30 June 2024

Përkujtimore për Arvanitasin e madh Aristidh P. Kola - nga K.P.Traboini

  



 
PËRKUJTIMORE PËR ARVANITASIN E MADH ARISTIDH P. KOLA, 
NDERI I KOMBIT
Çfarë më tha Aristidh Kola për Tito Johalas në 1994, që Akademia e Tiranës e mban si antar nderi?
 
Nga K. P. TRABOINI


Përkujtimorja ishte një nisiativë e miqve të Aristidh Kolës, ku përfshihen ata që e kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me studiuesin e shquar, por edhe lexues e dashamirës së veprës së tij madhore. Kësisoj ishte një mbledhje e hapur dhe pa asnjë kushtëzim. I gabuar ishte mendimi i ndokujt se po bënim një gabim se po e bënim këtë përkujtimore në çerdhen akademike të antipellazgjisë. Ne kishim nevojë shpirtërore ta bënim përkujtimin e Aristidh P. Kolës pikërisht atje prej ku qe nënvleftësuar në të gjallë dhe luftuar në të vdekur. Ne nuk e dinim se këta akademikët tanë e kanë bërë antar nderi një grek me emrin Titi Johalas, por e lexuam në muralet e Akademisë. Po kush ishte ky Tito Johalas në vitin 1994? Ishte zhvilluar një përurim i një libri të tij për Arvanitët ku kishin shkuar të kastat greke. Dihej se ky Tito i Athinës kishte miqësi me fëmijtë e kryeministrit të egër ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi. I thashë Aristidh Kolës se a bën ky lajm për gazetën tonë "Egnatia". Ai më pa me kujdes e me qetësi më tha."Na luftojnë, por meqë me përballje nuk ja dalin dot përdorin kuazi-intelektualë që merren me arvanitët për qëllime politike. Sa kohë që ata rrinë pranë qeverive qëndroju larg tyre".
E kuptova mikun tim në çdo domethënie të fjalës së tij. Qarqet duke përfshirë edhe këtë Titon e Athinës ishin plesë e konspiracionit që çeshtja arvanite dhe dhe shoqata "Marko Boçari" të kapej e manipulohej prej atyre që të mund të përdoreshin si marioneta duke trumbetuar se arvanitet nuk ishin shqiptarë.Ndër këto zëra ishte dhe një grua studiuese me emrin Marie Dede që kish botuar libra për arvanitët dhe deklaronte arvanitët nuk janë shqiptarë.
Kjo i duhej qeverisë greke, por dhe qarqeve ekstremiste greke. Dhe ja tani, në vend që Akademia të bëjë antar Nderi pas vdekjes Aristidh Kolën bëjnë lakadredhsin e qeveritarëve grekë Titon e Athinës. E si mund miqtë e Titos së Athinës në Tiranë ta pranojnë Aristidh Kolën?
Akademikët apo botuesit si "Toena" që mban të kyçur veprën e Aristidh Kolës janë aq mediokërr sa mendojnë se do ta mpakin vullnetin tonë për të mbajtur të gjallë kauzat e qellimi i jetës së Martirit Arvanitas. Ata vazhdojnë ta luftojnë Aristidh Kolën, por ne arritëm që të përkujtojmë këtë gjeni me gjak shqiptar e mendje të ndritur pikërisht në Akademinë Shqiptare. Ata vazhdojnë të luftojnë po ku pyesnin spartanët për hordhitë e persëve? Kësisoj edhe me këta mohuesit brenda sinorit kombëtar më kot laskandraqen.
