Requiem
i Verdit
në vjeshtën politike
të Tiranës
Nga
Kolec TRABOINI
Kolec TRABOINI
Nuk
besoj se ka gjë më të bukur në këtë fillim vjeshte tiranase se sa të shohësh aq
shumë njerëz mbledhur para teatrit të Operas dhe Baletit në hapjen e siparit artistik të stinës me një
ngjarje muzikore të madhe siç është përkujtimi
i 200 vjetorit të lindjes së gjeniut të muzikës
Giuseppe Verdi. Interpretohet në
këtë fillim sezoni “Requemi” e tij, i
orkestruar nga dirigjenti italian Aldo Ceccato, i cili bashkoi Orkestren Rinore
të Italisë dhe Orkestren Rinore Shqiptare bashkë me solistët italianë Serena
Daolio soprano, Cristina Melis mezzosoprano, Aleksandro Liberatore tenor dhe
Raffaele Costandini bass. U gjenda në atë koncert bashkë me miqtë e mi
shkrimtarin Pandeli Koçi dhe mjekun Dashamir Malosmani, i biri botuesit të
njohur të viteve ’40 të shekullit të
kaluar. Ishte kënaqësi të takoje në hollin e Teatrit të Operas plot artistë
kryeqytetas, të cilët thuajse janë të
padukshëm dhe nuk di tjetër ku ti takosh për shkak të veprimtarive të vakta të
kryeqytetitm. Krijuesit nuk kanë asnjë mjedis ku të mblidhen e takojnë njëri-tjetrin.
Edhe selia e Shoqatës së Shkrimtarëve e Artistëve u muar brutalisht nga qeveria e ikur, nga
qeveria e nëmur do të ishte më mirë të thuhej. Dhe si për të plasur shpirtin e
krijuesve, ministër i fundit na ishte mos na ishte një poet, nga silloji i
krijuesve muhaxhirë siç janë sot krijuesit shqiptarë, të cilët bashkë me romët janë edhe ata pa shtëpi,
të braktisur nga shteti e pa asnjë përkrahje. A është kjo një gjenocid kulturor
e njerëzor së bashku, vepër e qeveritarëve me mendësi talebane ndaj kulturës shqiptare? Kjo duhet
parë megjithëse shenjat e talebanizmit kulturor të qeverisë së zbuar janë të
dukshme.
Duke dëgjuar
muzikën e Verdit në të vetmen sallë të operas në Shqipëri, për të dëshëruar
edhe kjo, hyn papritur në një botë tjetër. Ke ikur prej zhurmave të përditëshme,
prej llafazanërisë politike, ku punë konsiderohet vetëm “fjalë, fjalë, imzot, fjalë” siç shkruante Shekspiri. Futesh
pra në hapsirën magjike të tingujve, larg konflikteve marroke, inatçore për hir
të një kolltuk kryeqeveritari apo të një ministri, kolltuk që tashmë është kthyer
në objekt kulti në Shqipëri, sepse sundon absurdi kur ke pushtetin ke gjithçka,
përkundër, kur nuk ke pushtetin nuk ke asgjë e s’të mbetet veç të ikësh nga sytë
këmbët nëpër botë.
E për
koicidencë, ndërsa tingujt e Verdit qetësojnë shpirtat njerëzor të atyre që patën
vizionin e bukur të jenë të pranishëm, diku jo më shumë se qindra metra larg, në
sallën e Kuvendit të shqiptarëve ka konflikte e zhurmë mediatike se çoç po
ngjet atje, diçka gjoja në përmasa tragjike sepse opozita që sapo ka lindur e
tillë, deri dje ishte në pushtet e sundonte arbitrarisht, kinse po
maltrajtohet.
“Ma ke
diavolo!”, do të mund thoshte me të drejtë italiani Etore i BE, “nuk mund të
ruani qetësinë?!”. Them këtë sepse edhe dirigjenti Aldo Ceccato u shqetësua një
çast kur dikush në sallën e koncerteve bëri zhurmë, që në të vertetë ishte e
vogël por për një mjeshtër si ai dukej tepër madhe, ndaj me të drejtë dha një
shënjë (basta) dhe serish ra heshtja.
Kësisoj
këndej ra heshtja por andej në sallën e Kuvendit zhurma nuk kish të pushuar deri
sa kryebajraktari në opozitë tashmë, mblodhi mexhlisin e vet e krisi e iku si të
ikte prej Mukjes. O mendësi e vjetër sa bota! Ku na u gjende edhe në kuvendin e
mendjes së shqiptarëve për të na çmëndur të gjithëve.
