27 June 2014

Vrasja e Santos - kështu vret vetëm mafia - nga Kolec Traboini



KËSHTU VRET VETËM MAFIA....

nga KOLEC  P. TRABOINI


Vetëm pak kohë pasi kishte ndodhur, shkova e pash vendin ku u vra në mënyrë mizore një biznesmen i njohur shqiptar që shkonte në punën e tij. Ashtu siç shkonte përditë. I rregullt deri në përsosje. I aftë, plot talente dhe i përkushtuar. Ai na tregonte se si duhet të shkohej në të ardhmen. Me punë , me përkushtim. Por dikujt nuk i shkonte për mbarë kjo rregullsi e ky sukses. Është pak vështirë të mendohet se kjo vrasje në publik, në mëngjes dhe në qendër të Tiranës madje në prani të tre policëve, dy roje e një rrugor, do të kryhej për një hakmarrje.  Dikush kërkonte ta zhdukte që ti hapej rruga për gllabërimin i bizneseve të Artan Santos. Dhe ato ishin të shumta dhe të suksesshme: Banka Credins, Universiteti Luarasi, Media grup Fokus, ku përfshihen News 24, Scan TV, Balkan Web, Gazeta Shqiptare Radio Rash. Indikacionet e rivaliteteve për këto biznese kanë qenë të dukshme. Por gjithçka arrin të mbulohet me mister. Ne krime të tilla ku janë pleksur fije të mafies kriminale me influenca në pushtet arrijnë të fshihen e  kurrë vrasësit e vërtetë nuk dalin. Atyre as fytyrën nuk ua gjen dot. Janë si mjegull kudo dhe askund. Mund të kapën dy kriminelët, mund të dënohen por ata me siguri nuk do të flasin, nuk do të tregojnë gjithçka sepse e dinë si veprojnë ligjet e mafies. Rrezikon tërë familjen e fisin. Prandaj gjithçka që do të gjejmë, se mbase 100 mije euro venë për kapjen e vrasësve bëjnë punë, do të jenë vrasës profesionistë, që për një dorë para vrasin njeriun më të suksesshëm në këtë vend. Ata as e kuptojnë se duke qëlluar Artan Santon jo vetëm kanë larë hesapet e padronëve, bosëve të mëdhenj që paguajnë shuma marramendëse për kësisoj vrasjesh, po kanë vrarë edhe besimin e populli, gjithsesi ata janë thjeshtë mekanizma qorre. Makina vrasëse në duar të Mafies. Asaj mafie që nuk është çudi që pasi i dhanë plumba, u gjendën edhe në Sheraton për homazhe, për të hedhur lule mbi arkivolin e Artan Santos. Kështu veprojnë mafiet, madje nuk e kanë për gjë të dalin të thonë para mikrofonave të TV se e kishin mik. Një miqësi mortesh.  Se vërtetë si na doli që e paskëshin pas mik të gjithë, kur  javë a dy javë më parë e kishin sharë, e kishin mohuar, madje një ortak i tij e kishte ndaluar të hynte në institucionin ku ishte bashkëpronar. Sepse kështu kuptohet kapitalizmi në Shqipëri që të jesh ujk i pamëshirshëm  përndryshe nuk bën përpara.
Në bllok, aty tek pema, pranë shkallëve të Credit Bank ku u vra Artan Santo dikush kish shkruar "Mafia po na vret!". Po, e ka vra Mafia e mafia më së shumti rri në kupolën e shtetit, në trajtën e oligarkëve të respektuar. Po të mos kishte Padrino nuk do të kishte vrasës me pagesë. Po është e vërtetë që Mafia po na vret përditë pak e nga pak, herë këtu e herë atje, por Mafia është një përbindësh me shumë gjymtyrë e që koka e saj si një makinë që organizon vrasjet është brenda segmenteve të shtetit. Dhe kjo është një katastrofë. Atje ku lozin miliona, atje ku pangopësia është e lemerishme e që shteti nuk ka me çfarë i bën se i ka brenda tij të infiltruar, me imunitet, me rreth klanesh ku rrojnë si mbretër.
O shqiptare, Mafia po na vret! Shtet zgjohu! Prokurori, Gjyqësi, Polici zgjohuni, na shpëtoni ne edhe veten, sepse Mafia është e pamëshirshme për këdo që nuk është në rrjetin e saj, ajo kurrë nuk e ndalon rrjedhjen e gjakut. Vrasja e Artan Santos, u bë prej kriminelëve në mes të Tiranës aty ku as që nuk mendohet se guxon të lëviz një vrasës, pikërisht atje qëllon sepse Mafia ka siguri dhe kërkon ta terrorizojë e gjunjëzojë këtë popull që kurrë nuk i pushuan travajat.
Po nuk u zgjuam të gjithë, ky vend ka marrë fund!

