RROTA E KAPLLAN RESULIT
nga KOLEC TRABOINI
Pas aq vitesh në mërgim, që në 90-tën e përkëtej , në
shtator 2005 më së fundi u gjenda për një kohë të gjatë në Tiranën time. Kështu
më pelqen ti them kryeqytetit ku kam strehëzën-shtëpi që “as nuk e shes e as
nuk e fali”, paçka se edhe Shkodra e imja është. Një jetë e ndarë përgjysëm në
mes të Tiranës e Shkodrës, nuk e përgjysmon dashurinë, në të kundërt e dyfishon
atë.
Përmasat e kryeqytetit tonë asokohe, ende pa marrë
udhët ne ikanaket, kanë qënë të tilla sa të gjithë thuajse e njihnin
njëri-tjetrin.Thonë se në Nju Jork proabiliteti është që njeriun që sheh në një
ditë kalimtare, do të mund ta shohësh sërisht vetëm pas 100 vjetësh, ndersa në
Tiranën tonë të para 20 vjetëve mund ta shihje një njeri thuajse përditë, se
aty mblidheshim, rreth e qark Pallatit të Kulturës, tek Lidhja e Shkrimtarëve,
tek 15 katshi më rallë, ndersa tek "Dajti" hiç fare se ishte plot
fuksa. Por edhe uleshim ndonjëherë pasditeve tek shkallët e Teatrit e Operas
dhe Baletit, apo te borduret rreth monumentit të Skenderbeut, ku ndodhte që edhe
të mos gjeje vend tek ajo që ne quanim me shaka "Kafe Gjirokastra",
sepse kishte ’’klientele„ të madhe, nga se prej aty soditej "xhiroja"
e kryeqytetasve, me së shumti vajzave, pa nxjerrë asnjë lekë nga xhepat tanë
gjysëm të grisur. Eh, krenari boshe e kohës së vdekur, rob të së cilës, mesa
duket, ende dhe sot kemi mbetur...
Isha ende me këto ndjesi tek qendroja para Bibliotekës
Kombëtare me botuesin Petraq Risto, i cili kishte në shtypshkrojë dy librat e
mi. Sapo ishim ndarë me pedagogun tonë të letersisë në universitet, poetin
Fatos Arapi. Botuesi e miku im poet, pasi takoi një burrë të moshuar, por fort
të mbajtur e disi shulak, me flokë të zi e disi të harlisur nga era, më thotë:
- Të njoh me shkrimtarin Kapllan Resuli!
Nuk e prisja këtë takim e këtë njohje kur e dija se
Kapllan Resuli nuk para shkonte në Shqipëri, të cilën e kishte mohuar e duhej
të ishtë diku në Zvicer a në Maqedoni, ndaj i shpreha kënaqësinë që u takuam e
u njohëm fizikisht, për më tepër se isha lexuesi i librit të tij të kahershëm
"Tradhëtia".
Sa e mori vesh emrin tim,(akademiku, se kështu
nënshkruan me tituj të lartë), picërroi sytë e më tha:
- A je ti Traboini që jeton në Amerikë?
- Vetë jam, o Kapllan Resuli, po ti ku po më njeh. Po
më befason.
- Unë kam shkruar për ty e të kam kritikuar rëndë.
- Po pse o Kapllan - i thashë me buzëgaz.
- Se ti ke shkruar për mua ca rrjeshta në një shkrim
që ke botuar tek revista "ARS" e Irhan Jubicës këtu në Tiranë.
- Po ndonjë gjë të rëndë nuk kam thënë, thjeshtë se
vepra jote "Tradhëtia" mbetet gjithnjë me vlerë, pavarësisht se
autori mund të ketë luhatje për përkatësinë e vet kombëtare.
Me këtë desha t’i thosha në mënyrë të zbutur se ai
kish bërë disa deklarata ku e quante vehten malazez a boshnjak a maqedonas,
serb, dreqi po e di, punë e tij, por jo shqiptar e, seç kishte shprehur ca
fjalë përbuzëse për shqiptarët. Fjalë që një shqiptar për kombin e vet nuk mund
t’i thotë pa qënë atdhemohues.
