22 June 2018

Përdorimi politik i fesë lojë e rrezikshme me zjarrin -nga Kolec Traboini



PËRDORIMI POLITIK I FESË LOJË E RREZIKSHME ME ZJARRIN

Nga KOLEC TRABOINI


Vendimi i përfolur për sjellë mijëra sirianë, veç të tjerash, prish edhe ekuilibrat fetarë në vendin e shqiponjave tashmë të zgërlaqura. Shqipëria me shtesën arabe 25 për qind humbet edhe elementin e fundit të krishterë,  për tu bërë kështu një vend totalisht  islamik, pjesë e botës turko-arabe. Shqipëria rrezikon të kthehet në një Kalifat Islamik në principet e Turqisë së vogël europiane, për të cilën është folur nga diplomacia e qarqet e vendosjes edhe në fillimin e shekullit të kaluar? Ky mund te duket dyshim i pabazuar, por nëse i hedhin një vështrim asaj çfarë ka ndodhur gjatë 100 viteve, pak mbetet për të dyshuar. Pse ta fshehim e kujt ja fshehim se krijimi i shtetit shqiptar është pritur me hezitime nga diplomacia europiane pikërisht për shkak të përqindjes së madhe të popullsisë me besim mysliman. Atëherë ai gjykim, i cili sot në fjalime konsiderohet paragjykim, por me nënkuptime vazhdon të përvijohet si mentalitet i diplomacisë. Mos i dëgjoni çfarë thonë, por nuhatni çfarë nënkuptojnë. Konservatorizmi europian tanimë është po aq në shfaqje e lulëzim sa në fillimet të shekullit të kaluar kur vendosej fati i Shqipërisë. Mund të themi, sipas simptomave, se ky zgjim i mentalitet konservator i Europës së krishterë, e plakur tashmë, që po shpartallohet nga dyndje e popullsive energjike arabe, nxitet pikërisht si reaksion e frikë e rifigurimit të popullsisë dhe humbja e traditave të krishtera.
2000 vjet krishterim e kanë ngulitur traditën fetare si pjesë e tipar të kulturës perëndimore. Edhe në botën arabe aziatike, në kahen tjetër, po ashtu. Aq më tepër se feja e krishterë është reformuar më së shumti nga nevoja për t’ju përshtatur zhvillimeve të reja ku shteti u be laik duke u ndarë nga kisha.  Mbase për disa jo e plotë kjo ndryshueshmëri, kur në kahen tjetër kemi një radikalizëm të islamit( islami politik) e përdorimit të tij prej politikës, çfarë solli përmbysje e pështjellime në Turqi e vendet arabe. Gjithsesi, edhe pse duke qenë vend i lirive, mos prisni ta thonë se duan ta ruajnë identitetin e krishterë, jo nuk e thonë kështu. Do të gjejnë fjalë të tjera, por qëllimet mbetën të njëjta. Pranimi i emigracionit të kontrolluar ka qenë një rutinë nga nevoja për fuqi punëtorë, por me përmasat që ka marrë kjo dyndje, shumë shpejt europianët mund të ndodhen para faktit të kryer të Europës së zezë, në kuptimin e dominimit të popullsive arabe-afrikane që shumohen dhjetë herë më shpejt e më shumë  se europianët.  Asimilimi i ardhësve është i pamundur,  për shkak të fesë është gjithashtu tepër i vështirë për tu përshtatur me kulturën e traditat dhe mendësitë europiane. Ka që lindin në Francë dhe vazhdojnë të jenë fanatikë fetarë islamike.