26 qershor 2014


Fotografi të realizuara në vendin e ngjarjes nga K.Traboini një orë pas vrasjes së bankierit Artan Santo para bankës së tij në Bllok "Credins":









23 June 2014

🔴Vaterloja politike e Tiranës- nga Kolec Traboini


VATERLOJA POLITIKE E TIRANËS
- Bosat e shtetit -


nga KOLEC TRABOINI
Jemi kësisoj si në kohën e triumviratit të Jul Çezarit me një pushtet  që shfaqet si një kurorë mbajtur në tre gozhda e ku gozhda e Saliut nuk ka gjasa të zhgulet në të gjallë të tij. Veç Zoti mund ta ndryshojë këtë raport. Por Zotit nuk i intereson politika  e shqiptarëve dhe i lë gjërat të rrjedhin siç duan njerëzit. Përfundimisht mund të themi se shteti shqiptar është i përqendruar në tre shtylla Rama, Meta dhe Berisha (presidenti është inekzistent ndoshta jo plotësisht për fajin e tij), ku Meta qëndron në mes dhe është forca ekuilibruese e triumviratit të ri shqiptar prej të cilit kurrnjë të mirë nuk pret ky popull.
Kalkulimi për goditjen e Lazaratit është bërë në marrveshje të plotë me emisarët e BE dhe të Ambasadorit Arvizu. Sado të përpiqen ta mohojnë maja e aisbergut duket dhe pjesa e nënujshme fare lehtë përftyrohet. Dhjetë ditë më pare se të ndodhte ndërhyrja e shumëpërfolur, ministri i brendshëm kishte një platformë tjetër, të një zgjidhje europiane, gjithëpërfshirëse, si është e mundur pra që po ky ministër bën një zgjidhje të një goditje rrufe që më shumë se stil europian të jep përshtypjen e një inkursioni hollivudian stil Rambo. Pra hezitimit të gjatë të qeverisë shqiptare për të ndërhyrë me trupa speciale, ju gjëndën pranë ndërkombëtarët për dy arsye. 
Arsyeja e parë ka të bëjë me fasadën, që  të krijohet përshtypja se Qeveria shqiptare e ka gjëndjen nën kontroll dhe ësht ë në rrugë të mbarë. Pra një show për të kënaqur europianët të cilët e dinë mirë se Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht të vërtetë për të qënë pjesë e integrimit europian, dhe përgjegjësia është së pari e politikës.  Natyrisht politika duhej ndihmuar, duhej shpëtuar sepse refuzimi i tretë do ti të varroste politikën shqiptare përfundimisht dhe  nuk mbetej veç të shiheshin aleanca lindore në segmentin Turqi Kinë, mirëpo kjo nuk u interesonte të dërguarve europianë. A nuk e shihni çfarë bën Europa për të tërhequr Serbinë nga prëhëri rus? Tani në Beograd shkon dhe Toni Bler. Anipse Lazarati nuk ishte në asnjë nga 12 pikat e kushteve, papritur shqiptarët e politikës dhe emisarët e huaj e vunë si pikë të parë krejt e paqënë. Sepse ishte i vetmi kusht që mund ta realizonin dhe atë gjithësesi me vështirësi sepse u vunë 1000 policë kundër 15 antarëve të një bande të armatosur nga të cilët u arrestuan vetëm kush u dorëzua, të tjerët ikën në drejtim të paditur. Si ti përpinte dheu. Kjo tani shitet si sukses kur kurrfarë suksesi nuk është sepse kjo mund të bëhej pa patur nevojë të pushtohej ushtarakisht Lazarati dhe të turpërohej policia, megjithëse propoganda po e shet disfaten si lavdi.
Arsyeja e dytë ka të bëjë me Ambasadorin Arvizu i cili tashmë nuk e honeps Berishën, dhe me të drejtë sepse është brenda konceptit amerikan, kur je në pushtet je gjithçka, kur zbret nga pushteti je një qytetar i thjeshtë. Kështu do të thjeshtëzohet edhe Arvizu në Amerikë kur të lëshoj postin për një tjetër. Por Arvizu nuk mund të puqet me mendimin se ndërsa ai do të shkojë e do të thjeshtëzohet në SHBA, Berisha do të vazhdojë të jetë faktor dhe i përnatshëm në qëndër të vëmëndjen në Shqipëri. Por përtej ndjesive personale ndaj atij që e quajti “burrë shteti”, ka edhe pasigurinë se socialistët nuk do të dijnë të mbajnë pushtetin përballë një dinosauri politik si Berisha që manipulon gjithçka në këtë vend, ndaj jo më kot ia zgjatën mandatin që i ka skaduar si ambasador Aleksander Arvizut, për  eleminimin politik përfundimtar  të Berishës  për  ti lënë krah të lirë Lulzim Bashës.  