31 October 2015

🟢Letër e Mitrush Kutelit për Mustafa Greblleshin/Shuteriqi hajdut dorëshkrimsh



-LETËR E MITRUSH KUTELIT PËR MUSTAFA GREBLLESHIN 
Në të cilën del fytyra mashtruese e hajdut dorëshkrimesh i Dhimitër Shuteriqit -

Pogradec 28 gusht 1961

I dashur Mustafa dhe e dashura motra Merushe,
Kjo e uruar letër u bë litar me krye, po pa fund.Udhës takova shumë të njohur të mijtë dhe të babajt. Ndenjëm u çlodhëm në varret e sheshuar, duke pritur të dalë hëna, po kjo vonoi. Doruntina mërzitej, e kish lodhur shumë banja e ditës, udha. E mbajta pak në krahë pastaj e mori Efterpi. Zbritme. Hëna doli kur rrinim buzë liqenit: e madhe, e kuqe. Pastaj u zbardh, mori vrull e lundroi nëpër hapësirë. Fëmijët më vunë njëmijë e njëqind pyetje “Si është hëna? Ç’ka prapa atij mali? Po në Tiranë ka hënë tani? Është i madh ai yll? (Afërdita). Sa një shtëpi apo m’i vogël?”
Unë bluaja mendime të tjera:“Ç’është vallë kjo harmoni kaq e përsosur? Që ku vijmë e ku shkojmë? Sa rrëke njerëzish kanë shkelur në këto ranishte dhe ku janë tani?” Dhe mendja më shkon me drithma tek ai që s’guxoj t’i përmend emrin, sepse jam tepër i vogël-hij’e një grimce të një stërgrimce – tek ai që ka shumë emra, por që është një i vetëm dhe mbi  të gjitha dyshimet e mija birucore, dua me gjithë shpirt që të jetë, të mposhtë mohimet e mija dhe të më prehë atje ku dua vetë, atje ku thashë, në vetmi. O zot, duhet të jesh, sepse pa Ty nuk prehem dot!
Këndova pothuaj të tërë “Antologjinë poetike” të Viktor Hygoit, në përkthimin e “Sotir Cacit”. Me të vërtetë përkthimi është shumë i mirë.
Po kush e ka bërë këtë përkthim? Kjo është një punë e ngeshme, e javashme,jashtë normave. Dhe ka një vandak të tërë fjalësh që s’janë të shqipëronjësit. Këto të gjitha po t’i them më kot: unë e di se kush e ka bërë këtë shqipërim, sepse kam parë dorëshkrimet dhe di se si u pjesëtuan…. paratë. Mistifikime, merceranizma të padenja për një njeri që shkruan. Sidoqoftë, unë s`e bëj dot, kurrë, kurrë!
Një ditë në Belgrad, Shutja (Dhimitër Shuteriqi) më pat pyetur:
– Mitrush, ç’do bënje ti po të kishe gjetur një vepër të pabotuar të një shkrimtari të vdekur?
– Ia ktheva: – Do t’i bëja një parathënie dhe do ta botonja.
– Ay: – Me emrin e kujt?
– Të atij që e ka shkruar. Unë do të kënaqesha t’i jap lexonjësit një vepër që mund të zhdukej.
– Jo, – më tha, – vepra e gjetur është imja, se unë e gjeta. Pra, unë, gjetësi, jam “autori” i saj.
– Ti s’je autor, se nuk e brumose në mendje e shpirt, nuk vuajte në të lindurat, nuk… nuk.
Ay më shikoi tinzar dhe e ktheu fjalën:
– Po kur e boton një këngë popullore?
– Kur e botoj një këngë popullore, them se ku e kam mbledhur, kush ma ka tregur. Roli im është ta mbledh, ta botoj, t’i tregoj burimin.
Ay përsëri: – Po ay që ta dha këtë këngë, s’është autori i saj, pra….
– Unë s'`them që filani e ka qitur këtë këngë, them se ay ma ka treguar. Po të mund, shtoj ku e ka dëgjuar, kush e këndonte etj.
Shutja e ktheu prapë, kategorikisht: – Jo, s`jam dakord. Vepra që kam gjetur është imja. Po të mos isha unë, kushedi, do të humbiste. Pra, unë e gjeta dhe do ta botoj me emrin tim.
I thashë: – Kësaj i thonë vjedhje…. –
Ay u ngrys. Kështu u mbyll muhabeti ynë në rrugët e Belgradit, në dhjetor 1945.
