08 March 2021

🔵 Koineja e gjuhës shqipe / Nikoll Daka - Nga K. P. Traboini

NIKOLL DAKA

KOINEJA E GJUHËS SHQIPE

Një studiues i njohun si Nikollë Daka, një pinjoll nga Hoti i burrave kreshnikë, i burgosun dy herë nga diktatura, përkthyesi i madh i latinishtes, siç e cilësonte Norber Jokli, në kohën kur mblidhej Kongresi i Drejtshkrimit 1972 në Tiranë, ai pikllueshëm për tragjedinë që po ndodhte me të bukurën gegnishte dhe prej dhimbjes shkruante në Shkodër poemën “Koineja e Gjuhes Shqipe”.

Nga KOLEC TRABOINI

Sot më tepër se kurrë po flitet për Gegnishten, madje deri në atë shkallë saqë po shfaqet za edhe për një sfidë publike duke iu shmangur përdorimit të Standartit (fjalë shterpë kjo) dhe përdorun dialektin. Disa krijues nga Shkodra por edhe nga Kosova janë përpjekur të krijojnë e botojnë, dhe ia kanë arritun. E vërteta është se ata janë pak, por kjo nuk do të thotë se nesër nuk do të jenë shumë. Në këto kushte si mund të jenë të qetë gjuhëtarët. Si mund të vegjetojnë nëpër zyrat e tyre studiuesit. Pse nuk bahen të gjallë, por vetëm dalin kur duan të kundërshtojnë edhe në shenjën më të vogël të pranimit të disa trajtave të gegnishtes siç është ramia e ë (pa zanë) në fjalëformin apo diç tjetër duke e konsideruar atentat ndaj Standartit. Mjerisht këta gjuhëtarë që janë vetë të standartizuar, u ka mbetun ora fiks në datën 24 nantor 1972, kur në praninë e tanë Byrosë Politike në tribunë, u ngulfosën në idenë se gjithçka flet për Tosknishten dhe asgjë për Gegnishten, duke ba atë për të cilën ishin thirrun, të ngrinin duart njëzani ashtu si në çdo forum tjetër në Shqipëri. Kush mund të kundërshtonte? Ku mund të shkonte ai që do të guxonte të vinte në dyshim ato ç’ka thoshte Androkli Kostallari e Co. Një studiues i njohun si Nikollë Dakaj, një pinjoll nga Hoti i burrave kreshnikë, i burgosun dy herë nga diktatura, përkthyesi i madh i latinishtes, siç e cilësonte Norber Jokli, në kohën kur mblidhej Kongresi i Drejtshkrimit 1972 në Tiranë, ai pikllueshëm për tragjedinë që po ndodhte me të bukurën gegnishte dhe prej dhimbjes shkruante në Shkodër poemën “Koineja e Gjuhes Shqipe”. Le të sjellim një fragment:

Mbet shtang atdheu, papritmas kur drejtshkrimi
na doli koiné, që tjetër s’ishte,
veç plot toskrishtja plus fjalën ranishte,
Kongresi mbar u tund nga shungullimi

e arbëresh, kosovarë, që lodhë mërgimi
e malli për atdhenë këputë i kishte,
brohoritën me të tjerët si ferishte
pa ua pre mendja se ku ishte synimi.

Gjuha e tri t’katrave të kombit tonë,
gegrishtja e lashtë, e humbi aty shtetsinë
pa të drejtë shkolle, shtypi, skene a fjale

as s’iu desh gja që bani aq jehonë
e n’kulme të shqipes ia çoi letërsinë:
një prej kryesisë e shpalli klerikale.