Me mendje heq dy paralele në mes të dy sallave: këndej një sallë mjerane e operas në nivel provincial, andej salla lluks sikur Kuvendi të ishte “La Skala”, këndej muzikë, andej zhurma, këndej qetësi e andej mishmash, këndej harmoni e andej kaos. Këndej një Verd gjenial që bënte art të madh e kishte një dashuri të madhe për popullin e kombin e vet, andej ca politikanë foduj që në vend të ulin kokën sepse populli i zboi ngaqë nuk kishin qëllim tjetër veç të pasuroheshin me çdo kusht edhe sikur të duhej të kalonin mbi kufoma. Dhe vërtetë kështu kaluan.
Me mendje heq dy paralele në mes të dy sallave: këndej një sallë mjerane e operas në nivel provincial, andej salla lluks sikur Kuvendi të ishte “La Skala”, këndej muzikë, andej zhurma, këndej qetësi e andej mishmash, këndej harmoni e andej kaos. Këndej një Verd gjenial që bënte art të madh e kishte një dashuri të madhe për popullin e kombin e vet, andej ca politikanë foduj që në vend të ulin kokën sepse populli i zboi ngaqë nuk kishin qëllim tjetër veç të pasuroheshin me çdo kusht edhe sikur të duhej të kalonin mbi kufoma. Dhe vërtetë kështu kaluan.
Këndëj
në sallën e koncerteve të Operas një përshpirtje për jetët njerëzore që kërkojnë
amëshim, atje përtej një regres i
dinjitetit e humanitetit. Tek dëgjon tingujt magjepës të violinës, violës,
violinçelit, kontrabasit, flautit, oboes, zërat e harmonizuar të korit gjen qetësinë
shpirtërore, por gjithësecili në këtë
sallë e di se sapo të mbarojë koncerti e të shkojë në shtëpi e të hap
televizorin, e pret zhurmëria, e pret News 24 me një intervistë të një ish
qeveritari të stazhionuar si drutë e arrave të cilat kur ishte ministër i
shfarosi për hir të interesave që veç ai i di se ku e nga rridhnin.Dhe kjo
fytyrë shollë, model i korrupsionit qeveritar, flet e ankohet se qeveria e re një
ditëshe, nuk i ka lënë hapsirë si opozitar kur
ky ditën e djeshme e ka braktisur kolltukun që e ka mbajtur me dekada
dhe e ka shtryllur gencrulshe si limon.
Verdi
ishte një muzikant e atdhetar i madh që nuk e ndau artin e tij nga Atdheu dhe
nga njeriu, të cilat ai i konceptonte një, me moton atdheu është tek çdo njeri e tek çdo njeri është
atdheu, ndaj u bë simbol i Italisë dhe idhull i italianëve. Ndërsa këndej nga
ne, Atdhe është kolltuku, është
presidenti, kryeqeveritari, ministri dhe shefat e mëdhej të kabinetit. Ata janë
gjithçka e njeriu i thjeshtë asgjë.
Këtë muzikë madhështore të Verdit e kam njohur
që në vitin 1990 kur kolegia e filmit Nina Harito-Andoni ilustroi filmin tim
dokumentar “Dëshmi nga Barleti”, atëbotë kur Shqipëria po përjetonte kthesen e
madhe historike. Filmi u çmua si më i
miri i vitit në Kinostudio, por që për dy dekada nuk e ka shfaqur asnjë stacion
televiziv, se kush e di kjo kohë talebane që përjetuam në këto dy dekada tranzicion
nuk ja ndjente nevojën as Barletit e as Verdit. Por tashmë Verdin me mrekullinë
e tij “Requem” e kemi në këtë fillimvjeshtë, e dëgjojmë dhe magjepsemi. Pushtohemi
nga ndjesitë, që nga meditimi i raportit të jetës e të vdekjes, amëshimi në botën
e pasosur, na shkon mendimi te mijra shqiptarë që lanë frymën në det gjatë
ikjeve të mëdha, ata mijra emigrandë që lanë jetën në moshë të re në hapsirën
greke, na shkon mendja tek viktimat e vitit tragjik ’97, tek 26 viktimat e pafajshme
të Gërdecit dhe së fundi tek ata 4 njerëz paqësorë që u vranë në bulevard prej
zyrave të Kryeministrisë e në sytë tanë e të gjithë botës, e që presin drejtësi.
