ARISTIDH P. KOLA 8 korrik 1944 - 11 tetor 2000 |
ARISTIDH KOLA: RRËNJËT TONA JANË NË ARBËRI
Kanë rënë kambanat e ka ardhur ora për ata që duan të dëgjojnë e kuptojnë
se, kultura e traditat, historia dhe gjuha nuk mund të kufizohen edhe më tej brenda
kufijve të Shqipërisë, të cilin e sajuan të tjerët e jo ne, në vitin 1913. Duke u qorrollisur e duke u sjellë
si provincialë në këtë kopshtin tonë të vogël, ne e kemi humbur besimin prej
arbërorëve që rrojnë përtej gardhit tonë. Sot arvanitasit dhe arbëreshët e
shohin me skepticizëm Shqipërinë dhe po i hedhin sytë nga Kosova me shpresë se
ajo do të bëhet qendra arbërore e shqiptarëve të gjithë botës.
Këtë e ndjente dhe e thoshte jo pa pikëllim edhe i paharruari Aristidh Kolia, kjo figure e madhërishme e
kulturës arbërore, por na thonë sot e kësaj
dite, anipse ne bëjmë sikur nuk dëgjojmë, edhe veprimtarët e tjerë arvanitas e arbëresh si Jorgo Miha, Jorgo Jeru e At Antoni Bellusci.
A ka ky shtet shqiptar një Akademi të dëgjojë kambanat, që të mos lërë në
harrim kulturën tonë përtej kufijve, një kulturë e traditë, një histori plot lavdi, që është po me aq vlerë sa ajo brenda
kufijve, në mos më shumë.
Veç bustit të De Radës si nuk u pa gjëkundi në këtë dhè një monument a bust
për ata që dhanë aq shumë për kulturën arbërore jashtë kufijve të vitit 1913. Si nuk u panë të shfaqen në dy dekada grupet
kulturore arvanite arbërore në këtë vend. Të mos flasim për shkrimtarë, piktorë
e artistë që janë nderi e krenaria e fqinjit tonë të jugut. Pse ia sharrojmë vetes degët që kemi nën këmbë. Me fustanellën
tonë krenohen fqinjët duke e quajtur pjesë të etnografisë së tyre kombëtare. Po
ne si nuk morëm një kostum aq të mrekullueshëm të grave arvanite e të mburremi
me të, sepse është vërtetë pjesë e
kulturës tonë të mrekullueshme arbërore. Pasi na zvogëluan gjeografikisht të
tjerët, pse për fajin tonë, vazhdojmë të
zvogëlohemi shpirtërisht.
E kryepseja: pse pra ne e kemi humbur shansin historik për t`u bërë qendra
e mbarë botës arbërore-arvanite-shqiptare?
Parë në këtë sy, mund të them se diku
përtej gardhit tonë, në Greqi, patëm fatin të njohim Aristidh Kolian,
personalitetin më të madh arvanitas të shekullit XX dhe një nga njerëzit më të
ndritur të kombit tonë. Akademikët tanë që flenë nëpër katedra duhet t`ia kenë
zili atij, por jo zili për keq, sepse ai ishte e mbetet pjesë e kulturës sonë
arbërore, por t`ia kenë zili për vullnetin e këmbënguljen, për sakrificën,
sepse Aristidh Kolia në studimet e veprat e veta, vuri tërë dashurinë, tërë
pasionin, tërë kohën, edhe jetën e vet duke punuar në kushtet e një terrori
verbal e psikologjik.
Por mendoj se këtu vegjeton edhe një
zili për keq, prej atyre që kanë veshur papuçet akademike të Obllomovit. Lënia
jashtë vëmendjes, thuajse në harrim e kësaj figure, duke mjaftuar me emërtimin “Aristidh Kolia” një
rrugicë të vogël në periferi të Tiranës, diku fshehur pas pallatit të Brigadave
a fshatin Sauk, është vërtetë shprehje e
qëndrimit tonë cinik ndaj kulturës arbërore, e mendësisë sonë të vetizolimit, për
të mos thënë frikës se mos bash për këtë mbeten prishaqejf diplomatët e
fqinjëve. Vështirë është ta pranojmë të vërteten, por pa e pranuar atë nuk ka
as dhe një shans të vetëm të gjejmë një udhë të drejtë në këtë mishmash kombëtar,
ku flitet veç për politikë, ku prodhohen veç konflikte e kultura konsiderohet
si një handikap shoqëror i bezdisshëm.