Krimet terroriste flasin edhe për një mësues me origjinë arabe, i lindur në Angli që papritur na u gjend terrorist kamikaz në Londër, duke masakruar njerëz të pafajshëm. Të çudit fakti se kanë mbaruar universitete europiane, por mbeten në mendësinë e urrejtjes fetare. Pa aspak tolerancë.  Ky është një problem i madh që e shoqëron çdo lloj emigrimi nga vendet me fe të manipuluar politikisht e të mbetur në mendësitë e mesjetës e pa kurrfarë dëshire për t’ju përshtatur kushteve të reja e jetës se re në Europë. Në aspektin reformues as që flitet për vendet në kaos të origjinës. Pra prurjet e mëdha e të pakontrolluara, sjellin edhe eksese të mëdha. Dhe potenciali më i madh i rrezikut nuk është kultura, por pikërisht feja. Njerëzit e saj predikues që duhej të shërbenin për zbutje të urrejtjes e ndasive, përkundrazi  bëhen shkak i fanatizimit si dhe radikalizimit të njerëzve të thjeshtë. Se fundja çfarë i bashkon, një sirian, një afganistanas, një irakian e një jordanez të bëjnë një aksion terrorist në Paris. Amalgama e tyre e ngjizur në mendësi është padyshim dogma fetare. Intifada. Lufta e shenjtë. Veprime që i kryejnë pa i kuptuar në brendësi e pa i vendosur në kohën kur kanë lindur. Te dogmat gjejnë alibinë e ngushëllimin por edhe përrallat e ndezura për  parajsën( xhenetin) që i pret me 40 virgjëresha për dashnore. Ata që përpiqen të thonë të kundërtën thjeshtë mashtrojnë, na paraqiten kinse kjo apo ajo fe është paqësore si pëllumbat dhe e butë si mëndafsh. Paqësore në letër sigurisht, por në predikime klerikësh injorantë  dhe në mjedise sociale kemi një pamje tjetër të mjerueshme. Kemi djem të rinj shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që shkojnë në Siri dhe bëhen vrasës të përbindshëm. Sa shpejt i harruam kërcënimet ogurzeza të vrasësit Lavdrim Muhaxheri dhe të tjerëve, madje në gjuhën shqipe. Kemi me dhjetëra e qindra trupa njerëzorë të sakatuar duke përfshirë edhe fëmijë. Me thirrjen tradicionale fetare arabe, që nuk dua ta përmend se tashmë ka marrë nocionin e frikës.
Pse shkruaj kështu dhe a kam sadopak rezerva sa i përket feve? Nuk mendoj se inspiroj as prioritete dhe as urrejtje fetare. Kjo për shkakun se nuk jam fetar i ngulfatur dhe i përkas mendjeve të lira të kësaj bote. Aspak i përkushtuar në dogma. Respektoj institucionin fetar të cilit i përkas si trashëgim familjar( por edhe fetë e tjera sigurisht me të cilat familjarisht jam i lidhur). Por vetëm me një kusht, që të më ndihmojnë të dua Atdheu e popullin tim, historinë, traditat dhe sigurinë e të ardhmes së kombit ku fillon e mbaron qenia jonë individuale. Nëse ka një Zot të më falë. Nuk e skllavëroj dot mendjen as përpara atij që më ka krijuar. Sepse skllavëria e mendjes nuk është qëllimi i krijimit qoftë nga hyjnitë e qoftë nga natyra. Unë as e mohoj dot e as e konstatoj dot. Universi është një pjesë e vogël e enigmës së madhe që nuk mund ende të vërtetohet si u krijua e ku qëndron. Gjithë çfarë qoftë e vërteta, dogma nuk arrin të bind njeriun e shkolluar, por as ai i dituri nuk arrin ti jap zgjidhje enigmës. Prandaj u them shpesh atyre që lëshojnë insinuata, e keni gabim kur më klasifikoni siç më klasifikonte kompania e zullapërisë turko-memurë të fundamentalisteve islamikë në mars të vitin 2000 në pesëmbëdhjetë shkrime në shtyp kundër meje (marramendëse kjo),  duke më konsideruar me termin e shpikur katoliko - centrik. Se shpejti do të keni një pasqyrë të polemikave fetariste të qerthullit fanatik të asaj kohe (që vazhdon mjerueshëm), si dhe përgjigjen dinjitoze që u dha Prof. Engjëll Sedaj (1943-2006) në faqet e gazetës “Bota sot” më 20-23 mars 2000 dhe ku ndër të tjera e mbrojti edhe idetë dhe parashtrimet në shkrimin tim që ndezi atbotë Abdi Baletën,  “Çfarë i solli feja e pushtuesit kombit shqiptar?”.