Për realizimin e kësaj  ai mesaduket ka menduar për një sërë masash që duheshin marrë për ti dobësuar pushtetin politik Berishës. Ai e ka dëgjuar Ministrin e Brëndshëm Tahiri në intervistën televizive mbi zgjidhjen e problemit të Lazaratit në plan europian dhe ka mbetur i pakënaqur duke i sugjeruar zgjidhjen e problemit në stil amerikan. Dhe kështu të bindurit tanë e kanë pranuar goditjen me stil Rambo mbi Lazaratin. Por llogaritë nuk dolën siç u menduan me shkakun se ato 1000 policë shqiptarë, ca thonë edhe specialiste italianë ndërhyrjesh, nuk patën sukses me blicin e tyre sepse u frenuan nga 15 njerëz, kaçakë të armatosur, mercenarë fshatarë  këta të bosave të droges, të cilët rezistuan në pesë ditë, por nuk vranë njeri, ikën nga sytë këmbët në drejtim të paditur duke ua lëshuar fshatin policisë që hyri si triumfatore e lodhur e raskapitur deri në palcë. Ca thonë edhe e uritur. E për ti dhënë një gjallëri e publicitet aksionit nxorrën në foto dhe një vajzë të bukur, e denjë për Mis Albania, me uniformën e policit dhe automatik në dorë. Tani në internet të rinjtë po çmënden pas kësaj fotografie që vërtetë është e admirueshme, por gjithësesi policja e bukur  nuk e përballon suksesin e betejës së pesë ditëve kuturisje, por propoganda është propogandë ajo do bëjë punën e saj sa të shuhet zhurmënaja e betejës e pjatave e pirunëve në Padam dhe beteja raskapitese në Lazarat.
Gjithësesi qëllimi politik u arrit, klanit të Berishës ju pre mbështetja financiare nga bastionet e Lazaratit dhe si e tillë ai tashmë financiarisht mbetët i dobët. Fakti se kryetari i fshatit Lazarat gjithnjë është gjëndur nëpër grevat e metingjet e PD tregon shumëçka për lidhjet e kësaj partie me republiken e kanabisit. Por megjithë se kjo zgjidhje me goditje të përqendruar policore është në interes të kryeministrit dhe të Ambasadorit që duan shmangjien e Sali Berishës nga skena politike, ose të paktën dobësimin e tij maksimal, kjo nuk i shkon për shtat politikës së LSI-s. Asaj i intereson të vazhdojë aleancën me PS dhe Ramën, por jo dhe aq sa këta të fundit të forcohen aq shumë sa të mos ja ndjejnë më nevojën LSI, aq më tepër që kjo nuk do që PS të jetë plotësisht e sigurtë.
Jemi kësisoj si në kohën e triumviratit të Jul Çezarit me një pushtet  që shfaqet si një kurorë mbajtur në tre gozhda e ku gozhda e Saliut nuk ka gjasa të zhgulet në të gjallë të tij. Veç Zoti mund ta ndryshojë këtë raport. Por Zotit nuk i intereson politika  e shqiptarëve dhe i lë gjërat të rrjedhin siç duan njerëzit. Përfundimisht mund të themi se shteti shqiptar është i përqendruar në tre shtylla Rama, Meta dhe Berisha (presidenti është inekzistent ndoshta jo plotësisht për fajin e tij), ku Meta qëndron në mes dhe është forca ekuilibruese e triumviratit të ri shqiptar prej të cilit kurrnjë të mirë nuk pret ky popull. Pa daljen e Sali Berishës, Fatmir Mediut  dhe grupimit ish qeveritar në gjyq,  nuk ka shpresë që  Shqipëria të kthehet në normalitet. Por kjo mjerisht nuk ka asnjë gjasë të ndodhë me këto raporet e aleanca që janë krijuar, prandaj shqiptarët të mos jetojnë me iluzione kultesh por të kuptojnë se është koha për të nxjerrë në skenë forca e individ të një fryme të re e me energji pozitive në politikë që i tejkalojnë këto konspiracione që e kangrenzojnë shoqërinë shqiptare, që më shumë të kujtojnë klanet mafioze se sa politikën e shtetit të ligjit dhe të së drejtës. 

