09 July 2018

🟢 Ndre Mjeda, biblik e bilbil i poezisë shqipe - nga Kolec Traboini

NDRE MJEDA
Biblik për kah dimensioni - Bilbil për kah lirizmi


Dom Ndre Mjeda është në mënyrë të padyshimtë një gjigand i letërsisë shqipe. Mjeshtri më i madh i vargut, të cilin me plot të drejtë e kanë cilësuar poeti me limë në dorë. Veç mjeshtrisë së lartë vargjet e tij përshkohen tej e mbanë nga dashuria për Shqipninë e shqiptarët. Njeri me zemër të madhe, një burrë i madh i kombit që meriton një monument në kryeqytetin e shqiptarëve.
Dom Ndreu është i madh edhe sikur na të mos flasim asnji fjalë për të, është një mal i naltë në letërsi e sa herë hypim në atë mal veç na flladit shpirtin. Nuk gjej poet tjetër te jetë kaq mjeshtror, kaq i thjeshtë, të ketë një dimension aq të madh dhe të lexohet nga të gjithë, një poet Gegë të jetë kuptuar e mësuar aq mrekullisht përmendësh nga lexuesit e Tosknisë. Mjeda kish gjetun çelsin e artë të fjalës poetike dhe të ndjesive të zemrës. Do të thosha Dom Ndreu është poeti ynë biblik për nga dimensionet e bilbil për nga ndjesia dhe bukuria e zanit poetik -"Përmbi za që lshon bylbyli...".
Ky është Dom Ndreu ynë!

Kolec P. Traboini
__________________________

NDRE MJEDA
GJUHA SHQIPE

Përmbi za që lshon bylbili,
gjuha shqipe m’ shungullon,
përmbi erë që jep zymbyli,
pa da zemrën ma ngushllon.

Ndër komb’tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera,
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
janë të bukura me themel,
por prap kjo, si diell pa hije,
për mue t’ tanave iu del.

Geg’ e Toskë, Malsi jallia,
janë nji komb m’ u da s’ duron,
fund e maje nji a Shqipnija,
e një gjuhë t’gjith na bashkon.

Qoft mallkue kush qet ngatrrime,
ndër kta vllazën shoq me shoq!
kush e ndan me flak’ e shkrime
ç’ ka natyra vetë përpoq,