Që në fillim të nismës për këtë përkujtimore të 80-vjetorit të lindjes së Aristidh P. Kolës e dinim se kush do të vinte, në bazë të qendrimit që mbajnë ndaj vepres voluminoze "Arvanitet dhe prejardhja e Grekëve". Isha i bindur se nuk do të vinin asnjë prej atyre të 200 "personaliteteve" që kishin firmosur si dele të bindura peticionin kontravers për ndalimin e atyre që mbahen pro tezes pellazgjike të prejardhjes së shqiptarëve. Duke qenë se edhe Aristidh Kola i mbahej këtij parimi, është e natyrshme se "200 komunista lule" të hartuar skutave si skuthë, ish spiunë që kanë qenë në kohën e Malukatit, jo vetem nuk kishin për tu dukur në përkujtimore, por ata ishin e janë kundershtarë të veprës "Arvanitët".
Ne falenderojmë instutucionin Akademinë e Shkencave Tiranë që na vuri në dispozicion sallën me emrin "Aleks Buda" ku ne vendosem portretin e Aristidh Kolës, qoftë dhe për disa orë, ndërkohë që dënojmë qëndrimin nënvleftësues ndaj veprës së Aristidh Kolës duke mos ardhur asnjëri në atë që paguhen e majmërohen si gica akademikë. Një Akademi Shkencash në demokraci duhet të jetë e hapur, të punojë për lartësimin dhe përparimin e kombit. Po nga kjo Akademi nuk shkoi asnjë njeri në ceremoninë e varrimit të At Antonio Belluscit, një kollos i shqiptarizmës ky, kur nga Kosova shkuan. Por kjo kangrenë akademike nuk është as në mundësinë e as në dëshirat tona ta përballojmë e të merremi më të se nuk kemi mbështetje, mbeshtetje në këtë vend ka vetem antishqiptarizma dhe antigjeneza e shqiptarëve në histori. Çdo popull ka dhe llomishten e vet, por ne kemi më shumë dhe kjo llomishte tek ne është e instutucionalizuar, i kap të gjitha pushtetet dhe ndodh ajo që thoshte Konica i madh, Shqipëria u bë për tua plasur zemrën shqiptarëve.
Por munguan edhe disa historianë të ngulfatun që thonë se i përmbahen tezës pellazgjike se gjithçka në këtë botë fillon nga stoli ku rrinë ulur.
Mirë që nuk botohet vepra e Aristidh Kolës, po pse ja marrin titullin e librit e ja venë studimeve të veta. Pse bëhet kjo. Ka dy gjëra, ose kësisoj historianësh kërkojnë që të përfitojnë prej famës së Aristidh Kolës me librin "Arvanitët" botuar 14 herë në Greqi e Shqipëri, ose një mendje djallëzore e ka sugjeruar që kësisoj të zhduket nga kujtesa e njërëzve vepra madhore e Aristidh Kolës e në kerkime të lexuesve tu dal para libri thjeshter me të njëjtin titull. Kjo është e njohur në jetën shqiptare, kur vdiste një fëmijë nëse lindëte më pas një tjeter familja i vinte të njëjtin ëmër e kështu vdekja harrohej.
