11 July 2018

Bisedë për librat me deputeten Vasilika Hysi- nga Kolec Traboini


BISEDË PËR LIBRAT DHE NIVELIN E JETESËS ME DEPUTETEN VASILIKA HYSI

Nga KOLEC TRABOINI


Shqetësuar për gjëndjen katastrofike të trajtimit të librave nga Ministria e Kulturës e Drejtoria e Tatimeve që e pengon qarkullimin e librit shqip,
i drejtuam shënime pyetse deputetes Vasilika Hysi, e cila dënjoi të na përgjigjej, për të cilën e falënderojmë, duke pohuar se e njeh problemi, por përgjigja e saj gjithsesi mbetet evazive sepse nuk tregon ndonjë rrugë konkrete për të dalë nga gjendja reale e pa konceptueshme për një vend e një shoqëri të qytetëruar që pretendon ti bashkohet familjes së vendeve të zhvilluar perëndimore.


E nderuar Deputete VASILIKA HYSI!

Të shkruarit nuk është biznes.
Megjithatë po ju paraqes travajën e krijuesit.
Shkoj të botoj librin me poezi. Botuesi më thotë më jep lekët. Heq nga goja dhe ja jap. Poezia është hobi i jetës sime. Kësisoj jam katandisur e kam botuar 30 libra. Mundim trupi e mundim shpirti bashkë.
Del libri. Botuesi më thotë merri çoji ku të duash veç më liro vendin. Në apartamentin tim 1 dhomë e një guzhinë të kohës së komunizmit i vë në koridor ku mezi kaloj. Deri në 2016 librat i çoja në “Adrion” e mi shiste pak nga pak, por i shiste. Atë vit “Adrioni” më lajmëroj merri librat se pa NIPT(faturë me numur llogarie bisnesi, pra Tatimet me këtë urdhër kërkojnë të bëhem edhe tregtar librash) nuk i pranojmë më. Më mbetën librat në shtëpi.
Pyes mua si qytetar e krijues pse më duhet Qeveria, kur në vend të më stimulojë më pengon? A ti sjell ca libra tek ju e nderuar deputete, se nuk kam ku ti çoj e po më zënë vendin në këtë apartament të vogël.
Ah, kur nuk u bëra jurist plepash e të shpëtoja edhe veten edhe librat.

Me respekt!
Kolec P. Traboini
10 korrik 2018

PËRGJIGJE NGA DEPUTETJA VASILIKA HYSI:

Mirëmëngjes z. Kolec!
E njoh këtë problem mirë. Por unë kam bindjen se ka dy mënyra për shitjen e librit: kontratën e shitjes e bën shtëpia botuese dhe ju merrni atë pak fitim ( nga librat nuk fitohet shumë) ose ju e merrini dhe e dërgoni në librari. Ne të dy rastet shtypshkronja ju duhet të pais me faturë, madje me TVSH. E keqja është kur libri hidhet për karton dhe mundi shkon kot.
Ditë të mbarë!

KOLEC TRABOINI:

Ju faleminderit për përgjigjen e nderuar deputete.
Por nuk është e plotë për të mos thënë e pasaktë. Faturën shtypshkronja ma jep.TVSH është pguar. Pra libri është taksuar një herë. Problemi është se libraria më thotë mua shko hap një NIPT, pra llogari biznesi ndryshe nuk i pranoj librat. Ose ti sjelli këtu Shtëpia Botuese (lexo shtypshkronja sepse ka kaos në botime e Tatimet për këtë flenë gjumë), por ajo i ka larë duart me librat. Nuk do kokëçarje. Problemi mbetet tek unë si autor që kam paguar për botimin e librave. Si të hap biznes unë për të shitur 10 libra apo dhe 50 në vit qofshin? Kjo është anormale. Nuk e di cila mendje diabolike e ka krijuar këtë mënyrë atje në tatime. Mos vallë janë persona antilibër.
Cila është mundësia që ju si përfaqësuese e popullit të ndikoni e zgjidhni këtë problem të komunitetit të krijuesve? A ka zgjidhje apo ti çojmë librat për riciklim çfarë nuk ndodhë në asnjë vend të botës së qytetruar. Mentaliteti, se Shqipëria nuk bëhet, lind pikërisht prej këtyre ekseseve që krijojnë të paditurit apo të djallëzuarit që japin një mesazh të gabuar.
Një shoqëri që nuk lexon është në degradim, e nuk jam unë që e them këtë, e kanë thënë mendimtarët iluministë shekuj më parë.