Atëherë Shutja ish mjaft modest, por brenda tij gurgullonte kazani i madh i shejtanit. Lëvdonte shkrimet e mija, ngrinte në qiell Lame Kodrën. Pastaj nisi të ngrihet, gjersa u bë burrë me llullë, me bére e me automobil, më shau e përshau, pështyu, lëpiu, hoqi “i”-në në fund të emrit që të vërtetonte tezën e tij, siç i tha vetë Popoviçit në tryezë: “Emri ynë vjen nga fjala serbe “shute”, që do të thotë “shaka”. Rrjedhim nga një familje e “Stara Serbisë” të “Despotatit të Elbasanit”. Pra, si të thuash, “unë” jam “ti”, ndihmomë të ngrihem lart, jepmë, të kam vëlla.
Po si u bë puna e asaj veprës së “gjetur”? Para ca kohësh botoi “Gjorg Golemin” që bje erë Lef Nosi.
Me të vërtetë Shutja-shejtani, karasyfeti më karavidhe që ka nxjerrë qyteti – kërthizë, kameleoni arrogant, më vjedhës, më vjedhacak, më vjedhacuk, hajdut me damkë i botës shpirtërore (medet, edhe i botës lëndore), fjalacuku më i ndyrë midis gjithë fjalacukëve dështakë (epitetet që gurgullojnë nga realiteti nuk kanë të sosur) – përlau dikur tërë dorëshkrimet e Lef Nosit, të Sotir Kolesë etj., të mbledhur çikë-çikë një jetë të tërë dje, tani, ose nesër i paraqet ose do t’i paraqesë si të tijat, duke mos harruar të verë midis emrit të tij dhe të familjes (Shute të Stare Serbisë, siç thënkan serbët e Elbasanit dhe Pogradecit tim, duke tjerur ëndrrën serbomadhe të një perandorie të re, qoftë edhe republikane, të Serbisë midis tre deteve), shkronjën e madhe “S” të babajt që vodhi veprën “Varri i dashnorëve” të Naum Voillës, duke e paraqitur si të vetën….
E pra, këtu në Pogradec ka qenë dikur një djalosh që i thoshin Pirro Vako, një nga të rinjtë e parë komunistë, ëndërrimtarë të një bote të drejtë, pa shfrytëzim, pra, pa vdekje. Pirro Vakua kish patur një dell të mirë shkrimtari. Dikur më pat thënë: “Ti ke rënë, po unë të nderoj e të dua, se më ke treguar udhën si të shkruaj”. Dhe zbrazi një gotë raki. Ay dështoi në jetë (një punë dashurie me një vajzë që quhet Izmini, flokëverdhë, të cilën ju – ti dhe Rushi – e shihni dendur nëpër Tiranë), iu dha alkoolit, vuajti e vdiq. Shutja i vajti babajt të këtij, i premtoi dhenë e qiellin, mori një dhomë me qira në shtëpi të tij dhe i përlau- në mënyrë shutërore – tërë dorëshkrimet (ditare lufte, shënime, tregime etj.). I ati pret akoma që Shutja t’i botojë këto të gjitha në emrin e djalit. Shutja ndofta i boton, po me pikëpamjet e dyzetepesës, për të cilat fola më lart: me emrin e vet, për xhepin e vet….. Para ca vitesh i vodhi një prifti këtu (prifti vdiq vjet) regjistrin e shënimeve të një manastiri. Prifti më thosh: “Ia rrëfeva, e pa, më lëvdoi, pastaj ma dha prapë, ma mori përsëri, ma dha dhe njëherë dhe unë e vura nëvend. Kur iku, s`e gjeta më….”
Prifti bënte kryq, sikur donte të largonte shejtanin: “Ma vodhi, bre, s’pandenja, paska qenë….” Kockat e Papandonit (kështu i thoshin priftit) po treten tani në gështenjat, kurse Shutja shutëron “tani përsëri me “i”-në në fund të emrit”, më shikon vëngër, siç e vështron kalorësi këmbësorin e çalë apo më mirë automobilisti arrogant udhëtarin e mjerë. Dhe përsëri më kujtohen vargjet e Khajamit: Rrëmyen mall, memuriet e ar, Dhe t’u rtin plak, të urtin shkencëtar E quajnë gjaur, se s’beson prralla, Se s’qas mbi supe, si ata, samar. Më falni se u zgjata kaq shumë me këtë “Dhimitriadë Shuteriqore”, po këto të gjitha m’i zgjoi karasyfeti i tij arrogant që endej rrugëve të Pogradecit.
Kam dhe diçka tjetër.
