LAZARATI NË TYM - SHTETI NË DELIR
O
qeveritarët tanë mendjendritur që i konsideroni lazaratasit kriminelë, mësoni: Hollanda, Uruguaj,
Republika Çeke, Portugalia, Bangladeshi, Korea e Veriut dhe
Shtetet e Bashkuara, (Washingtoni edhe Kolorado) kanë ligjet me të
buta për prodhimin e përdorimin marijuanës. Për ata që nuk e dinë
mund të thuhet se këtë bimë e ka
kultivuar edhe Tomas Xhefersoni.Mos vallë të gjitha këta na qënkan kriminelë?! Mos
o Zot!
Nga Kolec TRABOINI
Ku janë shoqatat fantazma të fëmijëve. Ku janë shoqatat
fantazma që mbrojnë të drejtat e njeriut, që tundojnë tërë opinionin edhe për
gjërat më të rëndomta por nuk kujtohen të thonë se djegia e Canabis Sativës brënda
në fshatin e Lazaratit është e dëmshme për
shëndetin e fëmijëve, është e dëmshme për pleqtë e plakat por më së shumti është
e dëmshme për gratë shtatzana sepse të mos harrojmë se në Lazarat jetojnë njerëz
e nuk është një pyll a shkretirë, se Lazarati është një fshat i madh që i përmban
të gjitha këto kategori. Si mund të digjen tonelata pafund të bimëve narkotike
në mjediset ku ka njerëz, ku flenë e zgjohen, duke shtuar këtu traumat psikologjike
të fëmijëve prej pranisë të trupave
special policore që shqelmojnë dyer, nxjerrin thikat e presin rrjeta, që hyjne
e dalin vrullshëm në çdo shtëpi sikur të ishte gjendje lufte e sikur të ishin trupa special në
Mosul të Irakut. Ku është e në çfarë vrimë rri fshehur ministri i Shëndetësisë.
A ka ministër shëndetësie ky vend e mese merret? Pse opozita ka frikë e merret me lojra
fjalësh e nuk e kërkon në foltore të flasë për efektet e dëmshme që mund të ketë
për popullsinë kjo djegie masive e bimëve narkotike në vende të banuara. A janë
konsultuar ministrat e shëndetësisë e të mjedisit më parë për këtë ndërhyrje
emergjente të trupave speciale të policisë së shtetit? Po shkojmë edhe më tej. Përse ky
demostrim i palogjikshëm force kur gjërat mund të bëheshin më shtruar e më qetë
sepse kjo është polici e popullit e jo polici indivitësh që kanë pushtet dhe
duan të tregojnë se janë të fortë. Po nga buron kjo forcë pushteti që
demostrohet me kaq brrutalitet. Por me e rëndësishme a është e nevojshme? Banda
e armatosur që mbante peng Lazaratin ju iku 800 policëve të armatorur deri në
dhëmbë, e pabesueshme kjo, nuk ishin në gjendje ti mbërthenin e ti prangosnin dhe
merren tani me ata që konsiderohen banorë paqësorë anipse bashkfajtorë kolektiv
në kultivimin e bimës. Po pse kështu
kryhet punët e shtetit që, siç thotë populli, e zë lepurin me qerre. Jo, këta
duan ta zënë lepurin me autoblinda. Duan spektaket ti shoh Europa e mundësisht
gjithë bota sa të harrojnë edhe kampionatin botëror për tu thënë se jemi ne
kërthiza e planetit e jo ju. Kjo është një qorrollepsje e suksesëshme,
lavdimadhe, përrallëtare dhe me vjen vërtetë
një indinjatë se si mund të sillen me popullin kështu. Se dhe lazaratasit, duan
apo nuk duan pushtetarët, popull shqiptarë janë. Madje atdhetarë. Halli e
nevoja të bën të merresh me soj soj punësh për të mbijetuar. Edhe popuj të tjerë
e kanë kaluar këtë në procesin e zhvillimit të tyre. Dihen ndalesat që ka patur
Amerika në vitet 30 të shekullit të kaluar për alkolet. Por erdh një kohë që
alkolet u lejuan. Po kjo bimë të mallkuar padrejtësisht, sepse nuk e ka fajin
bima, ështe e lejuar në disa shtete sepse është
forma më e lehtë e drogës me efekt narkotizues më të ulët. Shqiptarët e
kanë pasur në traditë dhe e kanë kultivuar hashashin të cilin kanë përdorur si çaj,
vetë Ali Pash Tepelena, të cilit i
thurim hymne disi të dyshimta sepse ndihmoi të bëjë shtetin grek e jo shtetin
shqiptar, ka pas një nargjyle me të cilën thithte tymin e kësaj bime të tharë.
