- E vërteta mbi Kanunin si kurban i ideologjive e sistemeve vrastare-
Nga Kolec TRABOINI
Një mediatik i njohur për lidhjet e tij me pushtetin e që ka bërë një libër me një injektim euforik të qeveritarëve, pas një ngjarjeje tragjike në Malësitë e Shkodrës që tronditi opinionin publik botoi dhe ai një shkrim mallkues për Kanunin. Eureka! Kështu B.F. e gjeti më së fundi shkaktarin e kësaj vrasje mizore duke thënë me bindje të plotë se gjyshi 70 vjeç dhe mbesa 17 vjeçare ranë viktimë të gjakmarrjes sipas zakonit të maleve. Ky mesa duket as nuk e ka lexuar e as nuk e ka idenë se çfarë në thelb është Kanuni.
Lëshon pasthirrma të hidhura pa asnjë bazë e asnjë argument. Si është e mundur t’ia atribuojë Kanunit vrasjen e një vajze 17-vjeçare. Në cilën nyjë të kanunit të shqiptareve e ka gjetur të shkruar ky gazetar se vrasja për gjakmarrje e lejon marrjen e jetës së një femre aq më tepër të një fëmije.
Po në kanun more zotni, kush vret një grua a një fëmije, ai jo vetëm e paguan më shtrenjtë se gjaku, por ai person konsiderohet i fllligët, quhet gjak hupës, atë mund ta vras çdo kush pa kurrfarë pasoje sepse konsiderohet kriminel, njëkohësisht duke u mallkuar për disa breza, duke ia djegur shtëpinë e duke e nxjerrë jashtë nga fshati përgjithmonë.
Më gjeni tani një dënim kaq të rëndë që ka dhënë ndonjë gjykatë shqiptare ndaj një vrasësi të një vajze 17-vjeçare.
Kjo vrasje nuk ka alibi siç po kërkon ta motivojë mediatiku që nuk ka pse ta lehtësojë vrasësin që meriton dënim jo më pak se njëqind vjet burg, çfarë nënkupton se nëse vdes as kufoma nuk i lejohet të varroset nga të afërmit deri sa t’i ketë kaluar koha e dënimit. Sepse një ligj serioz, si ai në Amerikë ta zëmë, vepron mbi të gjallë e mbi të vdekur, përpara tij e ulin kokën të gjithë, qoftë dhe vetë presidenti i shtetit më të fuqishëm të botës. Kjo qorrollepsje me mallkime antikanunore e larg realitetit absurd që po jetojmë, nuk e nderon as gazetarin B.F., por as gazetën “Panorama “ që boton të tilla shfrime që të kujtojnë luftën ëndërrimtare të Don Kishotit , “Mallkuar qofshi” o mullinjtë e erës!”
Duke qenë pjesë e klanit qeveritar dhe nën sqetullat e pushtetit, ky gazetar harron ose bën sikur harron se gjetkë fle lepuri dhe jo tek kanuni i maleve. Le ta kërkojnë gjetkë pra sepse në Kanun të Maleve nuk ka vend për skupe televizive. Kanuni në këtë rast nuk është gjë tjetër veç një kurban i ideologjive e sistemeve të cilat duke mos patur kurajon të kërkojnë e gjejnë të vërtetën brenda vetes, mallkojnë atë legjislacion që ka krijuar populli për të mbijetuar e për të shëruar plagët e veta, jo për të vrarë por për t’u mbrojutr. Në kush¬tet e mungesës së ligjeve ai kanun ka qënë rregullatori, paralajmërimi për t’i thënë çdo vrasësi potencial se nëse qëllon, je vetë i vrarë. Po ky gazetar as nuk merr mundimin të lexojë as studimet që janë bërë për këtë kanun, madje deri në Japoni duke e nxjerrë si një nga Kodet më madhështore të popujve. Do të thonim se jehona e këtij Kodi Zakonor të Shqiptarëve ka qënë jo vetëm në trungun shqiptar, por edhe në Diasporë. Nuk është krejt pa vlerë mendimi se nuk ishte rastësisht Napoleon Bonaparti, me gjak arbërsh, shqiptar pra, që ka hartuar Kodin Civil të Francës, të parin kod modern që u përqafua nga mbarë Europa e qytetëruar.