Nuk janë gabime, siç mund të mendojë ndokush, është platformë që nëpërmjet disa pseudohistorianëve komikë të banalizohet e vërteta historike. Duke thënë "Nuk ka grek" ne bëhemi qesharakë. Deklarime të tilla i stimulojnë vetë greket qe edhe ato të verteta historike që i kemi i kamuflojnë duke thënë se shqiptarët janë butaforikë....kjo është mënyra më e rafinuar për të luftuar kauzen shqiptare. Duke e kthyer nga vetë shqiptarët në grotesk. Të thuash se kryeqyteti i Perandorisë Romake fliste shqip ishtë idiotizmi më i madh në historinë e botës. Bëje qesharake një kauz e ajo vdes!
Megjithëse u ndje mungesa e mendjeve akademike, salla ishte e mbushur me dashamirësit e veprës së Aristidh Kolës, të cilin e përkujtuan me devocion.
Pa marrë përsipër të shkruajmë me hollësi për zhvillimin e kësaj perkujtimore, do të shënojmë, disa raste që na bënë përshtypje.
E para dhe më e rendësishmja do të thosha ishte mendimi i shprehur në fjalën kryesore të hapjes që u mbajt nga autori i këtij shkrimi që të ngulmohet në instancat Bashkiake të kryeqytetit që emri i një Shkolle të Mesme ti vihet Aristidh Kola. Kryetari i Shoqatës "Tirana" Arben Tafaj që e mori fjalën e mbështeti këtë mendim. Ndërsa Zenel Hoxha që drejton një institut të rëndësishëm të mardhënieve Shqipëri-Angli, bashkë me mbështetje shtjelloi mendimin për përhapjen e veprës së Aristidh Kolës "Arvanitët", të cilët e mbajnë peng ata që ruajnë të drejtën e botimit, por mesa duket kjo duhet deshifruar si i Mosbotimit.
Edhe pse në Itali, studiuesja Ornela Radovicka, sapo e mori vesh për veprimtarinë preu bilieten e avionit dhe erdhi në Tiranë posaçërisht, dhe mbajti një fjalë interesante, duke sjellë dhe kujtime të bashkëpunimin me At Antonio Belluscit.
Edhe pse ishin lajmëruar të gjitha mediat
në Tiranë, nuk i pamë në sallë. Por surprizë ishte fakti se kishte ardhur me mjetet e xhirimit vetë drejtuesi i televizionit ALPO nga Gjirokastra, atdhetari Aristotel Petro për realizimin e një emisioni.
Nga Gjakova kishin ardhur posaçërisht për këtë takim përkujtimor Migena dhe Behar Arllati.
Sollën mbresat e tyre për figurën e Aristidh Kolës, gjithashtu Kolec P. Traboini, Kostaq AT Papa, Albert Zholi, Angjelina Xhara, Migena Arllati, Elida Jorgoni, Zyba Hysa, Naun Kule, Agron I. Gjedia, Nikoll Lokaj, Mark Palnikaj, Tasim Mehmeti, e tjerë.
Ishte një përkujtimore mbreslënëse siç u shpreh pas mbledhjes piktori Astrit Tota që jeton në New York të Amerikës dhe ishte i pranishëm në këtë përkushtim.
Formacioni politik i Emigracionit Shqiptar shpërndau me këtë rast Çertefikata Mirënjohje me emrin "Aristidh Kola", për veprimtarë të shquar në Shqipëri dhe në Diasporë.
 