Ja afroj dhe Bajronit. U kënaq edhe ai. U harrua ca çaste në tymra të
trëndafiltë. Askush nuk e dënoi e mallkoi për këtë në histori. Kjo bimë tashmë
po kthehen në legjendë vrasëse prej
propogandes televizive servile, kurrë nuk ka qënë e tillë në histori?! Po i
japin atribute që mezi ja mbajnë shpatullat e vogla. Canabisin shqiptarët e kanë quajtur historikisht kërp, që
ka përmbajteje të vogël droge por është përdorur për industrinë, për prodhimin e litarëve, letrës dhe ka një
përdorim të gjërë industrial. Tani na e tregojnë sikur është gjëma e gjëmave të
botës. Po dale more se me ç’na japin
lajmet, Hollanda,
Uruguaj, Republika Çeke, Portugalia, Bangladeshi, Korea e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara, (Washingtoni edhe
Kolorado) kanë ligjet me të buta për prodhimin e përdorimin marijuanës. Për ata që nuk e dinë mund të thuhet se këtë bimë e ka kultivuar edhe Tomas Xhefersoni. Çfarë
mund të themi për këtë shqiptarët e televizioneve me kulturë gjysmake, që aq dinë e aq thonë, se duhet ta heqim edhe
Xhefersonin nga historia ti shpallim këto shtete kriminale? A nuk jemi të vegjël
për ta bërë këtë punë ne shqipot barkthatë,
që e kemi kthyer shtetin në një kopësht eksperimental ku aplikohen idetë
e çdo kujt që na vjen si diplomat shpëtimtar nga Europa, sado të pamundura apo
marroke që të jenë.
Pse na krijoni vërtetë gogola vrasës të gjelbër të cilët po na shfaqen
edhe në ëndrra. O media, po flisni more edhe për anën tjetër të medaljes e jo vetëm për
gogolin e gjelbërt se krijoni vërtetë trauma sa kur shoh sfondin e blertë të
Top Chanel më hyjnë të dridhurat. Më kujtohen filma horror ku shfaqen bimë
mishgrënëse. A ka njeri të kthjelltë në
këtë shtet shqiptar apo të gjithë janë kapluar nga ethet e tymit të canabisit,
sepse ashtu po i shohim edhe deputetët edhe qeveritarët. Se çfarë ti thuash ta
zëmë ministrit të brëndshëm që një javë më parë kishte një mendje tjetër për zgjidhjen
me mënçuri e qetësi të problemit të Lazaratit dhe pas një jave bëri të kundërtën,
u nis yrysh për ta pushtuar policërisht.
Në deklarimin e parë ishte më racional, ishte për një mënyrë më efikase, me një
plan më të detajuar e me një përspektivë për ta mbyllur këtë plagë sociale, sepse është e lehtë ta quash thjeshtë një vepër
kriminale por ama duhet ta gjykosh me qetësi e të kuptosh se kemi një plagë
sociale në mes. Dhe burimi i plagës janë vetë shteti e pushteti që nuk po
arrijnë të funksionojnë së pari për zhvillimin ekonomik të vëndit e krahas kësaj
në vendosjen e pushtetit jo policor por pushtetit të ligjit.