Ai mesa duket i ka patur të ngulitura që në fëmijëri traditat e popullit prej të cilit erdhi në jetë, arbëreshët e Korsikës, të cilët kishin kode e zakone me të cilat e rregullonin jetën e tyre sepse kanuni para së gjithash ishte një kod që mbronte e pastaj dënonte. Harron jo vetëm ky gazetar që anatemat ia drejton Kodit të Shqiptarëve e jo realitetit absurd ku jetojmë se çfarë u tha gazetarëve albanologu Rober Elsie, që ndenji veç pak kohë në Shqipëri. Iku i llahtarisur duke thënë: - "Po të jetoja tre ditë në Shqipëri do të çmendesha". Ejani na e vërtetoni tani ju, gazetari i mediave proqeveritare e ju tërë mediat e tjera vizive e të shkruar se ne të gjithë që jetojmë në këtë vend nuk jemi sado pak anormale, për të mos thënë të çmendur, përderisa anormaliteti në çdo fushë të jetës është bërë normë.
Natyrisht kur them këtë nuk kam parasysh që secili prej nesh ka nevojë për një psikolog, por se mjedisi ku jetojmë është i mbushur plot me bacilet e çmëndurisë politike e cila infekton mbarë shoqërinë shqiptare fund e krye. Simptomat e tyre shfaqen herë këtu e herë atje tek ca individë me mendje të cungueme, por duhet patur parasysh plot faktorë të tjerë e duhet kërkuar më thellë se kush është shkaktar i të gjitha patologjive individuale dhe se cilët janë faktorët që i nxisin këto patologji të cilat nëse shtohen e kthehen në epidemi, trondisin mbarë një shoqëri duke sjell kaos qytetar, siç ne e kemi njohur në vitin e tmerrshëm ’97.
Le të shohim se përpara cilave shëmbëllesa mbreslënëse ndodhet qytetari çdo ditë e çdo natë në shtypin e shkruar e median televizive. Sa ndikojnë tek ai jo vetëm anomalitë e veçanta, por edhe ekseset politike me konflikte të skajshme përjashtuese duke e konsid-eruar kundërshtarin një armik. Një gjë duhet kuptuar mirë. Për njëzet vjet është punuar me një sistem mediatik tipik bolshevik. Sot më tepër se kurrë është e nevojshme të kuptojmë çfarë ka qënë në esencë diktatura. Diktatura ka qënë shushatja, brainwashing, shplarja e truve, e humbjes së kujtesës dhe e ndjenjës së lirisë. Edhe terrori që është përdorur ka qënë për këtë qëllim. Por në demokraci, mjerisht e paradoksalisht, kjo mënyrë e shplarjes së truve, kjo shushatje është intensifikuar aq sa tashmë po ndjehen simptoma në të gjithë prerjet e hapësirat e shoqërisë shqiptare. Unë kështu i kuptoj edhe aktet e krimeve të kësaj natyre. Eshtë e njëjta simptomë e cila shfaqet kudo. Që nga krimineli që i ka ik truri, por edhe tek gjyqtarët që edhe ata nuk janë normalë sepse e kanë dënuar tjetrin me 13 vjet për një krim të përbindshëm duke marrë dy jetë, 17 dhe 70 vjeç, pikërisht një kriminel që kurrë nuk duhet të shohë më dritën e diellit. Mënyra se si veprojnë këto gjykata që janë kthyer në avangarda të politikës e të interesit, ka një ndikim të jashtzakonshëm në psiqikën e njerëzve kur shohin se kriminelët pasi janë dënuar fare pak, dhe për më tepër dalin e vrasin përsëri, siç ndodhi kohët e fundit në qytetin e Shkodrës.