Kolec P. Traboini 
 
Në foto: 🔻
Ornela Radovicka, Agim Gjakova, -
Zyba Hysa, Migena Arllati, Kolec P. Traboini, Elinda Jorgoni dhe Aristotel Petro.
 
 



















14 June 2024

Nongrata, me firmë, me vulë e me kullë- nga K. P. Traboini


NONGRATA ME FIRMË, ME VULË DHE ME KULLË

Nga Kolec P. Traboini

Mendonim se grupi i PD, krahu anti Nongrata mblidheshin rreth një ideali dhe ideje që PD të mos ishte parti klan familjar mirëpo edhe Gjykata paska pasë mendimin një parti politike mund të ishte tokë e zanun e stan i familjes. Nuk çuditemi se edhe gjyqtarët shqiptarë të rritur në këtë klimë politike janë, mendësia e tyre nuk ndryshon shumë nga mendimi i përgjithshëm. Mirëpo çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet. Ato janë ngjarjet.Kështu pasi u bë grusht shteti në PD duke e quajtur atë epitetin e lodhshëm "rithemelim", madje si të ishin saraçenë sulmuan ndërtesën e PD (sa shpejt i harrojmë huliganizmat politike dhe turmat e tërbuara), por të gjitha u harruan si të mos kishin qenë dhe Gjykatai dha Vulën, Bajrakun dhe Kullën klanit Berisha. Tani ky ka të drejtë të shkojë në të bëjë regjistrimin si Parti e trashëgueshme e vetë Zot i saj me firmë e vulë të Gjykatës. E bija, që për një firmë merrte 1 milion dollarë siç e pat deklaruar në Media, tani e ka rrugën e hapur. Monarku i Partisë kinse Demokratike, mbas tradhëtisë nga i zgjedhuri i familjes, nuk ka më besim ndonjë tjetër njeri, kot rreken Bardhoku me përbetime prej sejmeni, apo rioshi tiranas Belind Këlliçi, gjë në sqep nuk do t'u bjerë. Monarku ka besim vetem tek Princesha e Familjes. Por ky shkrim nuk ka synim të merret vetem me familjen politike të Partisë Klan, por të hedhim një shkul dritë në kampin tjetër ku po zien kazani politik anti Non Grata. Siç thamë mendonim se i përbashkonte ideali për një parti të hapur pa klane e pa njerëz karrierist që janë sejmenë të liderit të përjetshëm të Partisë. E vërteta është se ata qëndruan thujse dy vjet, madje edhe rrethimit prej jeniçerëve i rezistuan, por doli një Zhukri dhe ndërtesën ua moren. Ra Berati është aforizma historike e para pesë shekujve. Kështu e pësuan. Por siç u ka thënë kundershtari politik që për 12 vjet rri si mbret në pushtet nuk kishin parë gjë akoma. Gjylja ra tha Plaku Mere. Gjykata urdhëroi grupin Antiklan ti dorëzojë Vulën Nongratës. Dhe kështu u bë. Amerika të thojë çfarë të dojë, njerëzit në gjykata kanë mendjen e vet pa e vrarë mendjen për pasojat.
Kështu tabloja politike shqiptare shfaqet kësisoj; në një anë në pushtet një parti e kontrolluar si në grusht nga Kryeministri dhe përballë një një Parti Opozitare me udhëheqje absolute me nishanin Nongrata nga Amerikanët. Dhe diku në skaj një grup që vendimi i Gjykatës i solli huti e kaos. Dolën zera se ky grup tani është në qorrsokak. Le ta kenë kauzën të pastër, le të kenë ideale, kush po pyet në këtë vend për ideale. Pyesin vetëm për tasin. Kush ka tasin plot pas tij vrapojnë. Pavllovi bënte eksperimentonte reflekset e qenëve. I binte ziles e qentë vraponin tek tasat e vet e prisnin ushqimin. Por mua më vjen me qesh me këto reklama që i bëjnë Pavllovit. Më duket si një paralele gazmore, në karshillëkun e Gjykatava Shqiptare me Nongratët e Amerikanëve. Më vjen të qesh se ka qenë gjyshja ime më shkencëtare se Pavllovi, sepse kur donte të ushqente pulat i binte teneqesë dhe të gjitha pulat mblidheshin. Shkencen e bëri gjyshja ime Norë dhe lavdinë e mori rusi Pavllov. Pika shkences dhe gjykatave.
Ja dhe tani kur Pavllovit i ka humbur vula, shikoni si Monarku i madh i Partisë eksperimenton me reflekset politike të kundërshtarëve të vet; ai i bie tasit dhe pulat e stanit deri dje kundershta po mblidhen.
Sepse ku është tasi shkojnë pulat.


31 May 2024

Ne e kemi mbretëreshën ilire dhe e mohojmë - nga K. P. Traboini

 


