TEATRI PËRBALLË MINSTRISË SË BRENDËSHME - DAVIDI DHE GOLIATHI
( Përndryshe, Neronët nuk dinë
tjetër të krijojnë veç varre dhe zjarre)
Nga KOLEC P. TRABOINI
Jo pa qëllim e kam bërë këto selfie-fotografi. Me dukej monstruoze që një Teatër të ishte kaq pranë e përballë një Ministrie të Brendshme. Andej aktorë, lirizëm, këndej policë të armatosur e të murrëtyer me egërsi regjimesh të paskrupullta. Përballë Davidi dhe Goliathi. Dikur, tek e fundit, një përplasje e ndeshje do të ndodhte. Diçka ogurzezë.
Teatri Kombëtar i qëndronte
krenar asaj monstre që ndodhej përballë, ndërtesës hijerëndë e të frikshme të
Ministrisë së Brendshme. Një Ministri e Brendshme në qendër të kryeqyteti ishte
pjellë mizore e Diktaturës, por meqë edhe në post diktaturë (që disa mashtrojnë
ta quajnë tranzicion), vazhduam të udhëhiqemi nga ish komunistët apo pjellat e tyre
bastarde, kësisoj kjo ndërtesë krimesh që duhet të ishte transformuar në nje
objekt kulturor, në një ndërtesë ku të gjallërohej mendimi i lirë e krijues,
vazhdoi të qëndronte si një lubi ogurzeze. Erdhi një kohë që lubia e shkatërroi
ndërtesën e lirë, të lehtë në koncept, të bukur në shfaqje dhe një natë të zezë
e shembi me egërsi të pashoqe Teatrin, simbolin e lirisë së shpirtrave
njerëzore. E ky mostër shembës e ka një emër që të ngjall neveri. U përsërit
viti 1944-45 kur hordhitë komuniste rrafshuan çdo gjë të bukur e të mirë të
kishte krijuar kultura shqiptare dhe dijetarët e mendimtarët, mendjet më të
ndritura, i pushkatoi rrëze mureve të Rrmajit në Shkodër. Sepse ata, mizorët,
kërkonin të ndërtonin një botë të re nga asgjëja, nga pluhuri e hiri, ata e
urrenin Shkodrën se ishte një qytet 2500 vjeçar, më i vjetër se Parisi, Berlini
e Londra, ndërsa vetë këta mizorë që na u shfaqën në tokën shqiptare, kishin
zbritur si hordhi e kuqe gjaku me kërrabe e zhgun të dhirtë nga shpellat. Tani
ndodhën përballë lubia e zezë, Ministria e Punëve të Brendshme e Neronit në
pushtet me rrënojat e institucionit të kulturës që të kujtojnë një muranë, një
varr, sepse Neronët nuk dinë tjetër të krijojnë, veç varre dhe zjarre.
3 mars 2021