QITAPËT E QATIPËT E DEMOKRACISË
(Vazhdimi i
shkrimit “Hëna verdhane e Ben Blushit” tashmë në festivalin merre-lëre të
librave)
Nga KOLEC
TRABOINI
Në festivalin e
merre-lëre të librave në Tiranë, ku do të jepet çmimi i ri në fshat të vjetër
“A. Klosi”, që ditën e parë u vu re se një libër, anipse pak më shumë se 100
faqe, që po sillej si ato mallrat që i lëvizin nëpër porte me elektrokarro.
Se vërtet ishin
barrë e rëndë ato mijëra libra të bëra dëng e me të njëjtin emër “Hëna e
Shqipërisë” kur në të vërtetë në kopertinë nuk duket askund Shqipëria, por
fytyra plot shkëlqim e mirëqënie e deputetit të partisë në pushtet Ben Blushi.
Një marramendje kjo kur shkrimtarët, sado të mira t’i kenë veprat e tyre, nuk
pretendojnë të shesin më shumë se dhjetë libra e jo më t’i transportojnë me
vinça. Llogaria është bërë që botuesi i Hënës së verdheme të Ben Blushit të
nxjerrë fitime financiare, por edhe politike. Henri Çili, sejmeni i përunjur i
kryeministrit të djeshëm, boton e pompon librin e deputetit socialist Ben
Blushi, kësisoj kemi aleancat e atyre që ndërrojnë kolltukët e bëjnë sikur janë
kundërshtarë veç për të ndërsyer popullin.
Ndërkohë autori
bashkë me fitimin ka edhe një show mediatik për t’ia patur zili edhe
nobelistët. Kësisoj fryrje tollumbacore kemi parë në kohën e veprave të Enver
Hoxhës, por më pas përsëritur hareshëm nga beniaminët e politikës. Ndaj sapo
pashë ngarkesën si në hapësirat portuale të Durrësit më shkoi mendje tek vepra
“Shënime për Lindjen e Mesme”, ku diktatori kishte shkruar edhe një kapitull të
madh për konfliktet fetare, konflikte të cilat tani i analizon deputeti Ben
Blushi në terrenin shqiptar.
Sa bukur dinë t’i
bëjnë punët qatipët e politikës mendova. Shkruajnë dhe qitape dhe është e
detyruar ta lexojë tërë kazaja. Jemi a nuk jemi ende në kohën e qoftëlargut?
Shembujt që
sjell Ben Blushi në libërthin e tij janë mbresa filmash(“në Shqipëri lulet i
hanë gomerët”) apo informacione të vonuara mbi incidentet në Mexhlisin e
perandorisë osmane, referenca me të cilat merren historianët, osmanologët e jo
ata që flasin në emër të sovranit për punët e hallet që ka sot Shqipëria, çfarë
të bën të mendosh se ende ka njerëz që shkruajnë me mendësinë e qatipit e të
qitapit. Pra duke sjellë ca thënie a episode parashekullore e duke i
aktualizuar si në kohën e mereqepit, sikur për 100 vjet të kishim mbetur aty ku
kemi qenë e asgjë nuk ka lëvizur në mentalitetin e shqiptarit.
Në parlamentin
turk vërtet kanë ndodhur kësisoj ndeshjesh e grindjesh siç citon Beni në libërthin e vet, sepse kanë
qenë edhe në perandori forca politike kundërshtare. Ka pasë opozitë edhe në
Mexhlisin otoman. Ismail Qemalin nuk e
kanë rrahur vençe si të rrahin (apo vrasin sot)
por i nxehur Dervish beu nga Serezi i Maqedonisë, i ra me shpullë Ismail
Qemalit. Hasan Prishtinës i erdhi aq keq, saqë i kërkoi dyluftim deputetit të
Maqedonisë. Mirëpo, ndërhyri Ismail Qemali: “Biro! Ti i
duhesh Shqipërisë” kështu thotë historia për duelin që nuk u bë kurrë. Kësisoj autori i Hënës rrënuese nuk ka asgjë të re në
shembujt që sjell. Ka një libër Hasan Prishtina botuar këtu afro 93 vjet, në
vitin 1921, "Shkurtim kujtimesh për
kryengritjet e vitit 1912" që tregojnë shkaqet e kryengritjes që sollën
pavarësinë e jo për ca grindje në mexhlisin turk ku na paska vepruar inati
personal më shumë se ndjesia kombëtare.
Se ku po
shkojmë, pyetja që e rrënqeth deputetin e Elbasanit (anipse nga babai është
prej Korçe) me rezidencë në Tiranë, Ben Blushin, në fakt duhet populli të pyesë
parlamentarët e jo të pyesë deputeti popullin. Këtu në Shqipëri dëgjon
mrekullira me Nastradin. Ky deputet me listë, kur u sajua gurguleja me
kimikatet e Sirisë, doli në publik në nahi të Elbasanit si një adoleshent e tha
se unë jam kundra nëse qeveria merr një vendim të tillë, sikur të mos kishte
forume partia e tij, doli pra përkrah të pizmosurve me frymë antiamerikane,
sikur Amerika do të hidhte bomba kimike në Shqipëri. Në fakt u përzie me
mediokritetin e turmës thjesht për t’i bërë
karshillëk Edi Ramës. Në të vërtetë këtë lojë antiramë e bëri me koshiencë sepse dëshiron të vijë në krye,
mirëpo i ka të gjitha gjasat që në zgjedhjet e ardhshme jo të ngjitet më lart
por të mos jetë as deputet e kjo e tmerron autorin e librin “Hëna e
Shqipërisë”.