Po pse reagoj unë, shpesh më pyesin? Heshtja është më oportune sipas tyre. Lehtë është ta mësojë çdo kush.  Kur e shoh se si zullapëria me revansh osmanik po kërkojnë të na bëjnë synet në tru si komb e si popull, me zor e përdhunë, unë nuk mund të rri e të flladitem për nën hije të lisit. Tepër i madh ky luks për kohën tonë. Por më e keqja është kur kundërshtitë e reagimet e mia që kanë qëllime kombëtare, i marrin si agresivitet ndaj islamit. Jo, kurrsesi. Nuk cenoj asnjëri në bindjet e veta brenda vetvetes. Unë kam bindjet e mia, sigurisht, që ne shprehje e shfaqje publike nuk kanë fare të bëjnë me pozicione fetare por me ato kombëtare.
Kam reaguar ashpër kur kam parë se si feja manifeston në rrugë duke krijuar imazhin e një revanshi fetar, çfarë nuk ka ndodhur as nën kushtet e pushtimit osman që kishte pushtet dhe instrument fenë islame, kam reaguar kur politikanët tanë u bënë si bajgë në këpucën e Papës duke u ngutur të tregonin gjoja katolicizmin e tyre të përkushtuar. Një rreng e një rrenë kjo për të përfituar politikisht. Kam reaguar që herët  kur e kanë futur Shqipërinë në Konferencën e Vendeve Islamike edhe pse në Kushtetutën shqiptare të vitit 1992, neni 7, dhe asaj të vitit 1998, neni 10, shprehte qartë laicitetin e shtetit; ndaj vazhdoj të shpreh edhe më tej mendimin se pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë organizatë fetare ka qenë e vazhdon të mbetet antikushtetuese. Pse vallë asnjë forcë politike apo shoqatë e pavarur nuk e dërgon çështjen në Gjykatën Kushtetuese,  apo asnjë deputet nuk merr iniciativën të propozojë një referendum popullor për këtë shkelje kushtetuese. Mos më flisni për opozitën se ajo vetë e futi Shqipërinë në këtë batak arabo - aziatik.
Gjithmonë kam reaguar sepse e shoh se çfarë spekulimesh bëhen me fenë për përfitime politike. Nga një anë e errët qeverisëse deklarohet se jemi një komb me rrënjë e degë islamike, madje edhe burim islam na bënë si komb.  Çfarë nuk është aspak e vërtetë se ku do ti çojmë të krishterët ( katolikë e ortodoksë së bashku) që e mbajtën shpirtërisht e fizikisht këtë komb nëpër shekuj pushtimi. Çfarë ta bëjmë Gjergj Kastriotin? Dhe nga ana tjetër, na i rrokën katër krerët fetarë të Shqipërisë e i dërguan si dashi me këmborë për të parakaluar rrugëve te Parisit, kinse, për  ti thënë qytetërimit perëndimor merrni shembull nga ne, se ne jemi kampion në botë për mirëkuptim fetar. Bla-bla-bla. Dëngla. Se ndërkohë në Mitrovicë e rrëzuan përmbys shtatoren e Nënë Terezës, myslimanët e Shkodrës nuk e pranuan monumentin e bamirëses së madhe në hyrje të qytetit dhe projektin e zhvendosen me imponim.  Kishën e Shën Shtjefnit në kala që në kohën e Gjergj Kastriotit e duan sërish xhami siç e patën kthyer pushtuesit barbar e hordhitë e egra te Anadollit, a thua se këta myslimanë fanatike te Shkodrës qënkan përfaqësues e mercenarë të revanshit osman pan Ballkanik. Po ka dhe më . Ca islamikë të qorrollisur plasën që të mos bëhet Katedralja Katolike e Prishtinës si vizion paqësor e mirëkuptues i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, përpara të cilit udhëheqësit e sotëm duken si liliputë. E me tej çfarë do politika e qeverisja që manipulon me festat fetare. Çfarë është kjo qeveri që shtron iftar e bën propagandë me fjalime dogmatike. Nuk ka shtruar(e mirë ka bërë) ndonjë drekë a darke për Krishtlindje apo Pashkë as për ortodokset e as për katoliket. Qeveritarët nuk kanë asnjë punë, madje bëjnë mirë ti zbojnë nga institucionet fetare e ti quajnë të padëshiruar sepse venë për tu dukur e dalë në media për përfitime elektorale.
