Naim Frashëri përballë Shën Marisë së Onufrit
-
Një alternativë dashakeqëse -
Nga
Kolec TRABOINI
Ka
muaj që japin intervista në television, por edhe në shtypin e përditshëm për alternativën:
Kishë apo Shtëpi Kulture, por tashmë tejet vonë për të na rimbushur mendjen për
drejtësinë që do e vendoska policia private përmbaruese, sikur të mos jemi këtu
e t’i dimë se çfarë në të vërtetë janë gjyqet shqiptare e çfarë është drejtësia
në këtë vend ku veç drejtësi mos kërko se kurrë nuk e gjen. E për çfarë gjithë kjo
tërkuzë mediatike që nuk do të prajë? Për
një ndërtesë të vjetër në Përmet me emrin e Naim Frashërit, kur shtëpinë ku ka
lindur Naim Frashëri në Frashër e kanë kthyer në gërmadhë - turpi i botës dhe këta
as që flasin fare për këtë temë. Sikur të mos e dinë se edhe shtëpia e Luigj
Gurakuqit nuk ekziston më, se varri i Kol Idromenos është kthyer në një gjëndje
të mjeruar. Po si janë katandisur Kishat e vjetra, afreskat e ikonografëve tanë
me emër në botë, Onufri, David Selenicasi e Konstandin Zografi që rripen prej
mureve vandalisht sikur të qenë lëshuar vandalët e epokave të errëta në
histori. Ku është kryqi i Kishës së Shën Marisë në Labovë, e lashtë kjo kishë, themeluar në vitin
554 të erës sonë. Është fjala për Kryqin
e artë, i cili konsiderohet një nga reliket më të çmuara të orthodoksisë në
botë. Ka mbi dy dekada që është grabitur
e dërguar jashtë shtetit ky objekt i shenjtë që vlerësohej në bazë të gojëdhanave
se qe ndërtuar me drurin e kryqit në të cilin vdiq Krishti dhe simpas besimtarëve
nëpër shekuj, kishte vetinë të bënte mrekulli
shëruese.
Kemi
një shtet, kemi institucione, kush u shqetësua dhe u vu në ndjekje të kësaj
piraterie që vazhdon edhe sot e kësaj dite me veprat e të madhit Vangjush Mio
në Korçë nën hundën e administratës shtetërore.
Një
heshtje ogurzezë. Madje edhe në Institutin e Monumenteve të Kulturës drejtuar deri
tani nga një partiak me fanatizëm politik, del fjala se nuk i interesojnë ku e
si i vjedhin monumentet e kulturës. Bëjnë sikur problemet e shkatërrimit të instucioneve
kulturore të mos ekzistojnë dhe përpiqen të hiqen gjoja objektivë.
Flasin
për Naimin apo e keqpërdorin emrin e tij në këtë rast, e pikë respekti nuk kanë
për Naimin. Edhe në Tiranë do t’u vënë nga pas vëllezërve Frashëri një pallat
gjigant që të duken si miniature, kur ata janë kollosë të kombit. Doli dhe një
ish-drejtor i ish-pallatit të kulturës Përmet dhe foli. Nuk dinte çfarë të
fliste dhe përdori terma spekulative nacionaliste që nuk kanë asnjë lidhje me
problemin. Edhe ky gjoja po luftonte për Naim Frashërin. Kam vërejtjet e
mospajtimet e mia në çështjen Janullatos, por mënyra si këmbëngulet në përditshmëri
dhe pa asnjë kompromis e premisë zgjidhje, po më krijon përshtypjen se kjo
histori po merr trajtën e një histerie që ka tendencë të llangoset si
antiorthodoksi, por e mbuluar gjoja me një krenari e ndjesi nacionaliste. Krejt
kot. Sepse nuk janë atdhetarë ata që flasin, por ata që bëjnë diçka për këtë
vend e për këtë popull. Flasin gjithnjë për Naimin, duke e zhvleftësuar edhe
vetë fjalën se qëllimi dihet nuk është ndonjë vlerë apo kauzë e madh. Punë
tullash. Atdhetarët e besimit orthodox
kanë qënë një prej shtyllave të shqiptarizmës nëpër shekuj. Mendoni sa peshon në
historinë tonë kombëtare një Fan Nol? Të
ishte gjallë Naimi i madh do të sillej ndryshe. Do ta falte edhe shtëpinë e vet
për nipat e Petro Nini Luarasit, Anton Zako Çajupit, Kristoforidhit e Thimi Mitkos. Të jemi realistë, të kish qënë
pronë e xhamisë e jo e kishës ajo tokë në fjalë, kush do të guxonte të hiqte
hoxhallarët zvarrë?! Këta po e bëjnë
si Enver Hoxha në të gjallë, që ishte kundër të gjitha feve, por për të
pushkatuar, pushkatonte priftërinjtë katolikë.
