  me këto fjalë:  “...disa profanë, ku gjuha e tyre e ulët foli më shumë se mendja e tyre.” A thua se vetë kjo ka mend jo vetëm për kullën e Arapëve, por për tan botën dhe i teprojnë e ngase ka tepër me gazep, i shpenzon ca energji trunore për t’i zbërthyer pantallonat Kol Idromenos. Kësisoj këngë qyqesh ka vjeshta more shqiptarë. Kola i vdekun tashmë nuk mund të flasë. E ata që e mbrojnë me tituj Prof. e Dr.  janë pak. Na ka mbet neve që jemi në lidhje familjare t’i themi ca fjalë jo vetëm Mustafait, por edhe te bijes, Arapes tjetër me doktoratë.

Ajo që na vë në mendime është, pse jane leshuar me këtë sulm prej urithësh mbi figurën e Kol Idromenos. Përse ky pasion i verbër për të shkatërruar imazhin e një artisti të madh para të cilit përkulej me nderim Odhise Paskali duke e konsideruar artistin më të madh shqiptar. Mirë po është një fjalë e urtë “I zoti e shet, por tellalli nuk e jep”. Kështu kjo tellallja e kulturës mjerane  me titullin doktor lëshohet e shkruan marrëzi pa cak e pa doganë. Kjo arrin deri atje sa merret me nistoret e kaligrafinë e Kol Idromenos. Kjo konfuze arrin deri atje sa të shprehet si profane me titull Dr. “arti i piktorit shfaq një dekadencë artistike, që shkon në nivelet e një pune të dobët e amatore.” 
Dikush mund të thotë se është mendimi i saj. Po është mendimi i saj, por si baba Mustafai dhe kjo bija janë në një linjë, në një stil, me të njëjtën dorë e të njëjtin qëllim dhe kjo na shtyn të reagojmë e t’i themi si Mustafa Arapit dhe pinjolles së tij “Kadalë beg se ka hendek!”.  Nuk mundeni ju të tjetërsoni portretin “Motra Tone” të Kol Idromenos. Përpjekjet tuaja janë groteske, por të lidhura në aliazh demagogjik kinse po bëni studim të thellë si specialista që na qënkeni. Me çfarë logjike bufi kërkohet të tjetërsohet vepra e një autori të madh si Kol Idromeno me kësisoj paragrafësh ku analizohet firmosja që i ka bërë Idromeno pikturave të veta, sikur ai t’i ketë bërë pikturat në një ditë dhe duhet të jenë rreptësisht të njëjta. Kjo nuk ka në konsideratë se në jetën e tij një artist mund të ketë ngritje dhe ulje të potencialit krijues për shkak të rrethanave në të cilat jeton, apo të tragjedive që përjeton. Çfarë dritë mund t’i jepte Kol Idromeno një  pikture të cilën e punonte në kohën kur i vetmi fëmijë i tij, djali 2-vjeçar Zefi sapo i kishte vdekur. Njerëz që nuk studiojnë jetën e një artisti as mund ta kuptojnë se çfarë ndodhte me ta dhe nuk gjejnë një arsye për ndryshim,  por thonë si profanë se papritur Kol Idromeno artistikisht kishte shterrun, me këtë rast doktoresha Arapi përdor fjalën dekadencë, për të dalë dukshëm