Politika
në animal farm*
Nga
Kolec TRABOINI
Politikanët
shqiptarë e kanë futur Shqipërinë në kaos. Këtu ka një skllavërim politik të
paimagjinueshëm. I shpërfytyruar njeriu. Themi me të drejtë se në diktaturë na
kanë ideologjizuar. Po tani çfarë po bëjnë partitë? Akoma më keq. Akoma më
shëmtuar. Se po nuk je në ndonjë parti nuk je e nuk ke asgjë. Nuk mund të gjesh
asnjë të drejtë. Nuk mund të gjesh as punë që është i vetmi burim i jetës.
Por
mund të kesh veç një të drejtë, të gjesh gjëkundi ndonjë copë litar e të varesh
në ndonjë tra a pemë, apo të hidhesh nga kati i dhjetë (siç po ndodh
përditë) prej “lumturisë” së kësaj
pseudodemokracie e këtij kapitalizmi alla
shqiptar që të rrjep lëkurën, e të
shpëtosh nga kjo shoqëri mizerabël ku humanizmi nuk njihet. Nga ndonjëherë
mërzitem e them, po ku dinë pinjollët e Animal
Farms të bëjnë politikë e të drejtojnë shtetin. Këto parti me drejtuesit e
tyre teveqelë e dinakë orientalë, janë si Ali Baba me dyzet hajdutët. Kjo është e vetmja punë që dinë të bëjnë. Këta
po e lënë Europën pa mend, e cila, me lehtë u marrka me serbët se me shqiptarët,
se ja po e fusin Serbinë në Bashkimin Europian, duke hapur negociata para nesh që
nuk kemi bërë ndonjë luftë, nuk vramë njerëz, nuk kemi bërë masakra, nuk bëmë
gjenocid siç bënë serbët e Millosheviçit. Po vërtet, ne nuk i bëmë gjithë këto
krime që bënë të tjerët, por ne falë këtyre mendjeve të mykura që kanë ditur të
vijnë në krye të punëve të Shqipërisë me metoda makiaveliste, që nuk dinë të bëjmë
shtet, kemi mbetur fundi i karvanit. Kemi hipur në qerren e orientit, në një
miqësi nostalgjike otomane me ergodanët e Turqisë dhe duam të shkojmë gjoja në
Europë. Po kush të pranon kështu me kësisoj udhëheqësish si pashallarët e
Dovletit. Nuk kanë pik shpirti aristokratik. Nuk manifestojnë asnjë cilësi
tradicionale të shqiptarit. Nuk dinë çfarë është bujaria; Nuk japin një dhjetëshe
për të varfërit; Nuk hapin një fjetore për të pastrehët; Nuk hapin një mencë për
një lugë supë për të varfërit të cilët nuk kanë asnjë mjet jetese. Por mjerimi
i mjerimeve, as kishat e xhamitë në Shqipëri nuk e bëjnë këtë gjë. Thonë se ka
hapur një mencë në Korçë Kisha Orthodokse
por me një lule nuk vjen pranvera e një mencë nuk sherben si alibi e
antihumanizmit. Antihumanizmi është në sistem, është krijuar si mentalitet. E
sheh tjetrin duke vdekur e as një dorë nuk i zgjat. E përdorin emrin e Nanë Terezës
krejt falso, si një shami për të fshirë djersët. A thjesht një zbukurimore
gjoja sikur ky palo shtet që kemi krijuar, ruan cilësitë e shpirtin bujar të Nanë
Terezës. Gjithçka mashtrim. Kudo gënjeshtarë. Kudo hundgjatë për t’ia pasur
zili edhe Pinoku. Në pushtet vijnë më së shumti njerëz që nuk kanë ndjesi. Njerëz
robotikë që nuk e dinë çfarë është mëshira. Mjaftojnë të shesim dëngla nëpër
botë se i kemi mbrojtur izraelitët në 1944 kur këtë punë e ka bërë më së shumti
vetë qeveria kuislinge, duke ua fshehur gjermanëve listat, kuislingë të cilët ne ende dhe sot e kësaj
dite i dënojmë. Politikanët ishin të vetmit njerëz që nuk ditën të qajnë me sinqeritet për 26 shpirtrat e Gërdecit, të
cilët u bënë dy herë viktima, edhe më pas në luftën donkishoteske politike. 21
janarin harrojeni. Në një vend ku organet gjyqësore dhe prokuroria
janë thjesht vegla politike nuk mund të ketë drejtësi. Ka vetëm
korrupsion dhe vetgjyqësi. 6 mijë të vrarë për gjakmarrje në një dekadë
demokraci është një akuzë e rëndë për
sistemin e instaluar që nuk funksionon edhe me ndihmën e kujdesin e të huajve.
Jemi kthyer me fytyrë nga epoka e errët e mesjetës. Populli shqiptar kësisoj
ndodhet në kufijtë e fatalitetit.
Këta
njerëz të veshun me pushtet e politikë nuk nxorrën një pikë lot kur katër fëmijë
u dogjën të gjallë prej skamjes, jo larg
kryeqytetit, ku shpura politike në lluks
marramendet si palloi në diell. A kanë zemër që t’u rrahë kur shohin fëmijët e
romëve në gjëndje të mjeruar si të ishim ne një nga vendet më të varfra të
Afrikës. Këta politikmutbërës shahen në parlament si kurvat. Sot baxhellat
politike janë në modë. Baxhellat nuk kanë seks, herë shfaqen si meshkuj e në të
rrallë edhe si femra. Janë eunukë
partish. Dridhen përpara sulltanit
Sulejmanit të tyre. Shpesh i shaj me vete kur i shoh të dalin në paradë nëpër
ekrane televizionesh si manekinë, trushplarë, marioneta në teatrin e kukullave,
por edhe kjo shfryrje nuk më jep ngushëllim.
Kur do
ta kuptojnë këta kaposhat tanë politikë se në këtë botë të madhe janë si miza
dheu. Madje me këtë mutsihane
politike që kanë krijuar, ku nuk e merr vesh qeni të zonë, mund të thosha edhe
diç më ndryshe, levendët e politikës më ngjajnë si miza m....
* “Animal Farm” është romani i
autorit anglez George Orwell, për sistemin e Rusisë
sovjetike, botuar në vitin 1945.
Gazeta Sot 10 shtator 2013