11 June 2018

Gjenerali i Pavarësisë Mehmet Deralla-Tetova/ nga Kolec Traboini


GJENERALI I PAVARËSISË MEHMET DERALLA -TETOVA

Nga KOLEC TRABOINI

Vlerësimet negative që po qarkullojnë nga kasnecët politikë në mediave sociale pas skandalit në nivel ordiner kryeministror në Prizren me 10 qershor 2018, pra komentet  e insinuatat për Mehmet Derallën – Tetova (1843- 1918) nuk janë as të vërteta e as të sakta, as morale dhe thënë hapur janë thjeshtë shpifje ordinere të servileve të politikës. Përkundrazi, ky personalitet historik i lindur në Gradec të Gostivarit, i njohur edhe si Kalkanderi, emri i Tetovës,ka qenë i vetmi ushtarak shqiptar me gradë të lartë ushtarake që ka udhëheq kryengritjet e Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë. Por ai ka qenë edhe një ushtarak që hershëm, u largua nga ushtria turke për të formuar forcat mbrojtëse të Lidhjes së Prizrenit. Babai i tij, Hasan Pashë Deralla ishte delegat i Tetovës në Lidhjen e Prizrenit dhe vetë Mehmet Deralla ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i Sulejman Vokshit që konsiderohej ministër i mbrojtjes së Lidhjes së Prizrenit dhe drejtonte 16 mijë luftëtarë shqiptarë. Më pas Mehmet Deralla arriti ti shpëtonte arrestimit nga forcat turke dhe shkoi dhe u përfshi në veprimtari në Lidhjen e Pejës në 1899 që drejtohej nga atdhetari Haxhi Zeka.
Në vazhdim ai u aktivizua si ushtarak, komandant i garnizonit të Stambollit, por për shkak të mosbesimit transferohet në Bagdad të Irakut. Më lëvizjen e xhonturqve 1908 ai braktis detyrën dhe funksionet e kthehet në Kosovë. Turqit e rinj që morën pushtetin i afruan poste të larta ushtarake, por ai preferoi të ishte udhëheqës ushtarak i kryengritësve shqiptare në Kosovë e për këtë hoqi publikisht spaletat e Turqisë. Është një udhëheqës ushtarak i trupave shqiptare në kryengritjet e viteve 1910-1912 dhe arriti me forcat shqiptare të çlironte edhe Shkupin duke zbuar ushtrinë dhe administratën turke.
Të udhëhequr nga Mehmet Deralla forcat shqiptare në hapësirën në mes të Drinit të Bardhë e Drinit të Zi i shkaktuan disfata të mëdha forcave ushtarake serbe duke i thyer e kthyer andej nga kishin ardhur.
Ka firmosur aktin e Pavarësinë së Shqipërisë, emëruar ministër i Luftës së Qeverisë së parë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemalit, i propozuar në këtë post nga vetë Isa Buletini. E mbajti për dy vjet, 1912-1014 këtë post të lartë si ministri kryesor i shtetit të ri shqiptar. Tek lexojmë këto atribute të meritueshme të gjeneralit nga Tetova Mehmet Deralla, ju bëjmë thirrje atyre që ju flet goja para se mendja, që të mos tregojnë përralla orientale për atdhetarët shqiptarë që bënë të mundur Pavarësinë e Shqipërisë.
Kur Shqipëria u bë shesh luftërash dhe Qeveria e Ismail Qemalit ra, Mehmet Deralla u kthye në rrethinat e Tetovës dhe jetonte maleve të Sharrit  së bashku me të birin Halimin. Sipas kujtimeve te bijës së Halimit, Emine Deralla-Pilku, ata të dy kapen në fillim të vitit 1915 nga forcat serbe e bullgare dhe dërgohen në burg, në kështjellën e Karlovës në Bullgari, ku dhe u dënuan me vdekje.
Por rrethanat e sollën që të arratisen nga burgu dhe të kthehen sërish në Tetovë.
“Gjatë arratisjes nga burgu, - kujton Emine Deralla - Pilku, Mehmet pasha dhe babai im Halim beu kanë qëndruar gjithë natën të zhytur në ujë deri në gjoks, për t’iu shmangur rojeve. Mehmet Pasha ndërroi jetë në Tetovë në vitin 1918”.
Mehmet Deralla kishte 9 fëmijë nga 4 martesa, njëri nga djemtë e tij, Gajur Derralla, i lindur në 1909, ndoqi studimet  në Akademinë Ushtarake të Beogradit e doli oficer. Nga që nuk e duronte dot sundimin sllavo-serb mbi Kosovën, arratiset nga Jugosllavia dhe vjen në Shqipëri. Në Luftën e Dytë Botërore, me gradë ushtarake kapiten, merr pjese në  batalioni e nacionalistëve shqiptarë që njihej me emrin Batalioni i Lubotenit dhe drejtonte i vëllai i tij major Hasan Deralla. Me forcat nacionaliste shqiptare arriti të çlironte Tetovën nga forcat e ushtrisë jugosllave pas luftimeve të ashpra.  
Ka rënë heroikisht  bashkë me trupat që komandonte në fund të vitit 1943 duke luftuar kundër forcave serbe në rrugën që të çon në Kërçovë, në vendin e quajtur Bukoviç, mes të Ohrit dhe Gostivarit. Ishte në moshën 34 vjeçare e nuk kemi të dhëna nëse la apo nuk la trashëgimtarë.
Po a dimë ne të respektojmë sa duhet ata që e bënë këtë shtet me emrin Shqipëri? Ndoshta po e ndoshta jo. Por me çfarë u pa në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit ku u mbajtën fjalime të përgjithshme, pa një program të qartë kombëtar e pa referenca e kujtesë historike, mendja ta thotë se jo. Përkundër kësaj u shoqërua me skandale në organizim, çfarë lë shumë për të dëshiruar në  respektin që duhet të kemi për ata që dhanë jetën e tyre për të krijuar shtetin e shqiptareve. Dhe duhet ta dimë mirë një mësim historik,  se pa veprën e gjakun e atdhetarëve të mëdhenj të kombit, ne sot nuk do të kishim kurrfarë kauze shqiptare në Ballkan.
Mendoj se pas kësaj paraqitje sado të shkurtër, ne diçka dimë tashmë për Gjeneralin e Pavarësisë Mehmet Deralla -Tetova

12 qershor 2018