NE E KEMI MBRETNESHEN ILIRE DHE E MOHOJMË

Pinjollët e sotëm nuk duan t'ia dinë për Rozafë e Teutë e rreken pas çelsave të shtrëmber që nuk ka Viagra që i drejton. Teuta, Genti, Bato, Barleti, Marin Beçikemi, Dasho Shkreli e Oso Kuka,  Gjergj Fishta e Kol Idromeno dhe lavdia historike nuk ka fund.Që në krye po ju bëj thirrje: mos u bëni plangprishës të indentitetit shkodran, zhytun në mosdije se koha nuk ka mëshirë për mediokrët, Servantesi i ka djegur në Mançë të gjitha historitë me aventura të çakërrdisura. Këtë fat u ka taksur skrapaxhinjëve edhe sot e kësaj dite. Kjo Teutë në foto është diku në Europë, atje ku nuk pinë ujë gozhdat e ndryshkura të Lei Fenit. E quaj Teutë, anipse gjermanët i thonë Nëna Gjermani. Ka ndonjë që pakuptueshëm më heq vërejtje se kjo shtatore nuk është Teutë e as Rozafë por Elbë në Dojçland: Eja merru vesh me miletin. Jo po nuk është Mrika, por është Marika.  Nëse doni të më kuptoni, ju shpjegohem, dua të them se skulpturat në vende publike janë simbole që shprehin një realitet të largët, një indentitet, histori apo personalitet. Nuk janë autentike se askush nuk e di portretin real të Teutës apo Zhan D' Arkës, por vënë në punë imagjinatën. Kjo skulpturë në Gjermani buzë lumit Elba ka një domethënie, përftyrim njerëzor siç kemi ne për Rozafën. Por ama nuk është një çelës i ndryshkur, i shtrembër,  që vlen veç për skrap. I vë emrin Teutë asaj skulpture fantastike në Gjermani se ashtu është përftyrimi im mbi mbretreshën ilire, në qëllimin e përftyrimin e bëmave historike.  Statuja e Lirisë në Amerikë është përftyrim njerëzor e jo të një sendi utilitar, portreti i një femre franceze kthyer në simbol lirie e jo një gozhdë, apo çekiç, as uturak e as brisk berberi!  Nëse e kuptoni domethënien e problemit send apo njeri, raportet e tyre, realitetit me përftyrimin, personalen dhe publiken, krijimin dhe surogaton, OK, përndryshe mos na lodhni me komente që nuk thonë asgjë. Për të çakërrdisurit dua t'ju sjell një shëmbellësë që përket me këtë gjënë prej ndryshku që ju imponua Shkodrës. Kush ka pak gramë e përvojë, siç di të lexojë në mes të rrjeshtave di të deshifrojë veprimet në prapaskenë. Populli thotë  "Fshati që duket nuk do kallauz" në këtë kuptim Shkodrës po i imponohet dhunshën simboli i eunukut dhe impotencës. Një piktor i madh francez Gustave Courbet realizoi një pikturë që e titulloi "Origjina e botës", pjesën intime të një femre. E sjell në vemendje për të treguar se jo çdo art, çdo krijim ka atributet të vendoset nëpër sheshe publike. Mos vallë e vendosi Bashkia e Parisit organin femëror si simbol i qytetit. Jo, sepse ata nuk janë të marrë. Marrëzinë na kanë e lënë ne me një çelës të shtrembër që simbolikisht shpreh organin mashkullor në kohë të kryer, ose që mund të merrej mirëfilli si reklamë për shitjen e Viagrës. Për të saktësuar mendimin shtoj se bota e qytetruar, nuk ka vënë si emblemë të indentitetit të një qyteti një partallë, çelës të ndryshkur, një bravë a shul, a vrimë, por një njeri, figurë a eviniment historik. Skulptori i njohur e i respektuar shkodran Ferid Kola ka realizuar disa vepra shumë të bukura që i kanë mbetur në studio. Dy të rinj që kanë ndaluar biçikletat e bisedojnë. Një mrekulli për një shesh publik. Në atë grup skulpturor frynë erë lirizmi, tipike për Shkodrën. Ka realizuar gjithashtu një projekt monument madhështor për Mbretin Gent, simboli historik i Shkodrës që mbarë bota e njeh,  por edhe për Kol Idromenon. Por jo, le të rrinë në studio këto vepra të mëdha se nuk i do Padishahu i Tiranës. Nuk duket, nuk ka ndonjë urdhëresë me shkrim, por është i lexueshme ky imponim. Që që të kthehemi aty ku e nisëm, figura që shoqëron shkrimin simbolizon vertetë  Gjermaninë, anipse kjo skulpturë ka fare pak lidhje me prusianët historikë sepse duket si mesdhetare. Por artistët krijues dhe princër të artit ngulmojnë për më të bukurën. Ndaj dhe unë e përftyroj, në të drejtën time, më shumë si një mbretreshë historike të ngrohtë se sa një femër prusiane diku andaj nga fjordet e Veriut të Ngrirë ku bukuria është e ftohtë. Mos u lodhni të më bindni për të kundërten, unë këtë e përftyroj si Mbretreshen tonë Ilire që kalimtaret e kësaj bote as që e përfillin. Por nuk ka dert. Koha është një dimension i madh. Mizat, ani pse jetojnë veç një ditë, bash në atë të voglën ditë ju duket vetja zot, por sado e gjatë të jetë nata, nesër dielli lind përsëri.