Lef Nosi ka pasur një koleksion të pasur me pulla poste të vjetëra, të mbledhura me kujdes një jetë të tërë (në qeverinë e Vlorës, të Ismail Qemalit, kishte qenë ministër i Postave). Shutja mori dorëshkrimet e tij dhe një pjesë të bibliotekës (librat ia kam parë me sytë e mij në hotel “Dajti”, ku banoi një kohë, më 1945 dhe 1946). Po ç’u bënë albumet e pullave që vlejnë, pa ekzagjerim, miliona lekë? Është fjala për pulla të rralla të Turqisë me syrsharzhimin e Hyrjetit dhe sidomos atë të qeverisë së parë të Vlorës, është fjala për pullat e qeverisë së parë të Vlorës, është fjala për pullat e qeverisë së Durrësit, për ato të mbretit Vid e sa e sa të tjera.
Kush i mori, kush? Këto duhej t`i merrte shteti dhe, me sa di unë, Shutja, ndonëse mban berè shkrimtari (që ta tregojë bota me gisht) s’është shtet. Kisha dhe mjaft të tjera për këtë individ cipëplasur, por nuk po vazhdoj: më vjen ndot. Falmëni!
Në këtë kohë kam lexuar disa libra dhe kam rilexuar disa tregime të asaj suedezes së ëmbël e të qetë, Selma Lagerlöf, me një botë morale që s’i ngjet fare botës sonë gjaknxehtë, vrasëse, ballkanike. As e ndjera Selma Lagerlöf s’i ngjet (luaj vendit) Shutes. Dhe mu kujtua një film shumë i dashur: “Gösta Berling” pas veprës së parë të mësonjëses Selma Lagerlöf. E ka lojtur dikur Greta Garbo. Ka qenë një film pa zë (para se të fillonte krokëritja e saksofonit dhe bubullima e artilerisë në sallat e kinemasë), po kaq i fortë, kaq i bukur! Tani, Greta Garbo është plakë, po unë e përmend se më ka lënë mbresa të thella në kujtesë.
Rilexova edhe “Souvenir de la Haute – Albanie” të A. Degrandit, dikur konsull i Francës në Shkodër (Botim i 1901). Libri është shkruar më 1893-1899 (sot librat nxirren shpejt e shpejt, si qerpiçët nga kallëpi e vihen në mur para se të përthahen).
Ky libër më ngjalli hidhërime të mëdha: vëllavrasje, fantazma, urrejtje, që e bluan e stërbluan jetën tonë shqipëtare. Na pakësuan dhe na ngjeshën në një cep të Ballkanit, ndonëse kemi qenë zotër të moçëm të një vendi të madh, shumë larg këtyre caqeve, ku jemi mbytur sot.
Të huajtë na mbuallë urrejtjen, na ndanë e përçanë, na bënë të mos e njohim veten, të mos e duam veten, domosdo as vëllanë. Tani, thotë Degrandi, njerëzit urrejnë njëri-tjetrin në çdo vilajet, greku mbjell farën e grindjes në Epir; Austria, Italia – në Veri; Mali i Zi, i përkrahur nga Rusia, gjithashtu. Në krahina të tjera serbët, bullgarët, bilé dhe rumunët kanë dërguar njerëz për të çarë e përçarë.
Një grek i moçëm me emrin Phrantjes, historian, paska thënë: “Shqiptarët janë populli më i lik dhe më i kotë (“le plus inutile”) në botë”. Përfundimi? Duhet të zhduket….. Kështu thotë bizantini Phrantjes. Domosdo Phrantjes është armik, është ujk dhe ka folur, shkruar e vepruar ndofta si ujk. Por ujku njihet dhe njeriu di sesi të mbrohet kundër tij, me sëpatë, me kopaçe. Por si të mbrohet kundër ujkut të veshur me lëkurë dele? Si të mbrohet kundër atij që i flet si ëngjëll e vepron si shejtan?
Të gjitha këto i lexoj, i bluaj në mendje natën dhe s`më zë gjumi dhe më vjen të çmendem!…
 Nesër Efterpi do të niset me gjithë fëmijë.
Unë do të rri dhe ca ditë, do ta pres Sterjo Spassen, do ta vendos në dhomë, pastaj do të kthehem në Tiranë. Këtu nuk u preha dot. Pashë gërmadhat e shtëpisë plot ferra dhe mu drodh zemra. Jo, Pogradeci s’është më për mua të gjallë, po për mua të vdekur. Ah, kush ndjen shumë, vuan shumë. Shto pastaj brengat objektive, fëmijët varfërinë e sa të tjera. Do të vij të “çlodhem” në Tiranë, t’i vihem normës, se mos më presin bukën.
Lamtumirë dhe përqafime vëllazërore,