11 korrik 2018



MENDJEN TEK TAKSAT APO TE STANDARTI I JETESËS SË POPULLIT?

Çuditem me disa  shqiptarë partiakë  qe brohorasin çdo iniciativë të qeverise që prioritet ka interesat të mbushë buxhetin e ta përdor si di vetë e jo të punojë me program e përqendrim maksimal për rritjen e mirëqenies së popullit. 
Fatura blerjesh ushqimore e veshjesh në Washington DC 2017
Zonja Deputete, taksat e ushqimit bazë të popullsisë janë absurdi më i madh që ekziston në botë (flas për këtë botën tonë shqiptare, se jemi kokë në vete e botë në vete).  Një pensionist merr ta zëmë 14 mijë lekë të reja në muaj, 110 dollarë, tmerr i tmerreve. Dhe shkon të blejë ushqime e paguan 20 përqind taks shtetit, pra realisht një pensioniste merr 9 mijë lekë të reja ose 90 dollarë. Si rron njeriu me 90 dollarë, kur duhet paguar për ujin e dritat, taksën e pastrimit, taksën e televizorit, pastruesin e pallatit, taksën e shtëpisë.
More a ka njeri ne atë Parlament që ja qan sadopak hallin popullit të vet që heq nga goja për të mbajtur deputetllarë si agallarë? Se ai i ka zgjedhur.
Mirëqenia është treguesi i çdo gjëje, i çdo zhvillimi e përparimi në një vend, asnjë tregues tjetër nuk ka vlerë përpara mirëqenies së popullit. Me nivel te ulte jetese, kjo varfëri absolute,  të ardhura kaq të ulta si në vendet më të pazhvilluara në botë, me këtë standard katastrofal  jete, pra,  kurrë nuk mund të hyjmë në BE. Veç nëse nuk na fusin nga se nuk duam ti ulemi në prehër Rusisë e Turqisë e te mos bëhemi bisht shtojca të tyre. Po ju tregoj fatura të blerjeve nëpër dyqanet e Amerikës, mbase do të kthjellohen sadopak deputetllarët tanë. Në Arlington mes Washington DC dhe Virgjinias keni këtë faturë origjinale ushqimore.
Taksa e mallrave ushqimore 1% dhe 1.5 % e papërfillshme pra. Ndërsa një faturë tjetër po origjinale nga Washington DC  për blerje mallrash veshje ka taksen  vetëm 5.75 % dhe janë të vitit 2017.  Në kushtet e mjerimit shqiptar por edhe luksit marramendës të deputetëve që 500 metër rrugë i bëjnë me makinë super të shtrenjta, në Shqipëri taksa e mallrave jetike ushqimore duhet të ishte zero për qind. Pse janë kaq të papërgjegjshëm ata që rrojnë me paratë e taksapaguesve shqiptarë e sillen si të ishin padron të këtij populli, që i ka ardhur shpirti ku nuk mban. A nuk e dimë se populli shpesh nga padurimi shpërthen si vullkan i verbër? Viti i mbrapsht kaotik 1997, për shkak të shkatërrimit ekonomik dhe mashtrimeve me fajde, si u harrua kaq shpejt? Jetojmë në një shoqëri me diferenca të  të skajshme ku 5- 8 për qind  popullsisë zotëron 90 % te pasurive, anasjelltas 90 % e popullsisë zotëron vetëm 10 deri 15 % të pasurisë në këtë vend paradoksal. 
Ku vemi kështu?! Pse ecim symbyllur buzë greminës?


12 korrik 2018
TRABOINI ART STUDIO CHANNEL