18 June 2014

Big Show me Canabis Sativa- nga Kolec Traboini

BIG SHOW ME CANNABIS SATIVA

Të gjithë duke përfshirë pozitë e opozitë, janë në një histeri kolektive kundër Lazaratit, që të shkretët njerëz më shumë se sa mëkatarë e keqbërës, siç po i cilësojnë marrëzisht, janë vetë viktima. Financial Times  shkruan se “Lazarati kryeqyteti drogës europiane po sulmohet për të gënjyer shtetet skeptike që ti japin statusin Shqipërisë. Është e vështirë të besosh, vazhdon Tinancial Times,  se, forcat e sigurisë në Shqipëri sapo u zgjuan për të kuptuar atë që ndodh në Lazarat-­ çështja kryesore është se një plantacion i kësaj shkalle epike duhet të jetë mbrojtur nga lart.”
Shkruar nga Kolec TRABOINI
Flasin, pëllasin e mallkojnë  zëdhënesit e institucioneve të shtetit, të partive,  Tv-të, gazetat. Përtej kësaj zallamahie askush nuk thotë gjë se ku do të arrijmë e çfarë do të jetë fitimi me këtë kuturisje antilazarat. Në doni bindjen time që është krejt kundër me njëzërin populist mund të them që në krye: unë në këtë zallamahi, këtë kaos e tymnajë për të treguar se gjoja këtu ka shtet, jam në opozitë me të gjithë.
Nuk më mbushet mendja edhe pse u lëshuan 800 policë me kapuça të zi, me autoblinda e teknikë luftarake ushtarake(!!!) por edhe për shkakun se ministri, dora vetë, dha një intervistë nervoze në sfond të kapuçionëve të vet sa mu duk sikur gjëndesha në një grusht shteti në Amerikën e Jugut. Nuk më mbushet fare pra,  me shkak thelbësor se nuk e honeps brrutalitetin e shtetit. Vetë ministri në këtë rast do të qe më mirë që edhe ai të vinte një kapuç të zi në kokë e ne ta quanim ministri kapuçion i shtetit. Mirëpo një ministër besoj se ka aq mend e kulturë e dije domosdo, që të kuptojë se shtetin e krijon populli e jo kryetari i partisë së vet, për më tej e ka zgjedhur së pari për mendje së dyti për forcë. Pa u vënë në punë e u shpenzuar sadopak energjia mendore nuk ka pse vihet në punë dhuna. Dhunë u tregua me 21 janar 2011, thuajse të gjithë ishim kundra, dhunë po tregohet edhe sot, të gjithë jemi pro. Po kë vranë lazaratasit meqë po i quajnë edhe kriminelë?
Mos ishin ata që vunë tritolet nëpër makina, që vranë gjyqtarin Konomi në Vlorë, apo dogjën agjentin e SHIK-ut në Durrës (vrasësit në drejtim të paditur!!!)? Asgjë nga këto.  Po si mund të quash kriminel një njeri të varfër që ka mbjellë një rrënjë kanabis sativa në oborrin e tij,  pa qënë vetë akuzuesi i rrjedhur.  Ndaj them se më shumë se lazaratasit ka rrjedhur shteti.  Ndaj këmbëngul se nuk jam në një mendje me askënd në këtë vend me mënyrën se si po veprohet në Lazarat. Kjo nuk është zgjuarsi por marrëzi e shtetit. Së pari se një njeri i mënçur i bën punët pa vënë tellallin të dëgjojnë komshinjtë që të mos bëhet kësisoj  lëvere e gazi i botës. E gjithë kjo që u bë ishte një fasadë, për ti treguar Europës skeptike e konservatore  se kemi shtet kur në të vërtetë nuk kemi shtet. Kemi stan, kemi vathë kemi dhe kryeçoban. Por qumësht e bulmet  nuk kemi asnjë pikë. Nesë i mbajmë shpresat se kemi shtet të mbajtur nga 800 polic kapuçionë gabim e kemi, shumë gabim. Shtetin e bën ligji, por ligji që respektohet nga të gjithë, së pari nga vetë shtetarët e pastaj edhe nga qytetarët. Se mirë Lazaratin po e bëjmë zap me 800 petrita me çorape në kokë, po si ti bëjmë me ata hajdutët e kopukët e politikës, si të bëjmë me hajdutët  e politikës të gjitha ngjyrave që janë bërë milionerë si nëpër përralla persiane me Ali Babë e 40 hajdutë.
Po jo mor zotni, nuk është shteti ai që po duam të tregojme si gogol, a katallan a bajloz i zi. 
E ka thënë populli bukur mirë, por nuk do të dëgjojë politika, se shteti e zë lepurin me qerre. Po ku do të ikte Lazarati?! Pse për ta sulmuar u gjet kampionati botëror i futbollit në Brazil. Oh, sa pse ka këtu. Po Lazarati aty ka qënë që 24 vjet, dhe me atë punë është marrë, është vetpunësuar pra,   vit për vit e ditë për ditë. Po lazaratasit nuk janë përfshirë kurrë në listat qeveritare të papunësisë në asnjë census. Nuk kanë qënë llogaritur për asgjë në listat e shtetit veç për votën.  Pse bëjmë sikur nuk dimë. Po kaq vështirë është që të izolojmë një fshat, të mbyllim shtigjet e daljes dhe lazaratasit ta kuptojnë se nuk ka më asnjë mundësi për të nxjerr kanabisin as deri tek porta. Po çfarë mendojmë se me tu futur policët në Lazarat dhe gjithçka u zgjidh. Më duket se në këtë vend ka aq shumë marrëzi sa nuk na lënë të bëjmë përpara asnjë hap. Ka shume njerëz me mendje të vonuar. Ose thënë në mënyrë metaforike, me këta politikanët tanë ndodh si  në botën mitologjike të vdekurve, të cilët që të mos u ngrihen shpirtrat nga varri, të mos kenë edhe më tej brengat që kishin në jetë e të pushojnë të qetë në paqen e përjetshme, duhet të pinë ujë në Lumin e Harresës, e po më duket se këta sharlatanë politikanë të çdo ngjyrimi sapo vijnë në pushtet pijnë ujë në Lumin e Harresës e rrinë në kolltukët e qeverisjes me kujtesë njerëzore të shuar. Harrojnë se njerëzit duan punë. Se Lazaratit ja ka sjellë e keqja kanabisin tek dera, ua ka sjellë varfëria. Se nëse qeveria e zgjidhi problemin e vet, e zbardh fytyren e vet të gjelbër para europianeve, me kësisoj aventura, si i bëhet se lazaratasit do të jenë një kontigjent i ri të papunësh. Çfarë do të bëhet me njerëzit. Mos ka ndërmend kryetari i parlamentit që i ka aq xhan fasonet(ca fjalamanë thonë i ka bisneset e veta e çfarë nuk dua ta besoj) të hap pra një fason në Lazarat zotëriu e në vend të kanabisit, grat e burrat e Lazaratit të punojnë në fabrika. Po ku janë fabrikat. Ne e shajmë e pshtyjmë dhe me nder jush edhe e pshurrim diktaturën me të drejtë, po nuk kishim të drejtë të shkaterronin fabrikat e uzinat. Kush u dënua për këtë?! E ky shtet demokratik që kemi shpenzon aq shumë para për varavingo shtetarësh nëpër botë sa me to do të bëhej diçka, një investim, një ndihmë sociale, ndonjë vepër humane. E pra ky shtet nuk ka bërë asgjë për 24 vjet. Dhe shtëpitë anë e kënd Shqipërisë e dimë shumë mirë me çfarë parash janë bërë prandaj të mos dalim të bëjmë puritanin përballë Europës.
Gjithësesi, për ti vënë fytyrës se vet të rrudhur keq një pudër të lehtë europianizëm, qeverisja nuk kish pse të tymoste Lazaratin. Dhe as të nisemi me faktin se qeveria e mëparshme e ka toleruar Lazaratin, anipse tashmë të djeshmit në pushtet u vunë në rrjesht dhe po e anatemojnë fshatin e tyre. Gjithësesi Lazarati nuk meriton mallkim, nuk e meriton këtë frymë përbuzje. Janë njerëz punëtorë, janë shqiptarë atdhetarë, por kushtet e vështira në të cilën na solli politika dhe delenxhijtë e saj nuk u lanë asnjë shteg tjetër përveç rrugës që ndoqën.