21 June 2014

Aristidh Kola - një libër i ri i Kolec Traboinit

Aristidh Kola nga Kolec Traboini 2014
 ARISTIDH  KOLA
(1944-2000)

Nga KOLEC TRABOINI



….Edhe pas 14 vjetëve të vdekjes së Aristidh Kolës, ende vegjeton një zili për keq, tek ata që kanë veshur papuçet akademike të Obllomovit. Lënia jashtë vëmendjes, thuajse në harrim e kësaj figure, duke mjaftuar me emërtimin “Aristidh Kola” një rrugicë të vogël në periferi të Tiranës, diku fshehur pas pallatit të Brigadave a fshatin Sauk, është vërtetë shprehje e qëndrimit tonë cinik ndaj kulturës arbërore, e mendësisë sonë të vetizolimit, për të mos thënë frikës se mos bash për këtë mbeten prishaqejf diplomatët e fqinjëve. Vështirë është ta pranojmë të vërteten, por pa e pranuar atë nuk ka as dhe një shans të vetëm të gjejmë një udhë të drejtë në këtë mishmash kombëtar, ku flitet veç për politikë, ku prodhohen veç konflikte e kultura konsiderohet si një handikap shoqëror i bezdisshëm.
Aristidh Kola ishte nje mendje e ndritur qe e tejkalonte kohen e tij. Kultura, tradita, gjuha, prejardhja, historia ishin gjithçka në jetën e tij. Ai e shihte Shqipërinë me sytë e shpresës. Ai kishte udhëtuar katër herë në Shqipëri e një herë në Kosovë, por edhe në Kalabri e Siçili, gjithnjë me dëshirën e zjarrtë për ta thyer atë barrierë që na kishin vënë në mes nesh, në mes të njerëzve të një gjuhe dhe një gjaku. Ndaj është krejt e kuptueshme çiltërsia me të cilën e priti dyndjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi me mendimin, se kjo do të ishte një rast ideal për të krijuar lidhjet e mungura në mes të krahëve të shqiponjës.
Ai u afroi shqiptareve emigrantë një miqësi pa asnjë rezervë e pa asnjë kusht. Ai nuk përdori për ta asnjë herë fjalën emigrant. I quante me gjuhën e tij të bukur shqipo-arvanite “djemt”. Kush e di ç’bëjnë djemt. Kush e di ku janë djemt. I thërriste ashtu siç thërriste të birin e vet Panajotin. Me të njëjtën dashuri. Ishte një miqësi e dashuri që buronte prej gjakut të përbashkët që na rridhte në damarë e gufonte në zemrat tona arbërore. E më së shumti nuk ishim ne që e kërkonim atë, sepse edhe druheshim, por ishte ai që interesohej se çfarë ndodhte me emigrantët shqiptarë në Greqi. Që kur e takuam për herë të parë, ashtu do ta ruajmë në kujtesë, të gjallë e plot energji , të përzemërt ,me fytyrë plot dritë e të qeshur, gjithmonë i mirë e bujar. Kush tjetër si ai!
E kjo ndodhte se ai kishte nje vizion te madh e nuk i shihte shqiptarët e Shqipërisë së vitit 1913 si njerëz të përtej sinoreve, por vëllezer gjaku, sepse e dinte se kufijt ishin krijuar nga të tjerët e jo nga shqiptarët, se pengesat i sjellin qeveritë e politika, por jo popujt.
Aristidh Kola ishte si një diell që lind, kalon në zenit dhe perëndon, e gjatë gjithë udhës në qiell ndriçon për njerëzit. Kështu ndriçoi gjatë tërë jetës së tij miku ynë i madh e i paharruar që sot e kujtojmë me nostalgji. Veç perëndimi ishte tejet tragjik për diellin metaforik me emrin Aristidh Kola....

Nga libri  "ARISTIDH KOLA", Kolec Traboini, botim i Pantheon Books 2014


TRABOINI ART STUDIO CHANNEL