-Mirë, mirë -vazhdoi.- Unë të kam kritikuar në librin
tim me polemika që sapo kam nxjerrë nga shtypi. Quhet "Rrota e historisë".
- Nuk ka gjë - i thashë. - Pastaj shtova, - Si ta gjej
atë librin me polemika ku ti më ke vënë në rrotën e historisë...
Ai më shikoi drejtë në sy. Kur e pa se isha fort i
qetë e miqësor, hapi çantën kinse për të parë ç’kish brenda, ndërkohë më tha se
nuk i kishte mbetur asnjë kopje, e duke më treguar librarinë pranë Bibliotekës
Kombëtare, shtoi: Atje i gjen. Pastaj na dha dorën se, siç tha, nxitonte. Kish
ardhur nga Maqedonia për në Tiranë veç për atë ditë e duhej të mbaronte ca punë
(mesa duket të shpërndante broshura nëpër librari) dhe të ikte pas dite.
Gjithashtu nuk donte ta merrnin vesh se kishte ardhur. Thua se e ndjente vehten
ilegal në Shqipëri?!
Kapllan Resuli, me çantën e rëndë të profesorit në
dorë mori rrugën për nga qëndra e Tiranës, ndërsa unë me botuesin tim në të
kundërt, drejt e tek libraria që na tregoi akademiku. Hyra në librari dhe e
pyeta shitësen se, a e kishte librin "Rrota".
Enkas nuk i thashë titullin e plotë.
Ajo më tha se nuk kishte libër me titull të
tillë...veç....dhe hodhi vështrimin me dyshim nga raftet... - "Rrota"
e Kapllan Resulit, - saktësova për ta ndihmuar.
- Oh, po ashtu më thuaj!- tha shitsja.- Kapllan Resuli
sapo më solli disa libra të vegjël dhe unë i kam vënë këtu poshtë, se janë më
shumë si broshura e vështirë të shiten. Ndoshta vjen e i merr prap i
zoti.
- S'ka gjë, mi jep ti shoh- i thashë kurioz.
I mora ato libra në dorë.Vertetë ishin si broshura, jo
vetëm të vegjël por edhe me kopertinë të hollë dhe krejt të bardhë si të ishin
faqe e brendëshme e jo mbështjellje libri. Më kujtohet, si pasionant librash që
gjithmonë kam qënë, se libra të kësaj natyre në Shqipëri mbanin vitin e botimit
1950, madje kisha ruajtur deri vonë një libër me format të tillë që më kish
rënë në dorë në vite të mëvonëshme. Ishte një vëllim me tregime të shkurtëra të
“Ditë të mvrejtura“ i shkrimtarit të njohur grek Minelaos Ludemis.
Në kapakun e libërthit që kisha në dorë shënohej
titulli "Rrota e historisë" dhe emri i autorit Kapllan Resul Buroviç.
Profesor, akademik e të tjera siprore si këto në formë tirande shënoheshin në
hyrjen spjeguese. I ktheva librares librat e tjerë dhe mbajta vetëm librërthin
"Rrota e historisë", ku një prej polemikave më drejtohej e gjitha mua
madje duke më cituar si "nacionalist ekstremist".
E lexova në këmbë aty në trotuar, ndërkohë që botuesi
e poeti Petraq Risto qeshte dhe me humor më tha: - Ta ka ngopur keq, ë... me
siguri do ti përgjigjesh.
- Jo! - ja ktheva mikut tim.- Nuk kam për t’iu
përgjigjur në kësisoj polemikash se, nuk ia vlen të vërtitesh në një vorbull
fjalësh pakuptim. Por gjithësesi le t’ja lëmë kohës, mbase ajo do ti japë
Kapllan Kallush Resul Buroviçit të drejtë.
Si e nxorra kuriozitetin me broshurën “Rrota e
historisë”, ia kalova Petraqit, i cili ma ktheu prap pa e shfletuar:
- E kam lexuar tek revista "ARS". E ka
botuar më parë atje, por nuk të thashë duke menduar se do të mërziteshe.
