MESAZHI
AKTUAL I NJË ROMANI HISTORIK
“Fermani i
përgjakur”, Vasil Premçi, bot. “Enja” 2018
Nga KOLEC
TRABOINI
Romani “Fermani
i përgjakur” është një libër ku në pak faqe shkruhet një histori e madhe. Jo se
këtu ka të bëjë me beteja të mëdha, por se prek një ngjarje që tregon shumëçka
nga jeta e shqiptareve në mesin e shekullit 19. Ajo ngjarje në krahinën e Bendës,
fshatrat në lindje të Dajtit të Tiranës, tregon se shpresa nuk ishte më një ëndërrim apo
aspiratë në fantazi , por një dëshirë e zjarrtë që shihej e mundshme të
realizohej për të shpëtuar prej zgjedhës shekullore të një pushtimi që nuk
njihte kufi në dhunën fizike e morale ndaj shqiptareve. Figurativisht, në një
anë kemi një ferman të verdhë sulltanor i sapoardhur, në duart e një gjeneral
pashai agresiv e imponues, nga ana tjetër popullsia e Bendës që mbahej fort pas
të drejtës morale mishëruar tek Kanuni, që shprehte mbrojtjen e të drejtës
zakonoreve të shqiptarëve.
Gjithçka
i përket një kohe kur asnjë kompromis nuk shihej si zgjidhje. Të shtypurit nga
dhuna e egër e pushtuesit kishin nisur të rifitonin krenarinë e dinjitetin
njerëzor. Pushtuesi duke mos pasur më fuqi ta tjetërsonte popullsinë, ta
impononte, përgatiti e nisi një ekspedite ndëshkimore në krye të cilës vihet
një nga gjeneralët më të zot perandorak. Pra Porta e Lartë e kishte synimin e
qartë, nënshtrimin fizik, moral e psikik pa asnjë kush të shqiptarëve të krahinës së Bendës.
Ngjarja është
lokale, por kjo vepër shihet si një pasqyrë e shëmbëllesë historike e mbarë
trojeve shqiptare. Duke përdorur një krahasim do të mund të thonim, se, ashtu
si nëpërmjet një pike vese kemi shëmbëllimin e diellit edhe ngjarja Bendës përfaqësonte
gjithë çfarë ndodhte në trojet shqiptare të ndara e përçara në katër vilajete,
duke ju mohuar çdo e drejtë kombëtare, duke përfshirë edhe shkollimin në gjuhen
amtare.
Romani
nuk ka shumë personazhe apo shumë linja dhe përdoren digresione të pjesshme. Kemi
një linjë të drejtë nga ana kompozicionale dhe një rrëfim të pasur në shprehje
e frazeologji, me fjalë e shprehje të urtësisë popullore, mbi të gjitha një
frymë poetike që shfaqet kryesisht gjatë përshkrimeve të natyrës apo monologëve
të brendshëm.
Gjithçka zhvillohet me nisjen e ekspeditës ndëshkuese, pasuar me
udhëtimin dhe arritjen në vendin ku do te zbatohej urdhri i sulltanit për kontrollin
fizik të vajzave nga mosha 5 deri ne 10 vjeç. Po si do ta prisnin këtë banorët
e Bendës këtë ndëshkim të rëndë moral?
Komandanti
i trupave ndëshkimore osmane, gjenerali Çandërllë Pasha me fermanin poshtërues ka një
ndjesi gërryese, ëndrrat dhe paramendimet e tundojnë ani pse e ndjen veten të
fortë dhe fitimtar, por shpesh herë mendime të zymta i kalojnë në mendje, sepse
po shkonte të nënshtronte ca njerëz që shquheshin për kokëfortësinë e tyre, që
pranonin vdekjen por jo poshtërimin. Edhe këshillat qe i japin kur ndaloi ne
Shkup e Gostivar ishin se duhej të bënte kujdes me arnautët, se ishin besnikë
ndër miq por të pamëshirshëm me armiqtë. Gjithsesi ai e ndjente se ndryshe prej
ekspeditave në vende të tjera, ndër shqiptarët
gjithçka mund të pritej, i dukej një rrugë e gjatë, e lodhshme dhe e rrezikshme. I kishin folur për Kanunin e
shqiptareve dhe zakonet morale për të cilat ishin shumë të rreptë. Prekja e
nderit të një femre ishte si të flije mbi barut. Megjithë këshillat mikluese
që i përkëdhelnin sedrën nga ana e Hoxh
Azapit që shoqëronte ekspeditën, pashai nuk po gjente qetësi. I dukej se gjithë
ky udhëtim me fermanin e verdhe kishte diçka tragjike, por krenaria nuk e linte
të ulte kokën. Kish bërë shumë beteja, kishte shtypur shumë popuj. Por prapë i
dukej se nuk ndodhej në një taban të sigurtë.
Lupa e
shkrimtarit është mbajtur më shumë, apo thënë më mirë në tërësi, në botën e
mendimet e gjeneralit që komandonte ekspeditën, që përfaqëson forcën shtypëse e
të pamëshirshme, forcë që sa më shumë tregohej e pathyeshme, aq më tepër jepte shenja
se ishte në rrënim e sipër dhe forcat perandorake nuk kishin më shkëlqimin e
dikurshëm. Pashai osman me aq shumë lavdi mbi shpatulla, herë-herë ndjehet si një
njeri i mbetur në kënetë, ku, çdo përpjekje më forcë për të dalë prej llucës,
veç e shton dhe e afron mbytjen e tij. Në rastin e këtij personazhi qendror
gjithçka vjen rrotull si një mjegullnaje tragjike e do ti ndodh pikërisht ajo që
urrente aq shumë. Kish dëgjuar edhe për
këngët e arnauteve. Dhe i urrente. I dukeshin më shumë vaj se këngë. Nuk do të
dëshironte kurrë që emri i tij të përmendej në këngët e tyre si klithma.
