Filmmaker, Journalist and Author of 47 books of which 30 with poetry. / Kineast, gazetar dhe autor i 47 librave nga të cilët 30 me poezi.
30 December 2021
🟦 Një milioner amerikan në Shqipëri 1911- nga K. P. Traboini
🟪 Kleri Katolik Shqiptar nga historia në mefshtësi - nga K.P. Traboini
KLERI KATOLIK SHQIPTAR NGA HISTORIA NË MEFSHTËSI
Nga Kolec P. Traboini
Kleri Katolik Shqiptar që ka një emër të madh në historinë e Shqipërisë për kontributet në mbrojtjen e shqiptareve nga asimilimi i plotë prej pushtuesve shekullore, sot shfaqet në nivelin më të ultë të veprimtarisë së vet baritore. Keqardhje është të shprehem kështu, por realitetit nuk kemi çfarë ti bëjmë. Niveli i punëve baritore ndër besimtarët katolikë shqiptarë është thuajse i pandjeshëm dhe më i ultë se sa në kohën e pushtimin 450 vjeçar osman ku shumë priftërinjve u ka ikur koka apo janë varur në litar pikërisht për përkushtimin e tyre në kauzë të shqiptarisë. Shembuj të dënimeve drakoniane janë të shumtë, por dhe guximi i meshtarëve ka qenë i paepur. Sot klerikët tanë katolikë nuk kanë as guximin të protestojnë, as të shtrojnë pyetjen publike se pse një rrugë në Tiranë mban emrin e vrasësit të 2 prej 38 meshtarëve të shpallur martirë nga Selia e Shenjtë, Dom Aleksandër Sirdanit dhe Dom Pjetër Çunit me 31 korrik 1948 në Koplik. Pse pra u bëni martirizimin viktimave dhe nuk protestoni që emri i vrasësit të tyre ti hiqet një rruge në kryeqytetin shqiptar. Pse ju meshtarët tanë të nderuar pranoni ti takoni këta qeveritar të paskrupullt që i kanë venë apo e kanë mbajtur me dekada atë emër vrasësi dhe nga ana tjetër duke u jargavitur vrapojnë të takojnë Papën, por edhe juve klerikëve shqiptarë, duke ju mashtruar në njëqind mënyra. Ju meshtarët katolike, veçmas ju që drejtoni komunitetin besimtar shfaqeni të mefshtë, me një tolerance të stisur madje deri në shpërfytyrim, kur duhet të protestonit dhe detyronit këta qeveritarë të paskrupullt të zhduknin nga rrugët të paktën emrat e vrasësve të meshtarëve katolikë. E papranueshme kjo mefshtësi dhe kjo bashkëjetesë me imazhet e kriminelëve nëpër rrugët e Shqipërisë. Dua t’u kujtoj, më shumë lexuesve se sa ju se, edhe pse ishim në diktaturë komuniste priftërinjtë në Shkodër, jezuitë e françeskane, në vitet 50-60 deri sa institucionet fetare u mbyllën me dhunë nga komunistët, ishin shumë aktivë e të lidhur me popullin. Aq shumë ndikim e simpati kishin në popull, sa për Krishtlindje, por më shumë për Pashkë, në fëmini kam parë të vinin në Kishën e Madhe Katedrale edhe gra e burra myslimanë. Mesa duket qëndresa që po i bënin meshtarët katolikë udhëheqjes dhe dhunës komuniste kishte ngjallur simpati edhe tek njerëzit e besimeve të tjera. Dua te jap një shembull nga libri im "Saga Idromeno" botim i vitit 2021, f. 133. " ...mbledhja u organizua në vitin 1967 tek shkolla Pyjore për demaskimin e Imzot Çobës. Si kudo ndër ato mbledhje nuk munguan as shpifësit e spiunët, ku mbas duartrokitjeve të tyre, klerikët arrestoheshin e u viheshin prangat nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit që gjendeshin në sallë të veshur civilë. Por, krejt ndryshe ndodhi me Imz. Ernest Çobën. Kur është përgatitë terreni për arrestim në atë mbledhje, është çuar në këmbë shoferi trim Dedë Gjushi dhe deklaroi: “Sot nji këtu, nuk guxon kush me i vue prangat Imzot Çobës!” dhe më të vërtetë arrestimi nuk ndodhi siç kishin planifikuar. Akti i Dedë Gjushit mesa duket i tronditi ideatorët e arrestimit nga frika e reagimit publik. Respekti i shkodranëve për Monsinjor Ernest Çobën mund të tregohet nëpërmjet një shembulli tjetër mbresëlënës. Kinse për të gjetur një shkak për mbylljen e kishave në Shkodër, Sigurimi i Shtetit nisi të kërkonte shpifës nëpër qytet e shtëpi për shtëpi kundër Imz. Çobës dhe disa klerikëve të njohur. Kur ia kërkuan këtë gjë një gruaje myslimane, Adile Ashikja, ajo pa i lënë kohë vetes për t’u menduar ua përplasi: “Kam shkue me lypë tek Ai paret e bukës dhe Ai më dha ma shumë se i kërkova....Ju sot, kërkoni që bukën që më fali, me ia shpërblye me shpifje! Ai asht kenë dhe