Çfarë mund të themi pra se krijimi i Standartit të vitit 1972 u ba në kushtet e një lirie të shprehjes së mendimit. Kurrsesi. Por e vërteta asht se ka kenë në funksion demagogjia dhe konspiracioni i institucioneve duke përdorun mashtrimin dhe ku nuk u ecte ai edhe imponimin. E kush na pengon tash ta pasurojmë Gjuhën Shqipe, kujtimi i një hije të vjetër me emrin Androkli Kostallari apo vetë Enver Hoxha që e ka lanë amanet që asnjë fjalë e gegnishte veç fjalës ranishte të mos pranohet sepse ai imponohej me qëndrimin që gjuhën e bëjnë fitimtarët. Në këto kushte si do të ishte e mundur që Enver Hoxha ky diktator i madh, të lejonte të futen në Standart gjuha e gegëve, të atyre pra që kishte pushkatuar djegur e vrarë, madje deri në kufijtë e gjenocidit në Malësinë e Madhe. Moskonsiderimi i gegnishtes ka kenë shprehje e realitetit shqiptar të kohës kur popullsia gege, veçmas katolikët, ndjeheheshin të përjashtuar nga tanë sistemi qeverisës dhe nga piramida e shtetit lokal apo qendror. Kjo është e vërteta, le ta kamuflojnë si e sa sa të duan, por duke e fshehur të mos mendojë kush se ajo ka dhembur apo ende dhemb më pak.
Duke ardhur në ditët e sotme duhet që çështjen e Standartit të krijuar në kushtet e diktaturës ta shohim me syrin e lirisë. Pra a do të ndodhte ashtu siç ndodhi nëse në këtë kongres do të ishin burrat e kombit shqiptar që u mblodhën në Kongres të Monastirit e të mos ishte hija e rëndë e diktatorit në atë sallë? Natyrisht që jo. Po çfarë mund të bëjmë ne në kushtet kur gjuhëtarët që e kanë mbetur e nuk dalin prej bunkerëve të standartit. Sepse e vërteta asht, siç thotë dhe studiuesi që e kaloi jetën burgjeve të diktaturës që toskërishtja e sjellë me imponim si standart ka jo pak ndikim edhe në fonetikë nga turqishtja, ndërsa gegnishtja duke kenë një gjuhë e folur në një terren të izoluem ku nuk shkelte kambë pushtuesi është krejt e natyrshme të ketë mbeturn e pastër ashtu siç ka ardh nga pellazgjikja dhe ilirishtja.
Dhe pikërisht kjo gjuhë e pasun dhe e pastër si krojet e maleve të sakrifikohet duke u pre me sëpatë nga trungu i shqipes. Një absurditet ky që ndodh veç në sisteme totalitare. Le të vazhdojmë me vargjet protestë të dizidentit Nikollë Daka:

Ç’ka paskajorja që të përjashtohet
nga gjuha si nëpërkë, kur e përdor
shumica e kombit? Si, vallë, kambë e n’dorë,
larmia e tingujve të varfërohet?

Për çka theksimi turk nuk zëvendsohet
nga tonet tona të bjeshkëve me borë,
atdheut e gjuhës që na i rrinë kurorë,
po gjuhëve t’huaja jona urë u shtrohet.