e thekshëm si studiuese, de, duke harruar se dekadenca si fjalë ka qenë një rryme artistike para se të hynte në Shqipëri si një zhargon publicistik apo të bisedave të rëndomta “ti je dekadencë e gjallë”. Po aq e ka edhe Dr. Dorina Arapi, më tej se baba Mustafai nuk shkon dot. Le të ndjekim logjikën e saj se pse mendon se Nicola Arseni, apo Kol Arsen Idromeno nuk e ka krijuar portretin  “Motra Tone” por e ka bërë ndonjë baba Mustafa në Venecia. Ja t’ia lemë paksa fjalën doktoreshës Arapi:
“...dua të ndalem tek firma e Kolë Idromenos. Tabloja “Motra Tone” (1883) u realizua nga artisti në moshën 23 vjeçare. Kola e nënshkruan tablonë në pjesën e sipërme majtas të tabllosë mbi sfondin e errët duke nënshkruar me një kaligrafi dore elegante e të rafinuar. Ai e shkruan emrin e tij në gjuhën italiane: Nicolo. A. (Arsen emrin e babait) dhe mbiemri “Idromeno”. Poshtë tyre është shënuar “fece li 2 febbraio 1883”, pra “e realizuar më 2 shkurt 1883”. Ndërsa në tablonë e parë të tij pasi kthehet nga Italia, në portretin e Mati Kodhelit, piktori shënon në italisht, në të njëjtën kaligrafi e në gjuhën italiane: Nicolo Arsenio 15 marzo 1881. Këtu firmos duke vendosur si mbiemër emrin e të atit. Ajo që vihet re në punët e Idromenos është një paqëndrueshmëri në kaligrafi, e njëjta gjë që vërehet dhe tek trajtimi i tablove.”
E lexuat? E morët vesh. Me këto naivitete analizash të kaligrafisë na mbërrin jo pak, por në mohimin e veprës së Kol Idromenos. Po të shkonte kjo dr. në Rrmaj e ta lexonte këtë farë shkrimi,  përmbys do të ktheheshin eshtrat e Dajës Kolës, se kështu i kemi thënë të gjithë të afërmit kur i referoheshim figurës së tij në biseda familjare. E po të them ty se studiuesi Mikel Prenushi i tha grupit të filmit Kol Idromeno në vitin 1987 se ky skenaristi (dhe u drejtua nga unë), e ka emrin prej Kol Idromenos, ia ka ngjitur Dada Katrinë, vajza e Motres Tone (është dëshmitar operatori Ibrahim Kasapi), me siguri ti si ta lexosh këtë pasazh do të hapësh gojën si bufi në kënetë. Se aq di për jetën e rrethin e Kol Idromenos e pasardhësit e tij.  Ty të mjafton të rrish para një tabloje e të mendosh me skepticizëm bizantin e të shtjellosh terrinë aty ku ka dritë, aq të mjafton, ...dhe sa më shpejt sigurisht.
Brumbujt nuk rrinë dot pa bërë toptha sa herë shtegut të livadhit kalon ndonjë lopë e lëshon të shkretën bajgë. E atyre lumëmëdhenjëve brumbuj u duhet një stinë për të bërë punën e tyre. Thoni po deshët se bajgat e lopës nuk janë zahiretë e  tyre të dimrit. Për deri sa ata me tituj doktorë që merren me zhvirgjërimin e panteonit tonë të artit e trumbetojnë, e pse jo?!