Ajo çfarë e
intrigon Ben Blushin, deputetin e partisë në pushtet, është mendësia e shqiptarëve
të cilët i sheh nga maja e Pikaloit. I duken të vegjël, i duken mizantropë, i
duken injorantë nga ata që i japin të hajë gomarit lule, kryekrejet i sheh
shqiptarët si një specie në zhdukje me ca llogari fantazore se të varfërit
zhduken duke mos u riprodhuar, ndërsa të pasurit mbijetojnë e Shqipëria shkon
në një milion e gjysëm e asnjë çik më tepër. Kështu thotë Ben Blushi duke na
bërë mësime maltiusiane, pse jo edhe neomarksiste që kapitalizmi i bën varrin
vetes.
Në aspektin
tjetër se si janë shqiptarët e kanë thënë udhëtarët e ndryshëm që në kohën e
Skënderbeut e më pas Mevla Çelebiu e nuk ka mbetur ta shkokolisë a ta
kullandrisë këtë muhabet Ben Blushi që ngroh vezët në parlament. Nuk është
asgjë e re edhe kjo. Por në një shtet provincial si Shqipëria çdo person publik
kur flet e konsideron se kjo është hera e parë që shtrohet e zgjidhet një çështje.
Ai e vetëm ai është i pari dhe i fundit. Duke e parë këtë mani, tashmë në modë
në Tiranë, kam qenë e mbetem kundër
beniaminëve të politikës që i përkëdhelin sedrën vetes, shkruajnë ca përsiatje
për dy muaj dhe ja libri, shoqëruar me kokorisje.
Po le të
shkojmë më përtej faqeve të libërthit, Hëna e gremisur, mos vallë e pamë
deputet Benin të thojë një fjalë të vetme në parlament? Përse është Parlamenti,
për sojllitë ëndrrimtarë apo njerëz praktikë që zgjidhin probleme. Nëse merr
paratë e popullit, shpërbleja me mund e sakrificë këtij populli, fol në emër të
interesave të tij e mos rri nën hije. Të qëndruarit në hije e dalja me ca
libërtha për t’i shitur e bërë bujë dhe për fituar para del në prioritet,
kësisoj meqënëse Median e kanë në dorë e
vërtisin si topsheqeri, gjejnë frymën e mirëkuptimit, të interesit dhe kështu puqen sejmenët e kryeqeveritarit
të djeshëm me deputetin e partisë në pushtet. Për këtë nuk flet as Beni e as
askush. Edhe Media hesht për këtë.
Nuk
kundërshtojmë faktin se ka një mentalitet turqeli në administratën shqiptare,
por është në zero influencë kushdo që mendon se i di të gjitha, i jep mend
njerëzve ndërkohë nuk e lozin as qimen për të ndryshuar gjendjen. Këtij vendi
nuk i bëjnë punë as teorizimet e as llafeeollogjitë, por prakticiteti, anzhazhimi
qytetar për t’i lëvizur gjërat në kahjen e duhur. Llafet le t’ua lënë atyre që
kanë veç çelësat e kashtës. Ben Blush- deputeti, duhet të lëvizë, të flasë atje
ku është për të folur, sepse për atë e paguan populli si deputet. Deputeti Ben
Blushi në Kuvend hesht, e heshtja e tij
është irrituese më shumë sesa llomotitjet e opozitës e cila mesa po
shihet ka arritur ta stepë pozitën apo më e keqja, ka gjetur mirëkuptimin e saj
për të mos u dënuar për veprimet shkatërrimtare e vjedhjet spektakolare që i
është bërë shtetit shqiptar nga kastat e politikës. E në këtë pozitë anemike është edhe Ben Blushi me qitapët e
tij.
Guzhina
universitare e Çilit del e jep njoftimin se janë shitur deri më tani 3000 kopje
të librit me përçartje “Hëna....” e Blushit. Guzhina po guxhinë, por do të
këshilloja lexuesit të mos nguten të blejnë të tillë libra politikanësh me
prognoza mjerane, të cilët edhe vetë si politikanë-autorë veprojnë si
personazhe letrare, ta zëmë Obllomovi me papuçet e tij që nuk doli e nuk doli
kurrë deri tek dera e oborrit. Lërini pra të bëhen stok me qitapë e me qatipë e
asesi të mos ndihmoni të dhjamoset politika që nuk bën asgjë tjetër veç
ushqehet me djersën e popullit dhe ngroh vezët e veta në parlament. Dhe
kësisoj, njerëzit që janë në pikë të hallit të detyrohen të paguajnë dyfish,
edhe për qitapin, edhe për qatipin, s’e dinë si t’i molloisin punët e veta
qafirët e demokracisë. Në mbyllje do të thosha se këta politiko-shkrimtarë që
janë bërë një tufë tashmë e pompohen llahtarshëm nga Media, po shfaqen gjithnjë e më shumë tipikë si “Çabytha” personazhi i romanit
ironik i sapobotuar i shkrimtarit Agim Gjakova “Rrëfimet”. Sukses i padyshimtë
i demokracisë edhe ky, që personalitetet politike në Tiranë kanë ambicjen e
shfrenuar Orwelliane, t’ju ngjajnë personazheve groteske në Prishtinë.
NEXT: STINA E MJEKRRAVE TE HAJTHSHME
http://traboini1.blogspot.com/2014/04/stina-e-mjekrrave-te-hajthshme-nga.html