Kolec P. Traboini

30 May 2024

Matteo Hamzai - fitues i Constitution America 2024


 13- VJEÇARI MATTEO HAMZAI NËPËRMJET NJË KËNGE FRYMËZUESE FITON KONKURSIN CONSTITUCION AMERICA 2024

Në një arritje të paprecedentë, 13-vjeçari Mateo Hamzai ka fituar Constitution America Contest 2024 në kategorinë e këngës. Pavarësisht se konkursi zakonisht rezervohej për studentët e kolegjit, talenti dhe pasioni i Mateos për parimet e Kushtetutës së SHBA shkëlqeu, duke i dhënë atij nderime të larta. Hamzai, me origjinë shqiptare, mahniti gjyqtarët me këngën e tij origjinale kushtuar Kushtetutës dhe parimeve të demokracisë që mbështesin Shtetet e Bashkuara. Teksti i këngës dhe performanca e tij e përzemërt rezonuan thellë, duke shfaqur një kuptim të jashtëzakonshëm të vlerave qytetare të pazakonta për dikë të moshës së tij. Konkursi i Kushtetutës Amerikane synon të angazhojë të rinjtë me parimet themelore të Kushtetutës së SHBA përmes zhanreve të ndryshme krijuese, duke përfshirë esetë, artin dhe muzikën. Fitorja e Mateos është veçanërisht e dukshme duke pasur parasysh moshën dhe nivelin tipik arsimor të pjesëmarrësve të tjerë. “Doja të shprehja vlerësimin tim për liritë dhe të drejtat që kemi në këtë vend”, tha Mateo në një intervistë. “Prejardhja dhe përvoja e familjes sime më kanë bërë të vlerësoj demokracinë dhe kushtetutën edhe më shumë.” Kënga e Mateos jo vetëm që nxjerr në pah talentin e tij të jashtëzakonshëm muzikor, por edhe zotërimin e tij të thellë të koncepteve kushtetuese, një frymëzim si për bashkëmoshatarët e tij ashtu edhe për studentët më të vjetër. Fitorja e tij ka sjellë krenari për komunitetin dhe familjen e tij, duke theksuar kontributin e pasur të emigrantëve në shoqërinë amerikane.

Gazeta "Panorama"

Tiranë 21 maj 2024

-------------------------------

VETPARAQITJA E MATEOS

në Konkursin Constitution America

Përshëndetje, emri im është Matteo Hamzai dhe jam 13 vjeç dhe jam një nxënës i klasës së tetë në shkollën e mesme në Virxhinia. Unë kam lindur në Boston, MA, por familja ime është me origjinë nga Shqipëria, i njëjti vend i origjinës si Nënë Tereza dhe jam shumë krenare për këtë fakt. Unë e konsideroj Bostonin qytetin tim të lindjes dhe vizitoj familjen time që jeton atje disa herë në vit. Shumicën e stinës së verës e kaloj në plazh, në Cape Code, MA. Në kohën time të lirë, më pëlqen të lexoj, të luaj dhe të shikoj sporte ose të dëgjoj muzikë. Dëgjoj një shumëllojshmëri të muzikës, kryesisht country, hip hop dhe disa muzikë klasike. Më pëlqen të lexoj libra për Luftën Civile, Luftën e Dytë Botërore dhe disa romane artistike. Lëndët e mia të preferuara në shkollë janë Historia, Shkenca dhe Matematika. Gjithashtu merrem me sporte si basketboll dhe futboll. Unë luaj për ekipin e basketbollit të shkollës sime dhe luaj futboll jashtë shkollës. Një tjetër nga hobet e mia të preferuara është të krijoj video. Më pëlqen të xhiroj video me miqtë, kushërinjtë e mi dhe më pas t'i montoj ato. Preferenca ime muzikore përfshin violonçelin që kam luajtur prej disa vitesh. Më pelqen shumë instrumenti dhe shpresoj të luaj në shkollë të mesme. Mësova për Kushtetuten e Amerikës dhe konkursin kur grupi organizator vizituan shkollën time për një takim.   Jam jashtëzakonisht mirënjohës për mundësinë që më dhanë organizatorët, mësova shumë për Kushtetutën nga konkursi dhe shpresoj që edhe ju të mësoni më shumë për Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

‐--------------------------------

Intervista Komisionit Organizator me Matteon


🔸️ Ishte kjo hera e parë që hyre në konkurs?