Po pse duhen bërë mësime fetare në shkolla? Për ti treguar fëmijëve se nuk jemi krejt njësoj, se kemi besime të ndryshme, tu fusim në kokë dogma, apo tu nxisim luftën e shenjtë, këndej intifada andej kryqëzata. Nuk ka asnjë punë feja në shkollë. Kush do të bëhet fetar të shkojë në shkolla të posaçme që thënë të vërtetën ka më tepër seç duhet këtu ndër ne. Kemi prodhim klerikësh me shumë se na duhen. Aq me tepër se ne këtë fushë, importi po e konkuron vrullshëm prodhimin e vendit.
Edhe lajmet që jepen për mundësinë e ardhjes se 600 mijë sirianeve padyshim ka të bëjë me produktin shkatërrues të politikës në shumë pikëpamje. Por edhe efekti që do krijohet sepse ata  mijëra do të jenë myslimanë, kjo bën që të shtohen institucionet fetare dhe të minimizohet përqindja e popullsisë se krishterë deri në zhdukje. A nuk tingëllon kjo si një dëshirë për të shfarosur autoktonët, ata më të rezistueshmit në histori, atë pjesë heroike të popullsisë që i qëndroi përballë pushtuesit pesë shekullor, jo vetëm si arbër me kulturën e traditat e veta stërgjyshore, por nuk u lëshuan as në pikëpamje fetare.  Çfarë, si rezultante historike, solli që ky popull të merret në konsideratë dhe të vlerësohet si një identitet i fortë me tëra potencialet për të krijuar një shtet. Nëse popullsia do të ishte krejt islamike dhe të konsiderohej e tillë nga Europa, të jeni të bindur se nuk do të kishim pavarësi, do të konsideroheshim një province turke dhe do të copëtoheshim pa pasur kurrë një shtet, siç u tentua të bëhej prej qarqeve të diplomacisë në Londër,  Shkaku dihet ani pse fshihet, nuk donin të krijohej një Turqi e re dhe e vogël në Ballkanin perëndimor. Ekzistenca e popullsive së krishterë ua zbuste këtë dyshim, por ishte dhe faktori Austro-Hungari, kjo perandori katolike që ndikoi në favor të shqiptarëve.
Nuk ka qenë e pakuptimtë as e paqëllimtë, që në momentin e aktit te madh të Pavarësisë, të ishin edhe dy shtyllat e forta të shqiptarisë, Luigj Gurakuqi (1879 -1925) dhe Dom Nikollë Kaçorri (1865-1917), madje ky i fundit zëvendëskryeministër, rangu i dytë pas Ismail Qemalit. Fakt që mjerisht në  përkujtime shtetërore apo dhe shkrime anashkalohet. Shfaqje e mjerueshme e shoqëroi mbërritjen e eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Rinas ku u përcoll jashtë vëmendjes së qeverisë si të ishte një valixhe udhëtarësh. Asgjë nuk është rastësi dhe e kanë gjithsesi një kuptim. Pse bëjmë sikur nuk i dimë këto . Shqipëria u ruajt në identitet dhe u bë në saj të qëndresës së popullsisë së krishterë që i konsideronin të huaj pushtuesin osman. Përkundër mjaft shtresave të popullsisë që e konsideronin veten turq dhe ishin njësuar me pushtuesit deri ne atë masë sa kur u bë kryengritja e vitit 1911, kundër malësorëve i nisen trupa të rinisë myslimane të Shkodrës të luftonin kundër tyre. Këtë fakt historik e kanë mbuluar. Të mashtruar sigurisht nga pushtuesit turq, që lëshuan kushtrim kasnecësh në qytet, kinse malësorët kishin dalë kundër Dinit e Imanit. Dhe shkuan të veshur e të armatosur, por Dedë Gjon Luli i zuri rob sapo zbritën nga varkat në bishtin e liqenit, dhe, si i çarmatosi, i zhveshi dhe i nisi prapa për në Shkodër pa vrarë as dhe një.