Mitrushi


Shënim shtesë:
Dhimitër Shuteriqi është dhe ai që si antar i Presidiumit të Kuvendit Popullor ka miratuar dënimin me vdekje te 22 vjeçarit Skender Qemal Daja në vitin 1973, babai i të cilit dhe ai qe pushkatuar në vitin 1953.

30 October 2015

Përkujtimore për Aristidh Kolën në Prishtinë



PËRKUJTIMORE PËR ARISTIDH KOLËN NË PRISHTINË
Mbështetet nisma për ti dhëne arvanitasit të madh titullin “Nderi i Kombit”

Në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ditën e premte 30 tetor 2015, ora 10:00, u organizua mbledhja përkujtimore kushtuar arvanitasit të madh Aristidh Kola ( 1944-2000) në 15 vjetorin e vdekjes së tij, bashkërenduar kjo me Nismën për Propozimin pranë Presidentit të Shqipërisë për dhënien e titullit Nderi i Kombit Shqiptar kësaj figure të madhe të kombit shqiptar. Në këtë përkujtimore të organizuar nga studiuesit dhe intelektualët shqiptarë të Kosovës morën pjesë Meriman Braha, Deputetja e Kosovës Flora Brovina, shkrimtari Agim Gjakova, Ismet Hajrullahu, poeti Ibrahim Kadriu, përfaqësues të Ministrisë së Diasporës, intelektualë, pedagogë e studentë. Nga Tirana kishin ardhur drejtues të kësaj nisme, miku dhe bashkëpunëtori i Aristidh Kolës, Kolec Traboini dhe shkrimtari Pandeli Koçi.
Mbledhjen përkujtimore e hapi Ismet Hajrullahu, i cili ftoi të pranishmit të mbanin një minutë heshtje në kujtim të Aristidh Kolës. Fjalën kryesore e mbajti Kolec Traboini që solli kujtimet e tij nga bashkëpunimi me arvanitasin e madh, kujdesin që Aristidh Kola tregonte për emigrantët shqiptarë dhe mbrojtja zjarrtë që i bënte kauzës për liri të shqiptarëve të Kosovës. Ai foli gjithashtu për vlerën e madhe të veprës së Aristidh Kolës si dhe për ecurinë e nismës për t’i propozuar Presidentit të Republikës dhënien e titullit Nderi i Kombit.
Për rëndësinë e veprës së Aristidh Kolës dhe kujdesin që duhet të tregojnë institucionet tona e vetë shteti për të mbajtur gjallë në kujtesën e kombit figura të tilla të mëdha foli shkrimtari Pandeli Koçi. Meriman Braha solli kujtimet e organizimit të javës së kulturës arvanite në Kosovë kur erdhën veprimtarë arvanitas, pjesëtarë të familjes së Aristidh Kolës dhe një grup folklorik që dha koncert për banorët e Prishtinës.
Shkrimtari Agim Gjakova vuri në dukje se vendosja e një busti të Aristidh Kolës në Prishtinë apo vënia e emrit të tij një sheshi apo një shkolle, do ta nderonte kryeqytetin e Kosovës.
Të pranishmit firmosën kërkesën drejtuar presidentit të Republikës së Shqipërisë për dhënien e titullit nderi i Kombit arvanitasit më të madh të shekullit XX.
Të pranishmit patën rastin të shohin edhe një montazh filmi nga jeta e Aristidh Kolës i përgatitur me këtë rast. Ngjarja u pasqyrua në media vendore bashkë me një grup intervistash të pjesëmarrësve në përkujtimore.