 ✅ Po

🔸️️ Si keni dëgjuar për konkursin?

✅ Erdhën në shkollën time dhe bënë një takim.

🔸️️Çfarë e frymëzoi punën tuaj?

 ✅Nuk isha shumë e sigurt se çfarë doja të bëja në fillim, por provova një sërë gjërash dhe kuptova se duhet të paraqitesha me një këngë.

🔸️️ Çfarë mësuat gjatë kohës së krijimit tuaj?

 ✅Mësova shumë më tepër për lirinë e shprehjes sesa në të kaluarën.

🔸️ Si planifikoni t'ua përhapni fjalën bashkëmoshatarëve tuaj këtë vit për rëndësinë e Kushtetutës së SHBA?

✅ Do të përpiqem t'i mësoj njerëzit që takoj për rëndësinë e Kushtetutës, sepse nuk mendoj se njerëzit e kuptojnë se vendi ynë është themeluar dhe rrënjosur prej saj.

🔸️ Si i përgjigjen miqtë tuaj historisë apo bisedave për Kushtetutën?

 ✅Kur mësuam për Kushtetutën, unë dhe miqtë e mi ishim shumë të prirur për të mësuar rreth Kushtetutës dhe ndikimin e saj në historinë amerikane.

 🔸️Çfarë ju pëlqen për historinë e SHBA-së dhe formimin e qeverisë sonë?

 ✅Më pëlqen se si kemi kaluar nëpër shumë beteja dhe luftëra si vend dhe ende jemi bërë kombi i madh që jemi sot.

🔸️ Cilin vend historik të SHBA-së do të dëshironit të vizitonit?

 ✅Do të doja të shkoja në Ellis Island në Nju Jork

 🔸️Cila figurë historike amerikane është më me ndikim frymëzues për ju?

✅ Abraham Lincoln ishte një personazh shumë frymëzues për mua pasi ai ishte një person shumë i zgjuar, merrte vendime të mira dhe ishte një udhëheqës i shkëlqyer.

 🔸️Kush është modeli juaj më i madh?

✅ Modeli im më i madh është Michael Jordan që kur u shkëput nga ekipi i shkollës së mesme si student i vitit të dytë e vazhdoi karieren sportive, dhe tani konsiderohet si një nga atletët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

 🔸️Për çfarë jeni më i apasionuar në jetën tuaj?

 ✅Më pëlqen të bëj muzikë dhe tekst, prandaj vendosa të bëj një këngë

🔸️ Si e kaloni kohën tuaj të lirë?

✅ Më pëlqen të lexoj, të luaj sport dhe të dëgjoj muzikë.

 🔸️Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

 ✅ Vertetë nuk jam i sigurt akoma. Jam ende një fëmijë dhe dua ta shijoj sa të zgjasë këtë moshë.

 🔸️Nëse do të mund të bënit një gjë me shumë ndikim për të ndihmuar njerëzit, cila do të ishte ajo?

 ✅Vetëm për të qenë ndihmues dhe për të kontribuar për njerëzimin. Unë dua ta bëj familjen time krenare dhe ta ndihmoj botën të përparojë.

️🔸️ Pse Kushtetuta është e rëndësishme sot?

✅ Ajo ende sherben për jetën e përditshme dhe në thelb vendos rregulla që të mund të jetojmë në një vend të sigurt.

---------------------------

🟥 Padyshim që edhe gjyshi është krenar. Kënga në Rab Stile në këtë link:

 https://youtu.be/ljvbeZgGcbw?si=N4YADOWdZ4yG2-Ug

Përg. Kolec P. Traboini