mbetët për mue një meshtar i nderuem i fesë katolike në Shkodër!” Kështu ishin meshtarët tanë. Kishin hyrë jo në shtëpitë por në zëmrat e njerëzve. E tash mjerisht pak kush po i njeh. Që të mos krijohet përshtypja e një tabloje krejt te zezë duam të vëmë në dukje se shembuj të admirueshëm ka. Padyshim dy figura spikatin, Dom Nik-Ukgjini me studime, por edhe me rindërtimin e Kishës se Ndre Mjedës në Kukël, një mrekulli kjo, por edhe Dom Gjergj Meta me analizat e tij në median shqiptare ku prek tema e trajton fenomene, që përbëjnë shqetësim në shoqërinë shqiptare fort e turbulluar. Dhe këto ndiqen me shumë simpati nga qytetarët shqiptar, që ta themi hapur pa dallim besimi. Janë në rrugën e hapur aq mrekullisht nga Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Fishta të cilët admiroheshin njësoj si nga katolikët, myslimanët dhe orthodoksët. Mirëpo që të krijohet kjo frymë duhet qëndruar më pranë njerëzve dhe duhet menduar për një kategori të popullsisë, më vitalja e që shpesh janë indiferent ndaj religjioneve, të rinjtë. A dimë si ti afrojmë ata? Dhe si e ndjejnë veten ata në shtëpitë e perëndisë. Këto vatra besimi a janë qendra interesante apo të zymta si azile pleqsh? Kam marrë pjesë vitin e kaluar në një koncert me muzikë klasike në Kishën Katolike në rrugën e Kavajës në Tiranë dhe ishte një gjë e bukur. Kishin ardhur djem dhe vajza të reja dhe ato e dominonin auditorin. U dha nja koncert në Kishën Orthodokse, Katedrale në Tiranë. Shkova dhe aty, u ndjeva si të isha në Teatrin e Operës dhe baletit sepse salla e koncerteve ishte e re dhe e bukur. Po sa mendojmë ne që objektet e kultit t’i përshtatim në atë mënyrë që njerëzit të vinë me kënaqësi e të ndjehen mirë? Në rrugën e Kavajës kisha po krijon mjedise për tu bërë edhe si një qendër kulturore baritore dhe kjo është për t’u përshëndetur. Po a do të ketë sallë koncertesh ku të dëgjojmë muzikë klasike që ta themi hapur zanafillën muzika klasike e ka pasur ndër kisha. Albinoni ka qenë një prift organist. Dhe muzika e tij është e përsosur. Kush nuk do të dëshironte të vinte e të dëgjonte muzikë nga Albinon, Pachelbel, Bah, Hajden, Shubert, Moxart, Shopen, List, Bet'hoven e të tjerë. Ka shumë gjëra që nuk venë ashtu siç dëshirojmë, por të paktën të përpiqemi sa mundemi për tua bërë njerëzve jetën me të gëzuar dhe institucioni që ka misionin për t’u kujdesur për shpirtrat njerëzorë mund e duhet ta bëjnë ketë sa më mirë të jetë e mundur. Dhe të kenë kujdes nga kthetrat e pushtetarëve, të cilët i kanë humbur lidhjet me popullin. T’u rrinë sa me larg sepse do të ishte fatale nëse populli, besimtarët shohin të jeni luajal me ata që ushtrojnë një pushtet të dhunshëm e janë grabitqarë të pasurive të popullit. Mos i pranoni ata shtetarë apo nëpunës që vinë në Kishë me makina 200 mijë euro kur populli vuan, apo unaza, varëse apo çanta 20 rroga mujore rroga të një punëtori të cilit i rrezikohet edhe jeta në punë ndërsa që ata në pushtet vjedhin hapur nëpërmjet lidhjeve me oligarkët e bandat kriminale. Po e bëtë këtë, po u plekset me miklimet e pushtetarëve hajdute, njerëzit do t’ju shohin ftohtë e do të thonë se edhe ata (pra ju), janë pjesë dhe në aleancë me kastën mbrapsht qeverisëse që e rrjep popullin e vet dhe kësisoj besimtarët do t’ju braktisin e do t’i lënë shkret tempujt tuaj.
© k.p.traboini 2021
Foto:
Kisha e Ndre Mjedës në Kukël e rikonstrukturuar nën kujdesin e meshtarit e studiuesit Dom Nik-Ukgjini.
29 December 2021
🟥 Popull i dhunuar- nga K. P. Traboini
Popull i dhunuar
Nga KOLEC P. TRABOINI
Këtu është ndërtuar një sistem hibrid, shartim në mes të diktaturës e pseudo-demokracisë, ku pushtetin e kanë pas e do ta kenë bandat politike të formatuara me aq dinakëri, sa mos me mund kush për tu afruar në linjën e tyre të luftës për pushtet. Dy banda që nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën kurrqysh, përkundrazi e mbrojnë. Vjedh një palë ikën nga pushteti, pala tjetër nuk e ka më mendjen me vu drejtësi e rregulla e me dënuar hajdutët e parave të popullit, po këqyrin ku po vjedhin ndonjë gjë për vete.