04 September 2020

Krimi nuk ka kombësi - nga K.P. Traboini

KRIMI NUK KA KOMBËSI

- Një vrasës nuk mund të fshihet pas emrin shqiptar dhe akti i tij nuk mund të konsiderohet si tipar dallues i një kombi; në fjalë të fundit nuk vrasin shqiptarët, vrasin kriminelët pa indentitet. -

Më bëjnë përshtypje analizat e Dom Gjergjit me të cilin pëlqej të hyjë në një dialog konstruktiv mirëkuptues, por ndonjëherë edhe në kundërshti, sepse njerëzit kanë botkuptime e vështrime të ndryshme ani pse mund të jenë në të njëjtën hulli.
Një bari i grigjes njerëzore në fushë të besimit, jo vetëm konstaton të zezat që ka në shpirt njeriu, por kryekreje predikon për të ndriçuar shtegun për njeriun që e ka humbur rrugën e dritës, pa ba etiketime racash, popujsh apo kombësish. Feja i tejkalon këto nocione. 

Nuk duhet thënë, mendoj unë ndoshta gabueshëm, në mënyrë të përgjithshme shqiptari për një referim tipizimi negativ. Një Prift nuk është gazetar investigativ. Nuk mund të tipizojë të keqen si ves në indentitet kombëtar, por duhet thënë "Njeriu". E dimë ku e kemi plagën se na dhëmb, por kemi nevojë për një dorë shelbuese për tu shëruar. Universaliteti i ideve dhe predikimi i së mirës për shërimin e shpirtrave është karakteristikë dominuese e besimin kristian. 

Të mos e tipizojmë e të indentifikojme të keqen individuale me tiparet kombëtare. Jo të themi shqiptari vret për një vije uji. Ai qe vret për një vijë uji nuk është shqiptar, se kur vret ai nuk pyet më as për komb e as për popull e nuk përfaqëson asgjë veç djallit që e ka ushqyer në krim vëllavrasës. Kaini nuk ka qenë shqiptar, as italian, as gjerman, as grek e as francez po ka qenë një njeri- një vëllavrases, një mallkim. Krimi i tij mban vetëm emrin e tij. 

E keqja kurrë nuk mund të përfaqesojë të mirën e as të fshihet pas saj. Të indentifikosh të keqen si tipar themelor i një kombi është, do të thosha, po aq mëkat sa të vrasësh një njeri.
Të flasim siç mendojmë e me zemër të hapur gjithnjë me dëshirë e shpresë për mirëkuptim.

  K. P. Traboini
4 shtator 2020

 

16 August 2020

Qorrollepsja politike e grupashëve shqiptaro-amerikanë - nga K. P. Traboini

QORROLLEPSJA POLITIKE E GRUPASHËVE SHQIPTARO-AMERIKANË

Nga KOLEC P. TRABOINI

 

