25 July 2018

🟢Qytetrimi me barabarinë i ndan humanizmi - nga Kolec Traboini

QYTETRIMIN ME BARBARINË I NDAN HUMANIZMI

Nga KOLEC TRABOINI

Bashkë me do shqiptarë Kosove të mrrolun keq, që nuk dinë të dallojnë njeriun e thjeshtë nga politika e qeverive, represive qofshin, bashkë me ta edhe një femër që jeton në Francë e është nga Tropoja, shprehin gëzimin për çka ndodhi në ketë tragjedi njerëzore në Atiki ku u dogjën të gjallë si mbas të dhënave të deri tanishme 80 njerëz të pafajshëm, në mes tyre me dhjetëra fëmijë si engjëj. Mu kujtuan plakat e çakërdisura palestineze që hidhnin valle kur nga terroristet arabe binladeniste u rrëzuan kullat e New Yorkut në 11 shtator 2001 ku u vranë afër 3 mijë qytetarë të pafajshëm. Mizori. Si ka mundësi të ketë njerëz të tillë kaq mizor mes nesh, sikur të kenë dale prej shpellash mesjetare.
Në faqen e Nico Prognit i dhashë gjegje e mëposhtme asaj zonje gjëmëmadhe që e quante ngushëllimin tim për banorët e Atikisë një hipokrizi, por për shqiptarellat e Kosovës nuk kam asnjë fjalë se andej disa po kanë shënjtor ku falen jo humanizmin njerëzor por Sulltan m. Muratin mizor.
Është e kuptueshme që këtu udha ime me antihumanët me shpirt mizor ndahet:

- Ti moj zonjë, mjerisht me emër katolik, nuk je populli shqiptar- siç pretendon. Ti je veç një individ i pakulturuar e antihuman. Mjer kush bie pre e mllefit tënd të pa sy e të pa mend. Unë i di mirëfilli grekët se kam jetuar 5 vjet atje. Di të mirët e të këqijtë. Di popullin e njerëzit e thjeshtë, por e di dhe politikën, represionin dhe astronominë raciste. Kurrë nuk i ngatërroj këto nocione. Por populli është popull. Njeriu i thjeshte nuk ka pse merr përsipër mizorinë e as krimet e kastave politike apo shoviniste. Ti pretendon në bazë të emrit të jesh katolike. Marre e turp të qoftë. Kristianizmi është mëshire. Mëshira është thelbi i besimit. Ti nuk ke shpirt te krishterë, të ka pushtuar i paemri, shko në kishë e falu sa nuk të ka përpirë e keqja që nuk paska fund në këtë botë!
Kurrë nuk është vonë për shpëtimin e shpirtit!
Amen!

Ne vazhdim keni shënimin tim me ngushëllimin për tragjedinë me përmasa biblike që i ra banorëve të Atikisë në këto ditë përvëluese korriku:

People of Attica, in this tragedy of fire, we are with you!
Banorë të Atikës, në këtë tragjedi zjarri, ne jemi me ju!

As mund ta mendonim kurrë se ato brigje të mrekullueshme të Greqisë përqark Athinës, ai vend perlë me emrin Atiki, që kur shkuam emigrantë në vitin 1991 deri në 1995 e quajtëm parajsa e Zotit në tokë, të digjet e shkrumbohet kësisoj.
Mendja e zemra sot shkon tek populli grek, tek njerëzit e thjeshtë në këtë travajë të madhe e të dhimbshme.
Pushofshin në Paqe viktimat e zjarrit!
Ngushëllime familjeve dhe të afërmve!
Zoti ua lehtësoftë dhimbjen të lënduarve në spitale!

Kolec Traboini
Emigrant në Athine, Greqi 1991-1995

24 korrik 2018