Ku janë gjithashtu shoqatat civile fantazmë për të cilat janë
paguar miliona dollarë nga forumet e institucionet ndërkombëtare, pse heshtin
apo mendojnë se duhet ta kenë mirë me qeverinë sepse kjo ju krijon lehtësita për
të përfituar sërisht mijra e mijra dollarë. Dhe a e dini gjë që nuk është
sekret, të gjithë forumaxhint e kryetarët
e shoqatava kanë shtëpi luksoze, madje kanë edhe dy tre shtëpi, kanë të ardhura
të mëdha e ku po i plas atyre se ta zëmë fëmijët e Lazaratit do të kenë pasoja
nga kjo tymnajë droge në qiellin e fshatit, le më pastaj për traumat
psikologjike të jetuarit në kushte shtetrrethimi policor. Se mos del ndonjëri nga
shoqatamaniakët të thotë nuk është
shtetrrethim. Se është si të jetosh në
një kamping pushimi. Si të jetosh ta zëmë në Dubai, ku kalojnë pushimet së
bashku politikanët e lartë, pushtetarët e lartë edhe padrinot e drogës e të
mishit të bardhë. Pse nuk dalin analistët të na thonë se cili është efekti serë
i djegieve të Canabisit në mes të
fshatit, a nuk ka mënyra të tjera për ti transportuar e djegur larg
vendbanimeve. Jo për këtë as që flet fare ta zëmë Ministria e Mjedisit apo
kryeprotestuesi kundër kimikateve të Sirisë Sazan Guri me shoqatën e vet
ekologjike. Ku jeni more dilni t’ju shoh populli që ti thoni qeverisë një këshillë
të mënçur se tymrat e djegieve dhe marrshi policor kanë efekte psikologjike por
edhe shëndetësore mbi kategoritë më të brishta të popullsisë. Ku jeni shoqata
humanitare, pse nuk shkoni në Lazarat e ti jepni ndoca pak ushqim asaj plakës së mjerë që e mbetur panjeri tha
se me dy rrënjë kanabis mbaja frymën, tani nuk e di çfarë do të bëje, çfarë do
te hajë. Apo le ti dale tymi një herë pastaj kushdo të bëjë si të dojë. Pra e të
vdesin njerëzit dhe për bukë. Ku është plani për kthimin e Lazaratit në jetë
normale, ku do të punojnë njerëzit, mese do të merren të rinjtë apo mos ka ndërmend
mafia e parave të hap atje një dyqan lojrash fati, se ato nuk qenkan te rrezikshme për qeverinë.
Sa fjalë thatë nga opozita se sa të vijmë do të mbyllim të gjitha lojrat e
fatit sepse janë kancer për një shoqëri e një shtet ku ka papunësinë më të lartë
në Europë. Por sa shpejt i harruat premtimet. Mbushur Tirana me lojra fati të
cilat janë po aq a më shumë të dëmshme sa Canabisi i Lazaratit apo këtu
mpleksen interest e politikës sepse nga fitimet e tyre ndahet një pjesë edhe për
partitë, ngase dihet se të gjithë pronarët e lojrave të fatit janë antar aktivë
të partive. Jo për këto nuk flet njeri, se këto i ka lali xhan, se këta dinë si
tia mbushin xhepin gjithkujt që ka frenat e pushtetit dhe politikës.
Flini gjumë shoqata të drejtave të njeriut, ju bishtra
të politikës, se kohë tymnaja droge është
edhe ju shoqatat e fëmijëve, edhe ju të
ekologjikës, edhe ju të psikologjive, të gjithë ju që dini ti mbushni mirë
xhepat tuaja pa patur nevojë të merreni me punë të paligjëshme si lazaratasit e
gjorë, që u bënë viktima të dyfishta të bosave të krimit por edhe të kësaj
katraure që po e pësojnë, e për çfarë për një copë bukë të cilën, tani e më pas,
nuk dinë më si ta sigurojnë. Sepse të gjithë flasin për zbatim ligjesh,
rregullash, taksash, por asnjë nuk të
thotë se si mund të jetosh kur nuk ke as punë dhe as shpresë.
Më shumë se lazaratasit, më duket se janë pushtetarët
e politikanët e vetë shteti shqiptar që
ecën kuturu si sonambul nën ethet e tymnajave të drogës. Ky shtet kaotik
me fytyrë të vrarë lije…
21 qershor 2014