Kjo
histori që të mos kthehet në histeri duhet të marrë fund se po bëhemi qesharakë
në sy të botës. Do merret Europa me ne?! Të na rrojë ajo gërmadha me emrin pallati i kulturës pastaj. Do bëhet si
sebepi i Berishës me 5 a 6 minoritarë fshatarakë që i burgosi për ca shkaqe spiunlliqësh
qesharake dhe e pësuan 500 mijë emigrantë shqiptarë në Greqi me operacionin famëkeq
grek me tingull racist “Fshesa”, e
cila nisi para njëzet vjetësh e vazhdon edhe sot e kësaj dite nën indiferencen
e shtetit tonë, dhe për më tepër tashmë shërben si barometër tregues në rastet
e marrëdhënieve të acaruara shqiptaro-greke.
Pse
pra vazhdojmë në një qorrsokak me këtë konflikt të kotë, pse nuk po dimë një
herë t’i mbyllim gjërat tona me urti duke bërë llogaritë mirë se çfarë është në
interesin e shtetit, por edhe të gjithëve: -një ndërtesë gërmadhë apo një
unitet kombëtar.
Orthodoksia
shqiptare ka nxjerrë martirë të atdhetarisë që kanë dhënë jetën, kujtoni Papa Kristo
Negovanin, At Stathi Melanin që ranë
martirë për Atdhe, njëri në vitin 1905 e tjetri në vitin 1917, ndaj them se
edhe sikur shteti t’ua falë atë gërmadhë me emrin shtëpi kulture nuk do të qe ndonjë
humbje e madhe. Por, këtu lot edhe ndjesia e ligë e antiorthodoksisë të disa
individëve qëllimkëqinj, që shtiren krejt rrejshëm si atdhetarë duke i
konsideruar shqiptarët orthodoksë grekë e jo shqiptarë.
Për
mua, shqiptar që kam lidhjet familjare me të tri fetë kryesore në Shqipëri -
katolikë, orthodoksë e muslimanë, kush i fryn kësaj çështje po bën një punë
antikombëtare. Marrëzira të tilla ndodhin në Arnautstanin tonë prej njerëzish
me mendësi talebane, sepse po i përmendim këtu vetëm tri fakte: një bust të Nënë
Terezës që për turp nuk e pranuan në hyrje të Shkodrës, një kishë katedrale
katolike që u bë aq zhurmë të mos bëhej në qendër të Prishtinës dhe e treta një
Kishë orthodokse në Tiranë në rrugën “Ibrahim Rugova”, që u konsiderua tragjedi
prej disa gjoja atdhetarëve por me mendësi fetare islame nga pozita e
fanatizmit e jo tolerancës. Ende jemi shumë larg prej mendimit përparimtar të
Fishtës së madh që lidhi me drita kompanjelin e Kishës së Fretënve me minaren e
Xhamisë në Fushë Çelë. Në të vërtetë nuk
jemi shumë larg asaj kohe, por jemi shumë larg atij mendimi gjenial të atdhetarit
të madh Gjergj Fishta. Prandaj mjaft më me një kauzë të stisur si ajo e Kishës
së Përmetit që po na e shesin si shtëpi kulture, kur nuk ka asnjë shtëpi
kulture në të gjithë Shqipërinë. Këtë e di gjithkush, qytetarët por edhe
talebanët tanë që i shkatërruan.
Nuk
drejtohet media me kokën në rërë si struci, kinse nuk po shohin çfarë po ndodh
rrotull Shqipërisë. Se nuk është vetëm Përmeti. Edhe një shtëpi shkrimtarësh e
artistësh që kishte Tirana, qeveritarët talebanë të kulturës që sapo ikën sepse
i zboi populli, e kthyen në një Ministri Kulture dhe as atëherë e as sot nuk po
shohim që media t’i thojë të paktën qeverisë së re: - kthejuani ndërtesën që ua
morët në mënyrë arbitrare shkrimtarëve dhe artistëve, atyre që vazhdojnë
pasionin e madh të Naim Frashërit.
Jo,
për këtë punë nuk e duan Naimin. Naimin e duan vetëm kur u vjen ndoresh të lajnë
hesapet me orthodoksët, të cilët mendjeçalët tanë i konsiderojnë si grekë e jo
shqiptarë. Fundi fjalës, a ka kush t’i thotë mjaft kësaj zhurme qëllimkeqe, sepse
janë të panumërta problemet që duhen të zgjidhen, para se sa një ndërtesë e
vjetër që një zot e di si nuk qenka shkatërruar,
si çdo gjë që është shkatërruar e rrafshuar me themel në këtë vend.
Fotografia
shoqëruese:
Naim
Frashëri dhe Shën Maria e ikonografit të
madh shqiptar Onufri.
NEXT: Requiemi i Verdit ne vjeshten politike te Tiranes