Aristidh Kolia i madh kishte një mendësi krejt tjetër. Kultura, tradita,
gjuha, prejardhja, historia ishin gjithçka në jetën e tij. Ai e
shihte Shqipërinë me sytë e shpresës. Ai kishte udhëtuar katër herë në Shqipëri
e një herë në Kosovë, por edhe në
Kalabri e Siçili, gjithnjë me dëshirën e zjarrtë për ta thyer atë barrierë që
na kishin vënë në mes nesh, në mes të njerëzve të një gjuhe dhe një gjaku. Ndaj
është krejt e kuptueshme çiltërsia me të cilën e priti dyndjen e emigrantëve
shqiptarë në Greqi me mendimin, se kjo do të ishte një rast ideal për të
krijuar lidhjet e munguara në mes të krahëve të shqiponjës.
Ai u afroi shqiptareve emigrantë një miqësi pa asnjë rezervë e pa asnjë kusht.
Ai nuk përdori për ta asnjë herë fjalën emigrant. I quante me gjuhën e tij të
bukur shqipo-arvanite “djemtë”. Kush e
di ç ‘bëjnë djemtë. Kush e di ku janë djemtë. I thërriste ashtu siç thërriste
të birin e vet Panajotin. Me të njëjtën dashuri. Ishte një miqësi e dashuri që
buronte prej gjakut të përbashkët që na rridhte në damarë e gufonte në zemrat
tona arbërore. E më së shumti nuk ishim ne që e kërkonim atë, sepse edhe
druheshim, por ishte ai që interesohej se çfarë ndodhte me emigrantët shqiptarë
në Greqi. Që kur e takuam për herë të
parë, ashtu do ta ruajmë në kujtesë, të gjallë e plot energji , të përzemërt ,
me fytyrë plot dritë e të qeshur, gjithmonë i mirë e bujar. Kush tjetër si ai!
E kjo ndodhte se ai kishte një vizion te madh e nuk i shihte shqiptarët e
Shqipërisë së vitit 1913 si njerëz të përtej sinorëve, por vëllezër gjaku, sepse e dinte se kufijtë ishin krijuar nga të
tjerët e jo nga shqiptarët, se pengesat i sjellin qeveritë e politika, por jo
popujt.
Aristidh Kolia ishte si një diell që
lind, kalon në zenit dhe perëndon, e gjatë gjithë udhës në qiell ndriçon për
njerëzit. Kështu ndriçoi gjatë tërë jetës së tij miku ynë i madh e i paharruar
që sot e kujtojmë me nostalgji. Veç perëndimi
ishte tejet tragjik për diellin metaforik me emrin Aristidh Kolia. Ai kaloi nga
Thiva ku lindi, përmes fshatrave arvanite të Atikisë, që i rrinë Athinës si
kurorë, nga ishulli Salamina i Anastas Kulluriotit, kalonte nëpër malet e Moresë, tek Arbërshët e De Radës e
Zef Serembes në Kalabri e Siqili të Italisë, ku zuri miq të mëdhej si At
Antonio Bellusci me të cilin e lidhi një miqësi e jashtëzakoneshme.
Të dy dijetarë me mendje të ndritur,
karakter të fortë e zemër guximtare. Njëri në lindje e tjetri në perëndim të
Arbërisë sonë. Si dy zogj shqiponje,se bashku
fluturuan lart por edhe larg deri në Strasburg, për t’i thënë Europës se
Arvanitët, trashigimtarët e
Kollokotronit, Marko Boçarit, Gjergj Karaiskaqit, Laskarina Bubulinës e plot
heronjve të tjerë të Revolucionit Grek, ishin gjallë, anipse të harruar, pak
prej vetes e shumë e më shumë prej të tjerëve. Ata kështu po i kthenin arvanitasve
krenarinë e dinjitetin, lavdinë e një historie të mohuar.
E vërteta që mbronte Aristidh Kolia kaloi
si hark drite edhe në qiellin e Shqipërisë dhe Kosovës e mbarë trojeve
shqiptare në Ballkan.
Kush më shumë e më zjarrtë se ai i mbrojti shqiptarët e Kosovës kur edhe në revistën e tij “Arvanion”
shkruhej me germa të mëdha “Edhe unë jam kosovar!”.
Ai me guximin që tregoi shfaqi tiparet e trimave arvanit në histori që nuk
e njihnin frikën. Ata ishin lindur në luftë dhe lufta i rriste e i
trimëronte, siç thotë miku i tij,
veprimtari tjetër arvantias Jorgo Miha. Vetëm pse mbronte shqiptarët e Kosovës
në të drejtën e tyre për liri, u kërcënua publikisht në një emision televiziv
nga një gazetare, sot deputete komuniste në parlamentin grek: “Ju akuzoj si
agjent i të huajve…më e pakta i UÇK-së, ju akuzoj për agjenturë dhe propagandë
të zezë, jeni armik i brendshëm.”