Desha ti thosha se jo merzi që nuk kisha por, më vinte
për të qeshur se çfarë nacionalisti ekstremist qënkësha unë, kur,... çfarë të
shoh, që nga sheshi në drejtimin tonë vura re të vinte si i hallakatur duke
lëvizur duart në ajr, Akademik- Profesori polemist që pak çaste më parë ishte
ndarë nga ne.
-Mor, - i thashë Petraqit - ky që na bën me dorë nga
larg a është Kapllan Resuli apo më bëjnë sytë?
- Ai është, - ma ktheu Petraqi e shtoi- Shiko, mesa
duket ka vënë re librin e tij në dorën tënde dhe të jep të kuptosh se, mirë e
paske gjetur po a e lexove.
Vertetë ashtu ishte. Kapllani kur u afrua, me një
frymë më pyeti:
- E bleve, e. Po, a e lexove.
- E lexova -ia ktheva pa e bërë vehten.
- Si t’u duk- më tha me një vështrim të vëngërruar…
- Polemika kundër meje?
- Po, për atë të pyes.
- Shumë e mirë - i thashë.
- Ashtu?
E pashë që priste që të më vinte keq, apo të
hidhërohesha, mirëpo unë që isha në atdhe pas kaq vitesh e kisha mallë edhe për
ajrin, rrugët, pemët, lumin e Lanës e lumin e njerëzve të Tiranës, përpara asaj
që ndjeja, nuk më hynte në sy jo vetëm polemika vetanake e Kapllan Resulit, por
as pesëmbëdhjet a më shumë artikujt denigrues që kishte shkruar në prill vitit
2000 Abdi Baleta tek gazeta Mazrrekut "Bota sot" në Zvicër e që m'i
kishte dërguar nga Parisi në Boston bashkatdhetari emigrant, njeriu i mirë
Nikoll Daka . Madje, as ato që Baleta kishte shkruar pafund tek "Rimbëkëmbja"
në aleancë me atë që sot e konsideron si kundërshtarin më të egër, Kastriot
(Kaç) Myftarin.
U ndamë për të dytën herë pa arritur të pimë bashkë më
të as dhe një kafe a llallë të freskët Tirane, megjithëse e ftova, sepse
polemisti, siç kishte ardhur vertik nga Maqedonia, shkonte prap vertik në
Maqedoni përmes Qafës së Thanës sepse atje përtej kishte edhe hajen edhe pijen.
Mbase edhe nga frika se mos i punonin ndonjë rreng shqiptarët, të cilët e
konsideronin si Hamza Kastrioti, kish qendruar ne Tiranë sa për të shpërndarë
nëpër pika shitje libërthat e vet, ndër të cilët edhe atë ku gjëndem edhe unë
në tehun e kritikës resuljane, atë libër që unë tashmë e kujtoj si "Rrota
e Kapllan Resulit”.
Jam i bindur se nëse Kapllan Kallush Resul Buroviçi e
lexon këtë fejton mbi takimin tonë në Tiranë vjeshtën që shkoi, me siguri do
t’i vërë libërthit të vet të polemikavë edhe një rrotë të re... mullirit
kallushian. E gjasat për këtë janë sepse mokrra e shkrimtarit kërkon të bluajë.
Nuk flë mokrra por mokrarët, thotë një fjalë me hoka.
Tek e mbramja, këto shënime për shkrimtarin polemist
që vërtitet hapsirave ballkanike pa nda, do ta mbyll me një shprehje alegorike
e gazmore që ja atribuojnë më së shumti oratorisë së profesorëve dhe
akademikëve të hallakatun e flokëshpupurishun, të cilëve s’u merret vesh se
çfarë thonë e çfarë bëjnë: “Që është mulli me erë e shoh, po uji nga i
vjen?!".
- Eh, - thashë me vehte,- Kapllan Resuli bëri ç’bëri
dhe e shiti një libër, e nxorri bilieten e kthimit për Tetovë, po ti a derëzi e
punëzi, pse je kështu kurioz si një harabel vjeshte, që bie në grackën më të
parë të Kapllan maçokëve panballkanike.
Nga libri "Bukuri Shkodrane"-esè 2007.