Autori i
është shmangur përshkrimit e analizave te antagonistëve të Pashait osman që
vinte në Shqipëri jo më një detyrë luftarake, se nuk kish përpara një ushtri
por banorët e Bendës. Vinte të poshtëronte një
popullsi dhe të lartësonte akoma me tej lavdinë e vet në oborrin e Portës se
Lartë. Duhet thënë se banorët e Bendës, më gjithë karakterin kryelartë si
shqiptare, nuk ishin personazhe kryengritëse, ata vazhdonin jetën e vet të përditshme
dhe ardhja e ekspeditës ndëshkimore ishte si të binte një rrufe në qiell të
kthjelltë. Gjendur krejt në befasi, sepse as mund të mendonin se nga Porta e
Lartë do të vinte një ferman i Sulltanit me urdhër që binte ndesh me nderin e
dinjitetin e vendasve dhe të traditave të tyre. Autori Vasil Premçi është përqendruar
te Pashai pushtues, duke e analizuar atë në shumë aspekte, duke u marrë me
botën e tij shpirtërore, endjet e ëndrrat e tij dhe duke e lënë si të thuash të
lartësohej në delir, se, sa më lart të ngjitej, aq më i madh do të ishte, si
vlerë morale e vendasve, rrëzimi i tij. Të vrisje një pasha osman ishte si të rrëzoje
një mal, dhe rrëzimi i këtij mal-pashai që mbante në dore si triumfator
fermanin poshtërues të Sulltanit, në sy të bashkëfshatarëve të Bendes, ishte
trimëri e pashoqe. E megjithëse pasojat do të ishin të rënda ajo do te mbetej në
histori brez pas brezi. Ndaj autori e ka vizatuar e jo gdhendur dhe aq Veli
Allen e bashkëfshatarët e tij. Ajo ngjarje është gjithçka që mund të kërkohet në
kujtesën popullore në vargjet e një kënge ku në aq pak fjalë përshkruhet një
faqe e lavdishme e historisë.
Konflikti
i hapur u shfaq kur forcat osmane e rrethuan vendin dhe morën vajzat për ti kontrolluar
nëse ishin vërtetë vajza apo djem të regjistruar me emra vajzash prej prindërve,
arnautëve të mallkuar, me qëllim që të mos i dërgonin nizamë në ushtrinë e
sulltanit. Por asnjë arsyetim që paraqiten vendasin nëpërmjet Hoxhës se urtë të fshatit,
Pashai nuk ja vuri veshin. Fermani i
verdhe duhej te zbatohej sipas urdhrit të sulltanit. Duke mos i mbet rrugë
tjetër për të shpëtuar nderin e vajzave të Bendës, një nga fshatarët më energjik,
Veli Alla, i del Cadërllë Pashës ballë për ballë dhe pa i lënë kohë rojeve ta
mbronin e qëlloi me allti dhe e la pikë të vdekur. Fermani i verdhë përskuqet
me gjakun e pashait osman, fundi i të cilit ishte krejt ashtu siç ai urrente më
shumë. Një vdekje për turp. E varrosen me nderime ushtarake por varri ju
harrua. Dhe mbeti në këngën arnaute që i urrente, mbeti si një mallkim i
përjetshëm në një fund pa lavdi.
“Fermani
i përgjakur “ i Vasil Premçit, është një libër që lexohet me një frymë, me faqe
pak siç thamë, por me një mesazh me vlerë aktuale me referencë historike. Nuk
ka lumturi në asnjë lloj pushtimi - siç disa elementë, në ditët tona rreken të
na qorrollisin. Pushtimi i huaj, ashtu dhe ai osman, ishte tepër i rëndë,
çnjerëzor, nuk linte asnjë hapësirë për të drejta njerëzore dhe as mundësi për
dinjitet njerëzor. Vrasja e Pashait i ve forcat e ekspeditës në konfuzion, ata marrin rrugën e kthimit të udhëhequr
tashmë nga Hoxh Azapi, që është i çmeritur dhe i dalldisur, e ashtu ikën për të
mos u parë më kurrë në Bendë.
Lexuesi në
fund mëson me pak rreshta se e gjithë kjo ngjarje që tregohet në libër ka të
bëjë me një histori të vërtetë, mbështetet në aktin e Veli Allës, birit të Bendës,
të cilit edhe sot e kësaj dite i këndohet këngë trimërie në fshatrat përreth
Dajtit të Tiranës. Një histori që të mbush me krenari, të jep mësimin e madh se
kur punon me përkushtim për kombin e atdheun tënd, brezat nuk të harrojnë, por ruhesh në kujtesën popullore dhe në fjalët
lapidare e mirënjohëse në këngët e kujtesën e popullit. Pjesë e kësaj kujtese është
edhe romani historik “Fermani i përgjakur”.
TRABOINI ART STUDIO CHANNEL |