Për këtë ngjarje skandaloze në median greke, ndoshta e vetmja e këtij lloji
në mbarë Europën, në një letër që
Aristidh Kolia i dërgoi mikut të tij arvanitas, Taso Karandis, botuar post
mortem në revistën “Ritmi i Salaminës”, shkruante.:
"Shumë miq më telefonuan për të shprehur indinjatën
për baltën që hodhi mbi mua zonja Liana Kaneli gjatë emisionit televiziv në
"Skaj" 5 Maj 1999, dhe më pyetën përse e përballova me qetësi, kur
duhej të kundërsulmoja... Miqtë e mi, mos u mërzisni e mos u hidhëroni për
këtë, sepse "e drejta del, vjen kur t`i vijë ora…". E kam dashur dhe
e dua vendin tim, por dashuria ime nuk është me fjalë por me veprat e mia, të
cilat do të kujtohen kur balta e zonjës…Kaneli të kalojë në harresën e
shekullit. Kam preferuar gjithmonë të shkoj kundra rrymës e jo të shkoj nga
shkon rryma dhe fryjnë erërat . Nuk jam lëpirë e nuk kam puthur kurrë këmbët e
përmjera dhe për këtë e paguaj shtrenjtë dhe në mënyrë të përditshme me nderin,
dinjitetin dhe lirinë time..."
Dhe e pagoi. E pagoi pa ju dridhur qërpiku sepse kishte
gjak arbëror e karakter arvanit të
pamposhtur.Me të drejtë i vëllai i tij, Jorgo Kolia, thotë se me Aristidh Kolian
ndodhi ajo që thuhet në një proverb biblik: “Kush ka guximin të thotë të vertetën,
kryqëzohet”
U bë një dekadë që nga ajo ditë e zezë athinjote, ajo
vdekje mizore, që na e rrëmbeu parakohe e krejt e papritur Aristidhin tonë. Po a thue përnjimend u shua ai diell arbëror?
Kurrsesi , sa kohë që ia ndjejmë rrezet e ngrohta që burojnë prej veprave të
tij. Se ja kështu ka ndodhur edhe me Anastas Kulluriotin e Jorgo Marugën, por ikën vetëm fizikisht. Asgjë tjetër nuk ka
ikur veç trupit që ju kthye dheut të krijimit.
Nuk mund t`i vihen pranga dritës. As ideve dhe frymës se tij
që ndjejmë në çdo libër e në çdo fjalë. Veprat e mendimet e tij na shoqërojnë. Sot më tepër se dje, nesër me tepër se sot, kështu
në vazhdimësi, sa kohë që bijtë e shqipes arbërore, shqiptarët, arbëreshët,
arvanitët rrojnë e do të rrojnë mbi dhè.
Aristidh Kola ishte një mendje e ndritur që e kuptonte se
në këtë botë kish jetë por kishte edhe vdekje, por dinte akoma më mirë se
vdekja mund të mundej me vepra të mëdha për njerëzit. Ai e dinte mirëfilli se
ka një mënyrë për të rrojtur edhe pas vdekjes, çfarë në të vërtetë e
mrekullisht ndodh. Se ja, tani për Aristidhin tonë dinë e flasin më shumë njerëz.
Ani pse gazetat shqiptare në Tiranë e Prishtinë fare pak shkruajnë, se janë
peng e robër të politikës dhe interesave konjukturale, por falë komunikimit të
shpejtë e masiv elektronik, për Aristidh Kolian sot flasin e shkruajnë me
admirim në të katër anët e globit, nga
Europa në Amerikë, Kanada dhe Australi, kudo ku ka shqiptarë.
Vepra e tij madhore “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve” veç
12 botimeve në Greqi, është botuar e ribotuar edhe në Shqipëri, por, edhe vepra
te tjera si “Gjuha e Perëndive” tashmë i kanë në dorë shqiptarët në arbërishten
tonë të lashtë e të bukur.
Disa njerëzve
vdekja iu shërben për t`u bërë edhe më të
gjallë se të gjallët. Kur trupi ikën, shpirti vjen më pranë njerëzve. Ringjallje
sipas shëmbëllesës Ungjillore. Ndaj gjithmonë do të themi se Aristidh Kolian e
kemi gjallë midis nesh. Ai zjarr dashurie e krenarie që ndezi në mes të arvanitëve
si të ishte një Promete, kurrë nuk mund
të shuhet.
Le ta mbyllim me fjalët që aq shumë i kish për zemër i
pavdekshmi Aristidh Kolia: “Rrënjët tona
janë në Arbëri!”
E këto fjalë, që të kujtojnë edhe të madhin De Rada që i
mbylli sytë duke parë detin, duhet t`i kenë në mendje e në zemër arvanitasit
edhe arbëreshët, por duke ditur rrethanat e mundësitë, le t`i ndihmojmë edhe ne
sado pak, që të mos i harrojnë, që njerëzit që kanë guximin të thonë të vërtetën
edhe me tej të mos kryqëzohen, që errësira të mposhtet përballë dritës e shpirti i Arbërit të rrojë përgjithmonë!
Nga libri “Aristidh Kola” Kolec Traboini,
2014
TRABOINI ART STUDIO CHANNEL |