28 October 2015

🟢 Me Aristidh Kolën në Athinë / nga Kolec Traboini



        ME ARISTIDH KOLËN NË ATHINË

Nga Kolec P. Traboini

Kisha pyetur që në vitin 1991, madje kisha bredhur rrugicë më rrugicë të Athinës për të gjetur zyrën e tij të Lidhjes së Arvanitasve ”Marko Boçari”. Nuk munda ta gjej. Si një emigrant që nuk di ku ka kokën nuk u bëra mbarë në kërkim dhe nuk arrita ta takoj deri në vitin 1993, kur nxorra gazetën “Egnatia”. Gazeta i kishte rënë në dorë dhe e lexonte rregullisht. Ishte entuziast se “djemtë”- kështu i quante emigrantët, anipse mund të mos kishte diferencë të madhe moshe me ta - djemtë pra “kishin nxjerrë edhe gazetë”. Në atë kohë nuk qe më e vështirë ta gjeja e të më gjente. Por ishte dhe Shpëtim Mezini i Ambasadës sonë në Athinë, që bënte kujdes që ne t’i gjenim lehtësisht këto lidhje.
Një ditë u gjendëm pranë e pranë edhe në faqet e gazetës ultranacionaliste greke që dilte në Athinë “Stohos” e Kapsalit, ku në çdo numër nuk linin gjë pa thënë për Aristidh Kolën, “tradhëtarin e Greqisë, spiunin e agjentin e amerikanëve dhe shqiptarëve”. Në një nga ato numra gazete më kishin nderuar edhe mua duke më vënë përkrah “tradhëtarit” e duke më pagëzuar me epitetin – “shqiptari nacionalist i çmendur që bën gazeta në gjuhën shqipe në Athinë. Të shporret në Shqipëri me gjithë gazetën e tij. Alvanoset ekzo!”
Kjo situatë na rëndonte në zemër, po ç’të bënim. Vazhdonim punën tonë sikur të mos kish ndodhur kurrgjë. Aristidhi thoshte: -“Le të shkruajnë. Nuk i lexon njeri përrallat e Kapsalit”. Shkoja e çoja çdo numër të ri në zyrën e Aristidhit në rrugën “Filipidu 6”, më së shumti ia lija poshtë tek kutija e postës, por kur gjendej aty më ndalonte të bisedonim. I pëlqente të fliste shqip, një shqipe ku arvanitishtja dhe shqipja e re gjenin njëra-tjetrën herë ngushtë e herë lirshëm.
Një prej ditëve në verë 1995, ndërsa po i bëja ca fotografi në zyrën e tij më tha se “këtu në tryezen e punës kam “Egnatian” tënde. Dhe ky duhani që pi me çibuk, – theksoi, -e kam nga Shqipëria. Duhan “Taraboshi” nga Shkodra jote. Ma kanë prurë djemtë”. E kuptova dhe e fotografova. E ashtu mbeti. Me “Egnatia”-n pranë, i mendueshëm tek mbante në dorë çibukun me duhan Shqipërie, një portret që rrezatonte mirësi e dritë.
Disa ditë para se të largohesha nga Greqia për në SHBA, Aristidh Kola më ftoi familjarisht në shtëpinë e tij në një darkë lamtumire. Për të bërë shoqëri në atë mbrëmje kish ftuar edhe piktorin Robert Alia-Dragot me të shoqen Mimozën, shkrimtarin Tasos Karantis, mikun e tij të rinisë, grekun Niko, me të cilin dikur kishin shkuar deri në Francë për të ndjekur studimet pasuniversitare, si dhe një familje tjetër shqiptare, çiftin Albana dhe Adrian Prifti. Albana punonte sekretare në zyrën e tij.
Ajo mbrëmje e bukur vere athiniote ruhet në kujtesën tonë si më e bukura ditë e pesë viteve jetë në Greqi. Në fund të mbrëmjes, të cilën Robert Aliaj nuk mungoi ta xhironte me kamera, Aristidh Kola la miqtë e tjerë në shtëpi, nxorri makinën nga parkingu dhe na përcolli deri në shtëpi, në rrugën Filolao. Ishte pasmesnate. Kur po ndahesha më tha miqësisht se bashkë do të takoheshim përsëri, pasi e kishim lënë që me shoqërinë e gazetarit të BBC-së, Robert Goro e disa shqiptarë të tjerë intelektualë do të shkonim në një lokal. Edhe ajo ishte një mbrëmje e bukur. Aristidh Kola në mes nesh ishte shqiptari në mes të shqiptarëve.
Në bisedë të afërt, ndër të tjera, mbaj mend fjalët që më tha për një brengë që ai kish. “Pse ne shqiptarët vrasim njëri-tjetrin? -më tha. Nuk bën! Nuk bën!” -përsëriti disa herë. - Këtë duhet ta dinë djemtë. Të mos e prishim njëri-tjetrin. Jemi vëllezër…”
Ai ishte një njeri që i kuptonte fenomenet që ndodhnin në gjirin e shoqërisë shqiptare, por i vinin shumë të hidhura lajmet kur ndonjë emigrant kish vrarë shokun e vet për para. Ishte shumë i dhimbsur si njeri dhe i vinte keq për njerëzit e gjakut të vet. I thernin në shpirt vuajtjet e djemve siç gëzohej me shpirt për sukseset e tyre. Kur u bë koncerti me poezitë e emigrantëve, mbështetur në librin “Balada e largësive”, të cilin e realizoi Bujar Limani, Aristidhi erdhi ndër të parët.

*      *      *
Intervistën që i pata marrë atij e që u botua në gazetën “Illyria”, në New York, Nr.555, 556, Gusht 1996, e priti me shumë kënaqësi. Ja si  shprehet në një letër:

Aristidh P.Kola. Jurist – Shkrimtar.  Filipidou 6 Athina 11526.