Financial Times  shkruan se “Lazarati kryeqyteti drogës europiane po sulmohet për të gënjyer shtetet skeptike që ti japin statusin Shqipërisë. Është e vështirë të besosh, vazhdon Tinancial Times,  se, forcat e sigurisë në Shqipëri sapo u zgjuan për të kuptuar atë që ndodh në Lazarat-­ çështja kryesore është se një plantacion i kësaj shkalle epike duhet të jetë mbrojtur nga lart.”
Juve  politikanë e qeverisës, deputet e mediatike; o mendjendritur,  ju mund të dilni të larë para Europës, mund të shkoni e darkoni lirshëm me ta, por para popullit tuaj jeni të palarë, të pistë, jeni një tufë banditësh me doreza të bardha, secili prej jush është një milioner dhe paratë nuk i keni bërë në rrugë të ndershme. I di populli të gjitha, dhe nën zë flet, gazetat natyrisht shkruajnë por gjithnjë sipas krahut të politikës, zbulo në një ane e mbulo në anën tjetër. Nxirrjani tymin lazaratit,  por as lazaratasit, as populli i thjeshtë të cilëve ju sot i drejtoni gishtin tregues si të ishit zotër të Olimpit, nuk e ka ndezur kurrë kanabis sativen, konsumatorët janë ata që rrinë lart, që kanë para plot e notojnë në lluks, e në mos ju janë bijte tuaj.
Dhe për më tej Lazarati vertet ishte kupa, madje e mbushur plot e një ditë do derdhej patjetër, po verën e pinin në Tiranë. Po a lexoni çfarë shkruan “Financial Times”  për këtë sulm me zulm mbi Lazaratin? Një truk shqiptar për të gënjyer Europën. Se e dimë ne por e dinë edhe ata qe në Lazarat kemi veç majën e ajsbergut. Po histerinë tuaj antilazarat nuk  po e marr vesh.  Sepse, kemi një shtet të korruptuar deri në palcë, kishin një qeveri hajdutësh dhe asnjërit nuk i hyri ferrë në këmbë....kur u gjet sebepi dhe çfryjti shteti si oxhakët e një vaporri të kalbur. Lazarat Lazarat elegjoi politika, masmedia, policia, shteti dreqi e i biri,  dhe i doli tymi Lazaratit. U mbars mali e polli një mi. U përpoq të jape përshtypjen se arrestuan Toto Rinon,  Al Kaponen apo Eskobarin e Lazaratit në ca përralla mediatike.  O të mjerë, a nuk e kuptoni se jemi tepër të vegjël për të pjelle Al Kapone në Shqipëri. Po fundja  bëtë çfarë menduat se është më e vlefshme,  paçka se i ngjet një koncerti nga ato ku këndohen këngë tipike të kohës sonë mjerane “Oh sa e kam bythën e mirë”, po më tej? Po nesër? Çfarë do të bëjmë nesër?! Tani që në Lazarat kaluan autoblindat çfarë do të mbjellim e çfarë do të korrim? Kemi një çerek shekulli që endemi në tymnajë pa arritur të marrim një përgjigje.