Në këtë sens Shqipëria po jeton një çmenduri. Nuk ka më njeri besim të gjykatat. Njërëzit përditë e më shumë po e marrin vetë përsipër gjyqësinë. Madje dalin e thonë hapur se nëse gjykata nuk i jep dënimin e merituar kriminelit do të bëjnë vetgjyqësi. E ky shtet që veç em-rin ka shtet, e këto ligje që veç emrin e kanë ligje, nuk kanë asnjë fuqi veprimi sepse janë të paralizuara prej një korruptimi total. Fjalët të luftojmë korrupsionin, sot përbëjnë veç një shprehje groteske dhe nuk kanë asnjë efekt në shoqëri. Askush nuk i merr seriozisht, por veç si slogane spekulative elektorale. Në këto lodra me nervat e publikut hyn edhe loja me heqjen apo jo të imunitetit parlamentar kur kurrkush nga nënpunësit e
lartë të shtetit a qeverisë nuk penalizohet apo gjykohet. Ata tashmë janë të pagjykueshëm.
Askush nuk pyet më për kod penal a kod zakonor por bëjnë çfarë t’u thotë koka. Veç të nxjerrin pushkën e të vrasin. Më thoni tani kush është fajtori. Ku është drejtësia. Çfarë sistemi po ndërtojmë e kush Europë na pra¬non në këtë farë mosfunksionimi institucional ku ligjet shkruhen e nuk zbatohen, ose zbatohen kur gjykatat që duken hapur proqeveritare të detyrojnë të paguash 50 milion lekë, vetëm se ke thënë se aksh person i rrethit politik apo qeveritar është i korruptuar. Pra më shumë paguan për një fjalë se për një të vrarë. Tani më thoni gjithashtu ku është liria. Mos është tek fakti se unë po flas hapur. Po a më garanton njeri në këtë vend se për këto fjalë që shkruaj nuk do të më vënë në një listë që kalon dorë në dorë deri atje ku puna quhet e kryeme. Kush e ka jetën të sigurtë në këtë vend? Kush ka siguri se në derën e shtëpisë së tij nuk do të vihet një kallëp tritol me një celular siç u hodh në erë një njeri familjar nga Palestina që erdhi të zhvillojë biznes në këtë vend? Merreni me mend këtë lajm në botën e jashtme dhe efektin që ngjall tek ata që synojnë të hapin biznese në Shqipëri.
Mos vallë janë interesa gjeostrategjike të qarqeve antishqiptare ballkanike apo më gjerë, të atyre që çështjen shqiptare e kanë halë në sy dhe që gjejnë lidhje me segmentët e politikës e pse jo të shtetit, duke e vënë këtë vend në një zgrip të ekuilibrit psiqik e shoqëror për të krijuar psikozën se shqiptarët janë një popull që në mënyrë patologjike në histori janë njohur për shpirtin anarkist, instiktin vrasës dhe psikozën shkatë-rruese. Ndoshta sot është vështirë të zbulohen, por ata janë të pranishëm e ndjehen kudo. Koha do t’i zbulojë tërë këto rrënjë kanceroze në shoqërinë shqiptare, por mbase atëherë kur ne të kemi shkuar.
Fatkeqësi e madhe është ky zhgenjim i brezit tim, që lindi në diktaturë, desh u tjetërsua në tentativat e totalitarizmit për të na kthyer në makina ideologjike e kur menduam se po shpëtojne gjendemi sërish nën një ndikim psikologjik e intensiv të përditshëm, të mjeteve të shtypit e të televizionit me propoganda partish e u-dhëhëqësish fjalaman e buçitës, në tentativë për të na kthyer, tashmë në kohrat e teknologjive moderne, në robotë ideologjikë.
Na shpëto zot prej shplarjes së truve! Amen!
Nga libri "Zhgënjimi i Ambasadorit Amerikan" Kolec Traboini 2012
NEXT: Naimi perballe Shen Marise se Onufrit