I dashur e i paharruar vëlla Kolec,
E mora letrën tënde të bukur që më dërgove, dhe gjykoj se ishte dhurata më interesante për ditëlindjën time, jo vetëm për rëndësinë e saj, por edhe sepse na dhatë disa çaste të çmuara të gjithëve ne që u mblodhëm dhe e festuam ditëlindjen time së bashku.
I dashur Kolec! Të dërgoj librin e fundit që kam botuar dhe që është një dokument historik i vitit 1899 me shumë interes. Shpresoj se do ta përkthejnë djelmtë. Nëse dëshëron të mësosh të rejat e këtushme, “Egnatia” jote shkon mirë.
Keni, të gjithë ju, shumë të fala nga të gjithë miqtë tanë këtu, nga Ana, nga Adriano (Prifti), nga Taso (Karantis) dhe Robert Alia (Dragot).
I përcjell përshëndetjet dhe fëmijëve të tu të admirueshëm të cilëve u uroj çdo mirësi dhe përparim në të ardhmen. Shpresoj gjithnjë se, vonë apo herët do të ritakohemi, qoftë këtu, qoftë në Amerikë.
I dashur Kolec, nuk e di se me çfarë pune merresh tani në Amerikë. Të lutem më shkruaj pak për këtë temë. Dua të të them dhe një gjë dëshpëruese. Atë fotografinë e bukur që më ke bërë me çibuk, ma mori një gazetare kosovare që më intervistoi. I spjegova se ajo fotografi ka një vlerë dhe një rëndësi të veçantë personale dhe duhej të ma dërgonte sa më shpejt. Për fat të keq e hëngri fjalën e besës që më dha. Dhe akoma nuk ma ka dërguar. Për të tjerat, të gjitha shkojnë mirë dhe unë vazhdimisht shkruaj, shkruaj…

Mirupafshim
Miku yt
Aristidh Kola
Po ne nuk u takuam kurrë më….