Qorrollepsja politike e disa shqiptarëve të Amerikës, do karrieristëve që duan emër e lavdi por edhe përfitime, është histori e gjatë. Që nga korriku i vitit 1995 kur jam vendosur në Amerikë e ku kam 20 vjet qytetar amerikan, këtë këngë kukuvajkash politike servile kam dëgjuar. Zhgërryhen burrat e pilafit oriental të komunitetit për politikën brenda e jashtë amerikane. Zhargiten edhe me gazeta, u frynë dikur si gjela deti për Barac Obama-n, u kulmuan deri në orgazëm kundër kandidatëve për presidentë, John McCain (ndjesë pastë ai amerikan i madh e dashamirës i shquar i shqiptarëve), më pas edhe kundër Mit Romney, por u mbars mali e polli një mi. Në një vështrim të pa anshëm, asgjë për tu ruajtur në kujtesë historike në tetë vjetët e Presidentit Obama. Tregu amerikan në vazhdimësi u mbush me produkte kineze. Tërë  industria e lehtë por edhe ajo elektronike amerikane doli jashtë funksionit. U transferua në Kinë dhe në rajone të tjera, madje deri në Vietnam. Ndërkohë u shpif ISIS, shteti kalifat i terroristëve. Udhëheqësia në dëlir. Paradat e modës së Michelle Obames zinin kryevendin e lajmeve. Arriti sa në një libër për 4 gratë më të shquara të botës, sorrosistët që ende manipulojnë mediat e botimet, kishin vënë në krye, sipër Nënë Terezës, vetë Michellen. Me tu neverit ky servilizëm i pa principtë që nuk njeh kufi në hierarkinë e vlerave.Por ndodhi që amerikanët u lodhën me këtë demagogji të madhe e me  punë të vogla. Katër vjet më parë kërkuan një udhëheqësi të re dhe një mënyrë të re të drejtimit të punëve në Shtëpinë e Bardhë. Kasta politike parazite, të cilës ju prishën llogaritë me ardhjen e Presidentit Trump, duan sërish privilegjet që humbën, të përdorin paratë e amerikanëve, kinse me ca programe “shoqëri e hapur”, nëpërmjet të cilave të kapin qarqet politike dhe krerët e shteteve nëpër botë. Ti manipulojnë ata, duke shkatërruar identitetin e popujve në emër të kinse globalizmit. Kudo në botë, si një epidemi sorrosiste, kanë dalë ca kinse majtistë, por spekulatorë, demagogë dhe hajdutë të sprovuar. Këta janë parazitët e përhershëm të shteteve e qeverive, janë viruset politike të korrupsionit. Administrata e Presidentit Trump nuk u la shteg për rigjallërim, madje as frymëmarrje në qeverisje e buxhet. U arrit deri atje sa ai tha se as rrogën e Presidentit nuk do ta merrte, kur paraardhësi i tij në detyrë Obama, i zellshëm e i etshëm për para, u bë çuditërisht presidenti më i paguar në historinë e Amerikës.Erdhën zgjedhjet e reja. Amerika nën tysninë e një pandemie vrastare, Covid-19, që futi në kolaps ekonomik mbarë botën. Vdekjet janë të shumta, lufta për jetët njerëzore është e jashtëzakonshme, por edhe për jetën social-ekonomike gjithashtu.Pikërisht tani në këto ditë të përzishme e gjetën rastin të rishfaqen në skenë këta kinse politikanë tanë të Diasporës, të cilët mjerueshëm pretendojnë të dalin në emër të komunitetit shqiptar, ta uzurpojnë atë, në stilin e sorrosistëve, duke u bërë thirrje shqiptaro-amerikaneve të votojnë kundër Trump dhe pro Biden me Kamala Harris. Po pse u intereson këtyre demagogeve të komunitetit tonë shqiptaro-amerikan kjo dalje publike dhe pozicionim i hapur i shqiptarëve të Amerikës në njërin krah të politikës amerikane? Sigurisht llogarisin përfitimin e vet e jo të shqiptarëve kudo ku ndodhen. Dikur, në vitet e mia të para në Amerikë botoja e shpërndaja në komunitetin shqiptar një periodik me titull të dubluar, shqip  “Lajmëtari i Bostonit”  dhe anglisht “Albanian of Boston”, me qëllime informimi brenda komunitar, por edhe për çfarë ndodhte asokohe në Shqipëri e Kosovë, 1996-1999. Gjithmonë nëpër shkrime bëja kujdes të shtuar në lidhje me prononcimet për krahët e politikës në Amerikë. Asnjëherë anësi. Asnjëherë thirrje për veçanësi politike. Kam qenë e mbetem me mendimin që si komunitet shqiptar asnjëherë nuk duhet të dalim në en-bloc politik, madje për këtë kam bërë dhe polemika kundërshtuese me gazetat shqiptare që dilnin në New York dhe bënin lojën e krahëve të politikës jo vetëm në Amerikë, por edhe yshtje në aspekte të politikave konfliktuale në Shqipëri. Secili ka dhe shpreh mendimin e vet, sjell argumentet e veta personale, pa pasur nevojë për lista, grupime, tubime bolshevike, se kjo mënyrë më kujtonte gjithherë tubimet komuniste, apo të mitingjet e turmave amorfe në post diktaturë, kur populli manipulohej nga demagogë të rafinuar që e çuan Shqipërinë në katastrofë e në prag të luftës civile.Dalja grup me thirrje, me buçima, të sjellin dhimbjen e kokës. Sjellin konflikte e pështjellime sociale. Këto karrshillëqe politike shqiptarësh në Amerikë nuk shkojnë larg. Janë arkaike e mediokre. Nuk sjellin asnjë përfitim si komunitet. Mua më vjen keq që gazeta “Illyria” e cila ka mision tjetër e jo politikën e Amerikës, si dhe për profesorin 90 e sa vjeçarin shkodran Sami Repishti (por jo për Ilir Zherkën, që është ushtar politik i ngulitur interesash), që hyjnë në kësisoj qorrsokakësh politike.  Aq më keq që u bëjnë jehonë thirrjeve të grupazheve mendje cekëta, të cilat me llapashitjen e tyre monotone në cirkun e  politikës, i sjellin dëme të pallogaritshme komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe Shqipërisë e Kosovës. Është koha të heqin dorë nga manipulimi i shqiptarëve e ti mbajnë ata sa më larg përdredhësive të veta politike.

 16 gusht 2020