Pa drejtësi asnjë viktimë nuk gjen qetësi e prehje në varr.
Ky
“Requiem” i Verdit, i ardhur në kohën e duhur kur po ndahemi nga një epokë
mjerane, të vë ndër mendime të thella, të
ngjall ndjesinë e dhimbjes, të bën tejet njerëzor, gjëndesh para një përshpirtje madhështore,
herë-herë e ulët sa fryma e një njeriu e
në raste të tjera me intensitetin e një fortune. Fryn një erë fisnikërie kur dëgjon
muzikën e Verdit. Jo më kot mjekët sugjerojnë muzikë për qetësimin e shpirtrave
dhe shmangien e stresit të përditshëm.
Dalim nga
salla e koncerteve dhe në holl vinë edhe artistët që interpretuan aq bukur. Nuk
i qëndruam tundimit pa shkuar të përgëzojmë dirigjentin, ti japim dorën solistëve,
instrumentistëve dhe ambasadorit Italian Massimo Gaiani i
cili ka treguar një përkujdesje të veçantë për këtë koncert.
E ndërsa
dalim në mbrëmjen tiranase në sheshin “Skenderbeg”, nuk rrime dot pa u tunduar prej mendimit se sa
e dobishme do të qe sikur të organizohej një koncert i posaçëm për 140 deputetët
e Parlamentit të ri shqiptar, që duke ndjekur “Requeimin” e Verdit të mund të
qetësoheshin sadopak, të emocionoheshin nëse nuk u janë ezauruar tërësisht ndjesitë
njerëzore, ti thonin vetës se gjithësesi askush në këtë botë nuk është i
pavdekshëm, të pavdekshme janë veprat që bën për popullin tënd e jo për xhepin tënd,
për djalin e vajzën tënde, e vetëm për shtëpinë tënde.
Ndoshta-ndoshta
duke parë këtë “Requiem” madhështor me përshpirtjen për të shkuarën, do të mund të bëheshin diç më të mirë në të
ardhmen. E përtej kësaj të vjen mendimi po aq tundues, a do të mund që
kryeministri i sapozgjedhur Edi Rama të drejtonte qeverinë e re po aq harmonishëm
siç dirigjenti Aldo Ceccato drejtoi orkestren rinore shqiptaro-italiane me
muzikën e Verdit. Mbetet për tu parë. Gjithësesi është koha që i jep përgjigjet
përtej hamendësimeve. Fjala që do të thoshte populli, i cili ka rrojtur nëpër
shekuj e vazhdon të rrojë gjithnjë me shpresë, me këtë rast do të ishte: U bëftë!
Edhe ne themi po ashtu: Amen!
NEXT: ---> 24 shkrime link :
"E vërteta"... e pavërtetë e prof. Emil Lafe - nga...
Zhvillimi letërsisë shqipe në Mal të Zi- nga Rrok Gjolaj
Akademia e mykur e Tiranës- nga Kolec Traboini
Kështu vret vetëm mafia - nga Kolec Traboini
Një spot që ministrit mund ti kushtojë postin- nga..
Aristidh Kola - një libër i ri i Kolec Traboinit
Disidenti i heshtur Zef Zorba - nga Kolec Traboini...
Lazarati në tym - shteti në delir- nga Kolec Trabo.
Zeusit i lajkatohen të gjithë- nga Traboini
Big Show me Canabis Sativa- nga Kolec Traboini
Njerka shkon në ballo- nga Kolec Traboini
Vasil Josif Pani- ne krye të oborrit të shqiptariz...
Stina e mjekrrave të hajthshme - nga Kolec Traboin...
Edgar Allan Poe - më së fundi i kthehet vendlindje...
Kur shpresa s’është veçse një kurvë...- nga Kolec ...
Atë Martin Gjoka kompozitor e mësues i madh - nga ...
Dekorimi politik i Kol Idromenos- nga Kolec Traboi...
Dhjetë vjet thirrje për bustin e Ded Gjo Lulit- ng...
Prejardhja e Hotit dhe Flamuri i Deçiqit - nga Kol...
Requiem i Verdit në vjeshtën politike të Tiranës- ...
Epika blu e Edison Gjergos- nga Kolec Traboini
Ardhacaket e Ballkanit Sofie-Safete Juka
Boston- një shekull përballë greqizimit
KATËR INTERVISTA NGA KOLEC TRABOINI