Kjo poezi na thotë shumëçka se Standarti u vendos dhunshëm jo thjesht për faktin se u diktua, se kjo tashmë është një e vërtetë e afirmueme sepse kurrgjë në diktaturë nuk bahet me vullnet të lirë, por në aspektin tjetër se proçesi i krijimit të standartit asht i përdhunshëm në mënyrën se si përjashton paskajoren kur këtë, siç e thotë Nikollë Dakaj, e përdor shumica e kombit.
Por spata i ka ra jo vetëm aspekteve gramatikore, por në mënyrë masive edhe leksikut. Nën shëmbëllesën e lejimit të fjales ranishte do të mund të lejoheshin edhe mijëra fjalë të tjera duke i zbutur fjalët e shqipes e duke i dhanë muzikalitet e duke mos mbet skllevër të rotacionit. Është e vërtetë që tanësia e fjalëve në tosknishte tingllojnë më të xhamta, me tingujt disi metaliktë çfarë gjuhëtari Daka e konsideron nga ndikimi fonetik i turqishtes, e unë mund të thosha edhe ndikim i greqishtes, përkundrazi gegnishtja e mbetur në izolim shumëshekullor ka qendru origjinale, e virgjër, asht ma ngrohtë dhe e lakueshme, ka butësi dhe të krijon mundësi të mëdha në krijimtari poetike. Mbaj mend që në fakultet si në atë të gazetarisë, por edhe të gjuhë letërsisë, studentët shpeshherë thonin se e folura shkodranishte, pra zemra e gegnishtes, në gojën e djemve nuk tingëllon dhe aq, por në gojën e vajzave është marramendëse. Një ndjesi të tillë nuk ta krijon asnjë dialekt tjetër. Atëherë pse gjithë kjo alergji për ta përjashtu dialektin e muzave poetike shqiptare. Them kështu edhe për faktin se Gegnishtja letrare ka kenë një fakt i kryem, ajo e ka provuar veten me një klasik si Gjergj Fishta, një mjeshtër të vargut si Ndre Mjeda, por ajo i tregoi mundësitë e veta edhe tek letërsia moderne me Migjenin. Një gjeni si Migjeni asnjëherë nuk e ndjeu veten ngushtë në gegnishten letrare bazuar në shkodranishten. Përkundrazi ajo e ndihmoi atë jo vetëm në artin krijues, por edhe me faktin se me Migjenin, Gegnishtja letrare mori dimension kombëtar. Gegnishtja e Migjenit u bë e kuptueshme në të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan e më tepër. Atëherë kur kjo gegnishte letrare ta jep mundësinë e lindjes së një poeti të madh të gjithëpranuar si është e mundun të bëhet pengesë për të tjerë. Diktatura në mënyrë të sforcueme ngriti kulte shkrimtarësh, veçmas të jugut me të cilët krijoi triumviratin e letërsisë poetike (lexo politike), por asnjeri nuk arriti t’i afrohet Migjenit, i cili i sfidoi kohërat e mediokritetit duke mbetun po aq aktual dhe po aq i madhërishëm me vargjet e tij herë-herë të mistershëm për nga ndërtimi i një universi që mban emrin e tij. Përderisa letërsia shqipe është fatlume për pasjen e një shkrimtari të madh si Migjeni, pse të mos jetë edhe gegnishtja letrare ku ai hodhi shtat dhe u ndje mirë. Duhet pranuar se gegnishtja letrare është ajo zanë që ushqeu me qumështin e frymëzimit gjenitë e poezisë shqipe e ne si mund ta lejojmë të humbë tërë ky univers poetik shkodran? Prandaj them se nuk asht vonë, por asht koha e duhun që të parashtrojmë publikisht idenë se kthimi i Gjuhës Letrare Shqipe me fytyrë nga gegnishtja asht e domosdoshme, asht jetike, asht e dobishme dhe askush dëm prej saj nuk ka. Këtë bindje që kemi duhet ta manifestojnë, duhet të tërheqim vëmendjen publike, duhet t’i paraqesim dëshirën tonë që Gjuha Shqipe të jetë e hapur e jo e mbyllur, që ne nuk do të reshtim së kërkuari një të drejtë të ligjshme të mohuar prej një sistemi të dhunshëm.
Ndoshta asht koha më e mirë që ne vimë prej trojeve të gegnisë, por edhe simpatizantët e saj që janë të shumtë në Shqipëri, Kosovë por edhe miq të huaj të kalojmë nga format e kërkesave individuale në shprehjen e kërkesave e dëshirave tona në mënyrë më të organizuar. Le ta shtrojmë çështjen neve që na dhemb, ne që shkruajmë përditë, sepse e kuptojmë se edhe ata që janë gjuhëtarë me burim prej gegnishtes sonë, nuk mundën të angazhohen dhe aq hapur për shkak se janë studiues të punësuar e do nuk do, kanë pengime. Por ne nuk na pengon asgjë, nuk jemi të varur ekonomikisht nga shteti, mund të dalim e të themi me kurajo fjalën tonë, madje duke dalë në skenë ne i ndihmojmë edhe ata gjuhëtarë që ndajnë me ne të njëjtin mendim, por veç ngurrojnë duke menduar se janë za në minoritet. Ka ardhur koha për gjuhën duhet bâ e jo vetëm duke lshue zâ! Le ta mbyllim me thirrjen e lëshuar nga poeti bash atëherë kur zhvillohej Kongresi i cili ndaloi dhe e përjashtoi Gegnishten nga trungu i Gjuhës shqipe dhe të bindim veten e të tjerët se koha për ndryshim ka ardhur.

Kjo qe lavdia e gjuhës sonë dhe nderi
dhe për ta ngjit përsëri tek gurra,
nuk don kërthingla, por sokola e burra.