Nuk mund të themi e të flemë gjumë se harmoninë e kemi të siguruar si byrek në tepsi,  siç kuturisin shtetarët tek mburren nëpër kancelaritë e Europës. E di shumë mirë Europa çfarë jemi. Sepse edhe ka ndërhyrë kur kemi qenë në zgrip të luftës civile, kur qytetarët shkodranë për shkak të përçarjes fetare, që e nxiste valiu turk që nuk e kish per gjë të varte priftërinjtë katolikë ne mes të qytetit, u barrikaduan sipas përkatësisë fetare.  U desh ndërhyrja energjike e Austro Hungarisë që nëse katolikët pësonin ndonjë gjë do ti shpallte luftë Stambollit. E di Europa shumë mirë se ende në Prishtinë shkojnë shqiptarët faqezinj e falen në tyrben e pushtuesve, Sulltan Muratit a Mehmetit dreqi po e di. E di Europa se disa renegat fanatikë fetare të shitur, shkojnë e marrin një historian teveqel turk që nuk lë gjë pa thënë për heroin tonë kombëtar atje në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhes ku ishte varrosur Gjergj Kastrioti  e barbarët e Anadollit e zhvarrosën dhe kockat ja trazuan e humbën. E di Europa çfarë po ndodh në këto troje me tërbim e fanatizëm vetëvrasës. Mirë Europa, po ju a e dini që në fjalorët e gjuhës shqipe ka qenë e mbetet përherë fjala dhe shpjegimi në negacion kryqëzatave të krishtera këtu e shekuj më parë, para se të shfaqeshin turqit në Ballkan?  Por nuk gjen asnjë fjalë e asnjë nocion që ka të bëjë me “intifadën”, luftën e shenjtë të myslimanëve kundër te krishterëve, që u shfaq aq agresive me kokëprerje në shtetin makabër të ISIS në Siri dhe Irak.
Gjithë kjo lukuni që krijon kësisoj mysybetesh turko-memure, mendojnë mbase se njerëzit dinë  të lexojnë por nuk dinë të kuptojmë. Dhe laj lesh me historinë, me traditat, me kulturën arbërore, e kërko e gërmo natë ditë në rrënjët e kombit për të gjetur aty vetëm islamizmin e shekullit te XV, sikur këto troje të mos kishin pas histori më parë, sikur gjithçka ka filluar  me një ferman të sulltanit. Ta zëmë krijimi i Tiranës i atribuohet, me një monument skandaloz, një kopuk-qafiri që i shërbeu deri në përçudnim sulltanëve të Stambollit, kur populli shqiptar përgjakej me pushtuesit. A e kuptoni deri ku shkon poshtërsia e politikës dhe e ëndrrës se çmendur për të krijuar këtu një Shqipëri si pjellë e hordhive arabo-aziatike. Nuk ishte një shfaqje krejt e kotë e mizerabiliteteve që sot u thurin lavdi Esat Pash Toptanit, që u vra nga një shqiptar atdhetar, Avni Rustemi,  që edhe atë e anatemojnë buburrecat e historisë.  Por me heqjen nga skena të kerrmës antikombëtare, nuk u shua si ideal shkatërrues esatpashtoptanizmi, sepse ja ku i kemi edhe sot llapaqenët që i thurin lavdi. Po dale, të thonë, se kjo ngordhësirë historike na paska pas edhe ndonjë të mirë. Mirëzezë, thuaj. Lëre më Haxhi Qamilët e rinj, se ata janë një tjetër kapitull i ndyrë në histori që u instumentalizua nga politika moniste, por jeton ende nëpër dëlire anadollake të cilat edhe krejt pa rrezik nuk janë.
Ndaj  duhet me çdo kusht që politika të rrijë larg instrumentimit të fesë. Loja e politikes me fenë është një zjarr që potencialisht i shkreton trojet shqiptare ndaj dhe nëpër shekuj ata që i kanë radikalizuar me së shumti shqiptarët në pikëpamje fetare kanë qenë armiqtë më të egër të Shqipërisë. Ata kësisoj e kanë parë përçarjen fetare si instrumenti më i mirë e më efikas për të shuar e harruar çështjen shqiptare në Ballkan, çështje që ende mbetet e pazgjidhur. Sa më shumë afron koha e zgjidhjes, aq më e stërholluar bëhet arma me të cilën e luftojnë armiqtë tanë kauzën shqiptare. Ndaj duhet përballuar zullapëria antikombëtare, e gjithsecili, pavarësisht se çfarë besimi i përket si trashëgim familjar, apo personal, mbi gjithçka të mendojë e të punojë për kombin,  ku të lindim e të vdesim si kombtaristë - që të rrojë edhe me tej shqiptaria.

TRABOINI ART STUDIO CHANNEL