ËSHTË FATLUM AI KOMB QË LIND TË TILLË BURRA


A ka ky shtet shqiptar një Akademi të dëgjojë këmbanat, që të mos lërë në harrim kulturën tonë përtej kufijve, një kulturë e traditë, një histori plot lavdi, që është po me aq vlerë sa ajo brenda kufijve, në mos më shumë.  Veç bustit të De Radës si nuk u pa gjëkundi në këtë dhe një monument a bust për ata që dhanë aq shumë për kulturën arbërore jashtë kufijve të vitit 1913. Si nuk u panë të shfaqen në dy dekada grupet kulturore arvanite-arbërore në këtë vend. Të mos flasim për shkrimtarë, piktorë e artistë që janë nderi e krenaria e fqinjit tonë të jugut. Pse ia sharrojmë vetes degët që kemi nën këmbë. Me fustanellën tonë krenohen fqinjët duke e quajtur pjesë të etnografisë së tyre kombëtare. Po ne si nuk morëm një kostum aq të mrekullueshëm të grave arvanite e të mburremi me të, sepse është vërtet pjesë e kulturës sonë të mrekullueshme arbërore. Pasi na zvogëluan gjeografikisht të tjerët, pse për fajin tonë, vazhdojmë të zvogëlohemi shpirtërisht. E kryepseja: pse pra ne e kemi humbur shansin historik për t`u bërë qendra e mbarë botës arbërore-arvanite-shqiptare?
Parë në këtë sy, mund të them se diku përtej gardhit tonë, në Greqi, patëm fatin të njohim Aristidh Kolën, personalitetin më të madh arvanitas të shekullit XX dhe një nga njerëzit më të ndritur të kombit tonë. Akademikët tanë që flenë nëpër katedra duhet t`ia kenë zili atij, por jo zili për keq, sepse ai ishte e mbetet pjesë e kulturës sonë arbërore, por t`ia kenë zili për vullnetin e këmbënguljen, për sakrificën, sepse
Aristidh Kola në studimet e veprat e veta, vuri tërë dashurinë, tërë pasionin, tërë kohën, edhe jetën e vet duke punuar në kushtet e një terrori verbal e psikologjik. Por mendoj se këtu vegjeton edhe një zili për keq, prej atyre që kanë veshur papuçet akademike të Obllomovit. Lënia jashtë vëmendjes, thuajse në harrim e kësaj figure, duke mjaftuar me emërtimin “Aristidh Kola” një rrugicë të vogël në periferi të Tiranës, diku fshehur pas pallatit të Brigadave a fshatin Sauk, është vërtetë shprehje e qëndrimit tonë cinik ndaj kulturës arbërore, e mendësisë sonë të vetizolimit, për të mos thënë frikës se mos bash për këtë mbeten prishaqejf diplomatët e fqinjëve.
Vështirë është ta pranojmë të vërtetën, por pa e pranuar atë nuk ka as dhe një shans të vetëm të gjejmë një udhë të drejtë në këtë mishmash kombëtar, ku flitet veç për politikë, ku prodhohen veç konflikte e kultura konsiderohet si një handikap shoqëror i bezdisshëm. Aristidh Kolia i madh kishte një mendësi krejt tjetër. Kultura, tradita, gjuha, prejardhja, historia ishin gjithçka në jetën e tij. Ai e shihte Shqipërinë me sytë e shpresës. Ai kishte udhëtuar katër herë në Shqipëri e një herë në Kosovë, por edhe në Kalabri e Siçili, gjithnjë me dëshirën e zjarrtë për ta thyer atë barrierë që na kishin vënë në mes nesh, në mes të njerëzve të një gjuhe dhe një gjaku. Ndaj është krejt e kuptueshme çiltërsia me të cilën e priti dyndjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi me mendimin, se kjo do të ishte një rast ideal për të krijuar lidhjet e mungura mes krahëve të shqiponjës.
Ai u afroi shqiptarëve emigrantë një miqësi pa asnjë rezervë e pa asnjë kusht. Ai nuk përdori për ta asnjë herë fjalën emigrant. I quante me gjuhën e tij të bukur shqipo-arvanite “djemtë”. Kush e di ç’bëjnë djemtë. Kush e di ku janë djemtë. I thërriste ashtu siç thërriste të birin e vet Panajotin. Me të njëjtën dashuri. Ishte një miqësi e dashuri që buronte prej gjakut të përbashkët që na rridhte në damarë e gufonte në zemrat tona arbërore. E më së shumti nuk ishim ne që e kërkonim atë, sepse edhe druheshim, por ishte ai që interesohej se çfarë ndodhte me emigrantët shqiptarë në Greqi. Që kur e takuam për herë të parë, ashtu do ta ruajmë në kujtesë, të gjallë e plot energji, të përzemërt, me fytyrë plot dritë e të qeshur, gjithmonë i mirë e bujar.
Kush tjetër si ai! E kjo ndodhte se ai kishte një vizion të madh e nuk i shihte shqiptarët e Shqipërisë së vitit 1913 si njerëz të përtej sinoreve, por vëllezër gjaku, sepse e dinte se kufijtë ishin krijuar nga të tjerët e jo nga shqiptarët, se pengesat i sjellin qeveritë e politika, por jo popujt. Aristidh Kola ishte si një diell që lind, kalon në zenit dhe perëndon, e gjatë gjithë udhës në qiell ndriçon për njerëzit. Kështu ndriçoi gjatë tërë jetës së tij miku ynë i madh e i paharruar që sot e kujtojmë me nostalgji. Veç perëndimi ishte tejet tragjik për diellin metaforik me emrin Aristidh Kola. Ai kaloi nga Thiva ku lindi, përmes fshatrave arvanite të Atikisë, që i rrinë Athinës si kurorë, nga ishulli Salamina i Anastas Kulluriotit, kalonte nëpër malet e Moresë, tek Arbëreshët e De Radës e Zef Serembes në Kalabri e Siçili të Italisë, ku zuri miq të mëdhenj si At Antonio Bellusci me të cilin e lidhi një miqësi e jashtëzakonshme. Të dy dijetarë me mendje të ndritur, karakter të fortë e zemër guximtare. Njëri në lindje e tjetri në perëndim të Arbërisë sonë. Si dy zogj shqiponje, së bashku fluturuan lart, por edhe larg deri në Strasburg, për t’i thënë Europës se Arvanitët, trashëgimtarët e Kollokotronit, Marko Boçarit, Gjergj Karaiskaqit, Laskarina Bubulinës e plot heronjve të tjerë të Revolucionit Grek, ishin gjallë, anipse të harruar, pak prej vetes e shumë e më shumë prej të tjerëve. Ata kështu po i kthenin arvanitasve krenarinë e dinjitetin, lavdinë e një historie të mohuar.
E vërteta që mbronte Aristidh Kola kaloi si hark drite edhe në qiellin e Shqipërisë dhe Kosovës e mbarë trojeve shqiptare në Ballkan. Kush më shumë e më zjarrtë se ai i mbrojti shqiptarët e Kosovës kur edhe në revistën e tij “Arvanon” shkruhej me gërma të mëdha “Edhe unë jam kosovar!”. Ai me guximin që tregoi shfaqi tiparet e trimave arvanit në histori që nuk e njihnin frikën. Ata ishin lindur në luftë dhe lufta i rriste e i trimëronte, siç thotë miku i tij, veprimtari tjetër arvantias Jorgo Miha. Vetëm pse mbronte shqiptarët e Kosovës në të drejtën e tyre për liri, u kërcënua publikisht në një emision televiziv nga një gazetare, sot deputete komuniste në parlamentin grek: “Ju akuzoj si agjent i të huajve… më e pakta i UÇK-së, ju akuzoj për agjenturë dhe propogandë të zezë, jeni armik i brendshëm.” Për këtë ngjarje skandaloze në median greke, ndoshta e vetmja e këtij lloji në mbarë Europën, në një letër që Aristidh Kolia i dërgoi mikut të tij arvanitas, Taso Karandis, botuar post mortum në revistën “Ritmi i Salaminës”, shkruante:

"Shumë miq më telefonuan për të shprehur indinjatën për baltën që hodhi mbi
mua zonja Liana Kaneli gjatë emisionit televiziv në "Sky" 5 Maj 1999 dhe më pyetën përse e përballova me qetësi, kur duhej të kundërsulmoja... Miqtë e mi, mos u mërzisni e mos u hidhëroni për këtë, sepse "e drejta del, vjen kur t`i vijë ora…". E kam dashur dhe e dua vendin tim, por dashuria ime nuk është me fjalë por me veprat e mia, të cilat do të kujtohen kur balta e zonjës…Kaneli të kalojë në harresën e shekullit. Kam preferuar gjithmonë të shkoj kundra rrymës e jo të shkoj nga shkon rryma dhe fryjnë erërat. Nuk jam lëpirë e nuk kam puthur kurrë këmbët e përmjerra dhe për këtë e paguaj shtrenjtë dhe në mënyrë të përditshme me nderin, dinjitetin dhe lirinë time..."

Dhe e pagoi. E pagoi pa iu dridhur qerpiku sepse kishte gjak arbëror e karakter arvanit të pamposhtur. Me të drejtë i vëllai i tij, Jorgo Kola, thotë se me Aristidh Kolën ndodhi ajo që thuhet në një proverb biblik: “Kush ka guximin të thotë të vërtetën, kryqëzohet.”
U bë një dekade e gjysëm që nga ajo ditë e zezë athinjote, ajo vdekje mizore, që na e rrëmbeu parakohe e krejt e papritur Aristidhin tonë. Po a thue përnjimend u shua ai diell arbëror? Kurrsesi , sa kohë që ia ndjejmë rrezet e ngrohta që burojnë prej veprave të tij. Se ja kështu ka ndodhur edhe me Anastas Kulluriotin e Jorgo Marugën, por ikën vetëm fizikisht. Asgjë tjetër nuk ka ikur veç trupit që iu kthye dheut të krijimit.
Nuk mund t`i vihen pranga dritës. As ideve dhe frymës së tij që ndjejmë në çdo libër e në çdo fjalë. Veprat e mendimet e tij na shoqërojnë. Sot më tepër se dje, nesër me tepër se sot, kështu në vazhdimësi, sa kohë që bijtë e shqipes arbërore, shqiptarët, arbëreshët, arvanitët rrojnë e do të rrojnë mbi dhe.
Aristidh Kola ishte një mendje e ndritur që e kuptonte se në këtë botë kish jetë, por kishte edhe vdekje, por dinte akoma më mirë se vdekja mund të mundej me vepra të mëdha për njerëzit. Ai e dinte mirëfilli se ka një mënyrë për të
rrojtur edhe pas vdekjes, çfarë në të vërtetë e mrekullisht ndodh. Se ja, tani për Aristidhin tonë dinë e flasin më shumë njerëz. Anipse gazetat shqiptare në Tiranë e Prishtinë fare pak shkruajnë, se janë peng e robër të politikës dhe
interesave konjukturale, por falë komunikimit të shpejtë e masiv elektronik, për Aristidh Kolën sot flasin e shkruajnë me admirim në të katër anët e globit, nga Europa në Amerikë, Kanada dhe Australi, kudo ku ka shqiptarë. Vepra e tij
madhore “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve” veç 14 botimeve në Greqi, është botuar e ribotuar edhe në Shqipëri, por, edhe vepra të tjera si “Gjuha e Perëndive” tashmë i kanë në dorë shqiptarët në arbërishten tonë të lashtë e të bukur.
Disa njerëzve vdekja iu shërben për t`u bërë edhe më të gjallë se të gjallët. Kur trupi
ikën, shpirti vjen më pranë njerëzve. Ndaj gjithmonë do të themi se Aristidh Kolën e kemi gjallë midis nesh. Ai zjarr dashurie e krenarie që ndezi në mes të arvaniteve si të ishte një Promete, kurrë nuk mund të shuhet.
Le ta mbyllim me fjalët që aq shumë i kish për zemër i pavdekshmi Aristidh Kola: “Rrënjët tona janë në Arbëri!” E këto fjalë, që të kujtojnë edhe të madhin De Rada që i mbylli sytë duke parë detin, duhet t`i kenë në mendje e në zemër arvanitasit edhe arbëreshët, por duke ditur rrethanat e mundësitë, le t`i ndihmojmë edhe ne sado pak, që të mos i harrojnë, që njerëzit që kanë guximin të thonë të vertetën edhe më tej të mos kryqëzohen, që errësira të mposhtet përballë dritës e shpirti i Arbërit të rrojë përgjithmonë!

Kolec  TRABOINI
Nga libri “Aristidh Kola” 2014